ATV

Category: Lajme

  • Murat Jashari pas deklaratës së Kurtit “mediat i dolën në pritë” për çështjen e Presidentit: I qëndroj asaj që kam deklaruar

    Murat Jashari pas deklaratës së Kurtit “mediat i dolën në pritë” për çështjen e Presidentit: I qëndroj asaj që kam deklaruar

    Murat Jashari ka demantuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka thënë se mediat i kishin bërë “pritë” Jasharit gjatë deklarimeve për çështjen e presidentit.

    Përmes një përgjigjeje dërguar moderatorit të “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, Jashari ka thënë se nuk e konsideron si “pritë” trajtimin që kishte marrë nga mediat.

    “Përshëndetje Ermal. Jo, qëndroj pas asaj që kam deklaruar. Të përshëndes dhe suksese për ju! Sinqerisht! Murati.”, ka shkruar Jashari.

    Paraprakisht Panduri i kishte dërguar pyetje Murat Jasharit lidhur me pretendimin e Kurtit.

    “A e keni konsideruar z.Jashari pritë atë çfarë në momentin kur jeni deklaruar për media për çështjen e presidentit, me nderime Ermal Panduri”, ishte mesazhi i Pandurit.

    Deklarata e Jasharit vjen pasi Kurti, gjatë një interviste në KTV, deklaroi se mediat kishin vepruar padrejtësisht ndaj tij.

    “Shumë keq e shumë fish më keq, më keq pra, se sa Glauk Konjufcës ja bënë pritën Murat Jasharit mediat. U thanë ato fjalë dhe ja ku jemi”, ka thënë Kurti.

    Pas kësaj deklarate reagoi edhe Panduri, i cili kritikoi qasjen e Kurtit ndaj mediave dhe familjes Jashari.

    “Kush jena na me ja nxan familjes Jashari priten si media, kur ja kanë nxan do të tjerë e dinë çka kanë pësu e deri ku është sakrifiku familja Jashari”, deklaroi ai.

  • Lushtaku reagon pas deklaratës së Kurtit: Do merrem privatisht me të, miza me më hangër kam me adresu te ai

    Lushtaku reagon pas deklaratës së Kurtit: Do merrem privatisht me të, miza me më hangër kam me adresu te ai

    Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas akuzave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se Lushtaku ka synuar që me veturë zyrtare të shkaktojë aksident me eskortën ku ndodhej ai.

    Lushtaku ka deklaruar se nuk ka lidhje më këtë rast, duke thënë se do të merret privatisht me Kurtin qoftë edhe përmes padive.

    “Unë e di që Kurti është edhe mashtrues edhe rrenc, dhe kjo nuk i bën nder atij…Nuk është hera e parë që merret me mua. Nuk e di çfarë qëllimi ka ai, por miza me më hangër, unë dhe familja ime kemi me adresu te Albin Kurti. Privatisht kam me kërku që të merrem me të”.

    Sipas Lushtakut, Kurti po shpif.

    “Vetëm Kurti nëse ka frikë nga vetvetja, sepse unë lidhje nuk kam me atë rast. Ai ka qenë me ekskortë, dhe unë ka dalë nga pompa e benzinës, janë kamerat dhe nuk është mirë me u sjellë në këtë mënyrë”, ka thënë ai në T7.

    Kurti ka deklaruar se Lushtaku ka synuar që me veturë zyrtare të shkaktojë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhej ai, teksa foli për incidentin e javës së kaluar në Skënderaj si dhe përmendi një tubim të Vetëvendosjes atje më 31 janar 2025.

    “Kryetari i Komunës së Skënderajt, me veturë zyrtare 2-Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku ndodhesha unë. …Tri vetura ishin aty…Kam qenë vetëm unë dhe mbrojtja e afërt e imja. Ka synu që ta ndërprejë qarkullimin e eskortës sonë në mënyrë të dhunshme”, ka deklaruar Kurti.

  • KQZ me udhëzime se si plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ me udhëzime se si plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me udhëzime për qytetarët lidhur me mënyrën si duhet të plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Aty shpjegohet mënyra hap pas hapi, që nga hyrja në qendrën e votimit.

    Votuesit duhet ta shënjojnë vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë të atij subjekti.

    ” Paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina dhe më pas vendoseni në kutinë e votimit”, thuhet në postim

  • “Po i them Albin Kurtit lem rehat o vlla”, Sami Lushtaku pas akuzave të Kurtit: Janë kamerat

    “Po i them Albin Kurtit lem rehat o vlla”, Sami Lushtaku pas akuzave të Kurtit: Janë kamerat

    Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, pas deklaratve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili tha se Lushtaku ka synuar të aksidentohet me eskortën e tij, është deklaruar në Pressing duke thënë se për këtë situatë ekzistojnë pamjet e kamerave dhe të njëjtat policia i ka dërguar në prokurori.

    “Unë s’po e kuptoj, po i them Albin Kurtit, lem rehat o vlla”, tha Lushtaku në Pressing.

    Ai në Pressing në T7, tha se nuk bëhet fjalë “as për dalje të pakujdesshme, janë kamerat o vlla…Albulena Haxhiu më ka akuzu po atë ditë, policia janë ardhë i kanë marrë kamerat dhe i kanë dërgu në prokurori..”, deklaroi Lushtaku.

  • Parashikimi i motit për këtë javë

    Parashikimi i motit për këtë javë

    Edhe gjatë kësaj jave, vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe masave më të ftohta për këtë periudhë kohore.

    Në Kosovë priten vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku herë pas here do të ketë reshje lokale shiu, të cilat mund të jenë edhe në formë rrebeshesh. Po ashtu, mund të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Të mërkurën do të vijojë moti me diell dhe vranësira, ku në disa lokalitete mund të ketë reshje të izoluara shiu.

    Nga dita e enjte deri në fundjavë parashikohen vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku herë pas here priten reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë rrebeshesh. Vranësirat dhe reshjet pritet të intensifikohen duke filluar nga dita e premte, duke mos përjashtuar mundësinë që të shoqërohen edhe me shkarkesa rrufesh

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, ndërsa herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi prej 15 deri në 50 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 7 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale nga 15 deri në 24°C. /MeteoKosova/

  • Ismaili: Albin Kurti nuk e njeh Drenicën, ish-ushtarët e UÇK-së i kanë pritur policët e njësisë speciale në mënyrën më të mirë

    Ismaili: Albin Kurti nuk e njeh Drenicën, ish-ushtarët e UÇK-së i kanë pritur policët e njësisë speciale në mënyrën më të mirë

    Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Uran Ismaili, ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në Skenderaj dhe dërgimin e njësive speciale, duke e cilësuar këtë veprim si qasje autoritare nga kryeministri në detyrë dhe operacion politik.

    Sipas Ismailit, dërgimi i njësisë speciale në Skenderaj nuk ka qenë në përputhje me situatën në terren, pasi, sipas tij, bëhej fjalë për një incident të izoluar dhe jo për një situatë të vazhdueshme dhune.

    “Me u përdor njësia speciale, me u dërgu në Skenderaj, me e rrethu Skenderajn deri në orën 2 të natës, është pikërisht tendencë e një sistemi autoritar, sepse aty nuk ka pasur dhunë të vazhdueshme. Ka pasur një incident”, tha Ismaili.

    Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, e gjithë situata kishte prapavijë politike. “Për mua ka qenë 100 për qind operacion politik”, u shpreh ai.

    Ismaili tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e njeh Drenicën dhe Skenderajn, duke shtuar se shumë nga qytetarët që kishin dalë atë ditë kishin treguar respekt ndaj Policisë së Kosovës.

    “Zoti Kurti nuk e njeh Drenicën, nuk e njeh Skenderajn. Ai nuk e di që shumica e atyre njerëzve që kanë dalë atë ditë kanë qenë njerëz, shumë prej tyre ish-ushtarë që kanë rrezikuar jetën e tyre dhe, kur e kanë parë Policinë e Kosovës, i kanë pritur me ujë dhe i kanë pritur si është më së miri, sepse ata nuk kanë dalë kundër shtetit të Kosovës”, tha Ismaili.

    Ai shtoi se me këtë veprim është tentuar të krijohet perceptimi se në Drenicë po sfidohet shteti, gjë që sipas tij nuk qëndron dhe tregon mungesë njohjeje për këtë rajon.

