ATV

Category: Lajme

  • Mbrojtja mbyll çështjen në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Mbrojtja mbyll çështjen në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Mbrojtja e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, kanë njoftuar se nuk kanë prova dhe as dëshmitarë të tjerë për të paraqitur dhe me këtë kanë mbyllur çështjet e tyre në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Në njoftimin e saj, mbrojtja e Thaçit thotë se ky njoftim nuk do të thotë që mbrojtja nuk do marrë asnjë mjet juridik për çështje që kanë mbetur ende pa vendim nga ana e gjyqtarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Mbrojtja e Smakajt ka thënë se në këtë fazë, nuk kanë ndërmend që të dorëzojnë prova, por rikujtoi që është një ankesë e Prokurorisë për të cilën ende s’ka vendim. Kjo çështje, sipas tyre do të varet nga vendimi në atë ankesë.

    “Në rast se ankesa IA009-F00002 aprovohet tërësisht ose pjesërisht, mbrojtja e z. Bashkim Smakaj rezervon të drejtën të mbajë një deklaratë hyrëse të mbrojtjes dhe të paraqesë prova (gojore dhe/ose me shkrim) nga i akuzuari dhe/ose të tjerët, dhe në atë fazë duhet të mbahet një konferencë për përgatitjen e mbrojtjes”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Smakajt.

    Ngjashëm është shprehur edhe ajo e Kilajt, se e ka mbyllur çështjen e saj por që do të paraqesë prova në rast se pranohen provat e Prokurorisë që janë objekt i ankesës së saj e për të cilën ende s’ka vendim.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Lushaku-Sadriu: Vetëvendosje asnjë reformë në arsim, gjatë 6 vjetëve qeverisjeje

    Lushaku-Sadriu: Vetëvendosje asnjë reformë në arsim, gjatë 6 vjetëve qeverisjeje

    Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka bërë asnjë reform në arsim gjatë gjashtë vjetëve qeverisjeje.

    “Brenda gjashtë vjete qeverisjeje me 1.2 miliardë euro, VV-ja s’ka arritur ta niste ASNJË reformë në arsim.

    Ja si bëhen reformat kur ka vullnet politik, kur ka vendosmëri e kur e do dijen dhe të mirën e fëmijëve!

    Jam krenare, që brenda gjashtë muajsh, kam bërë realitet reformën e MËSIMIT TËRËDITOR.

    FËMIJËT tanë meritojnë dije e të ardhme ma mire”, shkruan Lushaku-Sadriu në postim.

  • Irani zbulon kërkesat e tij në planin e fundit të paqes të dërguar në ShBA

    Irani zbulon kërkesat e tij në planin e fundit të paqes të dërguar në ShBA

    Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit ka përcaktuar kushtet e propozimit të fundit të paqes të Iranit për SHBA-në, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

    Kazem Gharibabadi tha se propozimi kërkon:

    heqjen e sanksioneve ndaj Teheranit;

    lirimin e fondeve të ngrira;

    fundin e bllokadës detare ndaj vendit;

    përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë në Liban;

    largimin e forcave amerikane nga zonat afër Iranit; dhe

    kostot për të mbuluar shkatërrimin e shkaktuar nga lufta.

    Pakistani ndau propozimin e ri iranian të paqes me SHBA-në dje, sipas një burimi pakistanez të cituar nga Reuters.

    Ndërsa ai anuloi një sulm të madh ndaj Iranit mbrëmë, Donald Trump “negociata serioze” po zhvilloheshin me Teheranin dhe se “do të bëhet një marrëveshje” që ishte e pranueshme për SHBA-në. /Telegrafi/

  • Trump pezullon sulmin e planifikuar ndaj Iranit, teksa vazhdojnë negociatat për paqe

    Trump pezullon sulmin e planifikuar ndaj Iranit, teksa vazhdojnë negociatat për paqe

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka pezulluar një sulm të planifikuar ajror ndaj Iranit për të lejuar zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi Teherani dorëzoi një propozim të ri për paqe përmes Pakistanit, që ka rolin e ndërmjetësuesit.

    Trump shkroi në rrjetet sociale mbrëmjen e 18 majit se i ka thënë ushtrisë që “ne nuk do të realizojmë sulmin e planifikuar për nesër ndaj Iranit, por kam dhënë instruksione të reja që të përgatiten për një sulm të plotë në shkallë të gjerë ndaj Iranit, në çdo moment, në rast se nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme”.

