ATV

Category: Lajme

  • Aktakuzë kundër një personi për ngacmimin e një gazetareje

    Aktakuzë kundër një personi për ngacmimin e një gazetareje

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.XH., për shkak të veprës penale, ngacmimin e gazetares Edita Doli.

    Sipas aktakuzës, nga viti 2019 e deri më 30 tetor 2023, i pandehuri i lartcekur përmes përcjelljes dhe thirrjeve të vazhdueshme telefonike, në vazhdimësi, përfshihet në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, si dhe duke e vënë të dëmtuarën-gazetaren E.D. nën vëzhgim.

    “Gjithashtu, i pandehuri i ka shkruar të dëmtuarës në rrjetin social “Facebook”, gjatë kohës së transmetimit të edicionit special të ditëlindjes së “RTVD” dhe është inkuadruar live në emision përmes telefonit, e po ashtu i pandehuri ka shkuar në vendin e punës së të dëmtuarës, ku me këto veprime e ka vënë nën frikë të arsyeshme dhe i ka shkaktuar shqetësim të madh emocional”, thuhet në njoftim.

    Në komunikatë thuhet se Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

  • Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

    Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se pas javës së parë të dhjetorit nuk do të ketë më në rrugët e Veriut makina me targa ilegale. Këtë deklaratë Elshani e ka bërë në një intervistë për KosSev.

    “Policia s’mund të garantojë që pas afatit të regjistrimit nuk do të ketë djegie të veturave, por mund të garantojmë që pas javës së parë të dhjetorit automjetet me targa KM, Pr, PZ, GL, UR, PE dhe DA, që të mos jenë në rrugët në veri të Kosovës”, ka thënë Elshani.

    Elshani ka thënë se ka interesim të pronarëve të veturave që t’i regjistrojnë ato me RKS dhe se një kërkesë të tillë ia kanë adresuar MPB-së.

    “Kur i kemi marrë ato kërkesa, ua kemi përcjellë eprorëve tanë dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Ne i kërkuam Ministrisë së Punëve të Brendshme që kërkesën tonë t’ia përcjellë qeverisë, sepse e dinim që duhej ta merrte atë vendim që njerëzit të kishin një mundësi tjetër për të regjistruar makinat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e miratoi kërkesën tonë dhe u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga 1 deri më 30 nëntor të riregjistrohen”, ka shtuar ai.

    Elshani ka thënë se nëse do të shihet në rrugë një makinë me targa KM, do t’i merren targat sepse një veturë e tillë s’duhet të jetë në qarkullim. Ai ka thënë se nëse haset edhe për herë të dytë, do të konfiskohet vetura.

    Pas skadimit të afatit për regjistrim, Elshani ka thënë se pronarët e veturave që nuk kanë kaluar në targat RKS do të gjobiten sikur të ishin të paregjistruar.

    Që nga fillimi i procesit, më shumë se 2800 vetura kanë kaluar nga targat KM në RKS.

    “Deri të hënën në orën 16:00 janë riregjistruar 2013 vetura, por në këto dhjetë vjet kanë kaluar mbi 800 vetura në targa RKS. Ka ende kohë deri më 30 nëntor, ajo që është e rëndësishme të thuhet është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendrat e Regjistrimit punojnë të shtunave dhe të dielave”, ka deklaruar ai.

  • ​Gërvalla: Drafti për Asociacionin nuk është shumë i mirë

    ​Gërvalla: Drafti për Asociacionin nuk është shumë i mirë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se drafti i Asociacionit i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës, mirëpo theksoi se i njëjti nuk është shumë i mirë pasi ka shumë sfida të cilat duhet të adresohen. Megjithatë, kryediplomatja nuk tregoi nëse BE-ja ka inkorporuar komentet e qeverisë brenda këtij drafti.

    Gërvalla para mediave pas raportimit në Komisionin për punë të jashtme në Kuvend, tha se institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë asnjë lloj drafti që është në dëm të vendit.

