ATV

Category: Lajme

  • As pas 570 ditëve s’nënshkruhet tenderi që burgjet të pajisjen me aparate kundër zjarrit

    As pas 570 ditëve s’nënshkruhet tenderi që burgjet të pajisjen me aparate kundër zjarrit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore u përfshi dy herë nga zjarri. Të martën, një pjesë e dokumenteve që ndodheshin në zyrat që u dogjën, u bënë shkrumb e hi.

    Dëmet mund të ishin më të vogla nëse sistemi kundër zjarrit do të ishte më efikas. Por, tenderi për “Servisim dhe mirëmbajtje të aparateve kundër zjarrit” i hapur fillimisht më 30 mars, kishte dështuar.

    Tenderi ishte hapur edhe në korrik, por për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, është i pezulluar. Tenderi për mirëmbajtje të pajisjeve kundër zjarrit i hapur në maj të vitit të kaluar, i ka dështuar 3 herë edhe Shërbimit Korrektues. I njëjti tender, rrezikon të dështojë përsëri teksa është pezulluar në tetor të këtij viti.

    Duke mos u përgjigjur në pyetjen e redaksisë se kur është bërë servisimi i aparateve kundër zjarrit për herë të fundit, nga Shërbimi Korrektues njoftuan se posedojnë pajisje të mjaftueshme.

    “Përveç pajisjeve në secilin institucion, kemi edhe stafin e trajnuar dhe të certifikuar si zjarrfikës, të cilët janë përgjegjës për mirëmbajtjen e sistemit. Po ashtu, në të gjitha institucionet korrektuese janë të vendosura edhe aparatet e nevojshme kundër zjarrit, të cilat aktualisht janë në gjendje të mirë dhe të gatshme për përdorim në rast nevoje”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

    Ndërkohë, shoqëria civile sheh mangësi në procedurat e prokurimit publik në vazhdimësi.

    Tenderi në vlerë prej 100 mijë eurosh, përveç servisimit parashihte edhe furnizimin me aparate për fikjen e zjarrit, hidrantë të ujit me pajisje përcjellëse dhe detektor tymi për Institucionet Korrektuese dhe Institucionin e Mjekësisë Ligjore.

  • Heshtje e plotë, “edhe një ditë afat” për kontratën KEDS – “Elektrosever”

    Heshtje e plotë, “edhe një ditë afat” për kontratën KEDS – “Elektrosever”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Java e ardhshme duhet të jetë java e fundit gjatë së cilës kontrata duhet të nënshkruhet përfundimisht dhe të fillojë zbatimi i saj”. Kështu kishte deklaruar zëvendëskryeministri për Dialog, Besnik Bislimi.

    E premtja e 24 Nëntorit është afati i radhës i caktuar për nënshkrimin e kontratës ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila do t’i hapte rrugë nisjes së faturimit të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Asnjë nga akterët e përfshirë, KEDS-i, Elektroseveri, ZRRE-ja, Qeveria dhe BE-ja nuk treguan nëse ajo tashmë është nënshkruar, apo do të nënshkruhet të premten.

    ATV-ja kuptoi se puna për finalizimin e procesit po vijon në nivel teknik, pas disa propozim-ndryshimeve të paraqitura në përmbajtjen e kontratës nga Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, më 16 Nëntor në Bruksel.

    Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit për nën-kontraktim të energjisë, sipas Udhërrëfyesit për Energjinë, do të duhej të ishte nënshkruar më së largu 10 ditë nga licencimi i Elektroseverit.

    Megjithatë, një vit e gjysmë nga licencimi në Kosovë i kompanisë bijë të ndërmarrjes shtetërore energjetike të Serbisë – faturimi në katër komunat me shumicë serbe në veri nuk ka nisur.

    Që nga licencimi i Elektroseverit, si pasojë e mos-faturimit të energjisë në këto komuna, kostoja buxhetore vlerësohet të jetë rreth 60 milionë euro.
    Prej tyre, rreth 31 milionë euro në periudhën Korrik-Dhjetor 2022 dhe afër 30 milionë këtë vit, deri tani.

    Në Shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, pa llogaritur koston e këtij viti, është rreth 320 milionë euro.