    I përballur me presion për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të reduktuar ndikimin ekonomik të luftës, Trump tha se udhëheqësit e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i kanë bërë thirrje atij që të ndërpresë sulmin sepse “një marrëveshje do të arrihet”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Irani ka konfirmuar se qëndrimet e tij i janë dërguar Uashingtonit përmes Pakistanit, edhe pse një burim pakistanez paralajmëroi: “Nuk kemi shumë kohë”.

    Duke folur për gazetarët disa orë pasi njoftoi për shtyrjen e sulmit ushtarak të planifikuar për të martën, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin të kënaqura vetëm nëse arrihet një marrëveshje me Iranin që parandalon Teheranin që të ketë armë bërthamore.

    Udhëheqësi amerikan shtoi se “duket se ka një shans të mirë që të punohet për një marrëveshje”, teksa Pakistani i përshkroi bisedimet si “të vështira”.

    Propozimi i Iranit raportohet se vë si prioritet përfundimin e konfliktit që nisi në fund të shkurtit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit – përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz – dhe lehtësimin e sanksioneve, teksa po ashtu shtyn zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

    Burimet iraniane po ashtu kanë pretenduar se Uashingtoni ka treguar fleksibilitet më të madh sa u përket aseteve të ngrira dhe aktivitetit civil bërthamor, edhe pse SHBA-ja nuk ka konfirmuar se ka bërë ndonjë lëshim./REL

  • Sulmohen katër zyrtarë korrektues nga një i burgosur në Pejë

    Sulmohen katër zyrtarë korrektues nga një i burgosur në Pejë

    Katër zyrtarë janë sulmuar fizikisht brenda një qendre korrektuese në Pejë, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

    Sipas raportit policor, incidenti ka ndodhur më 18 maj, ku një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj katër zyrtarëve ku si pasojë e sulmit, kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe motiveve që çuan deri te incidenti brenda institucionit korrektues.

  • I dënuar me burg përjetë për vrasjen e 3 personave, arrestohet në SHBA 51-vjeçari nga Fieri

    I dënuar me burg përjetë për vrasjen e 3 personave, arrestohet në SHBA 51-vjeçari nga Fieri

    Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 1997 dhe i dënuar për disa vrasje të rënda në Shqipëri dhe Belgjikë, është arrestuar në shtetin e Ohajos, në SHBA, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Globi”.

    Operacioni u finalizua falë bashkëpunimit mes Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale, Interpol Tiranë, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit, Interpol Brukselit, Marshallëve Amerikanë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në SHBA.

    Në pranga ka rënë shtetasi shqiptar Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.

    Ai ishte dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Fier me 25 vite burg për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Hetimet kanë provuar se më 30 mars 1997, në Patos, ai vrau me armë zjarri dy vëllezër, shtetasit H.B. dhe I.B., për motive të dobëta.

    Po ashtu, në vitin 2010, Gjykata e Bruksel e dënoi me burgim të përjetshëm për “Vrasje me dashje”, pasi më 29 gusht 1997 vrau me armë zjarri një shtetase shqiptare në Belgjikë, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

    Operacioni u zhvillua nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale, e njohur si “Njësia e përbashkët e shërbimeve investiguese”, në bashkëpunim të ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

    Autoritetet po vijojnë procedurat për ekstradimin e të arrestuarit dhe ekzekutimin e vendimeve penale ndaj tij.

  • Ardian Gjini: Do ta rikthejmë ëndrrën për një Kosovë të zhvilluar dhe normale

    Ardian Gjini: Do ta rikthejmë ëndrrën për një Kosovë të zhvilluar dhe normale

    Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ardian Gjini, ka zhvilluar takime në Rahovec, ku ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e qytetarëve dhe ka prezantuar vizionin për zhvillimin e vendit.

    “Gjithmonë është kënaqësi e veçantë të jesh në Rahovec, mes njerëzve të mirë, bujarë dhe jashtëzakonisht punëtorë”, ka deklaruar Gjini, duke theksuar se fryma që po e shoqëron në takime lidhet me dëshirën për ta rikthyer “ëndrrën e një shteti të zhvilluar e normal”.

    Sipas tij, prioritet mbetet zhvillimi ekonomik, trajtimi më dinjitoz i mësuesve dhe vlerësimi maksimal i pensionistëve për kontributin e tyre jetësor.

  • Bilanc tragjik në rrugët e Kosovës – 4 viktima dhe dhjetëra të lënduar brenda 24 orëve

    Bilanc tragjik në rrugët e Kosovës – 4 viktima dhe dhjetëra të lënduar brenda 24 orëve

    Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar në aksidente të ndryshme të raportuara nga Policia e Kosovës.

