ATV

Category: Lajme

  • ​Fermerët e dëmtuar në Gjakovë ende pa kompensim, kaq është vlera e dëmeve

    ​Fermerët e dëmtuar në Gjakovë ende pa kompensim, kaq është vlera e dëmeve

    Komuna e Gjakovës në verën e këtij viti, ka pësuar dy fatkeqësi natyrore me vërshime, dëmet e të cilave janë vlerësuar të jenë mbi 200 mijë euro. Gjatë muajve qershor-korrik nga reshjet e mëdha të shiut dhe breshëri janë dëmtuar rreth 60 fermerë dhe afro 80 hektarë tokë bujqësore. Ndërkaq, në Kuvendin Komunal është aprovuar raporti për vlerësimin e dëmeve dhe është dërguar tek Agjencioni i Menaxhimit dhe Emergjencave, ku më pas do të shqyrtohet nga Komisioni Qendror Qeveritar.

    Zyrtari komunal në Drejtorinë për Bujqësi dhe njëkohësisht kryetar i Komisionit vlerësues, Robert Marjakaj ka thënë se me të dal në vendin e ngjarjes kanë vlerësuar se dëmi i shkaktuar arrin vlerën prej 239 mijë e 538 euro.

    Vitin 2023, Marjakaj e quan si më fatkeqin ndër vite, sa i përket motit të pa përshtatshëm për zhvillimin e kulturave bujqësore.

    “Këtë vit Komuna e Gjakovës ka pasur dy fatkeqësi natyrore, në muajin qershor dhe në muajin korrik…Sivjet bujqësia është e përcjellë me fatkeqësi ose me mot të jashtëzakonshëm, mund të them lirisht se është në ndër vitet, ndoshta nuk mbahet në mend sa i përket kushteve të papërshtatshme klimatike për kulturat bujqësore…Në muajin qershor dhe muajin korrik janë të dëmtuar pothuajse diku 58 fermerë, dhe me në sipërfaqe e cila është e dëmtuar diku 78 hektarë dhe vlera e dëmit të vlerësuar nga komisioni e cila ka dalë në vendin e ngjarjes sillet diku rreth 239 mijë e 538 euro…Nga kjo vlerë shihet se është bërë një dëm i konsiderueshëm nga kulturat bujqësore. Ne si Komision menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes, dhe i kemi verifikuar parcelat kur kanë qenë të dëmtuara. I kemi marrë fotografitë. Po ashtu jemi bazuar në fotografitë e fermerëve që i kanë bërë momentin e fatkeqësive natyrore”, tha Marjakaj.

    Ndër të tjera, Marjakaj ka thënë se nga vërshimet dhe breshëri, më së shumti kanë pësuar fermerët e fshatit Rugovë, ngase aty kultivohet perim-kultura. Ai shtoi se të prekurit presin dëmshpërblimin nga buxheti Qeverisë e Kosovës, derisa potencoi se Komuna e Gjakovës nuk ka fond për kompensim të dëmeve në kulturat bujqësore.

    “Kryesisht janë dëmtuar fermerët e fshatit Rugovë… Breshër ka rënë edhe në fshatrat tjera, por fermerët e fshatit Rugovë anë dëmtuar më shumë sepse aty kultivohet, ka shumë perim-kultura…Ne kemi pasur edhe dëme edhe në fshatra të tjerë, por kanë qenë dëme të vogla, që nuk kanë hyrë në përqindjen që duhet vlerësuar. Edhe vitin e kaluar kemi pasur dëme përafërsisht ngjashëm në fshatin në Rugovë…Jo, Komuna e Gjakovës nuk ka fond për kompensim të dëmeve në kulturat bujqësore”, potencoi Marjakaj.

    Ndryshe, në mbledhjen e 169-të të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendimi për ndarjen e nëntë milionë eurove për komunat e prekura nga vërshimet e shtatorit 2022 dhe të janarit 2023./kp

  • Marrëveshja KEDS-Elektroserver, reagon Von Cramon

    Marrëveshja KEDS-Elektroserver, reagon Von Cramon

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas nënshkrimit të kontratës për energjinë, duke e quajtur këtë si lajm i mirë.

