ATV

Category: Lajme

  • Masterplani dhe studimi në sirtar, Qeveria pa vendim për gazifikim

    Masterplani dhe studimi në sirtar, Qeveria pa vendim për gazifikim

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ka muaj që Qeveria ka në tavolinë Studimin e Fizibilitetit për Gazsjellësin Maqedoni e Veriut – Kosovë, si dhe Master-Planin e Gazit, dokumente të cilat për më se dy vjet i kërkonte për vendimmarrje eventuale për investime për gazifikim.

    Mungesa e dokumenteve pati shërbyer si arsye për refuzimin e mundësisë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit, përmes një donacioni amerikan në vlerë 200 milionë dollarë, dhe riorientimin e mjeteve për blerjen e baterive.

    Plani Fizibilitetit sqaron disa opsione për gazsjellësin Maqedoni i Veriut – Kosovë, duke rekomanduar në fund përdorimin e materialit 100% të përshtatshëm për tranzicion të mëvonshëm nga gazi në hidrogjen, sipas objektivave të BE-së.

    Gazsjellësi i supozuar Shkup – Prishtinë parashihet të ketë gjatësi rreth 97 km, prej tyre 75 km në pjesën e Kosovës dhe afër 22 km në pjesën e Maqedonisë së Veriut.

    Nga kostoja e përgjithshme e investimeve prej 98 milionë eurosh, pjesa e Kosovës vlerësohet të kushtojë rreth 72 milionë euro, ndërsa ajo e Maqedonisë së Veriut rreth 26 milionë euro.

    Ndërtimi i gazsjellësit në pjesën e Kosovës, sipas studimit mund të bëhet për 49 muaj, ndërkaq në pjesën e shtetit fqinj për 38 muaj.

    Si burime alternative të furnizimit me gaz përmenden Kroacia, Shqipëria dhe Greqia.

    Ndërsa, Master Plani i Gazit detajon katër skenar të gazifikimit të Kosovë: (1) në shkallë të gjerë, (2) në shkallë të vogël, (3) industrial dhe (4) vetëm industrial.

    Në rastin e parë kostoja e përgjithshme e investimit do të ishte 543 milionë euro, në të dytin 200 milionë, në të tretin 73 deri në 88 milionë dhe në skenarin e fundit, 64 deri në 78 milionë euro.

    Tre skenarët e parë parashohin kapacitete gjeneruese prej 380 MW/h, me bazë gazin.

    Varësisht skenarit, për ngrohje parashihet mundësia e shtrirjes së rrjetit në komunat me mbi 20 mijë banorë, ndërsa energji elektrike përmendet skenari për zhvillimin e dy njësive gjeneruese, me cak funksionalizimi në vitin 2028.

    Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, i publikuar javë më parë, theksoi faktin se përkundër se i ka në dispozicion dy dokumentet, nuk ka vendimmarrje lidhur me investime në sektorin e gazit.

  • Më 30 nëntor protestojnë zjarrfikësit

    Më 30 nëntor protestojnë zjarrfikësit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga Qeveria, nuk morën përgjigje për takim. Andaj zjarrfikësit kanë vendosur të shfrytëzojnë mënyra të tjera në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre.

    Të enjten e 30 nëntorit zjarrfikësit do të protestojnë para objektit të Qeverisë me disa kërkesa.

    Por, forma se si do të protestojnë ende nuk është e qartë. Zjarrfikësit nuk e përjashtojnë mundësinë që të qëndrojnë me orë të tëra para ndërtesës së Qeverisë.

    E nëse kryeministri i fton në takim para 30 nëntorit, zjarrfikësit ka gjasa edhe të heqin dorë nga protesta.

    Lidhur me kërkesat e zjarrfikësve, ATV-ja ka tentuar të marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Brendshme, por askush nuk deshi të komentojë.

    Zjarrfikësit e kanë quajtur selektiv, vendimin e Qeverisë që mjetet për rrezikshmëri në punë t’u ndahen vetëm policëve.

    Zjarrfikësit thanë se nuk kanë mbështetje dhe përkujdesje institucionale dhe janë diskriminuar me dekada.