    “Drafti nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës dhe nuk është ferë pyetja pasi përgjigja nuk varet nga ne. Po të ishte për neve si qeveri ne menjëherë të nesërmen do të kishim publikuar. Kjo është kërkesë e atyre që fasilitojnë procesin e negociatave të cilët na kanë lutur (për mospublikim). Drafti është jo shumë i mirë ka shumë sfida, respekton shumë prej shqetësimeve tona prej të kaluarën dhe mendoj se është një bazë e mirë për të punuar me të. Mirëpo ne nuk jemi të tillë që në njërën anë i themi partnerëve tanë që respektojmë konfidencialitetin dhe në anën tjetër ju japim juve mediave drafte të caktuara. Ju lus të keni pak durim sa i përket draftit, pasi ju siguroj se nuk ka asnjë tentativë apo përpjekje dhe vullnet të kësaj qeverie dhe institucioneve për të pranuar drafte të cilat janë në dëm të Kosovës”, tha Gërvalla.

    Përkitazi me këtë, ministrja Gërvalla tha se takime trilaterale në Bruksel nuk mund të ketë, derisa s’ka sinjale të qarta nga BE-ja për të ndëshkuar Serbinë pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.

    “Unë atë nuk mund t’iu them dhe nuk kam dëshirë t’iu them, përndryshe do të shkelja marrëveshjet që kemi me partnerë. Përndryshe ajo çka kemi thënë është se pas 24 shtatorit, aktit të agresionit ndaj Kosovës asgjë nuk është më sikur të kaluarën dhe gjithçka ka ndryshuar. Negociata me Serbinë pas 24 shtatorit, pa marrjen e sinjaleve të qarta nga BE-ja drejtuar Serbisë negociata të kohëve të vjetra nuk do të ketë më. Ne jemi konstruktiv në qasjen ndaj partnerëve tanë por Serbia nuk është e interesuar për dialog”, shtoi ajo.

    E pyetur për njohjet e reja, Gërvalla tha se nuk mund të thotë se kur mund të ketë të tilla, mirëpo po angazhohen çdo ditë për t’i siguruar ato.

    “Unë nuk mund të them se kur mund të ketë njohje të reja, pasi po ta dija kur do të vinte njohja e re atëherë do të kisha aftësi të jashtëzakonshme parashikuese. Unë mund t’iu them se asnjë ditë nuk kalon pa punuar intensivisht për njohjet e reja, në radhë të parë të pesë vendeve jo njohëse të BE-së dhe pastaj në kontinentet të tjera”, theksoi Gërvalla./kp/

  • Komuna e Lipjanit shpërndan 244 motokultivatorë në vlerë prej rreth 300 mijë euro

    Komuna e Lipjanit shpërndan 244 motokultivatorë në vlerë prej rreth 300 mijë euro

    Komuna e Lipjanit në bashkëpunimin me “Islamic Relief”, kanë bërë shpërndarjen e 244 motokultivatorëve në vlerë prej 228 044 euro, raporton Ekonomia Online.

    Nënkryetari Diamant Bytyqi, tha se Komuna e Lipjanit, po i kushton rëndësi të veçantë sektorit të bujqësisë. Për këtë sektorë ai tha se kanë ndarë mbi 1 milionë euro subvencione.

    “Komuna e Lipjanit është një krah i fuqishëm i bujqve. Këtë bashkëpunim me Islamikun e kemi filluar me një dark falënderuese”.

    “Komuna e Lipjanit është duke i kushtuar rëndësi të veçantë sidomos sektorit të bujqësisë këtyre të fermerëve vetëm këtë vit mbi 1 milionë euro kanë qenë subvencionime. Janë mbështetur mbi 900 bujq me pajisje që do tu shërbejnë atyre për ekonomi familjare”.

  • Kurti: Ekonomisë së vendit secilin vit i shtohen mbi 1 miliard euro nga ndërmarrësit

    Kurti: Ekonomisë së vendit secilin vit i shtohen mbi 1 miliard euro nga ndërmarrësit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se bashkëpunimi mes sektorëve është i nevojshëm në mënyrë që të zhvillohet ekonomia e vendit, ku për këtë ai tha se do të kenë çdo herë mbështetjen e qeverisë.

