ATV

Category: Lajme

  • Nga 1 muaj paraburgim për 3 të pandehurit për vrasjen e Liridona Murselit

    Nga 1 muaj paraburgim për 3 të pandehurit për vrasjen e Liridona Murselit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Në Gjykatë erdhën, por hynë larg syrit të mediave.

    Bashkëshorti i Liridona Murselit, bashkë me 2 të tjerë që dyshohet që kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, dolën sot para gjykatësit të procedurës paraprake.

    Pas seancës dëgjimore që zgjati më shumë se dy orë, Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore, dhe ua caktoi nga 1 muaj paraburgim, 3 të pandehurve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

    Sipas gjykatës themelore, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta, në mënyrë dinake, bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plavën për ta vrarë të ndjerën Liridonën.

    “Paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes. G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”.

    Përveç se thanë se pretendimet e tyre i paraqitën në seancë, avokatët e të dyshuarve nuk dhanë detaje të tjera.

    Familjarët e Liridona Murselit, nuk u lejuan të qëndrojnë në seancën dëgjimore, derisa thonë se i besojnë drejtësisë së Kosovës.

    Ndërkaq, prokuroria ka pranuar kërkesën e familjarëve për zhvarrosjen e Liridona Ademaj – Murselit, dhe rivarrosjen në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës në ora 14:00.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti kërkon dënim maksimal për vrasësit e Liridona Ademajt

    Kurti kërkon dënim maksimal për vrasësit e Liridona Ademajt

    Kryeministri Albin Kurti kërkon dënim maksimal për vrasësit e Liridona Ademajt. Përmes një reagimi ai thotë se Liridona u vra me paramendim.

    “Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shkruan ai.

    Tutje Kurti thotë se “urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal”, raporton Paparaci.

    Reagimi i plotë:

    Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.

    Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

    Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

    Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

    Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

    Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

    Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

    E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin.

  • Liridona Ademaj rivarroset nesër në fshatin e saj, familja Ademaj del me një njoftim

    Liridona Ademaj rivarroset nesër në fshatin e saj, familja Ademaj del me një njoftim

    Familja e Liridona Ademajt, nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar se tashmë është marr vendimi që e ndjera të rivarroset në tokën e familjes së saj në fshatin Rracaj të Gjakovës.

    Sipas njoftimit rivarrimi i Liridonës do të bëhet nesër (e hënë 4 dhejtor) në orën 14:00.

    “Njoftim mortor nga familja Ademaj.

    Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamir se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj e vrarë me datën 29.11.2023 bëhet nesër me datë 4 dhjetor 2023 me varrezat e fshatit Rracaj ne ora 14:00”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se pas arrestimit të Naim Murselit dhe dy personave të tjerë si të dyshuar kryesor për vrasjen e Liridonës, familja Ademaj kishin kërkuar nga Prokuroria që e ndjera të rivarroset në fshatin e saj.

    I dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

    “Burimet kanë bërë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”,

    Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

  • Presidentja Osmani takoi presidentin e Kenias, William Ruto

    Presidentja Osmani takoi presidentin e Kenias, William Ruto

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Dubai, ku po mbahet COP28, konferenca kryesore globale për ndryshime klimatike, ka zhvilluar një takim me presidentin e Republikës së Kenias, William Ruto.

    Në takim u diskutua për raportet dypalëshe Kosovë-Kenia si dhe zhvillimin e mëtejmë të tyre. Presidentja Osmani ka theksuar se thellimi i raporteve në mes të dy shteteve është në të mirë të qytetarëve tanë dhe do ta nxisë shkëmbimin ekonomik e tregtar në mes të vendeve tona. Ajo e njoftoi Presidentin e Kenias për sfidat në të cilat ka kaluar Kosova si dhe për të arriturat e shtetit tonë.

    Presidentja Osmani dhe Presidenti Ruto rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për të punuar drejt thellimit raporteve në mes të Kosovës dhe Kenias.

  • Aeroporti i Mynihut bllokohet nga bora, anulohen 560 fluturime

    Aeroporti i Mynihut bllokohet nga bora, anulohen 560 fluturime

    Trafiku ajror është rihapur në aeroportin e Mynihut mëngjesin e sotëm, por me volum të reduktuar ndjeshëm.

    Për shkak të reshjeve të dendura të borës që goditën dje Gjermaninë jugore, fluturimet në aeroportin e Mynihut janë pezulluar deri në mëngjesin e sotëm, ndërsa avionët janë devijuar në aeroportet e Nurembergut dhe Frankfurtit.

    Ndërprerje ka pasur edhe në qarkullimin hekurudhor.

    Aeroporti i Mynihut është rihapur në orët e mëngjesit, por rreth 560 nga 880 fluturimet e planifikuara janë anuluar, tha zëdhënësi i këtij aeroporti, përcjellin mediat gjermane.

    Pasagjerët këshillohen të pyesin për fluturimin e tyre përpara se të nisen për në aeroport.

  • Vendi ku kishte punuar Liridona të dielën hapë të pame

    Vendi ku kishte punuar Liridona të dielën hapë të pame

    Kafeneja në Suedi ku kishte punuar e ndjera Liridona Ademi-Murseli të dielën s’do të punoj por do të jetë e hapur për ngushëllime.

    “Lejas Caffe” në njoftimin që e bëri në Facebook e vlerësoi lartë Liridonën si person pozitivë, që gjithmonë kishte dhënë 100%.

    “Të dielën jemi të hapur për publikun, për të gjithë ata që duan të ngushëllojnë dhe ta kujtojnë Lillyn tonë. Ne do të jemi të hapur nga ora 15:00, nuk do të ketë shitje por do të ketë kafe falas”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e kafenesë.