  • Javolli në paraburgim, dyshohet për kanosje me armë

    Javolli në paraburgim, dyshohet për kanosje me armë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Skënder Javollit, i cili dyshohet për kanosje me armë ndaj rojës së objektit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Foto, CD nga vendi i ngjarjes si dhe provat që gjenden të bashkangjitura në lëndë, gjyqtarja ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ashtu që më datë 21.11.2023 në Prishtinë në 15:30, ka shkuar te zyrat e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe duke përdorur armën ka kanosur tani të dëmtuarin Skender Canolli, i cili ishte roje në këtë vende, duke i thënë ‘’se kam ardhë me ba probleme’’ dhe nga xhepi i brendshëm i jaknes ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në ajër”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Avokati i Javollit, Burim Halili, thotë se klienti i tij nuk e ka ekspozuar në asnjë moment revolen e mbushur me tetë fishekë, siç pohon arsyetimi i Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit.

    “Nuk kemi të bëjmë me përdorim të armës dhe nuk kemi të bëjmë me kërcënim se këtu pretendohet që është kërcënuar edhe sigurimi”, tha Halili.
    Mbrojtja aludon se Skënderi shkoi në ndërtesën e KPMM-së, pasi qe i revoltuar sepse inspektorati i ka mohuar biznesit të familjes së tij operimin.

    “E ka bërë për shkak se inspektorët, në shumë raste nuk e kanë lejuar të ushtrojë veprimtarinë e vet që e kanë si gurëthyes… ka qenë nën ndikim të alkoolit”, tha Halili.

    Ndërkohë pas rastit në fjalë, KPMM-ja synon të rrisë nivelin e sigurisë.

    “KPMM-ja është në fazën e zhvillimit të procedurave të prokurimit për kontratën e re të sigurimit fizik të objektit të KPMM-së. Në këtë kontratë do të përfshihet shtimi i numrit të rojeve në hyrje të objektit, nga 1 roje që është në kontratën aktuale, në 2 roje në kontratën e re”, thuhet në reagimin e KPMM-së.

    Biznesi familjar i Skënder Javollit ka aplikuar në KPMM për leje për aktivitete të veçanta, mirëpo në mungesë të Bordit aplikacioni ka mbetur pa u shqyrtuar.

    Kryetari i Komisionit për Ekonomi thotë se mungesa e Bordit si organ vendimmarrës në krye të KPMM-së, shkon në dëm të ekonomisë së shtetit.

    “Mungesa e Bordit në KPMM, vërtetë e godet rëndë ekonominë e vendit sidomos sektorin e industrisë minerare dhe përpunuese në vend”, tha Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi.

    Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e heshtur në raport me mosemërimin e Bordit të KPMM-së.

  • Komuna e Mitrovicës, deri sot nuk i furnizoi shkollat me pelet

    Komuna e Mitrovicës, deri sot nuk i furnizoi shkollat me pelet

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Mësimin e ndërprenë edhe sot në orën e tretë.

    Për shkak të mungesës së lëndëve djegëse për t’i ngrohur klasat, nxënësit e shkollës “Musa Hoti”, kështu po veprojnë tash e një javë.

    Për nxënësit, qëndrimi në shkollë ishte i pamundur.

    Por, pa u zgjidhur problemi me ngrohjen, prindërit thonë se fëmijët nuk do t’i dërgojnë më në shkollë.

    Tash jemi në fazën e dimrit, nxemje nuk ka fare, fëmijët po narthin. Pa nxemje fëmijën tim nuk e sjell në shkollë. Edhe shumica nuk janë për me ardhë po disa po vijnë e disa jo. Ju kisha lutë kushdo që e ka për detyrë me e pru”, tha Dibran Nebihi, prind.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, pa dhënë detaje se përse është vonuar shpërndarja e peletit, tha se të enjten të gjitha shkollat janë të furnizuara me pelet.

    Ndërkaq, ATV-ja ka tentuar të bisedojë edhe me drejtorin e shkollës Iset Beka, për të kuptuar nëse mësimi do të zhvillohet normalisht nesër, por ai nuk pranoi të flasë.

  • Qeveria s’i lejon zgjedhjet serbe në Kosovë, Petkoviq ftoi takim në Rashkë

    Qeveria s’i lejon zgjedhjet serbe në Kosovë, Petkoviq ftoi takim në Rashkë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është takuar në Rashkë me përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti. Bashkë, ata kërkuan zgjidhje se si t’u mundësohet serbëve të Kosovës të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat do të mbahen më 17 dhjetor.

