ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti për takimin me Scholz: U dëshmuan marrëdhëniet e forta mes Kosovës e Gjermanisë

    ​Kurti për takimin me Scholz: U dëshmuan marrëdhëniet e forta mes Kosovës e Gjermanisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për vizitat që po i bën gjatë qëndrimit të tij në Berlin ku është takuar edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Kurti tha se në takimin me shefin e qeverisë gjermane, u dëshmuan marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.

    Në vizitën e tij në Berlin, Kurti njoftoi se ka marrë pjesë në pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së, për të cilën tha “fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës”.

    “Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar Kurti.

    I pari i Qeverisë gjithashtu njoftoi se gjatë qëndrimit në Gjermani ai është takuar edhe me mërgatën atje, të cilët tha se i ka informuar për zhvillimet në vend.

  • Kostumet dhe tri tjegulla mjaltë: Reuters hyn në dhomën ku fle Lulzim Hetemi

    Kostumet dhe tri tjegulla mjaltë: Reuters hyn në dhomën ku fle Lulzim Hetemi

    Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters i ka kushtuar një artikull Lulzim Hetemit, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili tash e gjashtë muaj qëndron i ngujuar brenda objektit komunal.

    Lulzim Hetemi, ka jetuar dhe fjetur në zyrën e tij një muaj pasi u zgjodh kryetar në zgjedhjet e muajit prill, derisa ruhet nga trupat e NATO-s dhe policia speciale e Kosovës.

    Menjëherë pasi Hetemi bëri betimin e tij, ai tha se protestuesit e dhunshëm serbë e rrethuan zyrën e tij duke i kërkuar që të largohej, shkruan Reuters.

    Hetemi ka refuzuar të largohet dhe thotë se ka qëndruar në ndërtesë që nga 29 maji pa u kthyer në shtëpinë e tij për asnjë ditë.

    “Kush ka qejf të qëndrojë në zyrë dhe të flejë në karrige?”, tha Hetemi duke përshkruar ditët e para të izolimit.

    “Kur kandidova për kryetar komune nuk e kisha idenë nëse serbët do të tërhiqen nga gara zgjedhore dhe do të bëjnë një manovër të tillë siç e bënë”.

    Më vonë ai gjeti një shtrat për të zëvendësuar karriget dhe fle në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, ku takohet me të dërguar ndërkombëtarë dhe zyrtarë të NATO-s, të cilët po përpiqen të parandalojnë dhunën dhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhje të reja.

    Kostumet e tij të punës varen në një mur dhe aty ka edhe tri tjegulla me mjaltë sipër një tavoline, njëra pothuajse bosh, raporton Reuters, transmeton Paparaci.

    Ish-stafi komunal në Leposaviq kanë refuzuar t’i shërbejnë kryetarit shqiptar dhe janë zëvendësuar nga 75 punëtorë të tjerë, të cilët janë po ashtu serbë.

    Hetemi tha se kishte qenë i kujdesshëm që të mos prekte asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë disa dhjetëra shishe me pije alkoolike.

    “Ne nuk kemi prekur asgjë, as pijet e tyre, librat, flamujt e Serbisë dhe as pikturat e tyre,” tha Hetemi, duke treguar tre kuti me flamuj serb dhe simbole të tjera.

    “Kur do të kthehen ata do të gjejnë gjithçka siç ishin kur u larguan sepse ne nuk duam të shkatërrojmë asgjë.”

    Jashtë, ushtarët amerikanë të cilët thanë se ishin nga Teksasi dhe janë pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë, po hanin mëngjes. Hetemi, duke i parë nga kati i tretë, del çdo ditë në një tarracë për të marrë ajër të pastër dhe për të parë qytetin.

    Hetemi tha se është i gatshëm të përfundojë mandatin e tij kur të shpallen zgjedhjet e reja, por ende nuk ka marrëveshje për këtë në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

  • Vëllai i Haxhi Shalës: Këto arrestime janë të paligjshme, po flitet që kanë me ekstradu

    Vëllai i Haxhi Shalës: Këto arrestime janë të paligjshme, po flitet që kanë me ekstradu

    Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala është duke intervistuar në zyret e EULEX-it, i ndaluar nga Gjykata Speciale.