  • Izraeli zgjeron urdhrat për evakuim në Gazë

    Izraeli zgjeron urdhrat për evakuim në Gazë

    Ushtria izraelite ka urdhëruar të dielën që më shumë rajone rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Han Junis, të evakuohen, teksa vazhdon ofensivën tokësore dhe ajrore.

    Sipas ushtrisë, në gjysmën e dytë të jugut të Gazës fshihen liderë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    Hamasi udhëheq Gazën prej vitit 2007.

    Në zonat rreth Han Junisit dhe Rafahut, është raportuar për bombardime intensive në orët e fundit.

    Pjesa më e madhe e 2.3 milionë banorëve të Gazës, janë duke u strehuar në jug, pasi Izreeli u ka kërkuar atyre të largohen prej zonës veriore, qysh në ditët e para të nisjes së luftës, tashmë dymujore.

    Me rikthim të luftimeve, janë shuar shpresat për vazhdim të një ndonjë armëpushimi të përkohshëm.

    Një pauzë njëjavore në luftime, që ka skaduar të premten, ka mundësuar lirimin e shumë pengjeve të marra nga Hamasi në Izreal, si dhe me lirimin e shumë palestinezëve prej burgjeve izraelite.

    “Ne do ta vazhdojmë luftën derisa t’i arrijmë qëllimet tona, dhe është e pamundshme të arrijmë qëllimet tona pa një operacion tokësor”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

    Të dielën, ushtria izraelite u ka kërkuar banorëve në dhe rreth Han Junisit, që të zhvendosen për sigurinë e tyre.

    Banorët kanë thënë se ushtria izrealite ka hedhur prej ajrit letra me mesazhet: Han Junisi është zonë e rrezikshme e luftimeve.

    Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se këto zona, që u është thënë banorëve të largohen, përbëjnë rreth një të katërtën e territorit të Gazës.

    Sipas tyre, në ato zona kanë banuar rreth 800.000 njerëz, para luftës.

    Para rinisjes së luftimeve, Shtetet e Bashkuara, aleatet më të ngushta të Izraelit, e kanë paralajmëruar këtë shtet që të shmangë zhvendosjet masive.

    Autoritetet në Gazë kanë thënë se prej ditës kur ka nisur lufta, më 7 tetor, mbi 15.200 njerëz janë vrarë, si pasojë e sulmeve izraelite.

    Izraeli deklaron vazhdimisht se shënjestron militantë të Hamasit dhe u vë fajin atyre për vrasjet e civilëve, duke thënë se ata po fshihen në lagje të banueshme.

    Izraeli ka thënë se të paktën 78 ushtarë të saj janë vrarë, prej nisjes së ofensivës në Gazë.

    Lufta është nxitur pas sulmeve të Hamasit, më 7 tetor, në tokën izraelite, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë.

    Rreth 240 persona tjerë janë marrë peng.

    Rinisja e luftimeve ka rritur shqetësimet për 137 pengje që janë ende në duart e Hamasit.

    Shumica e tyre besohet se janë gra dhe fëmijë./REL

  • ​Osmani dhe Bin Zayed flasin për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës

    ​Osmani dhe Bin Zayed flasin për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan në Dubai, ku po zhvillon punimet e COP28, konferenca kryesore globale.

    Në takim, Osmani ka vlerësuar lartë mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe në kohën më të vështirë për popullin tonë.

    Ajo në veçanti vlerësoi mbështetjen në sektorin e shëndetësisë, përmes ndërtimit të spitaleve, të cilat kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara, në veçanti për nëna dhe fëmijë.

    Presidentja theksoi se kjo mbështetje është dëshmi e lidhjes së fortë në mes të dy shteteve tona.

    “Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, rritjes së investimeve në energji, shëndetësi, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjik, si dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet nw komunikatw.

    Presidentja Osmani përgëzoi Lartmadhërinë e Tij për organizimin e suksesshëm të COP28, në të cilën konferencë Kosova po merr pjesë për herë të parë në nivelin më të lartë shtetëror, me ftesë të Lartmadhërisë së Tij.

  • Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.

    Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

    Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • “Me kundërshtarë të fortë edhe ne jemi të fortë”, futbollisti i kombëtares shqiptare shprehet optimist për rezultate pozitive

    “Me kundërshtarë të fortë edhe ne jemi të fortë”, futbollisti i kombëtares shqiptare shprehet optimist për rezultate pozitive

    Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A PLAY në ATV, deklaroi se grupi në të cilin ndodhet Shqipëria i ka pëlqyer shumë, për shkak se siç thotë ai, kundërshtarët e fortë janë një arsye që të ketë për motivim shtesë.

    “Pa dyshim se është një grup shumë i fortë, por pa marrë parasysh se çfarë shorti do na binte, të gjitha ekipet atje janë ekipe me shumë kualitet dhe për këtë arsye iu thonë se janë ekipet më të mira në Europian. Pa dyshim është një short shumë i fortë, me ekipe me cilës që janë edhe me trofe në Botë dhe Evropë, por ne me besimin tonë do të shikojmë që të punojmë fort dhe ta bëjmë më të mirën tonë”, tha Seferi.

    Sipas tij, ky është një grup shumë i mirë për kombëtaren shqiptare pasi që do të ndeshen me tri kombëtaret që janë pothuajse në të njëjtin nivel.

    “Me të thanë të drejtën, ky grup më ka pëlqyer shumë, për arsye se me më të fortë, jemi më të fortë dhe kështu që na jep edhe një motivim shtesë me këto ekipet siç është Italia, Spanja dhe Kroacia. Besoj që këto tria janë në të njëjtin nivel edhe besoj se është një grup shumë mirë që na motivon shumë dhe na bënë me punu shumë”, u shpreh Seferi. /atvlive.tv