    Ky mes tjerash ishte takimi i parë i Petkoviqit me strukturën e re udhëheqëse të Listës Serbe. Mediat nuk ishin lejuar ta xhirojnë këtë takim e nga fotografitë e publikuara nuk shihej se i pranishëm ishte Goran Rakiq, deri vonë kryetar i Listës Serbe e tashmë kandidat i Partisë Përparimtare Serbe për deputet.

    Sipas një njoftimi të lëshuar nga Qeveria e Serbisë, serbët nga Kosova kërkuan të votojnë. Por, zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 17 dhjetor nuk do të mund të organizohen. Të paktën nëse Serbia e Kosova nuk arrijnë marrëveshje të posaçme ndërshtetërore, siç kërkoi ditë më parë kryeministri Albin Kurti.

    Kushtet e Kurtit shteti serb tashmë i vlerësoi si absurde. Andaj Beogradi e ka menduar një zgjidhje, të cilën e ka praktikuar edhe në të shkuarën.

    “Diktatori Vuçiq po mendon të marrë 20 mijë vota. Kështu mendohet që do të organizojnë përmes autobusëve që serbët e Kosovës të udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar”, tha Branislav Krstiq, analist.

    Zgjedhjet e fundit të organizuara në Serbi ishin ato presidenciale në prill të vitit 2022 e të cilat për herë të parë nuk janë organizuar në territorin e Kosovës.

  • LDK-ja dhe AAK-ja i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    LDK-ja dhe AAK-ja i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: Sara Shehu

    Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për disa muaj nga PDK-ja dhe AAK-ja, kishte bërë që Kosovës t’i rrezikohen fonde në vlerë rreth 300 milionë euro.

    Njëkohësisht, Qeveria si kundërveprim ndaj PDK-së dhe AAK-së që nuk votonin marrëveshje ndërkombëtare, refuzonte t’i përgjigjej pyetjeve parlamentare.
    Mirëpo, bllokada disamujore filloi të hiqet sot. Krahas LDK-së që vazhdimisht kishte qenë pro votimit, AAK-ja tregoi se e ka ndryshuar qëndrimin dhe tregoi arsyet për këtë.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të votojë. Po ashtu, ju them se Grup Parlamentar kemi diskutuar edhe me deputetin Haki Abazi, edhe ai është zotuar paraprakisht që do ta jap votën, për të vetmen arsye me pa fuqinë opozitare që e ka”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    PDK-ja ndërkaq vazhdon t’i kundërshtojë këto marrëveshje.

    “Si Grup Parlamentar i PDK-së në asnjë rrethanë nuk pajtohemi që sot të vijmë për diskutim dhe për votim marrëveshjet e tjera ndërkombëtare. Si Grup Parlamentar i PDK-së nuk do t’i votojmë, sepse vendi është nën masa dhe nën sanksione pikërisht nga BE”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Në seancën e sotme të Kuvendit, me mbi 80 vota u votuan gjithsej 5 marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë ato për rehabilitimin e hekurudhës, ngrohjen solare të Prishtinës dhe një kredi për KOSTT-in.

    Megjithatë, për shkak të disa mospajtimeve Kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk ka hedhur në votim marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të dënuarve në Danimarkë për të shërbyer dënimin me burg në Burgun e Gjilanit.

    “Ka përputhje me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, andaj kjo marrëveshje është rikthyer në pikën zero” , tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    “Ata na kanë zgjedhur neve burgun tonë, pasi që kemi vlera të larta standarde”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Numri total i marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë qenë në pritje seancës së sotme, ka qenë 27.

    Pasi AAK-ja pranoi t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, Konjufca si Kryetar i Kuvendit ia kujtoi anëtarëve të kabinetit Kurti II, se e kanë obligim që t’i përgjigjen pyetjeve parlamentare. Kjo gjë është refuzuar nga Qeveria, pikërisht për shkak të bllokimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

  • Pse u ndaluan vizitat për Thaçin, Veselin e Selimin?

    Pse u ndaluan vizitat për Thaçin, Veselin e Selimin?

    Përgatiti: Nora Luta

    Përveç avokatit kryesor dhe atij mbështetës, askush tjetër nuk do të mund t’i vizitojë në Qendrën e paraburgimit në Hagë, të paktën për një kohë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

    Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar duke i ndaluar vizitat te ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe çdo komunikim me familjarë.

    Sipas kërkesës së ZPS-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë vepruar në kundërshtim me vendimet e gjykatës, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe dëshmive konfidenciale te personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit.

    Tutje, sipas ZPS-së, dëshmitarët kanë treguar se u janë ofruar njerëz të ndryshëm me porosinë nga të akuzuarit që ata t’i ndryshojnë deklaratat, çka kishte shtyrë Prokurorinë të nisë hetime.

    “Këto rrëfime të dëshmitarëve vërtetohen nga Regjistrimet, të cilat – siç përshkruhet më poshtë – demonstrojnë se informacioni konfidencial, duke përfshirë identitetet e dëshmitarëve dhe udhëzimet që duhet t’u përcillen dëshmitarëve, në fakt po transmetohen nga Qendra e Paraburgimit”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

    Sipas Prokurorisë, Thaçi dhe Veseli kanë dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët.

    “Regjistrimet tregojnë se THAҪI ka abuzuar në mënyrë të përsëritur me vizitat e paprivilegjuara për të dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët. Dëshmitari i SPO-së [REDAKTUAR]. Më [REDACTED] vizitoi THAÇIN në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Gjatë vizitës, THAÇI udhëzoi në mënyrë të përsëritur [REDACTED] që t’i jepte udhëzime [REDACTED] se si të dëshmonte, duke përfshirë, ndër të tjera: (i) për të minimizuar lidhjen e tij me Shtabin e Përgjithshëm; (ii) të mohojë disa fakte që kanë të bëjnë me strukturën e UÇK-së; (iii) të jetë ‘i shkurtër’ nga frika e ‘rrëshqitjes’; (iv) si të përgjigjesh kur tregohen prova të veçanta; dhe (v) ‘Dil nga këtu një hero’”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

    Avokatët e kredituar nga Specialja e konsiderojnë vendimin si pengesë në mundësinë që ata të lirohen me kusht.

    Sipas avokatit Taulant Hodaj, të akuzuarit do të duhet të paralajmëroheshin nga mbrojtja rreth ndikimit të vizitave të shpeshta.

    Ndërkohë, ZPS-ja ka kërkuar monitorim aktiv të të gjitha komunikimeve që mund t’i bëjnë të akuzuarit, duke kërkuar që ata të mos lejohen në hapësira të përbashkëta. Procesi gjyqësor për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve filloi në muajin prill të këtij viti.

    Ata po mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 me arsyetimin kryesor se nëse lirohen ka rrezik të ndikojnë te dëshmitarët.

  • Flet për ATV pronari i argjendarisë në Suharekë që hajnat ia vodhën rreth 200 mijë euro

    Flet për ATV pronari i argjendarisë në Suharekë që hajnat ia vodhën rreth 200 mijë euro

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Arbër Bytyqi, të mërkurën e kalonte si rëndom brenda argjendarisë, biznes ky familjar që nga viti 1987. Në orën 15:45, rutina 36 vjeçare e punës u trazua kur katër persona hynë në lokal dhe e lidhën për t’ia grabitur gjithë sasinë e arit.

    “Unë jom kanë këtu mbrapa tu nejtë si zakonisht… ka hy hajni me maskë me allti. Më ka shtri, më ka lidhë, edhe ka vazhdu. Ka thanë “plaçkë grabitje…” edhe ma s’maj n’men”, tha Bytyqi.

    Lëndimi në duar që iu shkaktua nga lidhësja, beson se do t’i shërohet por dëmin material 31 vjeçari thotë se e ka të vështirë ta rikuperojë.

    “Sasi të arit kanë vjedhë diku rreth 200 mijë euro vlerë…”, tha Bytyqi.

    Ndonëse me vete morën arit plaçkitësit prapa lanë gjurmë e dëshmi që mund t’u shërbejnë hetuesve.

    “Një çekiq e kanë lanë me të cilin i kanë thy gjamat. Pastaj ka pasë gjak ku i kanë shti duart me I marrë kutijat. Këto dëshmi i ka marrë policia”, tha Bytyqi.

    Dëshmitar i ngjarjes ishte edhe Nazif Shala, i cili pa gati gjithçka nga kjo qoshe që ndodhet rreth 50 metra larg lokalit ku ndodhte grabitja. Në një moment pa veten fare afër njërit prej plaçkitësve.

    “Na e kena pa tmerrin me sy. Këtu ka qenë gëzhoja e fundit. Nga këtu kanë gjujtë. Qaj i fundit këtu ka hypë në kerr. Edhe ishin kanë të përgatitur sa nuk ka. Kishin pasë antiplumba të mirë, e ishin kanë të mëdhej ka 2 metra. Qaj mas mbrami ma ka ba me dorë “largohu”. Jam largu. E kam marrë djalin”, tha Shala.

