ATV

Category: Lajme

  • Si të këputet zinxhiri i femicidit?

    Si të këputet zinxhiri i femicidit?

    “Vrasja që tronditi vendin”, “U vra në sy të fëmijëve, arrestohet bashkëshorti”, “Krejt çfarë dihet për vrasjen e Liridonës”… Këta tituj dhe të ngjashëm dominuan lajmet e ditëve të fundit në Kosovë dhe rajon.

    Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor në një fshat afër Prishtinës. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin edhe të bashkëshortit në mesin e tre të dyshuarve.

    Motivet nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij – nënë e dy fëmijëve – dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro.

    Mllef e zemërim shprehën mijëra qytetarë kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa në Prishtinë kishte edhe protesta me thirrjet për drejtësi për Liridonën.

    “Duhet të shqyrtohen faktet dhe të merret vendimi i drejtë, të vihet drejtësia në vend dhe të ketë liri për të gjitha gratë”, tha Ardita Baraku, e cila kishte dalë në protestë.

    “Kjo [vrasje], lëre që na ka turpëruar, por këta nuk kanë as nder, as karakter. Zoti hair e bëftë!”, u shpreh Shemsi Berisha, një tjetë protestues.

    Vrasja e Liridonës e çoi në katër numrin e grave të vrara këtë vit në Kosovë, sipas raportimeve të policisë. Nga viti 2010 deri më sot janë së paku 55 gra të vrara në Kosovë. Në të shumtën e rasteve, fajtorë ose të dyshuar për vrasje janë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Situata nuk është më pak e rëndë as në botë. Më shumë se gjysma e viktimave gra të raportuara vitin e kaluar, u vranë nga partnerët intimë ose të afërmit e tyre, thuhet në një raport që publikoi Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim dhe UN Women, muajin e kaluar. Sipas raportit, afro 89.000 gra dhe vajza u vranë qëllimisht në vitin 2022 në të gjithë botën. Prej tyre, 48.800 u vranë nga anëtarët e familjes ose partnerët intimë.

    Kjo do të thotë se, mesatarisht, mbi 133 gra ose vajza u vranë çdo ditë nga dikush në shtëpinë e tyre, ose mbi pesë në çdo orë, thotë Juncal Plazaola Castano, specialiste e Programit për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, pranë organizatës UN Women.

    Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ajo shpjegon motivet që fshihen pas femicidit:

    “Femicidi është vrasje e qëllimshme e një gruaje ose vajze për motive që lidhen me gjininë, me ideologjinë se burrat kanë të drejta dhe privilegje ndaj grave, me nevojën për të ushtruar kontroll dhe pushtet mashkullor, ose për të parandaluar, dekurajuar dhe ndëshkuar atë që e konsiderojnë si sjellje të papranueshme të grave”.

    “Femicidi është manifestimi më brutal dhe më ekstrem i dhunës ndaj grave dhe vajzave”, thotë Castano.

    Sipas raportit të organizatave të Kombeve të Bashkuara, shifrat e sivjetme të grave të vrara përfaqësojnë numrin më të lartë vjetor të regjistruar në dy dekadat e fundit.

    Dabney Evans, profesoreshë e shëndetit global dhe drejtore ekzekutive e Institutit të të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Emory në Atlanta, thotë për Exposenë se gjetjet janë alarmuese.

    “Ajo që kemi parë, është se vrasjet globale kanë qenë në rënie, por jo edhe vrasjet e grave. Kjo sugjeron se problemi i femicidit jo vetëm që vazhdon në të gjithë botën, por, në fakt, ai është duke u përkeqësuar. Së voni, Afrika e ka kaluar Azinë, duke pasur numrin më të madh të viktimave në përgjithësi. Por, globalisht, do të thosha se ky problem ekziston kudo”, thotë Evans.

    Raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara vë në dukje se shkalla e vërtetë e femicidit në botë ka të ngjarë të jetë më e lartë, pasi shumë viktima mbeten ende të paraportuara.

    Sipas raportit, për rreth katër në dhjetë vrasje të qëllimshme të grave dhe vajzave, nuk ka informacione të mjaftueshme për t’i identifikuar ato si vrasje të lidhura me gjininë. Raporti thekson, po ashtu, se disa grupe të grave dhe vajzave përballen me rrezik më të madh.

    “Gratë në sytë e publikut, përfshirë ato në politikë, mbrojtëset e të drejtave të njeriut dhe gazetaret, janë shpesh objektiva të akteve të qëllimshme të dhunës, të cilat mund të çojnë edhe në fatalitet dhe vrasje të qëllimshme”, thuhet në raport.

