ATV

Category: Lajme

  • Aksident Istog – Lëndohen 14 persona, në mesin e tyre 12 nxënës

    Aksident Istog – Lëndohen 14 persona, në mesin e tyre 12 nxënës

    14 persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në rrugën Pejë-Mitrovicë, saktësisht në fshatin Gurrakoc të Istogut.

    12 nga të lënduarit janë nxënës, dhe dy të tjerë janë shoferët, njëri i kombibusit dhe tjetri i një automjeti të përfshirë në aksident.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka folur rreth rastit.

    “Personat e lënduar janë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog dhe me udhëzimin e mjekut janë dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Pejës”, tha Gashi.

    “Pas kontrolleve dhe tretmanit mjekësor që ju është bërë personave të lënduar sipas mjekut kujdestar të gjithë personat e përfshirë në aksident janë lënduar, përveç një nxënësi i cili po vazhdon të trajtohet në këtë spital”, theksoi ai.

    Ai ka shtuar se me urdhër të prokurorit, njëri nga vozitësit është shoqëruar në njësitin e hetuesisë për aksidente që të japë intervistën si i dyshuar për shkaktimin e aksidentit.

  • Kryeministrja italiane: Punësimi rekord i femrave më bën krenare

    Kryeministrja italiane: Punësimi rekord i femrave më bën krenare

    Kryeministrja Giorgia Meloni tha në kohën e pyetjeve të premten se norma rekord e punësimit të femrave në Itali e bëri atë krenare.

    Ajo tha se numri i grave të punësuara kishte arritur nivele rekord “si në terma absolutë ashtu edhe në aspektin e shkallës së punësimit”. Ajo tha se “është ndoshta rezultati që më bën më së shumti krenare për këtë vit të parë të qeverisjes”.

    Shifrat për punësimin e femrave, tha kryeministrja e parë grua e Italisë, “janë gjithashtu rezultat i masave për të inkurajuar punësimin duke favorizuar balancën punë-jetë për të mos i detyruar gratë të zgjedhin.

    Ajo tha se “kjo nuk do të thotë domosdo të kesh liri të plotë, ke liri nëse mund të bësh të gjitha zgjedhjet”. /ANSA

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për media ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë javës një jave.

    Zëdhënësi Doyle njoftoi se në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, blloku i radhës i seancave gjyqësore përfundoi të enjten e kaluar. Sipas tij, dëshmitari i 36-të i thirrur nga Prokuroria, z. Sadik Halitjaha, pritet të vazhdojë dhënien e dëshmisë gjatë seancës gjyqësore të ardhshme, më 4 dhjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Doyle në vazhdim tha se më 17 nëntor, në të njëjtën çështje gjyqësore, Zyra e Prokurorit të Specializuar parashtroi një kërkesë urgjente për ndryshim të kushteve të paraburgimit të z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi. Versioni i redaktuar publik i kërkesës u lëshua dje dhe gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

    ” Në këtë parashtrim, Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues, duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke ua shpërndarë përmbajtjen konfidenciale të dëshmive personave që i kanë vizituar në objektin e paraburgimit. Prokuroria pretendon gjithashtu se hetimet kanë zbuluar tentime të mëtejshme për të penguar procesin gjyqësor, përfshirë dhënien e udhëzimeve se si duhet të japin dëshmi dëshmitarët dhe planet për kontaktimin e dëshmitarëve”, deklaroi zëdhënësi Doyle.

    Gjithashtu në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, Doyle tha se dje u lëshua versioni i redaktuar publik i Vendimit mbi Kërkesën e Mbrojtësit Kujdestar për Shtyrje të Dëshmisë së W04577-ës, që tani gjendet në faqen e internetit.

    “Vendimi ka të bëjë me dëshmitarin e 29-të të thirrur nga Prokuroria në këtë çështje gjyqësore. Në vendim, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e mbrojtësit kujdestar për shtyrje të dëshmisë së dëshmitarit, bazuar në faktin se psikologu i Zyrës për Mbrojtje dhe Mbështetje të Dëshmitarëve konstatoi se dëshmitari aktualisht nuk është në gjendje të japë dëshmi dhe se palët nuk e kundërshtuan kërkesën e mbrojtësit kujdestar. Trupi Gjykues miratoi shtyrjen e dëshmisë së dëshmitarit deri në një njoftim të ardhshëm dhe deri kur Trupi Gjykues të bindet se dëshmitari është në gjendje të japë dëshmi”, deklaroi ai.

    Lidhur me gjykimin kundër Pjetër Shalës, gjatë kësaj konference u tha se seancat po mbahen këtë javë dhe vazhdojnë dhe javën tjetër.

    Sipas Zëdhënësit Doyle, më 20, 21 dhe 22 nëntor, dha dëshmi dëshmitari i pestë, z. Zijadin Hoxha. Më 22 nëntor, filloi dhënien e dëshmisë dëshmitarja e gjashtë e thirrur nga Mbrojtja, znj. Safete Hadërgjonaj, dëshmia e së cilës përfundoi sot. Dëshmitarja e shtatë e thirrur nga Mbrojtja, Time Kadrijaj, filloi dhënien e dëshmisë sot.