    Nga ky drejtim, sipas banorëve rruga shpie në qytete tjera.

    Rasti i cilësuar si “grabitje e armatosur”, tani i ka kaluar Drejtorisë në Prishtinë, derisa polici i plagosur në këmbë vazhdon të trajtohet.

  • Osmani: Kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë

    Osmani: Kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Samitin e Diasporës në Tiranë, vlerësoi lart rolin e diasporës shqiptare në angazhimin për liri dhe pavarësi.

    Osmani në fjalimin e saj tha se mërgata jonë ka kaluar në periudha të vështira, por sërish i kanë mbetur besnikë atdheut.

    “Përkundër rrethanave të vështira historike, mërgata jonë ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve”, tha Osmani.

    Ajo tha se janë shumë arsye që duhet të krenohemi që jemi shqiptarë.

    Fjalimi i Presidentes Osmani në Samitin për Diasporën në Tiranë:

    I nderuar president Begaj,
    I nderuar kryeministër Rama,
    E nderuar kryetare e Kuvendit znj. Nikolla,
    I nderuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi,
    Zëvendëskryeministra, ministra e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci e treva të tjera shqiptare,
    Të dashur vëllezër e motra,

    Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, për pavarësi dhe për shtetndërtim.

    Prandaj, jam jashtëzakonisht e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin, i cili na mbledhë zakonisht ne shqiptarëve kudo që jemi, aq më tepër në Samitin që I dedikohet mërgatës sonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë shqiptarët.

    Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit e të kombit tonë.

    Gjatë historisë, shqiptarët, pa dëshirën e tyre, janë shpërndarë në mbarë globin, por gjithnjë duke mbajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore, traditat dhe identitetin e paepur shqiptar.

    Nga ky cep i Evropës e deri në kontinentet më të largëta, shqiptarët kanë lënë gjurmë, duke u integruar e arritur suksese në shtetet në të cilat emigruan, por gjithnjë duke ruajtur themelet dhe rrënjët e tyre.

    Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jeton dhe vepron, duke kontribuar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme.

    Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve.

    Fati historik e treti nëpër botë një pjesë të njerëzve tanë, por lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata asnjëherë mos t’ia kthejnë shpinën atdheut, duke u bërë ura më e fuqishme lidhëse e shteteve tona me botën.

    Nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanoci, mërgata jonë është një!

    Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu mos të harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë, u themi edhe sot ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju, të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj, edhe në këtë kauzë, në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një.

    Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të kulturës sonë, avokatë dhe avokues të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare.

    Mërgata shqiptare, padyshim është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri, e për pavarësi të shqiptarëve.

    Solidariteti dhe mbështetja e tyre e palëkundur kanë qenë burim force për ne në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë por edhe drejt fuqizimit të shtetndërtimit e prosperitetit të popullit tonë.

    Në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes, nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Paris, e në Romë e në shumë vende të tjera. Ishte zëri i fuqishëm i një populli të shtypur që synonte dhe luftonte për lirinë. Ishte mërgata jonë ajo që qëndroi në ballë të qëndresës sonë, luftës për mbijetesë dhe luftës për shtet të pavarur e sovran.

    Por mbështetja e mërgatës nuk u ndal me kaq. Kontributi i saj prej dekadash e ka shndërruar atë edhe në një krah të fortë ekonomik të familjeve dhe shtetit të Kosovës.

    Ky angazhim nuk u ndërpre asnjëherë.

    Falë kontributit të mërgatës sonë u arrit të mbahej gjallë edhe sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në vitet e nëntëdhjeta, në një kohë kur
    populli shqiptar në Kosovë po rrezikohej nga shfarosja.

    Kjo mërgatë, mbi të gjitha bëri të mundur mbajtjen gjallë të idesë politike për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, ngase secili mërgimtar, në fakt ishte një ambasador i Kosovës në përhapjen e të vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për liri e pavarësi.

    Rrugëtimi i tyre është një me fatin e vendit, ndaj më 1997, kur lufta për lirinë e Kosovës mori hov, shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan varganit të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si mbrojtës të vendit tonë.

    Në këtë mënyrë, mërgata jonë nuk e luajti vetëm rolin mbështetës për Kosovën, por u bë hisedare kryesore në procesin e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.
    Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Sali Çekaj, ushtarët e batalionit Atlantiku, e shumë e shumë të tjerë, janë vetëm disa, vetëm disa nga heronjtë tanë, të cilët ranë në altarin e lirisë, duke qenë së pari aktivistë të çështjes kombëtare, si mërgatë në vendet ku jetuan dhe vepruan.

    Por, nuk janë vetëm individët, ka edhe shumë shoqata, të cilat grumbullojnë shqiptarët në mërgatë e që kanë bërë punë të jashtëzakonshme, qoftë ne mesin e shqiptarëve të Amerikës, pastaj në Zvicër, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, e në shumë e shumë shtete të tjera të Evropës e të botës. Por, asgjë ndoshta nuk dëshmon më shumë lidhjen e fortë me rrënjët se sa arbëreshët tanë, të cilët ruajtën gjuhën e traditën për shekuj të tërë.

    Pra, kontributi i mërgatës shqiptare në zhvillimin e atdheut është i pamatshëm.

    Sot, nëpërmjet remitancave, investimeve, filantropisë dhe shkëmbimit të njohurive, mërgata jonë vazhdon të marrë pjesë aktive në përparimin ekonomik, social e kulturor të vendeve tona. Ata nuk janë vetëm qytetarë që jetojnë në dhe të huaj, por përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre.

    Mërgata luan rol të rëndësishëm si agjente e ndryshimit dhe avokuese për zhvillim. Përvojat e tyre krijojnë një perspektivë unike për qeverisjen, çështjet sociale dhe politikat tona.

    Në fakt, imazhi më i mirë i Kosovës janë pikërisht mërgata jonë. Njerëz punëtorë, atdhetarë që busullë orientimi e kanë vendin e tyre të prejardhjes, atdheun e tyre.

    Sot, kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë, sepse shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret.

    Të nderuar të pranishëm,

    Mërgata jonë me shumë nisma ka dëshmuar shpirtin kreativ, duke themeluar, udhëhequr biznese, por edhe duke bartur mbi supe përgjegjësi në sferën e politikës dhe diplomacisë.

    Mbështetja ekonomike që marrim nga mërgata është përcaktuese edhe për qëndrueshmërinë tonë ekonomike.

    Të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se trendi i remitencave për Kosovën vazhdon të rritet çdo vit.

    Pavarësisht kësaj të mire nga mërgata, ajo nuk është vetëm kontribut material për vendin. Është frymëzim, është frymëzim dhe përpjekje për një Kosovë më të mirë!

    Shteti i Kosovës ka krijuar kushte të favorshme për investime nga mërgata, ndaj është me rëndësi që përvojën dhe kapitalin e tyre të mund ta investojnë edhe në atdheun e tyre. E me ndryshimet e fundit që i kemi bërë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, mërgata jonë më në fund do të ketë të drejtën të votojë edhe në ambasadat e konsullatat tona aty ku ata jetojnë. Duke njohur rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë edhe në demokratizimin e vendit tonë, realizimi sa më i lehtë e të drejtës në votë është esencial.

    Prandaj, bashkërisht e çdo ditë secili prej nesh në mënyrën e tonë do ta bëjmë të mundshme një mjedis ku mërgata është jo vetëm e vlerësuar, por edhe e fuqizuar për të kontribuar edhe më tej në zhvillimin e shteteve tona.

    Mërgatë e dashur, faleminderit për përkushtimin tuaj të palëkundur, faleminderit për përpjekjet tuaja të palodhura e mbi të gjitha për dashurinë e pakusht ndaj atdheut! Ndoshta nuk ua themi mjaftueshëm, por ne e kuptojmë mallin tuaj dhe sakrificën e gjithsecilit prej jush. Ne kurrë nuk do të ishim këtu ku jemi, sikur mos të ishit ju dhe mbështetja juaj.

    Shteti i Kosovës, ëndrra e kamotshme e shumë brezave, mbanë edhe vulën tuaj!

    Ju faleminderit!

  • Raportohet për dy tërmete në Turqi

    Raportohet për dy tërmete në Turqi

    Dy tërmete raportohet se kanë goditur Turqinë.

    Sipas deklaratës së Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), një tërmet me magnitudë 5.2 ka ndodhur në rrethin Battalgazi të Malatya në orën 17:46, sipas kohës lokale, të enjten.

    Tërmeti është regjistruar në një thellësi prej 6.99 kilometrash.

    Ndërkohë raportohet se pas tërmetit, ka ndodhur një tjetër tërmet me magnitudë 4.7 ballë, epiqendra e të cilit ka qenë rrethi Battalgazi.