    Kurti në konferencën për dialogun publiko-privat që po mbahet me mbështetjen e Qeverisë zvicerane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka theksuar se ekonomisë së vendit secilin vit i është shtuar mbi 1 miliard euro, për çka tha se kjo rritje padyshim është rezultat i ndërmarrësisë së sektorit privat.

    “Konkurrencën dhe bashkëpunimin duam t’i shohim bashkë. I gjithë sektori privat e ka të garantuar aleatin dhe partnerin në mënyrë që ta ndihmojmë njëri tjetrin në këtë drejtim, të prodhojmë e të eksportojmë më shumë, të luftojmë informalitetin më shumë dhe të përforcojmë konkurrencën e vendit tonë. Ne duhet të jemi në këtë dialog edhe mirë të strukturuar në mënyrë që sfidat të definohen saktë, takimet tona mos të jenë biseda që përsëriten, për raportime për rezultatet e arritura. Ekonomisë së vendit i është shtuar mbi 1 miliard secilin vit”, tha Kurti.

  • Gërvalla: Shuma prej 7500 eurove për Gani Jakupin nuk është pagë mujore, por projekt 1 vjeçar

    Gërvalla: Shuma prej 7500 eurove për Gani Jakupin nuk është pagë mujore, por projekt 1 vjeçar

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se shuma prej 7500 euro për bashkëpunëtorin e jashtëm të Ambasadës së Kosovës në Bruksel për çështje kulturore dhe mediatike, Gani Jakupi nuk është pagë mujore, por projekt 1 vjeçar për angazhim të tij në vendet jo njohëse të Kosovës.

    Gërvalla gjatë raportimit në Komisionin për punë të jashtme, tha se kjo shumë është modeste krahas ofertave të tjera milionëshe që mund të aranzhoheshin me kompani lobuese.

    Duke folur për ndarjet buxhetore të dikasterit të saj, tha se shumica e mjeteve do të orientohet në lobim për njohje të reja, blerje të objekteve të ambasadave dhe konsullatave në disa vende, si dhe hapje të misioneve të reja diplomatike.

    “Në kuadër të diplomacisë kulturore, përpjekjeve tona për të krijuar një ambient tjetër në vendet jonjohëse të Kosovës, si ministre shfrytëzoj të gjitha instrumentet, natyrisht duke kursyer buxhetin e shtetit. Është lehtë të angazhosh një kompani që kushton katër milionë por është vështirë të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike të vendeve të ndryshme me një shumë modeste që nuk i tejkalon shpenzimet që Kosova i ka për një diplomat për vendin pritës. Ndërkohë që të gjithë ata që mundohen të denigrojnë një personalitetin si zotëri Avni Jakupi, të gjithë ata persona bëjnë sikur nuk e kuptojnë, pasi kjo nuk është një pagë, është një projekt që është i lidhur me objektiva të qarta që i shërben Kosovës në vendet jonjohëse. Unë jam shumë krenare që me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore por shumë që përfshinë një projekt 1 vjeçar”, tha ajo.

    Mirëpo kritike ndaj ministres u shpreh deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se ndarja e 7500 eurove për Jakupin është sa pesëmbëdhjetë paga të policit të Kosovës.

    Ajo kërkoi nga ministrja që financat të orientohen më shumë në lobim dhe jo në blerjen e objekteve të reja.

    “Nuk kemi pagu këshilltarë të jashtëm ka 7500 euro që është sa pesëmbëdhjetë herë sa rroga e policit… Me shumën që e keni nda të lutem mos i koncentro në blerjen e ndërtesave. Është e rëndësishme por nuk është gjithçka ministre, milionat që i kemi të fokusoheni në blerje të ndërtesave kur Serbia, është duke bërë investim të jashtëzakonshëm në lobim, madje më shumë se çfarë ka bërë pas pavarësisë së Kosovës”, theksoi Musliu-Shoshi.