    Ajo është shprehur se ky është një hap përpara drejt zbatimit të marrëveshjeve dhe siç është shprehur ajo, drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Lajm i mirë për të parë nënshkrimin e kontratës për energjinë ndërmjet KEDS dhe Elektrosever. Ky është një hap në drejtimin e duhur drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve në pritje për të pasur më në fund normalizimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë. Integrimi në BE është qëllimi ynë i përbashkët”, ka shkruar Von Cramon në “X”.

  • Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga 28 janari

    Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga 28 janari

    Kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi, pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut duke shënuar kështu historinë si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai, këtë nominim po e sheh si respekt dhe nder të veçantë.

    Ai, do të jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut prej 28 janarit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Ardhja e tij në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut rikthen numrin prej 3 kryeministrave shqiptarë në rajon, pas largimit të Dritan Abazoviqit nga pozita e kryeministrit të Malit të Zi.

    Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përmes një video-paraqitjeje tha se nominimi për kryeministër i Qeverisë teknike, paraqet për të respekt dhe besim të veçantë.

    “Për mua do të thotë respekt dhe besim i veçantë nga organet partiake për të më nominuar në këtë detyrë. Besoj se me përgjegjësi më të madhe do të përgjigjem ndaj detyrës së re që më është besuar dhe shpresoj se do të realizohen pritshmëritë e qytetarëve”, tha Xhaferi.

    Edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha se partia që e udhëheq ai do ta mbështesë Talat Xhaferin për kryeministër.

    “Kjo është marrëveshje që e kanë pasur dy parnerët e koalicionit prej fillimit, në parim ne nuk shohim asgjë të keqe për ta mbështetur dhe për ta përkrahur, jo Talat Xhaferit, por cilido qoftë shqiptar që ishte”, tha Taravari.

    Analisti politik, Bashkim Selmani, vlerëson se me ardhjen e Xhaferit në krye të Qeverisë arrihet një pjesë e barazisë mes shqiptarëve dhe maqedonasve në udhëheqjen institucionale.

    “Me këtë është arritur ajo pjesa e vërtetësisë dhe barazise mes shqiptarëve dhe maqedonasve si shtet i përbashkët dhe nga ana tjetër nëse merret për bazë të arriturat e gjendjes faktike nuk pritet ndonjë ndryshim ,për arsye se tani kur shqiptarët e arritën një proces politik me një funksion të kësaj natyre nga ana tjetër varfëria dhe gjendja e rëndë ekonomike nuk u bën shumë përshtypje”, tha Selmani.

    Ndryshe, Talat Xhaferi do të jetë kryeministër teknik i Maqedonisë së Veriut prej 28 janarit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re./rtk

  • Dy bijtë e Liridona Ademajt merren në përkujdesje të shtetit suedez

    Dy bijtë e Liridona Ademajt merren në përkujdesje të shtetit suedez

    Dy bijtë e Liridona Ademajt kanë udhëtuar këtë të shtunë drejt Suedisë.

    Burime të Klan Kosova konfirmojnë se shteti suedez tashmë i ka marrë ata në përkujdesje, pasi që ata janë shtetas suedezë.

    Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

    Si i dyshuar për këtë vepër është arrestuar edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe tre persona të tjerë, ku njëri prej tyre është prangosur sonte.

  • Prokuroria e konfirmon – tregon për çka dyshohet i arrestuari i katërt për vrasjen e Liridonës

    Prokuroria e konfirmon – tregon për çka dyshohet i arrestuari i katërt për vrasjen e Liridonës

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se është arrestuar edhe i dyshuari i katër i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt, shkruan Insajderi.

    Në një prononcim për Insajderin, zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj tha se i arrestuari dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse”.

    “Konfirmojmë se me urdhër të prokurorit të rastit është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së rëndë, për shkak të veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndermjetesimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse“, sipas KPRK-së.”- tha Ulaj.