  • Një pjesë e IML-së përfshihet nga zjarri

    Një pjesë e IML-së përfshihet nga zjarri

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    mëngjes.

    Zjarrfikësit, Policia dhe Prokuroria kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Derisa të lënduar nuk pati, një pjesë e dokumenteve u bënë shkrumb e hi. Zjarri kishte përfshirë zyrat e ushtruesit të drejtorit të këtij institucioni, Ditor Halili, dhe ish-drejtorit, Arsim Gërxhaliu.

    Asnjëri prej tyre nuk deshi të prononcohej për rastin.

    Zjarri u shua shpejt, por dëmet që i shkaktoi ende nuk dihen.

    “Ekipi i zjarrfikësve menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka intervenuar për një kohë shumë të shpejtë, ka lokalizuar zjarrin. Çdo gjë është nën kontroll, nuk ka diçka rrezik. Fatmirësisht nuk ka pasë të lënduar, në momentin që kanë ardhë zjarrfikësit këtu, stafi që ka qenë këtu veç ka dalë jashtë. Ka dëme materiale, është e përfshirë një zyrë e ndarë në dysh, ka materiale, dokumente të zyrës, punës, nuk dihet çfarë përmbanin”, tha zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra.

    Disa orë pas incidentit, në një reagim në Facebook, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së apo mostrave.

    “Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”, shkroi Haxhiu duke aluduar në deklarata që ndërlidhnin zjarrin me intervistimin e së hënës të ministres për rastin Deharit.

    Njëkohësisht, Policia dhe Prokuroria tashmë i kanë nisur hetimet.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo është hera e dytë që përfshihet nga zjarri.
    Në mars të këtij viti, zjarri shpërtheu në pjesën ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo rasteve të tjera që janë nën hetim.

  • Osmani: Disa çështje krijojnë dykuptimësi në draft statut, të largohen

    Osmani: Disa çështje krijojnë dykuptimësi në draft statut, të largohen

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Para se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që disa çështje që krijojnë dykuptimësi të eliminohen.

    Osmani ka thënë se tashmë ka përgatitur komentet me shkrim dhe se i ka dërguar te të gjithë akterët e involvuar në përgatitjen e këtij drafti.

    “Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë akterët relevantë të cilët kanë qenë të involvuar në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese”, tha Osmani.

    Ndërsa të paarsyeshme e ka quajtur kërkesën e ndërkombëtarëve që draft-statuti të mos ndahet me liderët e opozitës.

    “Meqenëse është kërkesë e vetë emisarëve ndërkombëtarë që të mos i bëjmë publike komentet, pa e bërë ata vetë publik draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e paarsyeshme që ky draft të mos ndahet edhe me liderët e opozitës. Ata përfaqësojnë si parti politike qytetarë të Republikës së Kosovës, kështu që si presidente kam insistuar nga dita e parë që ky draft të ndahet edhe me ta dhe shpresoj shumë që së shpejti ata që janë autorë të këtij dokumenti do ta japin edhe miratimin për një gjë të tillë”, tha Osmani.

    Sipas presidentes, shumë prej parimeve që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese në vitin 2015, nuk janë të pranishme në draft-statutin euro-amerikan.

  • Pak shpresë për gjetjen e personave të tjerë të zhdukur

    Pak shpresë për gjetjen e personave të tjerë të zhdukur

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Që nga përfundimi i luftës, mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

    Edhe pse, sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, nga 13 lokacione të kontrolluara këtë vit në Kosovë, në shtatë prej tyre u gjetën mbetje mortore, familjet kanë pak shpresë sa i përket zbardhës së fatit të tyre.

    “Gërmimet janë kryer edhe më parë. Mund të gjejnë ndonjë pjesë të kokës apo këmbës, por persona të tjerë jo. Ndoshta një individ munden, por jo më shumë”, tha kryetari i Këshillit të Familjeve të të Pagjeturve, Ahmet Grajqevci.

    Por, gërmimet vetëm në Kosovë nuk mjaftojnë, thonë nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas Bekim Blakajt, i cili udhëheq këtë organizatë të pavarur e cila i dokumenton krimet e luftës, fati i shumë prej të zhdukurve fshihet në lokacione të tjera.