    “Më 20 nëntor, Trupi Gjykues vendosi lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës. Gjykatësit konstatuan se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor dhe/ose të kryejë krime të tjera, përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi ose që do të japin dëshmi në këtë proces gjyqësor. Në lidhje me lirimin e përkohshëm, Trupi Gjykues gjykoi se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve të zbatueshme në objektin e paraburgimit të DHS-së, u tha në fund të kësaj konference./BetimipërDrejtësi

  • Sindikata e Policisë dënon sulmin e djeshëm ndaj policëve në Suharekë

    Sindikata e Policisë dënon sulmin e djeshëm ndaj policëve në Suharekë

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën ka folur për rastin e djeshëm në Suharekë.

    Në njoftim u tha Policia dje ka parandaluar një grabitje të armatosur dhe se gjatë atij intervenimi kanë mbetur të lënduar dy zyrtarë policorë, njëri prej tyre me armë zjarri.

    Sindikata dënoi çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë, teksa kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit ndaj kryerësve të këtyre veprave, me qëllim të parandalimit të sulmeve të tilla.

    “Policia e Kosovës janë krenaria e të gjithë neve, prandaj ju jemi mirënjohës për punën, sakrificën, guximin dhe profesionalizimin që po e tregojnë për çdo ditë në përmbushjen e misionit të tyre, pa kursyer as shëndetin dhe jetën e vet”, përfundon komunikata për media e Sindikatës së Policisë.

    Kujtojmë se dje në orët e pasdites katër persona kanë kryer një grabitje në një argjendari në Suharekë. Gjatë grabitjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët i ishin përgjigjur rastit.

    Deri më tani nuk asnjë të arrestuar në lidhje me rastin.

  • Kadeti Ukaj diplomon në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Gjermane

    Kadeti Ukaj diplomon në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Gjermane

    Pas tri viteve studime intensive në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Gjermane, kadeti Edison Ukaj përfundoi me sukses shkollimin e tij.

    Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    “Në një ceremoni të organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, zyrtarët e lartë të Bundeswehr i dorëzuan diplomën kadet Ukaj, i cili nga sot do të shërbejë në radhët e oficerëve të Ushtrisë së Kosovës”, shkruan ai.

  • Murtezaj kërkon nga Abbott që ambasada ta mbështesë ATK-në në rekrutimin e punonjësve të rinj

    Murtezaj kërkon nga Abbott që ambasada ta mbështesë ATK-në në rekrutimin e punonjësve të rinj

    Drejtori Ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj ka vizituar ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

    Në takim me ambasadorin Nicholas Abbott dhe bashkëpunëtorët e tij, u diskutua rreth bashkëpunimeve të vazhdueshme që ka ATK me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar.

    Drejtori Murtezaj falënderoj për mbështetjen që i është bërë institucionit në procese të rëndësishme, si dhe bashkëpunimet e tjera në fusha të caktuara tatimore.

    Murtezaj, në këtë takim kërkoj nga ambasada që të mbështetë ATK-në në fazën e rekrutimit të punonjësve të rinj, proces i cili ka nevojë për monitorim profesional e të paanshëm, në mënyrë që përzgjedhja të jetë sa më transparente dhe meritore.

    Nga ambasada u vlerësua kërkesa e ATK-së dhe në parim u premtua që do të mbështesin në zhvillimin e një sistemi të rekrutimit që do të shihet si meritokratik dhe transparent, i cili padyshim do të reflektoj në përzgjedhje të drejtë dhe meritore.

  • ​Armëpushimi në Gaza shtyhet të paktën deri nesër, luftimet vazhdojnë

    ​Armëpushimi në Gaza shtyhet të paktën deri nesër, luftimet vazhdojnë

    Lufta në Rripin e Gazës vazhdon dhe armëpushimi i rënë dakord dhe lirimi i pengjeve janë shtyrë për të paktën edhe një ditë. Më shumë se 24 orë pas shpalljes së planeve të armëpushimit, njoftimi i pritshëm i fillimit zyrtar ende nuk është konkretizuar. Izraeli tha se nuk do të fillojë të paktën deri nesër.

    Re tymi u panë në agim mbi Rripin verior të Gazës, të shoqëruara nga të shtëna të forta armësh dhe shpërthime. Izraeli vazhdoi të sulmonte pjesën jugore të Rripit të Gazës. Ushtria izraelite tha se kishte kryer 300 sulme ajrore në 24 orët e fundit.

    “Negociatat për lirimin e pengjeve tanë po përparojnë dhe vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi, duke shtuar: “Lirimi do të fillojë siç është rënë dakord fillimisht nga palët dhe jo më herët se të premten”.

    Pauza e parë në luftën shtatëjavore duhet të lejojë lirimin e 50 grave dhe fëmijëve të rrëmbyer nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve nga burgjet izraelite.

