ATV

Category: Lajme

  • Vuçiqi – Stoltenbergut: Puna jonë është ku e vendosim ushtrinë, nuk pranojmë urdhra

    Vuçiqi – Stoltenbergut: Puna jonë është ku e vendosim ushtrinë, nuk pranojmë urdhra

    Pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën nuk e ndihmon situatën e përgjithshme të sigurisë, Vuçiqi, me “stilin e tij diplomatik”, menjëherë i përgjigjet se “Është punë për ne se ku e vendosim ushtrinë dhe se nuk pranojnë urdhra prej tij”.

    Sipas fjalëve të tij, ai e njoftoi Stoltenbegrun se sa serb e braktisën Kosovën vitin e fundit “për shkak të keqtrajtimit të “regjimit të Prishtinës” dhe pyeti se “çfarë është dhuna nëse kjo nuk është”.

    “Unë e di që Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe para kësaj për Zveçanin, gjegjësisht për “grindjen” me pjesëtarët e KFOR-it. Më duhet të them se ne kemi një këndvështrim tjetër për atë që ka ndodhur, por e kuptojmë shumë mirë se cilat janë kërkesat e Perëndimit dhe të NATO-s, ka thënë ai.

    Ai tha se ushtria serbe “asnjëherë nuk i ka tejkaluar kompetencat e saj”, dhe se “ku e vendosim ushtrinë tonë është puna jonë”.

    “Ne nuk pranojmë këtë lloj urdhri”, ka thënë ai.

    Ai ka pretenduar se “incidentet në Zveçan ndodhën pas zgjedhjeve që u organizuan me tre për qind të pjesëmarrjes dhe shpallën sundimin legjitim të atyre kryetarëve”. Pastaj, siç tha ai, “serbët u rebeluan, ka pasur “disa” incidente”.

    Vuçiqi gjithashtu është përpjekur të arsyetojë edhe sulmin terrorist që ndodhin në Banjskë, në veri të Kosovë, i cili, sipas fjalëve të tij, ka ndodhur një vit pasi “disa njerëz e mashtruan Serbinë”.

    “Disa kanë nënshkruar deklaratën në dhjetor 2021, e kam fjalën për përfaqësuesit e SHBA dhe BE-së, që personat që morën pjesë në barrikada nuk do të ndiqen penalisht. Dhe pastaj erdhën forcat speciale shqiptare “që nuk kanë çfarë të kërkojnë në veri të Kosovës” si dhe pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ne nuk pajtohemi me këtë”, ka pretenduar Vuçiqi.

  • Dëshmitari Zijadin Hoxha shpjegon pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999

    Dëshmitari Zijadin Hoxha shpjegon pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, i cili shpjegoi pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999.

    “Më 2 qershor 1999, Latif Fejzullahu u kanë mrena në uzinë. Kjo dhomë ka qenë faktikisht, iu kam tregu edhe më përpara se në këtë dhomë kam flejt edhe unë. Kanë qenë tre shtretër dhe kemi flejt katër veta. Përafërsisht 9 metra apo 10 metra katrorë nuk është ma e madhe. Kjo faktikisht ka qenë pas një dite të lodhshme e të mërzitshme, varrimi i dëshmorit Abdurrahman Gardellaj. Në mbrëmje faktikisht pas një dite të lodhshme dhe të mërzitshme, thotë një fjalë e jona popullore që trimat këndojnë por nuk vajtojnë. Kjo ka qenë hera e parë edhe e fundit (që kemi kënduar)”, tha dëshmitari Hoxha, derisa sqaroi pamjet që iu prezantuan.

    Këtë deklarim, Hoxha e bëri kur u pyet nga mbrojtësi i Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen, lidhur me pamjet të cilat i kishte xhiruar personalisht gjatë periudhës së luftës në uzinën e metalit në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në një pamje tjetër, dëshmitari tha se shihen Latif Fejzullahu dhe Shefki Abdullahu, ndërsa emri i personit të tretë nuk u dëgjua. Hoxha tha se të gjithë ata që shiheshin në pamje kanë qenë nga logjistika.

    Në pyetjet e avokatit, disa herë ndërhynte edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila pyeti dëshmitarin se çka nënkuptohej me “sanitet”. Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ishte dhoma e personelit mjekësor.

    Ndërsa, lidhur me uniformat që mbanin motrat medicinale që punonin në uzinën e metalit në Kukës, ai tha se i kanë mbajtur vetëm mantelet e bardha.

    “Në kohën kur nuk kanë pas nevojë me intervenu dikun i kanë mbajtë këto uniforma, përndryshe i kanë pas mantelet e bardhë asgjë tjetër për me identifiku diçka”, tha dëshmitari.

    Ndërsa, në një pamje të prezantuar në vazhdim, dëshmitari tha se shihej një person me emrin Bedri Azemi. Ndërsa, dhoma në të cilën ishin xhiruar këto pamje, dëshmitari tha se ndodhej në katin përdhesë në objektin ku ka qenë komanda e logjistikës.

    Ndryshe, para se të fillojë me marrjen e dëshmitarit në pyetje, gjykatësja Veldt-Foglia udhëzoi avokatin Gilissen që të bëjë pyetje të hapura.

    Gjykatësja njoftoi se dje, avokati ka shfrytëzuar 1 orë e një çerek për marrje në pyetje të dëshmitarit, si dhe ka njoftuar se i nevojiten edhe rreth një orë tjetër.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Djegia e zyrave në IML, avokati Gashi: Është kryer nga kriminelë të sofistikuar

    Djegia e zyrave në IML, avokati Gashi: Është kryer nga kriminelë të sofistikuar

    Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari, e ka quajtur “krim të kryer nga kriminelë të sofistikuar”, djegien e zyrave të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    “Kriminelet ordinere, pas një krimi, zakonisht i djegin makinat”, ka thënë ai. “Kriminelet e sofistikuar, pas 24 vitesh aktivitet kriminal, “zakonisht” e djegin Institutin e Mjekësise Ligjore – nëse jo tere objektin, te paktën zyrën e drejtorit.”

    Ai ka thënë se në një shtet serioz, dikush do te duhej te ishte “shumë, shumë, shumë i shqetësuar – e jo vetëm ‘i shqetësuar’”.

    “Te paditur thonë janë djegur veç disa letra – krimi nuk ka brina!”, tha ai.

  • Zogaj takohet me protestuesit: S’kemi ndikim të kompanitë private, do të bëjmë çmos që pagat të rriten

    Zogaj takohet me protestuesit: S’kemi ndikim të kompanitë private, do të bëjmë çmos që pagat të rriten

    Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj është takuar me punëtorët teknik të shkollave dhe QMF-ve, të cilët protestuan duke kërkuar rritjen e pagave, raporton Ekonomia Online.

    “Kishim një takim me Sindikatën e punëtorëve të kompanive private të cilët kanë një kërkesë shumë legjitime për rritje të pagave në sektorin privat dhe flasim për pjesën e punëtorëve teknik të shkollave të mesme fillore por edhe të punëtorëve teknik të Qendrave të Mjekësive Familjare”.

    “… ne si Komunë nuk kemi ndikim direkt tek kompanitë private për rritje të pagave, por e kemi mundësinë që të hyjmë në diskutim me ta dhe përmes proceseve tona të prokurimit të fillojmë negocimin dhe diskutimin që këto paga të rritën sepse janë të ulëta, më të ulëta e paga minimale në vendin tonë dhe sot marrin një pagë cila është e papranueshme diku nën 250 euro”.

    “Ne u pajtuam sot edhe me Sindikatën që shumë shpejt të fillojmë me sektorin privat që këto paga të rriten dhe të jenë të dinjiteteshme për punëtorët teknik në shkolla fillore të mesme. por edhe në Qendra të Mjekësisë Familjare. Komunikimi me Sindikatën ishte shumë korrekt dhe do bëjmë çmos që pagat t’i rrisim në të ardhmen e shpejtë”.

  • Ferizaj: E mitura nga Shqipëria raporton se u sulmua seksualisht nga babai i saj

    Ferizaj: E mitura nga Shqipëria raporton se u sulmua seksualisht nga babai i saj

    Një e mitur, shtetase e Shqipërisë ka raportuar në Polici se babai i saj e ka sulmuar atë seksualisht.

    Policia e Kosovës njoftoi se rasti ka ndodhur javën e kaluar në Ferizaj, derisa u bë e ditur se i dyshuari gjendet në arrati.

    “Ferizaj 14.11.2023, 13:30. Viktima femër shtetase e Shqipërisë e mitur ka raportuar se është sulmuar seksualisht nga babai i saj i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia informoi se rasti është duke u hetuar.

     

  • Procesohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

    Procesohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

    Janë procesuar pagesat për afër dy mijë familje të prekura nga vërshimet në shtator të vitit 2022 dhe në janar të vitit 2023.

    Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Murati, tha se 620 familje janë të mbështetura për vërshimet e shtatorit 2022, ndërsa një mijë e 285 familje janë të mbështetura për vërshimet e janarit 2023.

    “Pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga ana e komunave dhe komisionit përkatës për vlerësimin dhe verifikimin e dëmeve, tashmë janë procesuar pagesat në kuadër të mbështetjes për rimëkëmbje nga dëmet e vërshimeve në ekonomitë familjare, për vërshimet në 2022 dhe 2023”, tha ai.

    “Sipas vendimit të qeverisë, dhe vlerësimit të komisioneve përkatëse, gjithsej janë mbështetur 1,905 familje, ku nga to për vërshimet e shtatorit 2022 janë 620 familje të mbështetura, kurse për vërshimet e janarit 2023 janë 1,285 familje të mbështetura”, u shpreh Murati.

    Qeveria e Kosovës kishte ndarë muajin e kaluar 9 milionë euro për mbështetjen e ekonomive familjare të prekura nga vërshimet.

  • Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës

    Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zviceranit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

    Pak kohë pas sulmit, Serbia i dërgoi forcat e saj në afërsi të kufirit kosovar, para se t’i tërhiqte pas reagimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    “Të dy palët duhet t’i ulin tensionet dhe të vetëpërmbahen nga veprimet përshkallëzuese”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.

    Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Serbia ka zhvendosur trupat e saj pranë kufirit me Kosovën disa herë edhe në të kaluarën.

    “Grumbullimi i forcave të Ushtrisë Serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk do të ndihmonte në qetësimin e situatës”, tha Stoltenberg.

    Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

    NATO-ja i ka shtuar 1.000 trupa në misionin e saj paqeruajtës – KFOR – pas dhunës së shtatorit, që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës.

    Ngjashëm si në Prishtinë, edhe në Beograd, Stoltenberg e përsëriti se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit – për të cilin Kosova e fajëson Serbinë e cila i mohon akuzat – duhet të sillen para drejtësisë./REL/

  • UNICEF thotë se është gati të sjellë ndihma nëse ka një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit

    UNICEF thotë se është gati të sjellë ndihma nëse ka një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit

    Toby Fricker nga UNICEF thotë se agjencia do të mirëpriste një marrëveshje armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit që lejon lirimin e pengjeve.

    Megjithëse detajet e marrëveshjes së raportuar janë të paqarta për momentin, një zyrtar i Hamasit i tha Al Jazeera-s se negociatat kanë qenë të përqendruara rreth asaj se sa do të zgjasin dërgesat e ndihmave në Gaza dhe shkëmbimi i të burgosurve dhe pengjeve.

    Fricker i tha BBC-së: “Nëse ka një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të cilin UNICEF dhe shumë të tjerë e kanë kërkuar, atëherë po, atëherë ne duhet t’i sjellim furnizimet sa më shpejt që të mundemi dhe t’i çojmë tek strehimoret, për t’i çuar te njerëzit kudo që janë brenda Rripit të Gazës, kudo që kanë nevojë, gjë që është pothuajse kudo.

    Fricker tha se ndihma do të ishte jetike për sa i përket shpëtimit të jetëve dhe parandalimit të “një katastrofe tjetër”, të shpërthimit të sëmundjeve gjatë dimrit.

  • Policia konfiskon mallra të kontrabanduara në dy raste të ndara, vlera e tyre mbi 25 mijë euro

    Policia konfiskon mallra të kontrabanduara në dy raste të ndara, vlera e tyre mbi 25 mijë euro

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në dy raste të ndara, kanë kapur mall të kontrabanduar në sasi të konsiderueshme.

    Në rastin e parë, pasi kanë ndaluar një mjet pa targa që po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, Policia ka gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.

    Saktësisht ka gjetur 7100 poça elektrikë, 300 kilogramë rrush i terur, 1040 kilogramë arra të qëruara, 200 kilogramë arra indiane, 158 copë jakne, 55 çanta krahu, 25 jelekë-monta, gjashtë palë çorape dhe një palë këpucë për gra.

    Ndërkohë, në të rajonin e veriut, në Jarinje, është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

    “Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Komunikata e plotë:

    Po ashtu në të njëjtën datë, në rajonin e veriut, gjatë një patrullimi nga NjNSh në Jarinje është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

    Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Task Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) në Jarinje, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy automjeteve të ngarkuara me mall të kontrabanduar.

    Në rastin e parë, në rajonin e lindjes, me datën 20.11.2023, është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa i cili po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar që të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të PK-së dhe si përfundim është ndaluar nga zyrtarët policorë.

    Të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M. gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte i janë gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar

    përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS, e që janë si në vijim:

     poça elektrikë – 7100 copë,

     rrush i terur rreth 300 kg,

     arra të qëruara rreth 1040 kg,

     arra indiane rreth 200 kg,

     tekstil jakne 158 copë,

     çanta krahu për femra 55 copë,

     jelek-mont 25 copë,

     çorape 6 palë dhe

     1 palë këpucë për femra.

    Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë.

  • Abdixhiku: Kanë rinisur punimet në “Rrugën A” pasi u rrëzu vendimi i gjykatëses familjare

    Abdixhiku: Kanë rinisur punimet në “Rrugën A” pasi u rrëzu vendimi i gjykatëses familjare

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kanë rifilluar punimet në “Rrugën A” në Prishtinë.

    Ai ka thënë se shkalla e dytë e Komerciales ka rrëzuar vendimin skandaloz të ‘gjykatëses familjare’.

    Abdixhiku ka thënë se shkalla e dytë e ka rrezuar vendimin sepse ka qenë joprofesional dhe shkelje e rëndë.

    Postimi i plotë:

    Punimet në ‘Rrugën A’ rinisën sot! 🚧

    Shkalla e dytë e Gjykatës Komericiale rrëzoi vendimin skandaloz të gjykatëses familjare. E rrëzoi sepse ishte joprofesional; e rrëzoi sepse ishte shkelje e rëndë.

    Vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe. Popullistët, me gjithë mllefin e urrejtjen që bartin për punën e tjetrit na humbën veçse kohë.

    Do të duhej të kishin brenga tjera, do të duhej të kishin qëllime të tjera; sepse vendi ka nevoja plot.

    Ne vazhdojmë; ekipit të Kryeqyteti u themi puna e mbarë ju qoftë; e qytetarët e Prishtinës megjithatë nuk do të harrojnë! 🛣️