    Tutje, Ulaj tha se pritet edhe të paraqitet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarit.

    “Brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit“, tha ajo.

    Kujtojmë se, Liridona Ademaj u vra të mërkurën e 29 nëntorit në Sinidoll të Prishtinës, me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli. 30 mijë euro ishte shuma që Naim Murseli kishte premtuar për vrasjen e saj.

    Granit Plava, i cili është arrestuar si ekzekutuesi i krimit ka deklaruar se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do të merr edhe 15 mijë euro të tjera.

    Për këtë krim është arrestuar edhe nipi i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla. Ai është edhe anëtar i FSK-së.

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar nga një muaj paraburgim Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt.

  • Naim Murseli përballet me babanë për herë të parë pas arrestimit, akuzon Policinë për keqtrajtim

    Naim Murseli përballet me babanë për herë të parë pas arrestimit, akuzon Policinë për keqtrajtim

    Vrasja mizore e Liridona Admeajt, krim ky që tronditi vendin para disa javësh po vazhdon të hetohet, ndërkohë që pistat po zgjerohen dhe akoma nuk është konfirmuar motivi i rastit tragjik. Tre persona ndodhen në paraburgim, teksa i dyshuari i fundit u arrestua sot nga Policia. Naim Murseli – burri i të ndjerës ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku para disa ditësh e ka vizitua babai i tij, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali ka siguruar ekskluzivisht versionin e Murselit, i cili u përballë për herë të parë me babin e tij, i cili pas arrestimit, përmendi hakmarrje.

    Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Shaban Murseli ka deklaruar se gjatë vizitës qe i ka bërë Murselit, ky i fundit e ka akuzuar Policinë e Kosovës për keqtrajtim.

    Në mes të tjerash ai tha se Murseli i ka rrëfyer një version krejt tjetër për dallim nga ajo qe ka dalë në media, duke pretenduar se ka edhe “dëshmi të forta”.

    “ Po, po, e kam vizitu. Ai më ka thënë që më kanë rrah, por jo në burg, sipas tij Policia e ka rrah. E tash une nuk e di, kontaktova me Gjakovë më thanë që me dorë s’e kanë prekë, vec nëse e kanë rrah këtu në Prishtinë. Unë e kam lajmëru edhe avokatin, patjetër që do të drejtohem edhe në IPK. Të shohim ku është rrah edhe pse, se ai s’ka rezistu kurrë.

    Ai e din më së miri qysh ka me dëshmu. Ai tha që kom fakte, kom video, dëshmi të forta ka që nuk ka porositë vrasës, as nuk ka ditë që… Dtth është krejt një pistë tjetër.“ – tha Shaban Murseli për Sinjalin.

    Naim Murseli siç duket e ka ndërruar versionin e tij, ku ashtu siç dyshohet se e kreu krimin me gjakftohtësi, në takimin me babanë është munduar të thotë krejt diçka tjetër – gjoja se nuk është i përfshirë siç pretendohet.

    Por gjithë rrëfimin e tij, Shaban Murseli tha se nuk e beson, deri të dalë e vërteta dhe të konfirmohen dyshimet e ngritura.

    “Qysh më tha Naimi nuk jonë të vërteta këto akuzat që janë bërë, ato portalet çka kanë thanë e, asnjo s’jonë të vërteta. Ai e tregon më së miri vet.

    Unë i besoj të vërtetës, as s’i besoj atij, as portalet, as s’i besoj….vetëm të vërtetës i besoj.

    15 minuta para vrasjes tha që u ndalë në market, ka ble vezë, qumësht e bukë për mëngjes.” – tha ai.

    Pas takimit me Naimin që po dyshohet se e porositi vrasjen e gruas së tij, Shaban Murseli komentoi edhe deklaratën e tij për hakmarrje.