    Por, si të këputet ky zinxhir? Castano, nga UN Women, thotë se duhen bërë më shumë hulumtime për të kuptuar më mirë se çfarë po e nxit rritjen e femicidit në disa vende dhe cilët faktorë kanë ndikuar në zvogëlimin e tij në vende të tjera. Megjithatë, shton se duhet angazhim i gjithë shoqërisë, jo vetëm i institucioneve.

    “Natyrisht se qeveritë dhe institucionet kanë përgjegjësi, por është edhe përgjegjësi e secilit prej nesh që në jetën e përditshme të promovojmë norma të barabarta gjinore dhe shoqëri të barabartë gjinore, t’i adresojmë stereotipat, të ngrihemi kundër diskriminimeve ndaj grave dhe vajzave. Pra, është përgjegjësi e secilit”, thotë Castano.

    Evans, nga Universiteti Emory, thotë se edukimi për barazinë gjinore duhet të nisë qysh në vegjëli. Për shembull, një normë e ngurtë gjinore, sipas saj, është se “djemtë nuk qajnë”. Por, prindërit duhet t’i lënë fëmijët t’i shprehin emocionet dhe t’i ndihmojnë ata në përpunimin e ndjenjave, derisa të kuptojnë se dhuna është e dëmshme, thotë Evans. Çelësi, sipas saj, është te parandalimi dhe rritja e vetëdijes.

    “Nëse presim derisa të ndodhë femicidi, është shumë vonë. Duhet të jemi më të vëmendshëm se ku ndodh dhuna dhe më pas të sigurohemi se të gjithë sektorët e shëndetësisë, të drejtësisë penale dhe të shërbimit social luajnë rolin e tyre, që të mos arrihet deri te pika ku dikush duhet të mbahet përgjegjës për femicid”, thotë Evans.

    Evans shton se një praktikë pozitive mund të jetë edhe përfshirja e femicidit në kodin penal të një vendi. Kjo, sipas saj, do të mundësonte mbledhjen më të saktë të të dhënave, të cilat pastaj mund të sjellin politika më të mira për mbrojtjen e grave.

    “Nëse krimet specifike i etiketoni si të lidhura me gjininë, kjo na mundëson ta kuptojmë më mirë natyrën e problemit. Kush ka qenë autori? Cila ka qenë marrëdhënia? A ka qenë partneri intim apo jo? Kjo, pra, na mundëson më shumë informacione, me shpresën se, përfundimisht, do të jemi në gjendje t’i parandalojmë këto vdekje”, thotë Evans.

    Në Meksikë, për shembull, femicidi njihet në ligj. Nga viti 2020, Kongresi i këtij vendi ka miratuar edhe dënime më të ashpra për femicidin – 45 deri në 65 vjet burg nëse i akuzuari shpallet fajtor.

    Pa specifikuar arsyen, raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara për vitin e kaluar thotë se Meksika ka dëshmuar rritje të femicidit deri në vitin 2021, pastaj ka nisur ndryshimi i trendit.

    Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim për të akuzuarit për dhunë në familje. Megjithatë, një raport që ka publikuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, në muajin shtator, thuhet se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë janë dënuar me burg. Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje u është shqiptuar aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind janë dënuar me burgim.

    55 gra të vrara në 13 vjet

    Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Për vrasje, dënimi i fundit u shqiptua në fillim të gushtit. Dardan Krivaqa, i akuzuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Marigona ishte 18 vjeçe kur vdiq si pasojë e dhunës fizike të shkaktuar nga partneri i saj, Krivaqa.

    Në Kosovë, deri më tash këtë vit, mbi 1.700 gra janë evidentuar si viktima të dhunës në familje, sipas të dhënave të policisë. Organizatat për të drejtat e grave thonë se shifrat janë shumë më të larta, por se rastet shpesh nuk raportohen ose raportohen vonë, për shkak të presionit social, mungesës së pavarësisë ekonomike të grave e të tjera. Këtyre pretendimeve u ka bërë jehonë edhe një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sipas së cilës, gati 50 për qind e afro 2.000 grave të anketuara në Kosovë, besojnë se dhuna është çështje private, që duhet të zgjidhet brenda familjes. /REL

  • Murati i reagon Hotit që tha se ambienti i të bërit biznes në Kosovë është përkeqësuar

    Murati i reagon Hotit që tha se ambienti i të bërit biznes në Kosovë është përkeqësuar

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokratiket të Kosovës (LDK), i cili ka deklaruar se ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017.

    Murati kritikoi referencën ku Hoti u bazua se Kosova ka shënuar përkeqësim në ambientin e të bërit biznes. Duke pretenduar të kundërtën.

    “E ky studim ka shumë shpërputhje me gjendjen faktike, që len të kuptohet se, ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes. Për hir të institucionit, uroj që të jetë e para, përkundër afërsisë evidente të këtij institucioni me eksponentë të LDK-së”, vazhdon postimi i Muratit.

    Më pas Murati për ta kundërshtuar pretendimin e Hotit, ka treguar se pse sipas tij kritika e deputetit opozitar nuk “qëndron”.

    Kështu ministri i Financave përmendi disa indikatorë si normat tatimore, ngarkesat administrative, etj.

  • Lajçak njofton se po përgatitet për raundin e ri të bisedimeve me Bislimin dhe Petkoviqin

    Lajçak njofton se po përgatitet për raundin e ri të bisedimeve me Bislimin dhe Petkoviqin

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se në Bruksel po përgatiten për raundin e ri të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh.

    Por Lajçak nuk ka dhënë datë se kur do të ndodh takimi në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

    Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ka shkruar për marrëveshjen e arritur në mes të KEDS’it dhe Elektroseverit. Kjo marrëveshje i mundëson ‘Elekroseverit që të fillojë furnizimin me energji elektrike në komunat veriore”.

    Marrëvesha për energjinë ishte arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

    ”Duke e mbyllur javën me lajme të mira – dje dy kompanitë KEDS dhe Elektrosever nënshkruan kontratën e shumëpritur komerciale. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE dhe nënkupton progres në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më konkretisht, Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, gjë që do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, ka shkruar Lajçak.

    Më pas ai, ka shkruar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe takimet që ka me funksionarë evropianë dhe amerikanë rreth kësaj çështje, përfshirë takimin me ambasadorin e SHBA-ve në Serbi, Christopher Hil.

    “Ditët e fundit kam qenë i zënë në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim po përgatiteshim për diskutimet e ndara të ardhshme me kryenegociatorët e të dyja palëve. Kam pasur gjithashtu një sërë diskutimesh dhe angazhimesh të hollësishme. Të mërkurën, pata një shkëmbim të hapur me anëtarët e Komisionit të Çështjeve të Bundestagut gjerman, të cilët po vizitonin zemrën e institucioneve tona të BE-së. Ne diskutuam për momentin e ri për zgjerimin e BE-së dhe i informova për gjendjen e lojës në Dialog dhe hapat e ardhshëm. Unë jam mirënjohës për mbështetjen e fortë gjermane në punën time, angazhimin e tyre në Ballkan dhe avokimin e tyre për të ardhmen evropiane të të gjithë rajoni”, ka thënë tutje Lajçak.

    “Nga fundi i javës, më ftuan të flas në një panel të organizuar si pjesë e Samitit vjetor të Miqve të Evropës – BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Në fjalën time theksova se BE-ja për herë të parë pas një kohe është gati për zgjerim. Është koha për të shfrytëzuar mundësinë për të çuar përpara integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Të premten u takova me Ambasadorin e SHBA-së në Serbi Christopher Hill. Është gjithmonë e dobishme të krahasoni shënimet dhe të planifikoni hapat e ardhshëm. I jam mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyer BE-SHBA në Dialog”, ka thënë Lajçak.

  • Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

    Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në 75-vjetorin e themelimit të saj.

    “Ne vazhdojmë të punojmë pa u lodhur sot çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve, pa përjashtim dhe pa diskriminim”, u shpreh Kurti në një shkrim në platformën X.

  • Sveçla reagon për policin që vdiq në Jarinje

    Sveçla reagon për policin që vdiq në Jarinje

    Zyrtari i Policisë së Kosovës në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë, Rexhep Sejdiu, ka vdekur në orët e para të së dielës në Jarinjë.

    Ngushëllime për zyrtarin policor Rexhep Sejdiu ka shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Ai ka shkruar në Facebook se Sejdiu do të kujtohet si zyrtar i përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, “veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit”.

    “Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinjë pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq. Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”, ka shkruar ministri Sveçla.

  • Vdes polici Rexhep Sejdiu në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje

    Vdes polici Rexhep Sejdiu në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje

    Polici i Kosovës, Rexhep Sejdiu është ndarë nga jeta sot në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje.

    Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani.

    “Polici R.S u gjet pa shenja jete nga Policia e Kosovës reth orës 7 të mëngjesit. Me shumë mundësi është vdekje natyrore”, tha Elshani.

    Ai tutje tha se nuk ka ndonjë dyshim për rrethana tjera të vdekjes dhe se trupi i policit është dërguar në IML për autopsi.

    I ndjeri kishte shërbyer si pjesëtarë i NJSI-së së kufirit.

  • Hoti: Ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar krahasur me vitin 2017

    Hoti: Ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar krahasur me vitin 2017

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thjënë se ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017.

    Të gjithë treguesit, sipas tij, pa asnjë përjashtim, janë përkeqësuar.

    Ish-ministri i Financave ka thënë se migrimi i fuqisë punëtore ka dalë të jetë pengesa kryesore.

    Ai ka shfaqur të dhënat për biznes për vitin 2017 dhe 2023.

    Postimi i tij:

    Ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017. Të gjithë treguesit, pa asnjë përjashtim, janë përkeqësuar.

    Migrimi i fuqisë punëtore ka dalë të jetë pengesa kryesore.

    Shqetësuese është përkeqësimi sa i përket shërbimeve të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore. Edhe perceptimi për korrupsionin është rritur. Qasja në kredi dhe kostoja e financimit është përkeqësuar gjithashtu. Sigurimi i lëndës së parë është bërë dukshëm më i vështirë. Interesant është e gjetura se qasja në informacion për ndërmarrjen gati është dyfishuar si pengesë.

    Në këtë ambient për biznes, natyrshëm se rritja ekonomike bie në nivele shumë të ulëta.

    Burimi: (Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike, Riinvest, 2023).

    Për disa nga barrierat nuk ka të dhëna.

  • Haxhiu: Dhuna nuk do të normalizohet

    Haxhiu: Dhuna nuk do të normalizohet

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dhuna nuk do të normalizohet në përmbyllje të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

    Përmes një videoadresimi ajo ka thënë se angazhimi dhe fushata kundër dhunës do të vazhdojnë.

    “Si ministre jam e shqetësuar për rastet e dhunës dhe femicidit. Do ta vazhdojmë punën dhe koordinimin institucional për mbrojtjen e jetëve të grave dhe vajzave”, ka thënë ajo.

    Haxhiu ka shtuar se ndërgjegjësimi kolektiv dhe efikasiteti institucional do ta bëjnë Kosovën vend të sigurt për gratë dhe vajzat.

    “Beteja për ta eliminuar dhunën në bazë gjinore është e përhershme”, ka thënë ajo.

  • ShKK: Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt shpërndahen në tri qendra korrektuese

    ShKK: Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt shpërndahen në tri qendra korrektuese

    Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se personat e dyshuar për vrasjen e të ndjerës L.A, janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit kanë nivel të lartë sigurisë.

    Njoftojmë se ndaj të paraburgosurit G.P, ka pasur vetëm tentim për ta sulmuar gjatë kohës së paraparë për shëtitje. Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim, e as për vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, stafi ka reaguar me kohë.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin dhe do të vazhdojë ta mbajë publikun e informuar.

  • “As tentim për vetëlëndim as rrahje”, drejtori i SHKK-së flet për dyshimet se Granit Plava u sulmua në burg

    “As tentim për vetëlëndim as rrahje”, drejtori i SHKK-së flet për dyshimet se Granit Plava u sulmua në burg

    Pas raportimeve se Granit Plava i dyshuari që vrau Liridona Ademajn, është rrahur në Burgun e Sigurisë së Lartë, është deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani.

    Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Dibrani ka thënë se të burgosurit kanë tentuar ta sulmojnë Granit Plavën por stafi ka reaguar menjëherë dhe është parandaluar ballafaqimi i drejtpërdrejt.

    Ai mohon të ketë pasur rrahje fizike.

    “Jo nuk ka (rrahje). Natyrisht është rast i ndijshëm edhe e dini tema që ka ndodhur në opinion lidhur me rastine dhe prej presionit e opinionit publik, edhe mund të ketë kërcënime sepse ata mund të kenë kontakte të burgosurit e tjerë. Të burgosurit kanë tentuar për ta sulmuar por stafi ka reaguar menjehërë dhe e kanë shpëtuar nga ballafaqimi direkt. Do të thotë nuk ka pasur rrahje”, ka thënë Dibrani.

    Po ashtu, ai shtoi se edhe ky rast do të hetohet sikurse rasti për të cilin është raportuar se i njëjti i dyshuar ka tentuar të vetëlëndohet.

    “Natyrisht edhe ky rast do të hetohet njëjtë sikurse rasti për të cilin është raportuar në media që i njëjti ka tentuar të vetëvaret në asnjë rrethanë, janë raste që po trajtohen me rrezikshmëri shumë të lartë edhe këto raste përcjellja, niveli i sigurisë është shumë i lartë në këto raste”, tha ai.

    Dibrani potencoi se në momentin “kur është vërjetur se i burgosuri ka tentuar ta dëmtojë batanijen, stafi ka reaguar menjëherë”.

    “Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim por as tentim për vetëvarje. Rasti është parandaluar qysh në momentin kur ai ka tentuar ta dëmtojë batanijen”.

    Ndërkohë, Dibrani njoftoi se tre të paraburgosurit (Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla), nuk po qëndrojnë në të njëjtin burg.

    Ndonëse u raportuar se të njëjtit janë lejuar të kenë komunikim mes vete, megjithatë Dibrani thotë se për shkaqe sigurie ata janë shpërndarë në burgje të ndryshme.

    “Për shkaqe sigurie i kemi shpërndarë në burgje të ndryshme”, theksoi ai.