    Avni Shala- vellai i Haxhi Shales tha se EULEX ishte në shtëpinë e tyre në orën 07:00, por që sipas tyre nuk kanë marrë asgjë.

    Ai tha se Shala është arrestuar, por sipas tij, ai pritet që të ekstradohet.

    “Arrestimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Ne nuk kemi ditë asgjë. Unë kam shku në punë, me kanë lajmru më vonë familja, thanë që janë ardh e kanë marrë policia…Arsyeje po thonë që është pengimi i drejtësisë, diçka tjetër nuk ka. Forca të shumta të EULEX-it ka pas, por nuk kanë marrë asgjë, nuk është bastise hale kurgjo. Ka zgjatë 30 minuta. Nuk është lejuar që të komunikojmë më ta hiq, ia kanë marrë me telefon me krejtë. Kom fol me vëlla edhe djalë të vllait, ai për momentin është arrestuar, po flitet që kanë me ekstradu. Këto arrestime janë të paligjshme edhe kjo gjykatë, me arrestu njerëz që kanë dhënë kontribut për vendin e vet është e paarsyeshme. Telefoni i është konfisku, drejtësisë nuk i ik, i është përgjigjur drejtësisë. Telefoni verës i është marrë”, ka deklarua ai./Teve1

  • Aplikimi për skemën e familjeve të dëshmorëve në Ministrinë e Financave, IKD del me reagim

    Aplikimi për skemën e familjeve të dëshmorëve në Ministrinë e Financave, IKD del me reagim

    Qytetarët të cilët paraqiten pranë Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me qëllim që të aplikojnë në skemën e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe viktimave civile, ndër dokumentet e listuara për t’u dorëzuar me aplikimin e tyre, u kërkohet edhe një “vërtetim për ndërprerje të pensionit të pleqërisë ose punës”.

    Një veprim i tillë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) është i kundërligjshëm dhe shkel të drejtat e aplikuesve në realizimin e kërkesës së tyre.

    Kjo sepse, Ligji për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, në nenin 23, par. 2, shprehimisht përcakton se “shfrytëzuesit e pensionit bazë, mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.”

    IKD thotë kjo situatë është rregulluar edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, e cila ka vërtetuar aktgjykimet e shkallëve më të ulëta duke njohur kështu të drejtën e individëve në dy skema pensionale – atë kontributpagues të moshës, si dhe atë që rrjedh nga ligji për kategoritë e dala nga lufta.

    Ajo që thuhet në aktgjykim të Gjykatës Supreme është që e drejta e fituar me punë duhet të konsiderohet prioritet, më e favorshme dhe si e drejtë themelore e njeriut, andaj dhe askush nuk duhet të privohet nga kjo e drejtë, apo në raste të tjera personi i cili e arrin moshën e pensionimit si kontributpagues në bazë të punësimit.

    E njëkohësisht, përderisa me asnjë dispozitë të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili është ligj i mëvonshëm, por as me ndonjë akt apo ligj tjetër, nuk është shfuqizuar neni 23 i ligjit për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, kjo nënkupton se çdo shfrytëzues i pensionit bazik, ka të drejtën edhe të pensionit nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, thuhet në reagimin e IKD-së.

  • Caktohet masa e paraburgimit për të akuzuarin e katërt në rastin e Liridona Ademajt

    Caktohet masa e paraburgimit për të akuzuarin e katërt në rastin e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit të akuzuarit të katërt në rastin e Liridona Ademajt.

    Sipas njoftimit të gjykatës ai ngarkohet me dyshimin për kryerjen e veprës penale importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit T.D për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    “Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikoj në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

    Dyshohet se arma që ai e ka shitur është përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M”, thuhet tutje në komunikatë.

