ATV

Category: Lajme

  • Tri javë pas vendimit të DASH-it, Nexhat Krasniqi përjashtohet nga Shërbimi Civil

    Tri javë pas vendimit të DASH-it, Nexhat Krasniqi përjashtohet nga Shërbimi Civil

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas afër 3 javëve prej kur Departamentit amerikan i Shtetit e ka vendosur në listën e zezë Nexhat Krasniqin, Komisioni disiplinor i Ministrisë së Infrastrukturës ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil.

    Krasniqi ishte dërguar në Komisionin Disiplinor të MMPHI-së pasditen e së hënës, derisa largimin e tij të mërkurën e konfirmoi Ministri Liburn Aliu.

    Madje, ministri Aliu pati përgjigje edhe për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se është e papranueshme që personat që janë në listë të zezë të SHBA-së të jenë pjesë e institucioneve të vendit.

    Gjykata Themelore e kishte dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim, por shkalla e dytë, ajo e Apelit, në maj të vitit 2016, e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke e dënuar Krasniqin me 18 muaj burgim me kusht për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

  • Grabitja në Suharekë – Policia ka një thirrje për qytetarët

    Grabitja në Suharekë – Policia ka një thirrje për qytetarët

    Policia e Kosovës ka dalur me njoftim për grabitjen e armatosur në një argjendari sot në orën 15:45 në rrugën “Brigada 123” në Suharekë.

    Të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur si dhe gjatë rrugës kanë vendosur pengesa të ndryshme, duke arritur të arratisen.

    Tutje sipas njoftimit të Policisë të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, “me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit.

    Gjithashtu, Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarët që kanë çfardo informacioni lidhur me të dyshuarit të kontaktojnë policinë.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Sot me datë 22.11.2023 rreth orës 15:45 policia është njoftuar për një rast “Grabitje e armatosur”, që ishtë në zhvillim e sipër në një argjentari , në rrugën Brigada 123, në Suharekë.

    Policia me të marr informatën, konkretishtë patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, policia ka mbërri shumë shpejt dhe grabitësit i ka hasur në vendin e ngjarjes.

    Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur, posa patrulla policore ka mbërri në vend ngjarje të dyshuarit kanë shtën me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit ,ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit.

    Në ndërkohë kanë mbërri edhe përforicime të tjera policore, nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.

    Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me Drejtorit tjera Rajonale janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkrteisht identifikimin , lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

    Ftojm gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfardo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojn policinë.

    Policia në përgjithësi edhe në Prizren në veqanti vazhdon të jetë e përkushtuar për të ofruar ndihmë, rend dhe siguri për të gjithë qytetarët.

    Pamje si në filma! Hajnat plaçkisin një argjendari dhe gjuhen me armë me policinë

  • Zjarri në IML dyshohet se erdhi nga defektet në sistemin elektrik

    Zjarri në IML dyshohet se erdhi nga defektet në sistemin elektrik

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një ditë pas shpërthimit të zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se sistemi elektrik dyshohet të ketë qenë shkaku.

    “Ne na duhet t’i presim ekspertët të na tregojnë se cilat janë shkaqet, sipas informacioneve të para nga ata dhe ato i kemi siguruar dje në orët e vona të mbrëmjes, ka pasur një defekt në sistemin elektrik, mirëpo ka diskutime për brenda vetë ekspertëve dhe stafit të mjekësisë ligjore që mund të jetë shkaku prej kohës që është ndërtuar ai objekt”, tha Haxhiu.

    Ajo përmendi tre tenderë të cilët kishin dështuar për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë e që do të duhej të pajisnin këtë institucion me sisteme kundër zjarrit.

    “Lënda është në OShP dhe nuk kemi mundur ta bëjmë asnjë lëvizje, sepse ju e dini që bëhet shkelje, bëjnë shkeje zyrtarët përgjegjës, të cilët nuk presin përfundimin pranë organit të OShP-së, ne kemi kërkuar që të marrim informacione edhe të tjera në raport me shumë procedura dhe çështje të tjera që ndërlidhen, tani për tani janë këto informacione që i kemi”, tha Haxhiu.

