ATV

Category: Lajme

  • Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duket se po hyn në fuqi

    Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duket se po hyn në fuqi

    Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ka qenë një gëzim i madh për familjet e pengjeve dhe gjithashtu për palestinezët që prisnin lirimin e trefishit të njerëzve nga burgjet izraelite, shkruan BBC, transmeton KP.

    Megjithatë, dita e parë dhe deri më tani gjithçka do të planifikohet dhe kështu duhet të jetë që në orën 14:00, 13 pengje izraelite do të dalin, do t’i dorëzohen Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe do të kalojnë në Egjipt për kontrolle mjekësore përpara se të kthehen në Izrael për t’u ribashkuar me familjet e tyre.

    Pasi të jenë në duart e Izraelit, Izraeli do të lirojë 39 të burgosur palestinezë dhe më pas i njëjti proces duhet të përsëritet gjatë tri ditëve të ardhshme.

    Pas kësaj, ekziston mundësia e një zgjatje të mëtejshme të pauzës së luftimeve – me kusht që Hamasi të lirojë 10 pengje të tjera në ditë.

    Dje pati konfuzion për numrat dhe listat që nuk përputheshin, por tani, deri më tani gjithçka po shkon shumë mirë.

  • EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun

    EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun

    Një ekip i specializuar prej gjashtë këshilltarësh policor i është shtuar EULEX-it që nga dje, si përforcim i misionit në Kosovë, raporton Sinjali.

    Përmes një njoftimi për media, EULEX njofton se ky ekip do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë.

    “Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e misionit.

    Dislokimi i këtij ekipi special do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa, siç ka thënë EULEX-i, “misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

    Pjesëtarët e Ekipit Special të EULEX-it janë të dërguar tre nga Holanda dhe tre nga Suedia. Ata do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

    “Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren”, thuhet në njoftim.

  • Diplomojnë 45 zyrtare korrektuese në 24 vjetorin e themelimit të ShKK-së

    Diplomojnë 45 zyrtare korrektuese në 24 vjetorin e themelimit të ShKK-së

    Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë diplomuar 45 zyrtare korrektuese nga gjenerata e 43-të.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shënimi i përvjetorëve të këtyre institucioneve ka rëndësinë e veçantë kur progresi tyre është evident. Ai shtoi se është hartuar reforma ligjore që avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtave të tyre.

    Kurti potencoi se ShKK-ja me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, me sukses po certifikon 45 zyrtare korrektuese gra.

    Ai shtoi se është në proces themelimi i institucioneve që ofrojnë shërbime të veçanta për të burgosurit me nevoja të veçanta, personave të moshuar, ata me sëmundje kronike dhe ata të varur nga substancat narkotike.

    Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurtë për të gjithë. Ai theksoi se “synimi ynë është që të gjithë të burgosurit që nië ditë do të lirohen, të mund të integrohen në shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe më të aftë se sa që ishin më herët”.

    Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion që ka shënuar progres përveç në infrastrukturë, edhe në cilësinë e shërbimit dhe profesionalizmit.

    Ajo shtoi se sistemi korrektues i Kosovës ka synim sigurimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë.

    Haxhiu kërkoi nga zyrtarë të ShKK-së që punën e tyre ta kryejnë me nder dhe përgjegjësi të lartë, derisa theksoi se misioni i tyre është i lartë dhe i shenjtë.

    Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i promovuar vlerat e drejtësisë. Ai shtoi se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka punuar dhe po vazhdon të punojë kundër kontrabandës dhe korrupsionit.

  • Arratiset një person nga burgu i Lipjanit

    Arratiset një person nga burgu i Lipjanit

    Të enjten rreth orës 21:14, një person është arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit.“Lipjan / 23.11.2023-21:14.

    Raportohet se i dyshuari mashkull shtetas i Malit të Zi ka kryer veprën penale të lartcekur.

    Njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Gërvalla para deputetëve: Vitin tjetër synojmë të blejmë objekte për disa ambasada e konsullata

    Gërvalla para deputetëve: Vitin tjetër synojmë të blejmë objekte për disa ambasada e konsullata

    Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka raportuar ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla në lidhje me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2024 që e përfshinë këtë Ministri, raporton Ekonomia Online.

    Gërvalla tha se prioriteti i MPJD-së gjatë këtij mandati është ndërtimi i fushave më bashëkohone të diplomacisë, të cilat janë diplomacia publike dhe ajo ekonomike. Ajo tha se prioritet i Ministrisë është edhe blerja e objekteve të ambasadave e konsullatave.

    “Fokusi apo prioriteti i MPJD-së gjatë këtij mandati është ndërtimi i fushave më bashëkohore të diplomacisë, të cilat janë diplomacia publike dhe ajo ekonomike dhe një pjesë të madhe të buxhetit e kemi fokusuar më këto lëmi. MPJD ka propozuar buxhet 47 milionë euro për pesë kategoritë”, tha ajo.

    Kryetarja e këtij Komisioni Arbëreshë Kryeziu Hyseni, ka pyetur ministren se cili është plani i Ministrisë që numri i objekteve diplomatike të shtohet në vitin e ardhshëm.

    Gërvalla tha se fokusi është që edhe gjatë viti të ardhshëm të shtohet numri i objekteve ne vendet e huja, më qëllim që të ruhet buxheti.

