ATV

Category: Lajme

  • Vuçiq për kontratën ndërmjet KEDS dhe Elektroserver: Marrëveshjet e tilla nuk paragjykojnë çështjen e pronës

    Vuçiq për kontratën ndërmjet KEDS dhe Elektroserver: Marrëveshjet e tilla nuk paragjykojnë çështjen e pronës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është i kënaqur që KEDS-i dhe Elektrosever e kanë nënshkruar kontratën, sepse kështu shmanget mundësia që njerëzit në veri të Kosovës të mbeten pa energji elektrike.

    Vuçiq tha se furnizimi me energji elektrike për serbët në veri të Kosovës është një çështje e rëndësishme për Serbinë dhe se marrëveshja nuk e paragjykon çështjen pronësore.

    “Ende jemi duke i shikuar detajet, do të vijojë nënshkrimi i kontratës me popullatën. Siç e dini, vetëm 11 për qind e banorëve të veriut kanë paguar rrymë. Jemi të kënaqur që KEDS-i dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje, kështu që shmangia e çdo mundësie që njerëzit në veri të Kosovës të mbesin pa rrymë, në fund të fundit është gjëja më e rëndësishme për ne, ishte një çështje tjetër e rëndësishme për ne, ajo është çështja e pronës, që marrëveshje të tilla nuk e paragjykojnë çështjen të pasurisë dhe mendoj se këto janë gjërat që kemi arritur t’i bëjmë”, tha Vuçiq nga Nisha.

  • Rreziku për një konflikt të ngjashëm si në Banjskë, komandanti i KFOR-it: Po monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet

    Rreziku për një konflikt të ngjashëm si në Banjskë, komandanti i KFOR-it: Po monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Utulash është shprehur se ata po vazhdojmë të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, çdo ditë dhe në mënyrë të paanshme.

    “Prioriteti im ishte të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim. Kfor komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë akterët ndërkombëtarë dhe vendorë. Jemi në komunikim të ngushtë me shefin serb të Mbrojtjes, si dhe me institucionet në Kosovë. Kjo është e rëndësishme për të siguruar shkëmbimin në kohë të informacionit dhe për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta. Ne e dimë se të gjitha komunitetet duan dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Ky është shtytësi kryesor i aktiviteteve tona të përditshme në mbarë Kosovën. Prandaj, si Kfor, ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, çdo ditë dhe në mënyrë të paanshme”, u shpreh ai.

    I pyetur se si i sheh deklaratat e liderëve perëndimorë se Ballkani mund të bëhet pika e ardhshme e nxehtë botërore dhe nëse ekziston rreziku që në periudhën e ardhshme të përsëritet një konflikt i ngjashëm si ai i Banjskës, ai tha:

    “Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet përkatëse të sigurisë në rajon. KFOR ka një prani të shkathët, fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar me lazer në zbatimin e përditshëm të misionit tonë të OKB-së dhe mbetemi të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, deklaroi ai për Kosovo-Online.

    Tutje Utulash refuzoi të konstatojë se 2023 ka qenë viti më sfidues në Kosovë për KFOR-in që nga viti 2024, duke thënë se çdo vit ka pasur sfidat e veta.

    “KFOR-i është aktualisht misioni më i gjatë dhe më i madh i udhëhequr nga NATO. Kfor është prezent në Kosovë për më shumë se njëzet vjet. Çdo vit ka pasur sfidat e veta dhe në këtë drejtim 2023 nuk ishte ndryshe, duke pasur parasysh tensionet në fillim të këtij viti. KFOR-i gjithmonë ka dëshmuar aftësinë e tij për të trajtuar çdo sfidë dhe për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme. Ky është mentaliteti me të cilin do të vazhdojmë të punojmë”, deklaroi ai.

  • ​Kosova kërkon personat e pagjetur edhe në Bosnje dhe Kroaci, Serbia nuk bashkëpunon

    ​Kosova kërkon personat e pagjetur edhe në Bosnje dhe Kroaci, Serbia nuk bashkëpunon

    Qytetarët e Kosovës nuk janë marrë me dhunë dhe zhdukur vetëm në luftën e fundit në Kosovë por edhe në luftërat e më hershme në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovin. Për këtë arsye, ditë më parë është mbajtur takimi i grupit rajonal për rastet e paidentifikuara të personave të zhdukur, ku vendi ynë ka arritur identifikimin e njëmbëdhjetë mbetjeve mortore dhe pesë rasteve të konfirmimit të identiteti. Megjithatë, ajo çka mbetet shqetësuese, është identifikimi i lokacioneve në territorin e Serbisë, pasi ende nuk ka ndonjë datë për të vazhduar gërmimet atje.