    Zjarri që shpërtheu në IML, të martën, ishte i dyti në këtë institucion. Ndërkaq, Tenderi për “Servisim dhe mirëmbajtje të aparateve kundër zjarrit” fillimisht ishte hapur më 30 mars pas zjarrit të parë.

    Ministria e Drejtësisë kishte nisur procedurat e tenderimit edhe në korrik të këtij viti, por për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ky tender është i pezulluar.

    Duke e tejkaluar çdo afat ligjor, “Gjykata e Tenderëve” ende nuk ka marrë vendim përfundimtar lidhur me këtë lëndë, derisa ankesa nga operatori ekonomik ishte dorëzuar më 11 shtator.

    “Si pasojë e procedurave të prokurimit, ne kemi mbetur peng i këtyre procedurave dhe asnjëherë nuk kemi arritur ta instalojmë një sistem siç duhet kundër zjarrit”, tha U.D. i drejtori i IML-së, Ditor Halili.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

  • Grabitja që tronditi Suharekën: Plaçkitësit vodhën ari në vlerë të 250 mijë euro, gjuajtën Policinë dhe ikën

    Grabitja që tronditi Suharekën: Plaçkitësit vodhën ari në vlerë të 250 mijë euro, gjuajtën Policinë dhe ikën

    Një grabitje e armatosur si në filma ka ndodhur pasditen e sotme në argjendarinë “Diakos” në Suharekë, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes Policisë dhe hajnave dhe për pasojë një zyrtar policor ka mbetur i plagosur, raporton Gazeta Sinjali.

    Gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë, teksa katër të dyshuarit kanë arritur të arratisen nga vendi i ngjarjes.

    Tashmë janë publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, nga ku mund të shihet se plaçkitësit e kanë zbrazur dyqanin dhe sipas informacioneve të para, vlera e stolive që u grabitën është 250 mijë euro.

    Siç shihet në pamjet e mëposhtme, pas disa minutash, në vendin e ngjarjes arrin Policia, ku njëri polic del nga vetura zyrtare dhe aty nis shkëmbimi i zjarrit.

    Për pasojë, i njëjti zyrtar policor pëson lëndime teksa po intervenonte, ndërsa një zyrtar policor tjetër është plagosur me armë zjarri.

  • Shkarkimi i pazakontë i anëtares së bordit të OShP-së: Sa u respektua ligji?

    Shkarkimi i pazakontë i anëtares së bordit të OShP-së: Sa u respektua ligji?

    Nga Demokraci Plus

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) është themeluar me Ligjin e prokurimit publik (LPP) si organ i pavarur administrativ i cili është përgjegjës për shqyrtimin e ankesave në prokurim publik nga kompanitë e sektorit privat (të njohura si operatorë ekonomik). Pra, OShP është organ kolegjial i mandatuar me ligj për shqyrtimin e ankesave në shkallë të dytë që vijnë nga operatorët ekonomik kundrejt autoriteteve kontraktuese (ministrive, komunave, agjencive, etj).

    OShP ka statusin e agjencisë së pavarur në varësi të Kuvendit, ka pesë (5) anëtarë të cilët emërohen nga Kuvendi dhe përmes komisionit funksional, raportojnë në Kuvend. Komision funksional në rastin e OShP-së është Komisioni për Buxhet, Financa, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës.

    Kur një operator ekonomik parashtron ankesë në formë të shkruar në OShP lidhur me ndonjë vendim të marrë nga autoriteti kontraktues, OShP-ja ka mandat të shqyrtojë dhe të vendos për pretendimet ankimore. Pas përfundimit të shqyrtimit, OShP nxjerrë vendim me shkrim që adreson ankesën specifike (pretendimin e palës) dhe aktivitetin shoqërues të prokurimit.

    Nëse pala (operatori ekonomik) nuk është i kënaqur me vendimin e OShP-së që zgjidhë ankesën, pala mund të inicojë ankesë në gjykatën kompetente (gjykatën komerciale). OShP njihet si një prej organeve/agjencive e cila shumë shpesh ka funksionuar pa bord të kompletruar.

