ATV

Category: Lajme

  • U paraqit si bamirës e ua vodhi paratë nga llogaria bankare, familja kosovare që po trajtonte vajzën në Turqi mashtrohet nga një person nga i cili edhe po kërcënohen

    U paraqit si bamirës e ua vodhi paratë nga llogaria bankare, familja kosovare që po trajtonte vajzën në Turqi mashtrohet nga një person nga i cili edhe po kërcënohen

    Qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar nga vjedhja e të dhënëve personale por edhe nga vjedhja e mjeteve monetare nga llogaritë e tyre. Mos informimi dhe mosnjohja sa duhet e sistemit bankar ka bërë që shumë qytetarë t’i humbin të ardhurat e tyre, e një rast i tillë ka ndodhur edhe me një familje kosovare, të cilët kishin nevojë për ndihmë financiare, për shërimin e vajzës së tyre jashtë shtetit.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin “A LIVE”, tezja e vajzës në nevojë ka folur lidhur me këtë rast, duke treguar se kishin rënë pre e mashtrimit nga një person.

    Ajo tha se derisa po mblidheshin të hollat nga bamirës vullnet-mirë, një ditë ata kishin rënë pre e mashtrimit nga një person, i prezantuar si bamirës, nën pretendimin se ai i ka mbledhur 10 mijë euro para, që do të ndihmonin për trajtimin e vajzës.

    Tutje, ajo thotë se i dyshuari, një djalë nga Mali i Zi i kishte mashtruar ata duke iu kërkuar atyre numrat e xhirollogarisë bankare, me ç’rast e njëjta llogari bankare keqpërdoret, duke i tërhequr parat.

    Për të ndjekur të gjithë rrëfimin se si kishte ndodhur mashtrimi, klinkoni në linkun e mëposhtëm:

  • Arrestohet një nga tre të dyshuarit për shpërthimin në Tregun e Kafshëve

    Arrestohet një nga tre të dyshuarit për shpërthimin në Tregun e Kafshëve

    Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se sot rreth orës 04:50 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim në Tregun e Kafshëve në Prizren.

    Nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante policore për të hetuar rastin.

    Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre.

  • Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, përfaqëson Kosovën në Samitin e 7-të të Selanikut

    Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, përfaqëson Kosovën në Samitin e 7-të të Selanikut

    Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin e shtatë të Selanikut që ka nisur punimet dje.

    Zëvendësministrja Gashi mori pjesë në diskutimin me temën: “Përmbushja e premtimit të BE-së – Sa shpejt?”, në një panel me folës kryesore Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, e ku ndër të tjerash diskutua mbi mundësitë dhe sfidat e integrimit të Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Në adresimin e saj, Zëvendësministrja Gashi theksoi se Kosova mbetet një partner aktiv dhe i përkushtuar drejt stabilitetit dhe demokratizimit në rajon dhe në rrugën e saj evropiane. Po ashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, të cilin e sheh si hap në drejtimin e duhur. Pas shumë vitesh stagnimi, pakoja e zgjerimit e publikuar së fundmi, rikthen shpresën për fokus tek zgjerimi i BE-së.

    “Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në dhe brenda Ballkanit Perëndimor, përkon me përkushtimin tonë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë viteve të fundit. Së shpejti, Kosova do të prezantojë dhe planet, projektet kyçe e synimet e saj nga përfitimi i këtyre fondeve të BE-së”, u shpreh Zëvendësministrja Gashi.

    Zëvendësministrja Gashi nënvizoi se nuk mund të flitet për të ardhmen e rajonit ndërkohë që stabiliteti është ende i lëkundshëm dhe i penguar nga mungesa e sigurisë dhe nga përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, siç ishte edhe akti i fundit i agresionit ndaj sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe sigurisë kombëtare në Banjskë.