    Asaj iu përgjigj ministrja Gërvalla, e cila tha se me PDK-në nuk mund të flas për financa, pasi sa kanë qenë në pushtet kanë paguar kontrata milionëshe për qëllime të shkëmbimit territorial.

    “Fakti që thuhet se nuk kemi paguar këshilltarë nga 7500 euro, më lejoni që partia që ju e përfaqësoni në kohën që ka qenë në pushtet ka paguar 50-fshin e 7500 euro, pra janë 4.5 milionë euro që janë paguar për krejt të tjera synime dhe qëllime. Me PDK-në unë hezitoj të flas për financa dhe para. Unë nuk dua të ju dëgjoj juve derisa flas unë”, deklaroi ajo.

    Gjatë raportimit të ministres Gërvalla, pati përplasje të ashpra ndërmjet deputetes së PDK-së, Musliu-Shoshi dhe kryetares së Komisionit për punë të jashtme, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu.

    Deputetja opozitare disa here iu drejtua Hyseni-Kryeziut me fjalët “mshele gojën”.

    “Kur të flas unë të lutem dëgjo. T’i nuk ke nevojë me tregu a jam jashtë temës apo jo. Mshile. Kështu që Ligjin për shërbim të jashtëm nuk e ke dorëzu dhe je në fund të mandatit…T’i s’ki lidhje me politikë të jashtëm, nuk e di çka fol, ti je vetëm kukull e Dejona Mihalit”, tha ajo.

    Pas kësaj, ministrja lëshoi sallën dhe kryetarja e komisionit mbylli punimet e komisionit./kp/

  • Çeku për ushtrinë e Serbisë: E dështuar, ka pësuar disfata në të gjitha luftërat

    Çeku për ushtrinë e Serbisë: E dështuar, ka pësuar disfata në të gjitha luftërat

    Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka komentuar raportimet se ushtria e Serbisë është vendosur në afërsi të territorit të Kosovës

    Çeku ka thënë se Serbia ka një ushtri të dështuar, ka theksuar se ka pësuar disa disfata nëpër luftëra.

    “Serbia nuk e ka fuqinë, sidomos ushtarake, Serbia ka një ushtri të dështuar, që ka pasuar disfata në të gjitha luftërat, e ka të demoralizume, e ka një ushtri që populli i vet nuk i beson dhe nënçmon. E ka kuadrin, i ka oficer të vjetër të ish-Jugosllavisë që i kanë humbur të gjitha luftëra në Ballkan”, tha ai në RTK.

  • Krasniqi: Janë rritur normat e interest të kredive në 6.3 për qind në vitin 2022

    Krasniqi: Janë rritur normat e interest të kredive në 6.3 për qind në vitin 2022

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një videoje ka thënë se normat e interest të kredive janë rritur.

    “Normat e interest të kredive janë rritur në 6.3 për qind në vitin 2022, nga 5.8 për qind sa ishin në vitin 2021”, thuhet në video.

    Krasniqi ka thënë se qytetarët që kanë kredi krahas rritjes së çmimeve, duhet të përballojnë edhe rritjen e normave të interesit të kredive.

    “Mbi 650 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët kanë kredi, krahas rritjes së çmimeve, duhet të përballojnë edhe rritjen e normave të interesit të kredive!”, ka thënë Krasniqi.

  • Rohde: Asociacioni është një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Rohde: Asociacioni është një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në në një ligjëratë në Universitetin e Mitrovicës ‘Isa Boletini’, Rohde ka thënë se Gjermania nuk kërkon asnjëherë përmbushje të obligimeve që janë në kundërshtim me Kosovën dhe kushtetutën e saj.

    “Një nga obligimet e Kosovës në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit. Gjermania asnjëherë nuk do të mbështeste diçka që është kundër interesave të Kosovës dhe kundër kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, tani është koha e përmbushjes së obligimeve. Sepse vetëm atëherë kur të arrihet normalizimi, mund të shohim sukses për Kosovën në proceset integruese në Evropë”, ka thënë dje ai.