    Pas një mungese të bordit për një periudhë kohore prej afërsisht 15 muaj, bordi i ri i OShP u emërua në Kuvend në qershor 2022. Mirëpo, bordi i ri mbeti shumë shpejt pa një anëtar shkaku që një prej tyre (Nita Bejta) dha dorëheqje katër muaj pas emërimit në Kuvend (tetor 2022).

    Për më keq, Qeveria e Kosovës në muajin maj 2023 inicioi shkarkimin e anëtares tjetër, Kimete Gashit. E njëjta me 13 korrik të këtij viti me votën e 58 deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shkarkua nga pozita e anëtarit të bordit të OShP-së. Ky proces u përcjell me shumë polemika si brenda Kuvendit poashtu edhe në opinionin publik, duke ngritur pikëpyetje se si u iniciua ky rast, ngase nuk u respektua neni 93 i LPP-së, i cili definon qartë se në cilin rast iniciohet shkarkimi i një anëtari të bordit të OShP-së.

    Qëllimi i këtij dokumenti të shkurtër është të trajtojë këtë fakt kundrejt rregullave të LPP-së sa i përket shkarkimit të anëtarit të OShP-së, por edhe të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP). Pra, përveç LPP-së si ligj sektorial, edhe LOFAShAP trajton elementin se kur duhet dhe mund të shkarkohet anëtari i organit kolegjial i agjencisë së pavarur2.

    Propozimi nga Qeveria për shkarkimin e anëtarës së bordit të OShP në kundërshtim me LPP

    Qeveria e Kosovës më 10 maj 2023 i propozoj Kuvendit të Kosovës shkarkimin e një prej anëtarëve të bordit të OShP-së për shkak të tenderit për Insulina të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Sipas LPP-së, pezullimi dhe shkarkimi i anëtarit të OShP-së i nënshtrohet të njëjtave rregulla dhe procedura të parapara sikurse për anëtarët e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Pra, sipas nenit 933 të LPP-së: ‘nëse në çdo kohë, Qeveria apo Kuvendi, konsiderojnë se ka arsye për largimin e një anëtari të KRPP-së (lexo OShP-së), mund të paraqesin çështjen për vendim në gjykatën kompetente, duke dhënë arsye që e vërtetojnë këtë dhe të gjitha dokumentet e provave të kërkuara nga gjykata’. Përkundrazi, në rastin e anëtarës së bordit të OShP-së, propozimi për shkarkimin e saj erdhi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ku iu propozua Kuvendit shkarkimi i saj me arsyetimin se ka shkelur etikën profesionale, por pa ofruar dëshmi apo ndonjë vendim gjykate, siç e saktëson neni 93 i LPP-së4.

    Vendimi i Qeverisë për shkarkimin në fjalë ka këtë përmbajtje: ‘Organi Shqyrtues i Prokurimit, me rastin e vendimmarrjes sipas lëndës PSh Nr.397/22, në kundërshtim me legjislacionin primar, konkretisht Ligjin Nr.04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tenton të lejojë plasimin në treg të insulinave pa autorizim marketingu, duke rrezikuar kështu shëndetin publik. Marrë parasysh që udhëhegësinë e panelit në këtë lëndë e kishte znj. Kimete Gashi, Qeveria vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi, dmth propozim shkarimin e saj’.

    Mirëpo, vendimi i OShP-së në rastin e insulinave nuk ka qenë përcaktues pasi që lënda vetëm është kthyer në ri-vlerësim në autoritet kontraktues (Ministrinë e Shëndetësisë) dhe nuk është marrë vendim final për të. Megjithatë, propozimi i Qeverisë u dërgua në Kuvend ku edhe u votua në korrik 2023. Në të njëjtin muaj, subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e dërgoi vendimin e Kuvendit për vlerësim të kushtetuteshmërisë dhe ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

    Propozimi nga Qeveria për shkarkimin e anëtarës së bordit të OShP në kundërshtim me LOFAShAP

    Të drejtën e definimit të kritereve për shkarkim të anëtarit të organit kolegjial përmes ligjit të veçantë, e njeh edhe LOFAShAP. Sipas këtij ligji (neni 46, paragrafi 1), kushtet për emërimin e titullarit apo anëtarit të organit kolegjial të një agjencie të pavarur, përcaktohen me ligjin e themelimit të agjencisë. Po ashtu, procedura e shkarkimit të titullarit dhe anëtarit të organit kolegjial përcaktohet me ligjin e themelimit dhe Rregulloren e Kuvendit (neni 47). Pra, në rastin e OShP-së i bije me Ligjin e Prokurimit Publik. Po ashtu, procedura e zgjedhjes, miratimit dhe dhënies së pëlqimit për titullarin dhe anëtarin e organit kolegjial përcaktohet me ligjin e themelimit.

    Pra, siç vërehet, procedura e ndjekur në shkarkimin e anëtares së bordit të OShP-së nuk ka qenë sipas ligjit sektorial. Për më shumë, LOFAShAP e rregullon sistemin e menaxhimit të performancës së agjencive, qofshin ato ekzekutive, rregullatore apo të pavarura. Në rastin konkret, pra të agjencive të pavarura sic është rasti me OShP, veprimtaria e agjencisë mbikëqyret në mënyrë të përhershme nga një komision i Kuvendit, që e mbulon fushën e përgjegjësisë përkatëse, në rastin e OShP-së, Komisioni për Buxhet, Financa, Punë dhe Transfere.

    Sistemi i menaxhimit të performancës sipas këtij ligji lidhet me dakordimin e planit vjetor të performancës në mes të agjencisë dhe komisionit përkatës dhe agjencia raporton vitin vijues përmes raportit të performancës. Pra, fillimisht agjencia propozon një draft të planit deri më 30 nëntor të vitit përkatës, pastaj objektivat, treguesit dhe caqet diskutohen dhe dakordohen me komisionin përkatës funksional deri më 31 dhjetor të vitit përkatës. Pas miratimit të planit të performancës, agjencia raporton brenda tre mujorit të parë të vitit pas vitit për të cilin është bërë plani i performancës, përmes raportit vjetor të performancës.

    Pra, mos arritja e nivelit të kënaqshëm të caqeve sipas planit të performancës për dy vite radhazi, është arsye që Komisioni funksional të propozoj Kuvendit shkarkimin e komplet bordit të agjencisë së pavarur. Por, edhe nëse do të ishte për çështje performance të dobët, Qeveria prapë nuk e ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e anëtarit të OShP-së. Siç thuhet në nenin 93 të LPP-së, Qeveria mundet të iniciojë çështjen e shkarkimit në Gjykatën kompetente dhe atë me prova, dhe jo në Kuvend e pa prova, ashtu siç ka ndodhur në këtë rast.

    Procedura e shkarkimit të anëtarës së bordit të OShP-së është e pazakontë ngase as ligji sektorial (LPP) e as ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP) nuk parashohin një procedurë të tillë. Pra, në këtë rast Qeveria kishte kërkuar nga Kuvendi shkarkimin e saj kurse LPP thotë që Qeveria mund të kërkojë nga Gjykata kompetente shkarkimin e saj.

    Në anën tjetër, LOFAShAP përcakton që si emërimi ashtu edhe shkarkimi i anëtarit të organit kolegjial të agjencisë së pavarur bëhet në pajtim me ligjin sektorial. Po ashtu, ky ligj favorizon sistemin e menaxhimit të performancës si kriteri kryesor apo bazë në bazë të të cilit komisioni funksional mund të inicojë kërkesën për shkarkimin përmes votimit në seancë, të bordit apo anëtarit të bordit të agjencisë së pavarur.

  • PSD-ja organizon protestë kundër vizitës së Trendafilovës

    PSD-ja organizon protestë kundër vizitës së Trendafilovës

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka paralajmëruar protestë me rastin e vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, raporton Ekonomia Online.

    Molliqaj ka bërë të ditur se protesta do të më datë 29 nëntor në ora 14:30.

    Ai ka kërkuar që protestës t’i bashkohen edhe qytetarë tjerë.

    Madje ai tha se protesta do të jetë masive në mënyrë që t’i tregojnë siç tha asaj se qytetarët nuk janë dakord me veprimet e kësaj gjykate.

  • ​Rama thotë se është e domosdoshme rritja e trupave shtesë të NATO-s në Kosovë

    ​Rama thotë se është e domosdoshme rritja e trupave shtesë të NATO-s në Kosovë

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ritheksuar nevojën për shtimin e forcave të NATO-s të cilët duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, duke shtuar se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit.