    Para disa ditësh ai tha se “me pasë ditë unë që e ka bo djali jem, unë isha hakmarrë vetë unë me djalë tem atë ditë – ai s’ish sot gjallë” – gjë për të cilën tha se do ta bënte nëse “100% vërtetohet që e ka bërë”.

    Në vazhdën e zhvillimit të hetimeve, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe të dyshuarin e katërt, Tomë Dodaj, i cili dyshohet se ka furnizuar me armën e krimit dy të dyshuarit tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën.

    Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

    Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

    Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

  • Ky është personi i katërt i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt

    Ky është personi i katërt i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt

    Krimet e Rënda kanë arrestuar edhe një person që dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt.

    Sinjali mëson se i dyshuari është, Tomë Dodaj, 49-vjeçar, nga fshati Novosellë i Gjakovës.

    Burimet njoftojnë se Dodaj është arrestuar për shkak se dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselin dhe Granit Plavën.

    Dodaj është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin, teksa Sinjali mëson se atij i është sekuestruar edhe një armë zjarri.

    Mbrëmjen e 29 nëntorit, 30-vjeçarja, Liridona Ademaj, u vra në makinë, dhe fillimisht rasti u cil[sua si “Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen”, pasi të dyshuarit Granit Plava, burri i Liridonës, Naim Murseli dhe nipi i tij Kushtrim Kokalla kishin inskenuar ngjarjen.

    Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

    Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

    Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

    Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

    Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

    Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

  • Arrestohet edhe personi i katërt i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt

    Arrestohet edhe personi i katërt i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt

    Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e katërt që dyshohet se është përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është arrestuar për shkak se dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselin dhe Granit Plavën.

     

    Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj.

    Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.

    Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

  • E vodhën veturën në parking të autoservisit, Policia arreston tre të rinj në Fushë-Kosovë

    E vodhën veturën në parking të autoservisit, Policia arreston tre të rinj në Fushë-Kosovë

    Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.

    Tre persona në Fushë Kosovë, dy prej tyre të mitur, dyshohet se kanë vjedhur një veturë në parkingun e një autoservisi.

    Të dyshuarit janë kapur në flagrancë me veturën e vjedhur, pasi janë ndalur nga Policia në rrugë dhe të njëjtit më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

    Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vjedhje’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

    Bazuar në dëshminë e tij, të dyshuarit kanë qenë në lëvizje me një veturë, por që nuk është zbuluar ende identiteti i tyre.

    Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme ku kanë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja që dyshohen të jenë të armës që u përdor në rast.

  • 40 ditë paraburgim për Gëzim Çelën, i njohur si “baroni i drogës”

    40 ditë paraburgim për Gëzim Çelën, i njohur si “baroni i drogës”

    Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës 40 ditë paraburgim ndaj të pandehurit Gëzim Çela, i kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

    Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik, prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit sipas Kodit Penal të Shqipërisë dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me 19 vjet e 9 muaj e 29 ditë burg.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

    Policia e Kosovës në Ferizaj dje ka arrestuar Gëzim Çelën, ish-punonjësin e policisë shqiptare në arrati, i njohur si “baroni i drogës”.

    Deri tek arrestimi ka ardhur pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me policinë e Shqipërisë. Arrestimi i Gëzim Çelës, i cili kishte gjetur strehim në Kosovë pasi në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti, ka ndodhur në fshatin Dardani të Ferizajt.

    Gëzim Çela, në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova.

    Dyshohet se një shtetas i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria.

    Hetuesit e antidrogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të Policisë së Kosovës.

    Për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë, ku është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.

    Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU, e cila në koordinim me organet e drejtësisë, do të merret me procedura rreth rasteve të arrestimeve të personave në kërkim ndërkombëtar.

    Ndryshe, Gëzim Çela, u arratis gjatë operacionit “Flakë në det” në Shqipëri. Policia shqiptare kishte zbuluar se Gëzim Çela dhe grupi i tij, i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një velierë e shkëmbente kanabisin me kokainë.

    Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur në vitet ’90-ta. Dikur ish-punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend, si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.

    Më herët ai ka qenë i arrestuar për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar droge.