    Dyshuese është edhe identifikimi dhe marrja e mbetjeve mortore nga familjarët në kohën kur gjurmimet i ka bërë Tribunali i Hagës, pasi personat janë identifikuar në mënyrë tradicionale dhe jo me ADN, për çka familjarët luten për bashkëpunim në mënyrë që të vërtetohen edhe një numër i madh i mbetjeve mortore që janë në murgun e Prishtinës.

    Nga Komisioni Qeveritarë për të pagjeturit, Kushtrim Gara, thotë për KosovaPress, se ky proces ka filluar që nga viti 2021 dhe se sfida me të cilën përballen janë ende mungesa e informacioneve nga pala serbe.

    Ai tha se populli i Kosovës është përballur me luftëra në të gjithë fazën e historisë dhe si pasojë e luftës, kanë duke bashkëpunuar me Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, për të identifikuar lokacione dhe persona të pagjetur edhe në atë pjesë.

    “Një proces që ne e kemi filluar qysh në nëntor të vitit 2021 një proces që ne po e quajmë ri-inventarizimit dhe shqyrtimin e të gjitha rasteve të mbetjeve mortore, sigurisht janë prezantuar të dhënat edhe në kuptimin statistikorë përfshirë 16 identifikime të reja si rezultat i këtij procesi, në fakt 11 identifikime dhe pesë raste në mungesë identiteti por edhe sfidat me të cilat përballemi, që hyn mungesa e informacioneve të besueshme në këtë mungesa e informacioneve të palës serbe në bashkëpunim me palën në këtë proces. Janë diskutuar edhe rastet e paidentifikuara të cilat vazhdojnë të ruhen në AVN, në kujdesin e mjekësisë ligjore të Kosovës por edhe në murgjit e shteteve tjera. Prandaj, një prej çështjeve të adresuara ka qenë edhe rastet e personave te zhdukur, qytetarë të Kosovës si pasojë e luftës edhe në territorin e ish-Jugosllavisë, përkatësisht në luftën e Bosnjës-Hercegovinës dhe në luftën e Kroacisë dhe në bashkëpunim me të dyja republikat po bashkëpunojmë qoftë edhe në komunikim me familjet, fshatrat të familjarëve që të kontaktojmë këto familje siç kemi thënë në vazhdimësi që populli i Kosovës, me rrëmbime me forcë nuk është përballur vetëm këtë luftën e fundit 1998/1999, por në të gjitha fazat e historisë përfshirë edhe vitet 1990 në kohën e okupimit”, tha Gara.

    Gara theksoi se në raport me palën serbe për identifikimin e lokacioneve dhe gjetjen e personave të pagjetur, edhe sot është e nevojshme përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që të ketë një qasje presioni që pala serbe të jetë më bashkëpunuese me Kosovën.

    “Republika e Kosovës mbetet shembull në rajon dhe më gjerë për mënyrën e adresimit të çdo informate që do të mund të kontribuojë më zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur, janë të paktën 13 lokacione të adresuara brenda territorit të Kosovës dhe shumica këtyre lokacioneve kanë rezultuar me rezultat pozitiv në gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore gjatë luftës. ..Ajo çka mbetet shqetësuese, sfidë identifikimi i lokacioneve në territorin e Serbisë, përkundër kërkesave të vazhdueshme ende nuk ka ndonjë datë për të vazhduar gërmimet në lokacion të Serbisë. 6:40 Është më se e nevojshme edhe më tutje përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në kuptim të presionit te pala serbe për të qenë më bashkëpunuese në ketë proces dhe për të vënë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre. Meqë ne jemi shumë të sigurtë që varrezat masive duhet të jenë në këtë hapësirë por është e nevojshme që të kemi të dhëna nga arkivat në institucionet e Serbisë, meqë po flasim për një zonë në afërsi të minierave që them kusht ishte që ky ndryshimi i tereni është i natyrshëm, prandaj jemi 24 vite pas luftës dhe të gjitha të dhënat nga institucionet serbe dhe ato ndërkombëtare të vënë në dispozicion të këtij procesi, dhe pastaj ne do të mund të saktësonim lokacionet apo do të mund të zgjidhnim rastet e personave te zhdukur në përpjekje të respektimit të drejtave familjarë për ta ditur vendndodhjen e me të dashurit të tyre, të rrëmbyer me forca gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Gara.

    Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Familjeve të Zhdukura, Ahmet Grajçevci shtoi se gërmimet po vazhdojnë të neglizhohen shkaku i Serbisë. Ai ka lutur edhe familjet që të adresojnë gjurmët e personave nga lufta për shkak se në mungesë identiteti në murgun e Kosovën, është një numër mjaft i madh i trupave.

    “Gërmimet si duket në vitin e fundit janë neglizhuar pak jo nga shkaku i Qeverisë së Kosovës por shkaku i Serbisë, ajo është shkaktarë numër një e cila nuk lejon që të hulumtojnë në Serbi. Sa i takon territorit të Kosovës, aty janë gërmimet të cilat bëhen, hulumtojnë edhe varrezat të cilat i ka eksploruar edhe Tribunali i Hagës në vitin 2000/2003 deri 2007 dhe aty po gjenden mbetje mortore. … Ajo që neve na sjell telashe se familjarët të cilët i kanë marrë gjatë kohës së gjurmimit të Tribunalit të Hagës, këtu e kemi atë problemin se shumica i kanë marrë në bazë tradicionale, në bazë të rrobave kur e dimë se para ekzekutimit, Serbia i ka zhveshur dhe i ka dhënë ultimatum 1 minutë ose dy minuta me u vesh, 100 persona nuk ka mundur të gjejnë rrobën e vet dhe kështu që e kemi një numër të madh të mbetjeve mortorë në murg, e cila dëshiron qasje. … Ne kemi edhe njerëz të zhdukur në territorin e Bosnjës, në Kroaci dhe punëtorë ose qofshin udhëtarë që kanë udhëtuar nga Sllovenia në Kosovë, janë të zhdukur edhe për këtë duhet me ligj dhe të rregullohet edhe çështja e tyre… I lusim familjarët të gjithë ata që i kanë marrë në mënyrë tradicionale prej Tribunalit të Hagës në varrezat masive, të na japin pesë pika gjak nuk i kushton asgjë, nuk do të prekim varrin dhe lapidarin, vetëm na intereson për ato analiza a janë në murg ose jo”, tha Grajcevci.

    Përndryshe, mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

  • ​Kusari-Lila: Drafti i Asociacionit mund të ketë ndryshime, s’do të krijohet pushtet i tretë qeverisës

    ​Kusari-Lila: Drafti i Asociacionit mund të ketë ndryshime, s’do të krijohet pushtet i tretë qeverisës

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është e bindur se drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë, nuk krijon një mekanizëm të ri të pushtetit të tretë qeverisës që mund të rrezikojë shtetësinë apo kushtetutshmërinë e Kosovës.

    Megjithatë, ajo thotë se shqetësimet e krerëve të vendit janë në disa aspekte që mund të krijojnë dykuptimësi në zbatimi, andaj sipas saj, edhe qeveria ka adresuar komente tek ndërmjetësit e dialogut, por për të cilat ende s’ka një përgjigje.

    Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, përmend mundësinë që drafti të pësojë ndryshime, prandaj shprehet më e rezervuar të komentojë në detaje, mirëpo nënvizon se aleatët e Kosovës, veçmas ShBA-ja, ka garantuar se nuk do të lejojnë krijimin një niveli të tretë qeverisës në Kosovë.

    “Ne nuk flasim për asnjë mekanizëm të ri, qoftë institucional apo në nivel të organizimit të nivelit komunal që mund të rrezikojë shtetësinë e Kosovës apo kushtetutshmërinë e vendit. Pasi janë një mori mekanizmash dhe gjatë gjithë kohës është folur për mos sjelljen e situatës në të cilin krijohen probleme apo minohet rendi kushtetues apo defunksionalizohen mekanizmat e caktuar qoftë të ekzekutivit apo nivelit lokal…Jo absolutisht. ne nuk e kemi as konceptin e shtetit federal, rendi kushtetues i Kosovës është i qartë si republikë parlamentare me dy nivele të qeverisjes, atë lokal dhe qendror. Si e tillë nuk pritet dhe nuk ka asnjë hapësirë dhe mundësi të ndryshohet. Për mbi tërë këtë janë edhe garancitë e partnerëve, gjegjësisht aleatëve në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ka pasur kërkesa apo insistime se kjo mund të krijojë një sistem të tretë të qeverisjes në Kosovë kam qenë vet prezentë ku ka pasur reagime të përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it, në kundërshti me këtë teori apo presupozim”, thekson Kusari-Lila.

    Shefja e deputetëve të LVV-së në Kuvend mirëpret publikim e draftit të Asociacionit dhe shpërndarjen e tij te partitë opozitare.

    “Drafti tashmë është publik, natyrisht i është shpërndarë me të drejtë edhe partive opozitare nga vet zyra e ndërmjetësit zotëri Lajçak. Sa i përket përmbajtjes unë po përmbahem të komentoj në atë çfarë ka aty brenda, për faktin se është draft dhe mund të pësojë ndonjë ndryshim që ne pastaj mund të kemi ose dakordim ose kundërshti në raport me një etnitet që parashihet si rezultat i marrëveshjeve të arritura njëra në vitin 2013 dhe tjetra në vitin 2015. Megjithatë për diskutim dhe informim të brendshëm në nivelin e demokracisë dhe funksionimit të saj është mirë që partitë opozitare e kanë, por duhet pasur parasysh se në të njëjtin draft kryeministrin Kurti vetëm kanë dorëzuar komentet e tyre, për të cilat ende nuk ka një përgjigje dhe nuk ka një afat se cilat janë datat në raport me marrjen parasysh të komenteve apo jo. Pastaj edhe fazat e zbatimit, prandaj çka do që themi ne do të mund të ishte e tepër ose jashtë kontekstit me ngjarjet që mund të pasojnë si rezultat i finalizimit të këtij drafti apo plotësimit të tij”, shton ajo.

    Kusari-Lila e sheh pozitive edhe shpalljen në kërkim të ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

    “Ajo krejt varet nga lëvizjet e tij, pasi atë e mban Serbia. Siç dihet Kosova ka bërë kërkesë disa herë për arrestimin e tij. Është pozitive fakti që Interpoli përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka marrë kërkesën e Kosovës për arrestim të Milan Radoiçiq, krye terroristit i cili në Banjskë ishte organizatori kryesor në një aksion i cili përveç që ishte cenim i rendit kushtetues dhe Republikës shkaktoi edhe vrasjen e një rreshteri në detyrë”, deklaron ajo.

    Krahas kësaj, ajo nënvizon se moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është qëndrim parimor i institucioneve të Kosovës.

    “Kosova është vend sovran dhe si i tillë ka raporte bilaterale me shumë shtete, ndër to nëse mund të ketë kërkesë nga shtetet për mbajtjen e zgjedhjeve për qytetarë që kanë dyshtetësi ose janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në ndonjë shtet tjetër duhet të ketë kërkesë drejtpërdrejtë te shteti i Kosovës. Kërkesa nuk ka ardh prandaj ne nuk kemi pasur mundësi të përgjigjemi apo të japim garanci për organizim të këtyre zgjedhjeve. Ky ka qenë qëndrim parimor i cili nuk ndërlidhet vetëm me Serbinë po ndërlidhet me të gjitha shtetet që mund të kenë një kërkesë të tillë”, shton Kusari-Lila.

    Në anën tjetër, Kusari-Lila mirëpret edhe kërkesën për nisje të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

    “Është veprim që institucionet e Kosovës kanë thënë se është e vetmja zgjidhje për të organizuar zgjedhje në katër komunat në veri. Ka pasur disa çështje teknike të cilat janë informuar palët që e kanë kërkesë. Unë shpresoj si përfaqësuese e grupit parlamentar më të madh në Kuvend që çdo gjë të shkojë sipas asaj që është e paraparë me ligj dhe kushtetutën dhe udhëzimin administrativ që është publik, ku të gjitha hapat në kuadër të këtij udhëzimi dihen se si mund të shkohet në organizim të zgjedhjeve të reja. Kjo është e vetja mënyrë si të kthehet rendi dhe ligji dhe përfaqësimi i mirëfilltë i qytetarëve”, përfundon Kusari-Lila.

  • GAP: Sikur në vitin e kaluar, edhe këtë vit Qeveria ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga VV

    GAP: Sikur në vitin e kaluar, edhe këtë vit Qeveria ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga VV

    Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2024, duke i krahasuar ato me vitin 2023.

    Në raport thuhet se sikur në vitin e kaluar, edhe këtë vit Qeveria gjysmën e mjeteve i ka ndarë për katër komunat që udhëhiqen nga VV.

    “Nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023. Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.”