    “Është e vëretë që kemi blerë ndërtesat, proceduar janë të përfunduar në Kroaci, kemi marr vendimi që do të filloj procedurat për Strasburg. Çfarë duam të arrijmë për blerjen, në radhë të parë duam të kursejmë buxhet, qerat janë të larta. E dyta blerja e objekteve e shpreh vullnetin e këtij shteti për të qëndruar dhe përfaqësuar me dinjitet aty për këtë i kemi dhënë prioritet”, tha ajo.

    Deputetja e VV-së Fitore Pacolli, ka pyetur ministren se në këto misione dhe ambasada a do të shtohet numri i stafit, raporton EO.

    Për këtë ministrja tha se pas më shumë se dy vitesh tani këtë javë hapen konkurset për diplomat të rijnë.

    “Më në fund pas një beteje më shumë se dy vjeçare kemi arritura që këtë javë të hapim konkurset për diplomat të ri, kjo është mundësuar fal ndryshime në ligj. Nuk jemi të kënaqur me të gjithë përfaqshim. Gjenerata e reja të diplomatëve do të bëjnë një përqasim shumë të madh”, tha ajo.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Pjetës Shalës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Seanca nis në orën 09:30 dhe pritet të përfundojë rreth orës 16:00.

    Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri.

    Ai akuzohet për krime të luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

    Krimet për të cilat akuzohet Shala dyshohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

  • Ministrja e Jashtme belge viziton sot Kosovën

    Ministrja e Jashtme belge viziton sot Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës të Belgjikës, Hadja Lahbib do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

    Sipas njoftimit, ajo do të pritet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Takimi dypalësh do të zhvillohet në MPJD, teksa pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media.

  • Çitaku për vendimin e Speciales: Kjo nuk është drejtësi

    Çitaku për vendimin e Speciales: Kjo nuk është drejtësi

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Speciale për vendimin që t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se respekton ligjin por kjo sipas saj, nuk është drejtësi.

    Gjykata Speciale ka vendosur të pezullojë vizitat dhe komunikimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

    Vendimi vjen pas pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat gjyqësorë duke zbuluar informacione konfidenciale të dëshmitarëve të mbrojtur dhe pjesë të dëshmitëve të tyre.

    Lidhur me këtë rast, ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka kundërshtuar vendimin duke theksuar se procesi nuk është duke ofruar drejtësi.

    “Fakti mbetet se themeluesit e kësaj republike u mbajtën në paraburgim për 2 vite pa gjyq. Një vit me procese të ngadalta. Me këtë ritëm ata do të qëndrojnë edhe 10 vite në paraburgim. Ju prisni që ata të mos diskutojnë se sa i bezdisshëm është procesi? Unë respektoj ligjin. Por kjo nuk është drejtësi”, ka shkruar ajo në platformën X.

    Çitaku ka kritikuar arsyetimin e Speciales, duke thënë se nëse themeluesit e UÇK-së kanë folur për dëshmitarët e Gjykatës me vizitorët – dëshmi të cilat i ka quajtur “qesharake” – edhe nëse kanë bërë komente duke shprehur dyshime rreth seriozitetit të dëshmitarëve dhe procesit gjyqësor, gjë që sipas saj, nuk ka asgjë.

    Ajo po ashtu ka thënë se komenton raste nga Gjykata e Lartë e SHBA dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Një temë: Thjesht lexoni arsyetimin e Speciales për të vënë në izolim themeluesit e UÇK-së. Pra ata folën me ne vizitorët e rastit? Nga dëshmitë qesharake? Dhe ne komentuam? Sigurisht. Unë komentoj çështjet e Gjykatës së Lartë të SHBA. Rastet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Dhe nga këto raste gjithashtu”, ka shkruar tutje ajo.

    Çitaku gjithashtu ka theksuar historinë e themeluesve të UÇK-së, të cilët u mbajtën në paraburgim për 2 vite pa gjyq dhe ka shprehur shqetësimin se me ritmin aktual të procesit, ata do të qëndrojnë edhe 10 vite në paraburgim.

  • Digjet një shtëpi në Rahovec, lëndohet një person

    Digjet një shtëpi në Rahovec, lëndohet një person

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri ditën e enjte në Rahovec, ku një person ka pësuar lëndime trupore.

    Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    “Raportohet se si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një shtëpi, lëndime trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar. Viktima fillimisht është dërguar në spitalin e Prizrenit, e më pas në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha njësitet përkatëse”, njoftoi Policia.

  • Vendimi i kushtetueses për faljen e tatimit në pronë i vë komunat në pozitë të vështirë

    Vendimi i kushtetueses për faljen e tatimit në pronë i vë komunat në pozitë të vështirë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Tatimin në Pronë, sipas të cilit komunat do të vendosin vetë për faljen e 100 eurove, i ka vënë në pozitë të palakmueshme.

    Në komunën e Malishevës thonë se janë përballë dilemës, meqë në një anë janë qytetarët që duan t’i ndihmojnë e në anën tjetër investimet kapitale.

    Por, disa komuna tashmë e kanë ndarë mendjen. Menjëherë, pas vendimit të gjykatës, Komuna e Vushtrrisë nuk e kundërshton faljen e 100 eurove për tatimin në pronë.

    Gjykata Kushtetuese të mërkurën njoftoi se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat, nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

    Neni i Ligjit për tatim në pronë që u kontestua në Kushtetuese, përcakton që çdo tatimpagues për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit jo më shumë se 100 euro.