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku dy vetura janë përfshirë në përplasje dhe si pasojë një mashkull kosovar ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet.

    Një tjetër aksident tragjik është regjistruar në fshatin Dollc të Klinës, ku drejtuesi i një veture dyshohet se nga pakujdesia ka dalë jashtë rrugës, duke pësuar lëndime vdekjeprurëse.

    Në këtë aksident janë lënduar edhe një femër dhe tre meshkuj kosovarë. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Po ashtu, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti ku u përfshinë tri automjete.

    Të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

    Ndërkaq, një tjetër viktimë e aksidenteve ka ndërruar jetë në QKUK pas disa ditësh trajtim mjekësor.

    Bëhet fjalë për një person që ishte përfshirë në një aksident trafiku më 7 maj në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

    Përveç rasteve me fatalitet, policia ka raportuar edhe aksidente me lëndime dhe dëme materiale.

    Në fshatin Prekallë të Istogut, një femër ka pësuar lëndime trupore pas përplasjes së dy veturave, ndërsa në rrugën “Hysen Rexhepi” në Prizren janë raportuar vetëm dëme materiale pas një aksidenti mes dy automjeteve.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër aksidente me fatalitet, 19 aksidente me persona të lënduar dhe 39 aksidente që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

  • Haradinaj kujton Abdullah Tahirin dhe Enver Topallin në 27-vjetorin e rënies heroike

    Haradinaj kujton Abdullah Tahirin dhe Enver Topallin në 27-vjetorin e rënies heroike

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar heronjtë e Kosovës, Abdullah Tahirin dhe Enver Topallin në 27-vjetorin e rënies së tyre heroike.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Tahiri e Topalli ishin intelektualë vizionarë dhe veprimtarë të palodhur të çështjes kombëtare.

    “Me përkushtim të palëkundur ndaj lirisë dhe guxim të rrallë, Abdullah Tahiri dhe Enver Topalli ecën pa u ndalur në rrugën e çlirimit të vendit. Ata dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre që Kosova të jetojë e lirë. Lavdi e përjetshme Abdullah Tahirit dhe Enver Topallit!”, ka shkruar ai.

  • Ngjarje e rëndë në Angli, ushtarja 24-vjeçarja bie nga kali përpara Mbretit Charls III – vdes tragjikisht

    Ngjarje e rëndë në Angli, ushtarja 24-vjeçarja bie nga kali përpara Mbretit Charls III – vdes tragjikisht

    Britania është tronditur nga vdekja e ushtares 24-vjeçare Ciara Sullivan, një anëtare e elitës së Trupës Mbretërore të Artilerisë Mbretërore me Kuaj, e cila u plagos për vdekje pasi ra nga kali i saj në Shfaqjen Mbretërore të Kuajve Windsor.

    Sipas raportimeve, gruaja ra nga kali i saj rreth orës 7 të mbrëmjes, pak pasi doli nga arena, ku kishte marrë pjesë në një performancë para Mbretit Charles III Pavarësisht ndihmës së shpejtë të menjëhershme, ajo pësoi lëndime të rënda dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.

    Familja dhe miqtë e saj i kanë bërë homazhe prekëse. Babai i saj, Pat Sullivan, postoi një foto të saj në rrjetet sociale me mesazhin: “

    Nderi. Shërbimi. Ata nuk do të harrohen kurrë.”

    Nëna e saj, Wendy, iu përgjigj qindra mesazheve mbështetëse, duke shkruar: “Faleminderit nga thellësia e zemrave tona që gjetët kohë për të shkruar këto fjalë. Ajo bëri atë që donte.”

    Pallati Buckingham tha se Mbreti Charles ishte “thellësisht i tronditur dhe i trishtuar” kur mësoi për vdekjen e saj. Një zëdhënës i pallatit tha se monarku “do të kontaktojë personalisht familjen për të shprehur ngushëllimet e tij”.

    Deklarata shtoi se mbreti dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore ishin në vendngjarje në kohën e incidentit, por nuk ishin menjëherë në dijeni të ashpërsisë së situatës. “Mendimet dhe ngushëllimet e sinqerta të të gjithë familjes mbretërore janë me familjen e viktimës dhe kolegët e saj ushtarakë në këtë kohë të vështirë pikëllimi”, shtoi ajo.

    Sullivan ishte shfaqur më parë në një podcast për Fondin Bamirës të Ushtrisë, organizatën zyrtare bamirëse për veteranët e ushtrisë britanike, ku foli për praktikën e saj si kujdestare kuajsh në Trupën e Mbretit.