  • ​Të paktën 6 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pasi tornadot goditën Tenesin

    ​Të paktën 6 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pasi tornadot goditën Tenesin

    Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në Tenesi pasi tornadot dhe stuhitë e forta lëvizën në të gjithë shtetin të shtunën.

    Tre persona u konfirmuan të vdekur në Madison, Tennessee, në veri të Nashville, thanë zyrtarët e menaxhimit të urgjencës.

    “Fatkeqësisht, ne mund të konfirmojmë se ka tre viktima si rezultat i motit të rëndë në Nesbitt Lane” tha Zyra e Menaxhimit të Emergjencave në Nashville në X, dikur Twitter.

    Zyrtarët në Montgomery County konfirmuan gjithashtu tre vdekje, duke përfshirë një fëmijë, pasi një tornado goditi zonën e Clarksville.

    “Në këtë moment mund të konfirmojmë se tre persona kanë vdekur, dy të rritur dhe një fëmijë si pasojë e tornados që goditi këtë pasdite”, thuhet në një deklaratë nga qeveria e qarkut Montgomery. “Përveç kësaj, 23 persona janë trajtuar në spital”.

    Zyrtarët thanë se janë ende në një “fazë kërkimi dhe shpëtimi” për të parë nëse ka më shumë të vdekur apo të plagosur.

    Qyteti i Clarksville shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën mbrëma, njoftoi kryebashkiaku Joe Pitts.

    Tornadot u shfaqën nga një shpërthim i rëndë i motit në më shumë se 1200 milje në lindje të Shteteve të Bashkuara nga Bregu i Gjirit deri në kufirin kanadez të shtunën.

    Zyrtarët në veriperëndim të Tenesit u kërkuan shoferëve të qëndrojnë jashtë rrugëve pasi moti i ashpër lëvizi nëpër zonë.

    Shërbimi Kombëtar i Motit ka konfirmuar se dy tornado, secili i përshkruar si i madh dhe i rrezikshëm, kishin goditur pasditen e së shtunës, duke përfshirë stuhinë në Montgomery County dhe një tjetër pranë qytetit të Rutherford të qarkut Gibson./CNN/

  • Haradinaj: Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut

    Haradinaj: Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

    ”Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, dhe padyshim kujtojmë mbështetjen e miqve tanë në NATO në krye me ShBA që dënuan shkeljen e të drejtave ndaj popullit tonë”, ka thënë Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Sot, e gjitha bota shënon 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në vitin 1948, ky dokument monumental u miratua për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

    Për ne si vend, kjo datë është një kujtim i rëndësishëm, pasi përjetuam cenime serioze të të drejtave tona nga sisteme autoritare dhe okupatore. Edhe sot, pas 15 vitesh nga pavarësia dhe afër 25 vjetësh prej çlirimit, jemi të përkushtuar për mbrojtjen e këtyre vlerave për të siguruar që dinjiteti i çdo qenie njerëzore është i paprekshëm.

    Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, dhe padyshim kujtojmë mbështetjen e miqve tanë në NATO në krye me ShBA që dënuan shkeljen e të drejtave ndaj popullit tonë.

    Sot, ne, si një shtet i pavarur e demokratik, vazhdojmë rrugën tonë drejt një të ardhmeje ku drejtësia dhe respekti ndaj të drejtave të njeriut janë të garantuara dhe mbrojtura si vlera themelore, duke përfshirë këtë Deklaratë në Kushtetutën tonë.

  • ​Përjetonin vazhdimisht dhuna nga djali i tyre

    ​Përjetonin vazhdimisht dhuna nga djali i tyre

    Një femër ka raportuar se është sulmuar verbalisht nga djali i saj i dyshuari mashkull kosovar.

    Rasti është raportuar dje në Viti, ku ankuesja ka deklaruar se ajo dhe bashkëshorti i saj, në vazhdimësi përjetojnë dhunë nga i dyshuari.

    I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • ​Një femër vdes në një ordinancë private në Viti

    ​Një femër vdes në një ordinancë private në Viti

    Policia e Kosovës është informuar se në një ordinancë private është një trup i pa jetë i viktimës femër kosovare.

    Sipas Policisë, rasti është paraqitur dje paradite dhe ka ndodhur në Viti. Viktima është dërguar në Emergjencë, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e saj.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, derisa hetimet po vazhdojnë.

  • Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    1 mijë e 589 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 13 aksidente më të lënduar dhe 39 me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit kanë arrestuar edhe 11 persona dhe shtatë janë dërguar në mbajtje.