ATV

Category: Lajme

  • Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Peja me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 11 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë Mitrovica dhe Prishtina me nga 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 11 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë me 20 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e këtij personi

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e këtij personi

    Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.

    Sipas policisë, i dyshuari po kërkohet për përfshirje në një rast “lëndim trupor” që ka ndodhur me datën 6 qershor të këtij viti në rrugën “Tirana” në Prishtinë.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi. I dyshuari kërkohet për përfshirje në një rast, Lëndim trupor që ka ndodhur me datën 06.06.2023, në rrugën “Tirana” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendodhjes së saj, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • 9 persona lëndohen nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren, Policia identifikon 3 të dyshuar

    9 persona lëndohen nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren, Policia identifikon 3 të dyshuar

    Sot në tregun e kafshëve në Prizren ka ndodhur një shpërthim ku janë lënduar nëntë persona.

    Policia ka arritur t’i identifikojë tre të dyshuar për këtë rast, të cilët janë tashmë në kërkim.

    “Nga informatat e para është kuptuar se 9 persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë te lënduarit janë në emergjencën e Spitalit Rajonal te Prizrenit”, ka thënë Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë Rajonale të Prizrenit.

    “Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë hetimet rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre te dyshuarit janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, deklaroi ndër të tjera Gashi.

     

  • Jep dorëheqje drejtori mjekësor në Spitalin e Pejës

    Jep dorëheqje drejtori mjekësor në Spitalin e Pejës

    Besnik Ibraj ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

    Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se aryseja e dorëheqjes është angazhimi në edukimin e vazhdueshëm profesional i Ibrajt.

    “Ai do të vazhdojë të kontribuojë si shef i Emergjencës dhe kryetar i Këshillit Profesional”, thuhet në njoftimin e spitalit.

    Në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit mjekësor është emëruar Gani Rama.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon, sot nga ora 09.30, procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.
    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dje, ka vazhduar dëshminë e tij dëshmuari i pestë i mbrojtjes, Zijadin Hoxha, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
    Ai është pyetur në lidhje me qëndrimin në Uzinën e Metalit në Kukës, për çka ka pranuar se ka dhënë deklaratë të gabuar kur ka thënë se në maj të 99-s kishte mbërritur në Kukës. Hoxha ka pranuar se gjatë asaj kohe është marrë me riparimin e armëve.

    Nga mbrojtja e Pjetër Shalës, Hoxha u pyet në lidhje me pamjet që kishte xhiruar gjatë periudhës së luftës në Uzinën e Kukësit.

    Në çështjen gjyqësore Shala, për këtë javë pritet të mbahen pesë seanca, raporton RTKlive.

    Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Zjarri në IML, ja çfarë thonë nga policia

    Zjarri në IML, ja çfarë thonë nga policia

    Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh është deklaruar për zjarrin që të martën ka përfshirë disa nga zyret e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    Sipas raportit, zjarri është lokalizuar menjëherë nga zjarrfikësit, dhe nuk ka pasur persona të lënduar.

    Policia tashmë ka nisur hetimet për këtë rast.

    “QKUK – Prishtinë 21.11.2023 – 08:00. Janë përfshirë nga zjarri dy zyra në objektin e IML-së në QKUK. Njësiti i zjarrfikësve kanë lokalizuar dhe fikur zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar, rasti në hetime nga njësitë relevante”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Mblidhen tri komisione parlamentare

    Mblidhen tri komisione parlamentare

    Tri komisione parlamentare do të mbajnë sot mbledhje në orare të ndryshme.

    Me fillim nga ora nëntë do të mblidhet Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    Në këtë mbledhje do të shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024, për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit.

    Në ora dhjetë do të mbajë mbledhje Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Ky komision do të diskutojë rreth propozim-buxhetit të detajuar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë për vitin 2024.

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mblidhet në ora njëmbëdhjetë.

    Ky komision do të shqyrton Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2022.

  • Mblidhet qeveria, këto janë pikat që pritet të miratohen

    Mblidhet qeveria, këto janë pikat që pritet të miratohen

    Qeveria e Kosovës do ta mbajë mbledhjen e radhës sot nga ora 10:00.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

    Ky është rendi i ditës:

  • Izraeli dhe Hamasi pajtohen për armëpushim dhe lirim pengjesh

    Izraeli dhe Hamasi pajtohen për armëpushim dhe lirim pengjesh

    Qeveria e Izraelit dhe grupi radikal palestinez Hamas — i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian — janë pajtuar të mërkurën për një ndërprerje katërditore të luftimeve, për të mundësuar lirimin e 50 pengjeve që po mbahen në Gazë, në shkëmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjes së ndihmave humanitare në territorin e rrethuar, raporton Reuters.