    “Komisioni qeveritar ka bërë kërkesa te autoritetet serbe që të japin dosje që gjenden në arkivat serbe dhe nuk kemi info që kjo ka ndodhë. Duhet që me më shumë ngulm të kërkohen dhe hapjen arkivave që mund të shpijnë në lokacionet e varrezave masive.” FLASH “Nuk mjafton vetëm përkushtimi i institucioneve, por duhet të ketë edhe një vullnet më të madh politik që të bëhen apo nxirren informacionet mbi lokacionet e varrezave”, tha Blakaj.

    Derisa familjet janë në pritje, autoritetet janë duke punuar edhe në Ligjin për Personat e Zhdukur, i cili, qysh në fund të majit, është thënë se është afër finalizimit.

  • Prishtina pa institut rajonal të shëndetësisë publike

    Prishtina pa institut rajonal të shëndetësisë publike

    Përgatiti: Sara Shehu

    Derisa gjashtë qytete të vendit, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë e Ferizaj, kanë Institut rajonal të shëndetësisë publike, një i tillë nuk u ndërtua asnjëherë në Prishtinë.

    Për t’ua mundësuar prishtinasve kryerjen e analizave më të thella laboratorike, Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se e kanë në plan që në vitin tjetër të fillojnë ndërtimin e objektit të institutit.

    “Pa dyshim që është e rëndësishme të kemi një institut të tillë, meqë Prishtina ende nuk e ka një të tillë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe ne jemi në kontakt me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pritet që vitin tjetër me pas një të tillë e besojmë se po”, tha Zogaj.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një përgjigje me shkrim, kanë bërë të ditur për ATV-në, se janë në diskutime edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për ndërtimin e një qendre të tillë.

    “Një institut rajonal i shëndetësisë publike parashihet të jetë edhe në Prishtinë. Detajet e tjera rreth këtij instituti në Prishtinë, po trajtohen midis Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së dhe komunës, përfshirë çështjet që lidhen me lokacionin, infrastrukturën, burimet njerëzore dhe aktet e tjera që e shoqërojnë themelimin, ndërtimin dhe funksionalizimin e një qendre të tillë”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

    Megjithatë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, as nuk është i informuar për një plan të tillë të IKSHPK-së dhe komunës.

    “Prishtina e ka IKSHPK-në, nuk m’kanë thanë mu nga komuna apo IKSHPK-ja, domethënë askush s’m’ka tregu, është e çuditshme, jam i gatshëm të diskutojmë por me një analizë paraprake e jo vetëm me deklarata të cilat nuk janë garancion që do të kryhet puna”, tha Vitia.

    IKSHPK-ja si institucion shëndetësor i nivelit terciar vazhdon të jetë i mbingarkuar me kryerjen e një sërë analizave nga më të ndryshmet.

  • Rinisin punimet në “Rrugën A”, komercialja ktheu lëndën në rishqyrtim

    Rinisin punimet në “Rrugën A”, komercialja ktheu lëndën në rishqyrtim

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Një muaj pasi u pezulluan, punimet për ndërtimin e “Rrugës A” rinisën.

    Ndonëse ditë me shi, të martën disa punëtorë të kompanisë së kontraktuar u panë duke punuar, pasi Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, ktheu lëndën në rishqyrtim.

    Në aktvendimin e Shkallës së Dytë të komerciales të cilin e ka siguruar ATV-ja, thuhet se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore.

    “Kolegji i Gjykatës Komerciale vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së Shkallës së Parë nuk është i drejtë dhe si i tillë nuk mund të pranohet, pasi që aktvendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore. Aktvendimi është i pakuptueshëm, juridikisht i paqartë dhe jo i plotë, kundërthënës me vetveten dhe arsyetimin e tij. Kolegji, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka gjetur se palët e interesuara nuk kanë qenë të përfshira dhe nuk iu është dhënë mundësia që të jenë palë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë, të cilat bëjnë shkelje esenciale të dispozitave ligjore”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Komerciale.