    Më tej ambasadori gjerman ka folur edhe për lidhshmërinë që kosovarët kanë me Gjermaninë dhe afrimin e lëvizjes së lirë për ta.

    “Të gjithë kosovarët kanë së paku nga një familjar në Gjermani. Dua të nënvizoj që ishte e padrejtë që Kosova të ketë regjim të vizave. Mirëpo, nga një janari kosovarët nuk kanë pse të pyesin dhe pse të presin për viza. Madje, Kushdo që i pëlqen futbolli, jeni të mirëpritur në Gjermani, pasi vitin e ardhshëm do të mbahet Evropiani tek ne”, ka thënë Rohde.

    Përveç kësaj, ai theksoi rëndësinë që Kosova së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Ka një luftë në Evropë, e shumë tensione që vijnë si shkak i politikave të Putinit, çka sjell regres në kontinent. Për Gjermaninë është shumë me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Nuk është se vetëm duam të bëjmë mirë në Ballkan, por janë edhe interesat tonë të përgjithshme”, është shprehur ambasadori gjerman.

    Rohde po ashtu ka thënë se gjithmonë janë në mbështetje të projekteve që vijnë në kuadër të përmirësimit të gjendjes në Kosovë.

  • Shkolla tash e dy muaj pa një mësimdhënës, nganjëherë e zëvendëson edhe drejtoresha

    Shkolla tash e dy muaj pa një mësimdhënës, nganjëherë e zëvendëson edhe drejtoresha

    Shkolla fillore e mesme e ulët “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës, tash e dy muaj ka mungesë të mësuesit për klasën e katërt, për shkak se mësimdhënësi paraprak është pensionuar. E për ta zëvendësuar atë po angazhohet një mësuese, e nga një herë edhe drejtoresha.

    Nxënësit e kësaj shkolle janë shprehur të shqetësuar për mënyrën se si po e vijojnë mësimin. Drejtoresha e shkollës ka refuzuar të flas. Ndërsa, në Komunën e Malishevës, thotë se pengesë e kanë një udhëzim administrativë. Megjithatë, njohësit e çështjeve arsimore theksojnë se në këto lloj situate, dëmi më të madh po iu bëhet nxënësve,

    Nxënësja e cila është në klasën e katërt, Florinda Gashi tregon se janë pa mësues gati 2 muaj dhe se në raste të rralla e mëson edhe drejtoresha.

    Po ashtu, Lorena Gashi tha se një mësuese zhvillon mësim për klasat e tretët dhe të katërt.

    Erblin Gashi, po ashtu në klasën e katërt, tha se i mungon mësuesja.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi u shpreh se për atë nuk është shumë e lehtë çështja e zëvendësimeve të mësimdhënësve sepse një gjë të tillë e pamundëson udhëzimi administrativ.

    Sipas saj, procedura e rekrutimit për zëvendësim zgjat mbi 60 ditë dhe për këtë arsyeje janë detyruar të obligojnë një mësuese për të dy klasat.

    Drejtoresha Krasniqi tha se janë në fazën e fundit të rekrutimit dhe se pritet shumë shpejt të shpallen rezultatet për mësimdhënësin e ri.

    Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja theksoi se mungesa e mësimdhënësve dhe zëvendësimet e tilla i dëmton më së shumti nxënësit dhe se këtë situatë duhet marrë më seriozisht Ministria e Arsimit. Sipas tij, është e pa tolerueshme që nxënësit të qëndrojnë pa mësimdhënës muaj të tërë.

    Ndërkaq nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se në mungesën e mësimdhënësve, në raste të papritura sigurohet një zgjidhje e brendshme nga shkollat dhe aktivi profesional.

    Deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marrë ndonjë informatë nëse është siguruar ndonjë zëvendësim i ri për klasën e katërt të shkollës “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës.