ATV

Category: Lajme

  • ​27 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    ​27 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    27 vite më parë në Burgun e Dubravës nisi një nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

    Brenda burgut u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

    Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

    Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

    Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

  • Presidenti kroat refuzon emërimin e ambasadorit të ri izraelit në Zagreb

    Presidenti kroat refuzon emërimin e ambasadorit të ri izraelit në Zagreb

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq ka refuzuar të miratojë emërimin e ambasadorit të ri të Izraelit në Zagreb për shkak, siç u tha nga zyra e tij “politikave të ndjekura nga autoritetet aktuale izraelite”.

    “Lidhur me veprimet e palës izraelite, Zyra e Presidentit të Republikës konfirmon se ambasadori i propozuar i Shtetit të Izraelit nuk mori dhe as nuk do të marrë pëlqimin e Presidentit të Republikës, Zoran Milanoviq, për shkak të politikës së qeverisë aktuale izraelite. Dhënia ose mosdhënia e pëlqimit për ambasadorët e propozuar është e drejtë sovrane e Republikës së Kroacisë dhe për këtë vendos Presidenti i Republikës. Çdo presion publik ose politik, në këtë rast nga pala izraelite, nuk do ta ndryshojë vendimin e Presidentit të Republikës, tha, tha zyra e presidentit në një deklaratë të hënën, raporton HRT.

    Milanoviq, një kritik i ashpër i luftës në Gaza, tha se më parë kishte shmangur komentet publike për këtë çështje, në përputhje me praktikën diplomatike, por tani argumentoi se Izraeli kishte thyer “rregullin e pashkruar” duke shpallur ambasadorin e propozuar para se të merrte pëlqimin.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se po punonte me homologët kroatë për të “zgjidhur çështjen e statusit të ambasadorit të ardhshëm të Izraelit në Zagreb”, sipas një deklarate të cituar nga The Times of Israel.

    Tensionet mes Kroacisë dhe Izraelit kanë qenë të pranishme për shkak të agresionit ushtarak izraelit në Gaza dhe në Lindjen e Mesme më gjerë.

    Në shkurt, Milanoviq njoftoi se anëtarët e forcave të armatosura kroate nuk do të bashkëpunonin me ushtrinë izraelite “për shkak të veprimeve të tyre të papranueshme dhe shkeljes së paprecedentë” të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

    Në mars, ai dënoi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, duke thënë se dëshira për ndryshim qeverie në Teheran mund të çojë në “dëme ekonomike” dhe pasoja afatgjata.

  • Rrogat rriten, por çmimet shtrenjtohen më shumë – Paga reale vlen 150 euro më pak se në 2020-ën

    Rrogat rriten, por çmimet shtrenjtohen më shumë – Paga reale vlen 150 euro më pak se në 2020-ën

    Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë tregojnë të dhënat e INSTAT. Edhe pse paga nominale mesatare ka kapërcyer kufirin e 86,000 lekëve në tremujorin e fundit 2025 vlera reale e saj ka mbetur shumë pas, për arsye se paga reale për të njëjtën periudhe ishte vetëm 72,225 lekë, 14,759 lekë më e ulët ose 17 % më pak se nominalja.

    Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë.

    Ndonëse pagat e qytetarëve janë rritur në vlerë monetare, fuqia e tyre blerëse po bie me hapa të shpejtë. Në tremujorin e fundit të 2025 hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale ishte -17% dhe ka pësuar zgjerim vitin e kaluar. Në fillim të vitit 2023 kjo diferencë ishte më e ulët, me vetëm 12 %. Duke qenë se baza e krahasimit është viti 2020 çdo tremujor reflekton inflacionin e akumuluar duke e rritur me tej hendekun ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale.

    Këto të dhëna tregojnë se standardi i jetesës po përballet me presion, pasi pagat më të larta nuk kanë arritur të neutralizojë shtrenjtimin e jetesës, duke e lënë konsumatorin me një fuqi blerëse dukshëm më të dobët se në fillim të dekadës.

    Rritja e çmimeve po ecën me një hap shumë më të shpejtë sesa rritja e të ardhurave.

    Një faktor tjetër është vonesa e reagimit të tregut të punës. Ndonëse punëdhënësit po rrisin pagat nominale për të mbajtur stafin, këto rritje shpesh janë nuk arrijnë të kompensojnë plotësisht shtrenjtimin e jetesës që ka ndodhur muajt e mëparshëm.

    Gjithashtu, politikat fiskale luajnë një rol negativ përmes fenomenit ku rritja nominale e pagës e kalon individin në një fashë më të lartë tatimore, duke bërë që një pjesë e mirë e rritjes të shkojë për taksa, ndërkohë që fuqia blerëse reale vazhdon të tkurret.

    Goditjet e njëpasnjëshme në zinxhirët e furnizimit dhe paqëndrueshmëria e monedhës kanë bërë që vlerësimi real i parasë të pësojë rënie.

    Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet edhe për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave./monitor

  • Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë nga sot hyjnë në grevë, shkak pagat

    Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë nga sot hyjnë në grevë, shkak pagat

    Shumica e punëtorëve teknikë të shkollave në Komunën e Prishtinës, të cilat menaxhohen nga kompanitë private, gjatë ditës së hënë kanë mbajtur protestë për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin prill.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se këta punëtorë që nga mëngjesi i ditës së martë do të hyjnë në grevë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 43-vjeçarit që vdiq tragjikisht në Dollc

    Sot i jepet lamtumira e fundit 43-vjeçarit që vdiq tragjikisht në Dollc

    Këtë të martë do t’i jepet lamtumira e fundit 43-vjeçarit, Driton Isa Haliti, i cili vdiq tragjikisht të hënën pas një vetaksidenti në Dollc të Klinës.

    Përmes njoftimit mortor thuhet se varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit në orën 17:00.

    I ndjeri la pas gruan dhe tre fëmijë të mitur, me të cilët ishte së bashku në makinë, në momentin kritik.

    Sipas QKUK-së, njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë dhe po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm.

  • KQZ përfundon shqyrtimin e aplikimeve për votim jashtë vendit, aprovohen rreth 132 mijë votues nga diaspora

    KQZ përfundon shqyrtimin e aplikimeve për votim jashtë vendit, aprovohen rreth 132 mijë votues nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e shqyrtimit të aplikimeve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Në përgjithësi janë aprovuar 131,800 votues jashtë vendit nga 142,803 aplikues.

    Sipas të dhënave të bëra publike nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, numri më i madh i qytetarëve të regjistruar kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërsa mijëra të tjerë do të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

    Elezi ka njoftuar se procesi i shqyrtimit të kërkesave për regjistrim për votim jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovë është përmbyllur të mbrëmjen e së hënës, më 18 maj.

    “Nga 142,803 kërkesa të pranuara për regjistrim, pas shqyrtimit të tyre, janë aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 të tjera janë refuzuar dhe 96 janë anuluar”, njoftoi Elezi.

    Më tej, ai ka treguar se numri më i madh i votuesve janë regjistruar për votim përmes postës.

    “Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 131,800 aplikime të aprovuara, 100,522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,502 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27,776 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi.

    Votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor organizohet votimi në përfaqësi diplomatike organizohet.

  • Shqipëri: 45-vjeçari plagos me armë zjarri policin gjatë transportimit me patrullë

    Shqipëri: 45-vjeçari plagos me armë zjarri policin gjatë transportimit me patrullë

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në dalje të fshatit Kutalli, në bashkinë Dimal, ku një efektiv policie ka mbetur i plagosur me armën e tij të shërbimit nga një person i shoqëruar nga policia, raporton A2CNN.

    Sipas informacioneve paraprake, shtetasi 45-vjeçar Z.S, person me precedentë të mëparshëm penalë, ishte konfliktuar mesditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe më pas ishte shoqëruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

    Siç raportohet, DVP Fier i kishte kërkuar Komisariatit të Policisë Kuçovë të dërgonte një patrullë për marrjen dhe transportimin e tij.

    Gjatë kthimit, në aksin nacional Fier–Dimal, pranë daljes së fshatit Kutalli, 45-vjeçari, i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit të policisë së bashku me efektivin 20-vjeçar A.T, ka arritur t’i marrë armën e shërbimit policit dhe ta qëllojë atë në kofshë.

    Pas incidentit, Z.S ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.

    Ndërkohë, polici i plagosur është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal Berat, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

    Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie nga DVP Berat, si edhe inspektorë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po kryejnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./A2CNN

  • Dardan Molliqaj propozon zgjidhje kalimtare për krizën politike në vend

    Dardan Molliqaj propozon zgjidhje kalimtare për krizën politike në vend

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj në Politiko tha se PSD-ja mbështet krijimin e një qeverie të përkohshme dhe kalimtare nga partitë opozitare, nëse ato arrijnë të sigurojnë shumicën parlamentare.

    Sipas Molliqajt, kjo qeveri duhet të ketë mandat minimal prej dy vitesh dhe të merret me disa çështje kyçe shtetërore.

    “Zotimet tona janë të thjeshta që i kemi kërku. Partitë opozitare, nëse e krijojnë shumicën, PSD mendon se duhet të krijohet një qeveri e përkohshme e kalimtare me një mandat 2-vjeçar minimum” tha Molliqaj në Politiko.

    Ai theksoi se një nga çështjet kryesore lidhet me përbërjen e ardhshme të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke paralajmëruar për ndikimin politik në zgjedhjen e gjyqtarëve.

    “Kane me u zgjedh mandatin e ardhshëm 7 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, 2 janë zgjedh, 9 gjithsej, e ata janë për mandat 9 vjeçar. Kur t’i kap kryeministri Kurti, ky është problem” tha Molliqaj në Politiko.

    “Ne i kemi thënë se a mundet me u bë ky, qeveria me qenë prej personave jopartiak, meqenëse e ka këtë mandat. Ne e votojmë si opozitë nëse e kemi shumicën dhe bëhemi pjesë e shumicës”, shtoi tutje Molliqaj.

  • “Kur përmenden zgjedhjet më kap një mini-infarkt”, Rashiq i shqetësuar me zgjedhjet e shpeshta në Kosovë

    “Kur përmenden zgjedhjet më kap një mini-infarkt”, Rashiq i shqetësuar me zgjedhjet e shpeshta në Kosovë

    Proceset e shpeshta zgjedhore në Kosovë kanë krijuar lodhje politike dhe institucionale, thotë ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

    Ai, në intervistën zgjedhore të KosovaPress, thotë se vendi ka tejkaluar çdo formë normaliteti me zgjedhjet e vazhdueshme, teksa shton se kur përmenden zgjedhjet “e kap një mini-infarkt”.

    “Kur përmenden zgjedhjet, më beso që kam një mini-infarkt. Sepse me të vërtetë kemi tejkaluar çdo formë normaliteti me tre, katër lloj zgjedhjesh, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale. Është me të vërtetë tepër dhe unë me hajgare kam thënë edhe disa kolegëve të mi, derisa nuk vijnë deri në atë formë sikur në Ukrainë, besoj në vitet ’90, kur qytetarët i kanë pritur deputetët duke dalë prej sallës dhe i kanë kapur, i kanë gjuajtur përreth kontejnerëve. Pak hajgare, por me të vërtetë sa herë po na duhet të dalim në zgjedhje, është boll. Kështu që po na vështirëson shumë neve”, thotë ai.

    Rashiq i cili drejton Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë komenton edhe ofertën që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia kishte bërë Lidhja Demokratike e Kosovës për bashkëpunim politik dhe zgjedhjen e presidentit.

    Sipas tij, oferta e Kurtit kishte qenë “gjeneroze” dhe “me vend”, ndërsa tha se ishte i befasuar nga refuzimi i saj nga LDK-ja.

    “Mua më ka befasuar, së pari, oferta e zotit Kurti në atë kohë për LDK-në. Dhe edhe më shumë ka qenë befasi për mua refuzimi i LDK-së. Absolutisht po. Unë jam 20 vjet në politikë, siç thashë, kam qenë edhe ministër dhe në qeveri të mëhershme. Kam besuar që kjo do të ishte një ofertë shumë, siç keni thënë ju, gjeneroze dhe shumë me vend, por kur e pashë refuzimin, refleksi im i parë ka qenë se ishte gabim i LDK-së. Refleksi im i parë, po them kështu. Dhe tani, shikoni, çdo moment kur jeni në garë e ka një dozë rreziku. Është mirë të dalin në zgjedhje, mirëpo kur realizimet për qytetarët nuk janë ashtu siç keni pritur, atëherë duhet të merrni përgjegjësinë. Prandaj, e ka pasur ai momentum që një ofertë ka qenë e mirë. Në vendin e LDK-së, unë do ta kisha pranuar pa kurrfarë problemi”, shton Rashiq.

    Duke folur për pozicionin e tij pas zgjedhjeve, Rashiq tha se, bazuar në përvojën e viteve të fundit, adresa e parë për bashkëpunim politik do të ishte sërish kryeministri në detyrë, Kurti.

    Megjithatë, ai theksoi se mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike që, sipas tij, punojnë për interesat e Kosovës dhe të komuniteteve joshumicë.

    Pas zgjedhjeve, po normale, sikur i kam thënë edhe më herët, bazuar në eksperiencën që kemi pasur disa viteve të fundit, normale që adresa e parë do të ishte zoti Kurti. Por absolutisht, unë pas 20 vitesh njihem personalisht me shumicën e përfaqësuesve, qoftë deputetë, qoftë kryetarë partish e kështu me radhë. Absolutisht jam i gatshëm të bisedoj me çdo person i cili do të mirën e Kosovës në formën e mbrojtjes së interesave të komuniteteve, në këtë rast mbrojtjen e interesave të serbëve. Absolutisht nuk kam problem të flas me këdo që është në tavolinë për bashkëpunim parimor ose zhvillim të përbashkët. Nëse gjejmë vetëm një element bashkëpunimi, unë jam aty që të bashkëpunojmë”, përfundon ai.

  • Murat Jashari pas deklaratës së Kurtit “mediat i dolën në pritë” për çështjen e Presidentit: I qëndroj asaj që kam deklaruar

    Murat Jashari pas deklaratës së Kurtit “mediat i dolën në pritë” për çështjen e Presidentit: I qëndroj asaj që kam deklaruar

    Murat Jashari ka demantuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka thënë se mediat i kishin bërë “pritë” Jasharit gjatë deklarimeve për çështjen e presidentit.

    Përmes një përgjigjeje dërguar moderatorit të “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, Jashari ka thënë se nuk e konsideron si “pritë” trajtimin që kishte marrë nga mediat.

    “Përshëndetje Ermal. Jo, qëndroj pas asaj që kam deklaruar. Të përshëndes dhe suksese për ju! Sinqerisht! Murati.”, ka shkruar Jashari.

    Paraprakisht Panduri i kishte dërguar pyetje Murat Jasharit lidhur me pretendimin e Kurtit.

    “A e keni konsideruar z.Jashari pritë atë çfarë në momentin kur jeni deklaruar për media për çështjen e presidentit, me nderime Ermal Panduri”, ishte mesazhi i Pandurit.

    Deklarata e Jasharit vjen pasi Kurti, gjatë një interviste në KTV, deklaroi se mediat kishin vepruar padrejtësisht ndaj tij.

    “Shumë keq e shumë fish më keq, më keq pra, se sa Glauk Konjufcës ja bënë pritën Murat Jasharit mediat. U thanë ato fjalë dhe ja ku jemi”, ka thënë Kurti.

    Pas kësaj deklarate reagoi edhe Panduri, i cili kritikoi qasjen e Kurtit ndaj mediave dhe familjes Jashari.

    “Kush jena na me ja nxan familjes Jashari priten si media, kur ja kanë nxan do të tjerë e dinë çka kanë pësu e deri ku është sakrifiku familja Jashari”, deklaroi ai.