    Vendimi i fundit i Gjykatës Komerciale u mirëprit nga zyrtarë të komunës së Prishtinës.

    Megjithatë, ndalja e punimeve për një muaj sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogajt, do të zgjasë afatin e përfundimit të një prej projekteve më të mëdha të Komunës së Prishtinës.

    Vendimi i Shkallës së Parë për pezullimin e punimeve në “Rrugën A” ishte marrë më 17 tetor.

    Teksa ishte cilësuar si projekti më i madh i dekadës së fundit në kryeqytet, pjesa e parë e rrugës “Jim Xhema” ishte paraparë të kushtojë 8.4 milionë euro.

  • Themelimi i Gjykatës Administrative, projektligji në konsultim publik

    Themelimi i Gjykatës Administrative, projektligji në konsultim publik

    Përgatiti: Nora Luta

    Departamenti administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të shkrihet në Gjykatën Administrative.

    Projektligji për këtë gjykatë që nga 20 nëntori është në konsultim publik dhe para miratimit do t’i pranojë vërejtjet e rekomandimet deri më 8 dhjetor.

    Gjykata Administrative do të ketë juridiksion në tërë territorin e Kosovës.

    Por, do të jetë kompetente në zgjidhjen e të gjitha kontesteve nga marrëdhënia e punës, mes personit fizik dhe institucionit publik, siç përcaktohet me nenin 5 të projektligjit.

    Shoqëria civile pret që funksionalizimi i Gjykatës të ndikojë në zgjidhjen sa më efikase të lëndëve administrative.

    Megjithatë, juristët thonë se do të duhej që të sigurohet staf i mjaftueshëm dhe kushtet e duhura të punës.

    Në punë janë aktualisht rreth 10 mijë lëndë të natyrës administrative në departamentin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Gjykatën Komerciale dhe të Apelit.

  • Vuçiq sekretarit të NATO-s: Ushtrinë e vendosim ku të duam

    Vuçiq sekretarit të NATO-s: Ushtrinë e vendosim ku të duam

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Një ditë pas vizitës në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, aterroi në Beograd.

    Pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, Stoltenberg foli për disa çështje, përfshirë bashkëpunimin, asociacionin dhe vendosjen e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

    “Ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. NATO-ja është e gatshme ta ruajë paqen. Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon. Unë mirëpres koordinimin e ngushtë midis ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it. Unë llogaris në të gjitha palët për t’i ulur tensionet. Unë mbështes formimin e Asociacionit, ky do të ishte çelësi i normalizimit”, tha Stoltenberg.

    Por, deklaratën e Stoltenbergut për vendosjen e ushtrisë, Vuçiq nuk e kaloi lehtë.

    ‘Ushtria serbe kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat. Por, se ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, tha Vuçiq.

    Në Beograd, Stoltenberg po ashtu tha se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.

    Megjithatë, Vuçiq deklaroi se ngjarjen në Banjskë e shohin nga një tjetër.

    “Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë. Por, meqenëse e di se Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe Zveçanin, më duhet të them se ne kemi një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kuptojmë kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”, tha Vuçiq.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë më 20 nëntor, duke iu referuar sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca po shqyrton nëse është i nevojshëm shtimi i përhershëm i pranisë ushtarake në Ballkan.

  • VV-ja thotë se provat për rastin “Dehari” askush s’mund t’i dëmtojë

    VV-ja thotë se provat për rastin “Dehari” askush s’mund t’i dëmtojë

    Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se sa i përket rastit “Dehari”, nuk mundet askush t’i dëmtojë më ato prova sepse sipas tij, mbi to janë bërë tashmë ekspertiza e superekspertiza.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shtuar se për sigurinë e tyre nuk duhet askush të shqetësohet.

    “Të shqetësuar jemi vetëm mbi padrejtësinë, moszbardhjen ende të atij rasti. Rasti i Astrit Deharit është me të vërtetë rast që ka prekur gjithë shoqërinë dhe çka do që ndodh njerëzit me të drejtë hedhin dyshime, por provat dhe e vërteta janë të pazhbëshme tashmë. Është koha vetëm për drejtësi”, ka shkruar Manxhuka.