  • Porosia e Daut Haradinajt për ata që e duan AAK-në jashtë parlamentit

    Porosia e Daut Haradinajt për ata që e duan AAK-në jashtë parlamentit

    Kandidati për deputet nga AAK-ja, Daut Haradinaj, i ftuar në Pressing në T7, u është përgjigjur atyre që e duan partinë e tij jashtë Kuvendit të Kosovës.

    Haradinaj u shpreh i bindur që AAK po e bën një punë të jashtëzakonshme duke theksuar që pret një rezultat fitues në këto zgjedhje.

    “Kemi besim te elektorati…më bëjnë me besu që një rezultat befasues do të jetë i AAK-së, pavarësisht sulmeve që i kemi nën brez që nuk po ndalen”, tha Haradinaj në Pressing, transmeton Gazeta Express.

    “Qaty kanë me pas Aleancën qysh e kan pas”, shtoi ai.

  • “Hajde folim” në Lipjan, Osmani: Kur politika ulet pranë qytetarëve, lind dialogu i vërtetë

    “Hajde folim” në Lipjan, Osmani: Kur politika ulet pranë qytetarëve, lind dialogu i vërtetë

    Në Lipjan është zhvilluar një tjetër takim i iniciativës “Hajde Folim”.

    Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët mbetet thelbësor për ndërtimin e besimit mes politikës dhe shoqërisë.

    Osmani ka shkruar se kur politika del nga sallat, studiot dhe rrjetet sociale dhe ulet pranë qytetarëve, krijohet një hapësirë për bisedë të sinqertë.

    “Në “Hajde Folim”, nuk ka pyetje të parapërgatitura e as duartrokitje protokolare. Ka qytetarë që flasin hapur për jetën e tyre, për brengat, zhgënjimet, por edhe për shpresat që ende i mbajnë gjallë”, shkroi ajo në Facebook.

    “Dhe pikërisht kjo shpresë po na jep forcë. Prandaj, në çdo qytet ku do të jemi, ejani. Hajde Folim. Për Kosovën siç është. Dhe për Kosovën siç mund të bëhet”, shtoi ajo.

  • Avokati i Thaçit kritika Speciales: Prej 5 vjet e gjysmë asnjë ankesë e mbrojtjes s’u pranua

    Avokati i Thaçit kritika Speciales: Prej 5 vjet e gjysmë asnjë ankesë e mbrojtjes s’u pranua

    Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që funksionon brenda Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Mishetiq, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se gjatë pesë vjetëve e gjysmë sa Thaçi po mbahet në paraburgim, të gjitha ankesat e paraqitura nga mbrojtja janë refuzuar.

    Sipas tij, bilanci i ankesave në rastin e Thaçit është “0 me 40” në favor të Speciales.

    “Për hir të plotësisë lidhur me efektivitetin e ankesave në gjyqin për krime lufte ndaj Hashim Thaçi: Mbrojtja në këtë gjykim tashmë ka paraqitur (dhe përfunduar) 40 ankesa ndërmjetëse. Paneli i Apelit deri më tani i ka refuzuar të gjitha. Kjo do të thotë 0 nga 40 përgjatë pesë viteve e gjysmë”, ka shkruar ai.

    Zyrtarisht, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vendimi pritet të shpallet më 20 korrik 2026.

    Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit, kërkesë që është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja e tyre.

  • Një shqiptar në bordin e fotiljes së sulmuar nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme shqiptare

    Një shqiptar në bordin e fotiljes së sulmuar nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme shqiptare

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar lidhur me rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”, një mision humanitar ndërkombëtar që po përpiqet të çajë bllokadën e vendosur nga Izraeli në Gaza, Palestinë.

    Sipas zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi për Euronews Albania, ministria është vënë në dijeni për rastin dhe që në momentet e para ka vendosur komunikim përmes kanaleve diplomatike me autoritetet izraelite kompetente, me qëllim sigurimin e informacionit të plotë mbi situatën.

    Në reagim theksohet se qëllimi kryesor është garantimi i respektimit të të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.

    MEPJ bën të ditur se po e ndjek çështjen me prioritet dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e shtetasit Baki Goxhaj. Ministria pritet të informojë në vijim mbi hapat dhe procedurat e mëtejshme.

    Në fund, MEPJ thekson angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, duke vijuar ndjekjen nga afër të rastit në koordinim me autoritetet dhe partnerët përkatës.