    “Ne nuk duam konflikte në rajon. Ne duam paqe dhe siguri. Ne kemi treguar pjekuri dhe profesionalizëm maksimal në reagimin ndaj sulmit terrorist të Banjskës. Por pavarësisht përkushtimit të Kosovës për stabilitet dhe paqe, dhe rrugën drejtë Bashkimit Evropian, ne nuk mund të vazhdojmë përpara nëse kemi standarde të dyfishta që përdoren ndaj Serbisë dhe Kosovës” – theksoi Zëvendësministrja Gashi.

    Përgjatë panelit u diskutua edhe për rëndësinë për harmonizim të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë Evropiane dhe nevojën për reformat rrënjësore për adresimin e sundimit të ligjit.

  • Miratohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Holandë për sigurimet sociale

    Miratohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Holandë për sigurimet sociale

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale me Holandën.

    Në prezantimin e projektligjit, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me këtë marrëveshje shprehet vullneti i palës holandeze për ta shfuqizuar një marrëveshje të kohës së ish-Jugosllavisë. Ai ka shtuar se me këtë projektligj krijohet bazë e re ligjore për sigurimet sociale.

    “Me marrëveshjen e re rregullohen marrëdhëniet për sigurimet sociale që u mundëson qytetarëve njohjen e ndërsjellë për përfitimet e pensioneve. Qytetarëve të të dyja vendeve që kanë punuar në Holandë dhe Kosovë u mundësohet që pas arritjes së pensionit t’i marrin pensionet në vendet ku ata jetojnë”.

  • ​Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së mbahet me dyer të mbyllura

    ​Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së mbahet me dyer të mbyllura

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë po mbajnë mbledhje me dyer të mbyllura.

    Në këtë takim të anëtarëve të këtij komisioni është paraparë të diskutohet në lidhje me propozim-buxhetin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë për vitin e ardhshëm.

    Pas takimit nuk do të ketë deklaratë për media.

  • Haxhiu: Dhuna në familje s’është çështje private, duhet të raportohet dhe dhunuesit të dënohen

    Haxhiu: Dhuna në familje s’është çështje private, duhet të raportohet dhe dhunuesit të dënohen

    Misioni i OSBE-së dhe Këshilli i Evropës kanë mbajtur tryezë mbi përforcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e zbatimit të “Konventës së Stambollit” në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ka përmendur hapat që kanë marrë në zbatimin e Konventës. Në këtë rast ajo shtoi, se është rritur buxheti, për çka tha se po punohet që të trajtohen dhunuesit që mos ta përsërisin veprën.

    Por ajo shtoi se dhuna duhet që të raportohet ngase nuk është çështje private, përderisa ka kërkuar dënimin e kryesve të këtyre veprave penale.

    “Kemi marr disa veprime si institucione. Përveç strategjisë, kemi përgjithësi shumë të madhe, duhet të adresohen të gjitha shkeljet. Kemi krijuar ndihmën juridike falas. Në çështje penale e administrative kemi miratuar protokollin. Në planifikojmë t’i trajtojmë dhunuesit që të mos i përsërisin veprat penale”.

    “Kemi adresuar hetime në kohë të arsyeshme kundër dhunës seksuale. Kemi rritur buxhetin për strehimoret. Bashkë me Ministrinë e Financave kemi marrë masa për punësimin e të mbijetuarave të dhunës. Do të risimin numrin mbrojtëseve të viktimave. Pavarësisht masa që i kemi marr ne si institucione si shoqëri nuk e kryejmë punën tonë pra të i ndihmojmë viktimat të mos injorojmë. Dhuna në familje nuk është çështje private. Duhet të raportohet, po ashtu duhet të dënohet, prandaj kërkoj bashkëpunim. Kur jemi të dhuna në familje duhet të jemi një zë se vetëm kështu mund të kemi sukses”.

    Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se Konventa e Stambollit është një dokument shumë i rëndësishëm që u shërben institucioneve në këtë drejtim. Ajo më tej ka kërkuar që të ketë zbatim ët ligjeve.

    Ajo kërkoi që të ndryshojë edhe qasja në përgjithësi ndaj grave, për çka tha se duhet ët punohet me gjeneratat e reja.