    Zyrtarë nga Katari, që ka ndërmjetësuar negociata sekrete, si dhe nga SHBA-ja, Izraeli e Hamasi, prej ditësh kanë paralajmëruar për arritjen e një marrëveshjeje.

    Hamasi besohet se po mban mbi 200 pengje, të cilët i ka marrë kur luftëtarët e tij ia mësynë Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona, sipas autoriteve izraelite.

    Një komunikatë e lëshuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen brenda një periudhe katërditore, gjatë së cilës do të ketë ndërprerje të luftimeve.

    Për çdo 10 pengje shtesë të liruara, armëpushimi do të zgjatet për një ditë shtesë, ka njoftuar zyra e Netanyahut, pa përmendur lirmin e të burgosurve palestinezë në shkëmbim.

    “Qeveria e Izraelit është e vendosur për kthimin e të gjithave pengjeve në shtëpi. Sot, ajo ka aprovuar marrëveshjen e propozuar si fazë të parë drejt arritjes së këtij objektivi”, thuhet në komunikatë, e cila u lëshua disa orë pas diskutimeve prapa dyerve të mbyllura.

    Hamasi ka thënë se 50 pengjet do të lirohen në shkëmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë, të cilët mbahen në burgjet izraelite. Marrëveshja e armëpushimit do të lejojë, po ashtu, hyrjen e qindra kamionëve me ndihma humanitare, ilaçe dhe karburante në Gazë, ka thënë grupi radikal palestinez, përmes një komunikate.

    Izraeli është zotuar se nuk do të sulmojë apo nuk do të arrestojë askënd në të gjitha pjesët e Gazës gjatë periudhës së armëpushimit, ka njoftuar Hamasi.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur. “Marrëveshja e sotme duhet të kthejë një shtëpi pengje shtesë amerikane, dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, ka deklaruar ai, përmes një komunikate.

    Qeveria e Katarit ka thënë se 50 civilë, gra dhe fëmijë, të marrë peng, do të lirohen nga Gaza në shkëmbim të lirimit të “një numri grash dhe fëmijësh palestinezë që mbahen në burgjet izraelite”.

    Fillimi i zbatimit të marrëveshjes do të bëhet i ditur brenda 24 orësh, ka njoftuar ajo, përmes një komunikate.

    Marrëveshja është e para e armëpushimit në një luftë në të cilën bombardimet izraelite kanë rrafshuar pjesë të mëdha të Gazës së qeverisur nga Hamasi, kanë vrarë 13.300 civilë në një territor të vogël me dendësi të madhe popullsie, dhe kanë lënë rreth dy të tretat e popullsisë së tij prej 2.3 milionë banorësh pa kulm mbi kokë, sipas autoriteteve në Gazë.

    Por, Netanyahu ka thënë se misioni i Izraelit nuk ka ndryshuar.

    “Ne jemi në luftë dhe do të vazhdojmë luftën derisa t’i arriojmë të gjitha objektivat tona. Ta shkatërrojmë Hamasin, t’i kthejmë të gjitha pengjet tona dhe të sigurohemi se askush në Gazë nuk mund ta kërcënojë Izraelin”, ka deklaruar ai para fillimit të takimit qeveritar.

    Hamasi ka thënë në komunikatën e tij se, “përderisa po shpallim arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, konfirmojmë se luftëtarët tanë mbeten të gatshëm, dhe luftëtarët tanë fitimtarë do të vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e popullit tonë dhe për mposhtjen e okupatorëve”.

    Tre amerikanë, përfshirë një vajzë trivjeçare, prindërit e së cilës ishin mes të vrarëve gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, pritet të jenë ndër pengjet që do të lirohen, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.

    Përveç qytetarëve izraelitë, mbi gjysma e pengjeve kanë nënshtetësi të dyfishtë nga mbi 40 shtete, përfshirë SHBA-në, Tajlandën, Britaninë, Francën, Argjentinën, Gjermaninë, Kilin, Spanjën dhe Portugalinë, ka thënë qeveria izraelite.

    Sipas mediave izraelite, lirimi i parë i pengjeve pritet të bëhet të enjten. Zbatimi i marrëveshjes duhet të presë 24 orë për t’i dhënë qytetarëve izraelitë rastin t’i kërkojnë Gjykatës Supreme ta ndalojë lirmin e të burgosurve palestinezë, raportuan ato. /REL

  • Qeveria kundërshton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Qeveria kundërshton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtoria Koordinuese serbe.

    Në një postim në Facebook, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë.

    “Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkërisht prej vitesh”, ka thënë ai.

    Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.

    Qeveria e Kosovës fton BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.

    “Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, ka thënë Bislimi.

    Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta.

    “Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%”, ka thënë Bislimi.

    Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të sigurohen që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës.

    “Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”, përfundon Bislimi.