    Izraeli tha se armëpushimi mund të zgjasë më shumë se katër ditë nëse militantët lironin të paktën dhjetë pengje në ditë. Një burim palestinez tha se në valën e dytë, deri në fund të muajit, deri në njëqind pengje mund të lirohen. Të dyja palët kanë thënë se do të rifillojnë luftimet sapo të përfundojë armëpushimi.

    “Ky nuk është fundi i luftës. Ne do të vazhdojmë derisa të fitojmë,” u tha komandantëve shefi i shtabit të Izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi.

    Zyrtarët izraelitë nuk shpjeguan saktësisht pse ndodhi vonesa, por thanë se të gjitha përgatitjet për lirimin e pengjeve duhet ende të përfundojnë. Duket se detajet janë duke u finalizuar, tha ministri i Energjisë, Israel Katz, një anëtar i kabinetit të sigurisë.

    “Izraeli nuk tha paraprakisht se kjo do të ndodhte sot. Ne e kuptuam se kjo do të ndodhte me afrimin e së premtes,” shtoi Katz.

    Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Adrienne Watson tha se detajet përfundimtare logjistike janë duke u përpunuar.

    Portali izraelit Ynet raportoi se Izraeli nuk ka marrë ende emrat e pengjeve që duhet të lirohen.

    Ndërkohë, Hamasi njoftoi se forcat izraelite ndaluan punonjësit e spitalit Al-Shifa, më i madhi në Rripin e Gazës, përfshirë edhe drejtorin. Izraeli nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë, por zyrtarë izraelitë të paidentifikuar e kanë bërë këtë në stacionin televiziv Khan.

  • Behrami: Heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme

    Behrami: Heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme

    Ish-këshilltari i Hashim Thaqit, Artan Behrami përmes një postimi në Facebook reagoi lidhur me ngjarjet në Hagë.

    Sipas tij, heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme, duke theksuar se ata të cilët po gjykohen në Hagë e kanë shtetin kundër tyre, tha ai.

    Postimi i plotë :

    Heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme!
    Ndërhyrje në drejtësi nuk qenka kur Qeveria e Serbisë dërgon dezinformata te Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
    Ndërhyrje në drejtësi nuk qenka kur BIA serbe paguan, kërcënon, shantazhon dhe rekruton dëshmitarë kundër krerëve të UÇK-së.
    Ndërhyrje në drejtësi nuk qenka kur kryetarja dhe kryeprokurori (ish) takojnë diplomatë dhe thonë se krerët e UÇK-së do të dënohen!
    Paramendoni, as Sllobodan Millosheviqin nuk e kanë përgjuar dhe nuk ia kanë publikuar bisedat.
    Por, atij nuk kanë guxuar, sepse shtetin, opozitën e ka pas me vete!
    Deri sa këta në Kosovë, fatkeqësisht, shtetin e kanë kundër.

  • Osmani kujton Xhemajl Mustafën në 23-vjetorin e vrasjes së tij

    Osmani kujton Xhemajl Mustafën në 23-vjetorin e vrasjes së tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar politikanin dhe intelektualin Xhemajl Mustafa në 23-vjetorin e vrasjes.

    Osmani tha se Mustafa ishte më shumë se një politikan, një bartës i së vërtetës dhe njeri me virtyte, duke e vënë gjithë potencialin e tij intelektual në shërbim të luftës për liri e pavarësi.

    Derisa theksoi se vrasja e tij na i kujton sfidat e ashpra me të cilat u përball shoqëria jonë atëkohë.

    “Trashëgimia e tij do të jetojë përherë në zemrat tona, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur. Autorët duhet të vihen para drejtësisë, ndërkaq kujtimi për Xhemën do të jetë i përhershëm!”, ka thënë Osmani.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një minutë heshtje në nderim të 23-vjetorit të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se ky minutë heshtje bëhet në nderim të jetës dhe veprës së tij.

    Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka përkujtuar babain e tij, Xhemajl Mustafën në një postim në Facebook.

    Xhemajl Mustafa, që ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

  • Ulet çmimi i naftës

    Ulet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës vazhduan të bien të enjten për shkak të frikës së vazhdueshme të kërkesës pas një rritjeje të papritur të rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA dhe pasigurive të furnizimit si rezultat i një vonese katër-ditore në takimin e OPEC+, në të cilin vendet anëtare do të vendosin politikën e prodhimit për vitin e ardhshëm.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 81.34 dollarë për fuçi në orën 10:45 të mëngjesit me orën lokale (07:45 GMT), një rënie prej 0.75% nga çmimi i mbylljes prej 81.96 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën, shkruan Anadoly Agency

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 76.63 dollarë për fuçi, 0.60% më pak nga mbyllja e së mërkurës prej 77.10 dollarë për fuçi.

    Nafta e papërpunuar Brent ra me më shumë se 4% të mërkurën pas shqetësimeve për rënien e kërkesës në SHBA, konsumatori më i madh i naftës në botë.