    “Është një dokument që është duke na shërbyer tej mase. Gjithashtu është e rëndësishme me u përmend veprimet që janë marr nga Republika e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë. Vlen të përmendet ende kemi paragjykime ndaj grave në të gjitha rrafshët. Kemi pasur diskutime si trajnohen grat brenda ushtrisë brenda Policisë si perceptohen edhe te mediat po kthemi edhe në aspektin e grave të vrara nga burrat e tyre”.

    “Një nga pikat që duhet punuar më shumë është të ndërtojmë një formë ku duhet mbledhur më shumë të dhëna. Unë përmendi sa është e rëndësishme për gjeneratat e reja t’i edukojmë për qasjen ndaj grave.. Duhet të punojmë më shumë ta ndryshojmë këtë qasje. Patjetër që Konventa e Stambollit luan një rol të madh për të krijuar hapësirë të madhe brenda institucioneve tona për të krijuar hapa konkret përveç Ligji kundër dhunës familjes ka edhe elemente tjera që duhet të adresohen patjetër duhet të këtë edhe zbatim të mirëfilltë”.

    Pesë raste të dhunës në familje brenda ditës në Kosovë

  • Aksident tragjik në Zvicër, humb jetën një këmbësor nga Kosova

    Aksident tragjik në Zvicër, humb jetën një këmbësor nga Kosova

    Bernë, 21 nëntor – Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Horgen të Zvicrës, ku si pasojë ka humbur jetën një i moshuar i moshës 83-vjeçare nga Kosova, i cili është goditur nga një veturë, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch duke u referuar burimeve të policisë kantonale.

    Rrethanat e sakta që çuan në aksident janë ende të paqarta. Aksidenti ka ndodhur në Horgen rreth mesditës të së martës, ku janë një veturë ka goditur një këmbësor.

    Gazeta zvicerane Le Canton27.ch ka mësuar nga policia se, këmbësori pasi ëhstë goditur nga vetura, është hedhur disa metra larg. Në vendngjarje, shërbimet e emergjencës kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen e 83-vjeçarit nga Kosova.

    Policia kantonale bën me dije se drejtuesi i mjetit ishte një 51-vjeçar i cili po lëvizte nga Einsiedlerstrasse drejt Horgenit. Përplasja ka ndodhur në Mühlebachstrasse teksa këmbësori po kalonte rrugën. Ecuria e saktë e aksidentit tani po hetohet nga policia kantonale dhe nga prokuroria publike. Për familjarët e viktimës u kujdesën pastorë të urgjencës.

    Për të përcaktuar rrjedhën e saktë të aksidentit, policia kantonale kërkon nga të gjithë ata që mund të japin informacion për ngjarjen të telefonojnë në numrin 058 648 67 90.

  • Shtyhet për në prill regjistrimi i popullsisë

    Shtyhet për në prill regjistrimi i popullsisë

    Qeveria e Kosovës mori vendim që të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky proces është caktuar të nis me 5 prill deri më 17 maj të vitit 2024.

    Ai njoftoi se ka marrë vendim për ndryshimin e menaxhmetit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për arsye të mos fillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë.

    “Propozoj para jush që regjistrimi i popullsisë të shtyhet në periudhën prej 5 prillit deri më 17 maj të vitit 2024 për të zbatuar parimet e EUROSTAT dhe për t’i dhënë rast menaxhmetit të ri të tregojë efikasitet në kryerjen e përgjegjësive”.

    Ky proces ishte paraparë që të fillonte me 1 nëntor të këtij viti.

  • Kryeministri Kurti takohet me përfaqësues nga Komiteti Paralimpik i Kosovës

    Kryeministri Kurti takohet me përfaqësues nga Komiteti Paralimpik i Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka pritur në takim Komitetin Paralimpik të Kosovës, ku të pranishëm ishin kryetarja e këtij komiteti Njomza Emini, Nënkryetari Daut Tishuki, Sekretarja e Përgjithshme Arjeta Gashi, Kryetari i Federatës ParaAtletike të Kosovës Avni Kelmendi, Parasportisti Grevist Bytyçi, Parasportistja Vjollca Hoxha dhe Trajneri Adrian Mazreku.