    Në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, Rama tha se sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nuk duhet të konsiderohet si rast sporadik, por paralajmërim.

    Ai theksoi se NATO duhet të jetë më e pranishme në Kosovë dhe të angazhojë më shumë trupa për të siguruar kufirin mes Serbisë e Kosovës.

    “Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës. Ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike, e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Për këtë arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numër të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve, të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik, me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti, që siç e tha sekretari i përgjithshëm ka vetëm një vend, për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

    Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se do të shqyrtohet propozimi i kryeministri Rama për shtimin e trupave të KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi.

    “Do t’i kthehemi propozimit nga kryeministri Edi Rama mbështetur edhe nga presidenti i Kroacisë që natyrisht duhet të shohim. Për këtë arsye duhet të takohemi më rregullisht dhe të ftojmë palët e duhura”, tha ai. /KP

  • Grenell: Kur Trump të bëhet përsëri president, do të punojmë ta lirojmë Hashim Thaçin

    Grenell: Kur Trump të bëhet përsëri president, do të punojmë ta lirojmë Hashim Thaçin

    Ish-emisari Presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se kur Donald Trump do të bëhet president përsëri do të punojnë për lirimin e Hashim Thaçi.

    Këtë Grenell e ka thënë teksa ka rikujtuar një takim me ish-presidentin kosovar në Prishtinë në janarin e vitit 2020.

    “Kthim prapa tek takimi me mikun tim Hashim Thaçi në Kosovë. Presidenti Thaçi sot është në burgun e Hagës sepse Jack Smith e urren Donald Trumpin dhe dëshiron që të sigurohet që ai të mos bëjë progres në Ballkan. Dhe evropianët e lejuan këtë padrejtësi që të zgjatet. Kur Trump të bëhet përsëri president, ne do të punojmë që ta lirojmë Hashim Thaçin. Ne kemi nevojë për drejtësi jo politikë”, ka shkruar Grenell.

    https://twitter.com/RichardGrenell/status/1727131803381641506?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1727131803381641506%7Ctwgr%5Eeedbcf9fff07234f06e284f985fe151e4df43158%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fsinjali.com%2Fgrenell-kur-trump-te-behet-serish-president-do-te-punojme-ta-lirojme-hashim-thacin%2F

  • Dëshmitari Zijadin Hoxha përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Dëshmitari Zijadin Hoxha përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari Zijadin Hoxha.

    Pas pyetjeve të përfaqësuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen pati dy pyetje sqaruese për dëshmitarin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Gilissen kërkoi nga dëshmitari Hoxha që ta identifikojë dhomën e Latif Fejzullahut, për të cilën ai kishte thënë se në të 95 % të rasteve kishte fjetur aty.

    Pas kësaj, Prokuroria nuk pati pyetje shtesë, mirëpo për dëshmitarin nuk pati pyetje as nga mbrojtja e viktimave dhe as nga trupi gjykues.

    Ndryshe, pushimi i drekës zgjati pak më shumë se zakonisht pasi sipas kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, kishte probleme teknike me video-lidhjen me të akuzuarin Shala.

  • ​Zgjedhjet serbe edhe në Kosovë, Kurti: Është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore

    ​Zgjedhjet serbe edhe në Kosovë, Kurti: Është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore

    Kryeministri Albin Kurti ka folur serish mbi mbajtjen eventuale të zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë më 17 dhjetor.

    Ai gjatë një takimi dje me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, theksoi se për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore.

    “Siç e ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në një komunikatë për media.

    Më 17 nëntor, kryeministri Kurti i ka dërguar një letër shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

    “Sa i përket çështjes së bashkëpunimit ndërshtetëror për votimet jashtë vendit, në mënyrë që të mundësohet votimi i qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Kurtit.

    Ndryshe, në takim u diskutua edhe mbi progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend.

    Kurti theksoi përkushtimin e shtuar të Qeverisë ndaj komuniteteve jo shumicë dhe rritjen e mbështetjes për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), si dhe angazhimin konstant me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën e Komisionarit për Gjuhë.