    Kryeministri Kurti u shprehu mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim në të cilin diskutuan për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat Paralimpike që mbahet në vitin e ardhshëm në Paris ku Kosova do të shënojë debutimin e parë pjesëmarrës në Lojëra Paralimpike Parisi 2024. Me këtë rast, kryeministri e përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që tani po ia mundësojnë përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare.

    Pas një rrugëtimi të gjatë të ekzistencës së KPK, në pjesën e dytë të vitit 2023 KPK është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian. Ky sukses është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes financiare të KPK-së në vitin 2022 me rastin e vitit të personave me aftësi të kufizuara. Në krahasim me vitin paraprak (2021), buxheti i KPK në vitin 2022 ishte rritur për gjashtëfish më shumë dhe po kjo mbështetje ka vazhduar edhe vitin 2023.

    Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës znj.Emini e falënderoj kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që po i japin sportit në përgjithësi e në vecanti parasportistëve. Kosova hap një kapitull të ri në historinë e sportit ndërkombëtar për personat me aftësi të kufizuara. Përballë cdo sfide dhe triumfi do të jemi bashkë të pamposhtur për të arritur qëllimet tona të përbashkëta-shtoj znj.Emini.

    Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me dy parasportistë në sportin e atletikës: Grevist Bytyçi – në vrapim, Vjollca Hoxha – në vrapim me karrocë. Ata janë licencuar për pjesëmarrje në këto lojëra dhe do të garojnë në disa gara kualifikuese për normë paralimpike, në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur dhe të përgatiten sa më mirë. Për përgatitjen e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre për të përfaqësuar Kosovën në Paris 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi të veçantë me Komitetin Paralimpik të Kosovës, në vlerë prej 42 mijë euro.

  • 9 të lënduar nga hedhja e granatës në Tregun e Kafshëve në Prizren, të dyshuarit janë nga Gjilani

    9 të lënduar nga hedhja e granatës në Tregun e Kafshëve në Prizren, të dyshuarit janë nga Gjilani

    Nëntë persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një granate në tregun e kafshëve në Prizren, ku katër prej të cilëve janë dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Policia e Kosovës ka identifikuar tre të dyshuar, të cilat janë nga Gjilani.

    Këtë e ka konfirmuar në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin N’Frekuencë në ATV, togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi.

    “Pak para orës 05:00 të mëngjesit, pas një konflikti mes tregtarëve në tregun e kafshëve në Prizren, kanë arritë deri te fjalosja dhe një prej të dyshuarve ka hedhur një granatë në drejtim të viktimave. Prej asaj kanë pësuar lëndime 9 persona. Disa nga ata kanë lëndime pak më të rënda dhe katër nga viktimat janë dërguar në QKUK në Prishtinë, fillimisht në Emergjencën në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe pastaj janë dërguar në QKUK në Prishtinë. Policia ka dalë në vend të ngjarjes, ka mbledh provat dhe dëshmitë dhe ende janë në vend të ngjarjes duke mbledh disa prova dhe intervistuar dëshmitarët. Gjithashtu janë në kërkim të të dyshuarit, të cilët janë identifikuar, dmth njihen nga Policia. Njësia Rajonale e Prizrenit në bashkëpunim me drejtorinë Rajonale të Gjilanit janë në hetim të lokacionit të të dyshuarve, pasi të dyshuarit janë nga Gjilani”, tha Bytyqi.

    Ai tha se të lënduarit kryesisht janë nga Podujeva.

    “Të lënduarit, kryesisht janë nga Podujeva. Dyshohet se njëri nga të dyshuarit ka hedhur një granatë dore në drejtim të viktimave. Nuk dihet lloji i granatës”, tha Bytyqi. /atvlive.tv