  • Nënshkruhet marrëveshja mbi 80 milionë euro mes MFTP-së dhe Termokosit për ngrohje

    Nënshkruhet marrëveshja mbi 80 milionë euro mes MFTP-së dhe Termokosit për ngrohje

    Mbi 80 milionë euro është vlera totale projektit të ngrohtores solare në Prishtinë, ku sot (e hënë) është nënshkruar marrëveshja e nën-huazimit dhe nën-grantit në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe ngrohtores së qytetit Termokos.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ky projekt e rrit prodhimin e energjisë termike dhe u mundëson edhe 38 mijë qytetarëve të kyçen në rrjetin e Termokosit.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se Kosova përfiton nga kjo marrëveshje.

    “Ngrohja soloare do te mundësojë shfrytëzimin dhe zvogëlojë varësinë ndaj qymyrit. Puna jonë ende nuk ka filluar. Si partner dhe hisedar jam shumë optimist do ta realizojmë në dy tri vite dhe do shohim rezultatet”, u shpreh ai.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekti i ngrohjes nxit rritjen ekonomike dhe përkrah qëndrueshmërinë mjedisore.

    “Impanti i ri diellor do të zvogëlojë dukshëm emitimin e dioksidit të karbonit. Sot nuk po nënshkruhen vetëm disa marrëveshje, por po nënshkruhet zotimi ynë që banorëve të Prishtinë të ju mundësojmë zgjidhje të përballueshme dhe të qëndrueshme”, deklaroi Rama.

    Edhe kryeshefi i Termokos-it, Fisnik Osmani tha se përmes këtij projekti do të sigurohet ngrohje e qëndrueshme dhe e përballueshme.

    E drejtori i BERZH-it në Kosovë Sergiy Maslichenko theksoi se nga ky projekt do të ketë përfitime në Prishtinë, meqë ndotja, sipas tij është e lartë.

    “Përfitimi është i qartë nga ky projekt. Është projekt i vështirë në kuptimin e zbatimit. Është shembull i mirë i bashkëpunimit mes donatorëve”, tha ai.

    Edhe shefi i seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek tha se 38 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo ngrohje dhe se do të mundësohet zvogëlimi i ndotjes në kryeqytet.

  • Enis Gashi, Kryeprokuror i ri i Prokurorisë Themelore në Gjakovë

    Enis Gashi, Kryeprokuror i ri i Prokurorisë Themelore në Gjakovë

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 9 vota për dhe një kundër ka zgjedhur Enis Gashi, Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, raporton EO.

    Gjithashtu KPK me 7 vota për, e ka zgjedhur Zejnullah Gashi për Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Fillimisht KPK e ka votuar Blerim Isufaj me nëntë vota për si Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

  • Rritet çmimi i naftës

    Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të hënën për shkak të planit të SHBA-së për të rimbushur Rezervat Strategjike të Naftës (SPR) në mënyrë që të përfitojë nga çmimet në rënie.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 76.41 dollarë për fuçi në orën 10:35 me orën lokale, një rritje prej 0.75% nga çmimi i mbylljes prej 75.84 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të premten.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 71.71 dollarë për fuçi, 0.67% më shumë nga mbyllja e së premtes prej 71.23 dollarë për fuçi.

    Departamenti Amerikan i Energjisë (DoE) zbuloi planin e tij të premten për të blerë deri në 3 milionë fuçi naftë bruto. Vendi kishte shitur sasi masive të naftës së papërpunuar vitin e kaluar për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të benzinës./AA

  • Haxhi Shala intervistohet nga Gjykata Speciale

    Haxhi Shala intervistohet nga Gjykata Speciale

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është ftuar të hënën për intervistim nga Gjykata Speciale.

    Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

    Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

    “E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga kjo zyrë.

    Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, i ka thënë REL-it se forcat e EULEX-it kanë mbërritur në mëngjes në shtëpinë e Haxhi Shalës në fshatin Banjë të Malishevës.

    Sipas tij, aty po zhvillohen bastisje.

    “Në mëngjes kanë ardhur forcat e EULEX-it në pronat e tij, si zakonisht Specialja siç bën, arsyet nuk i dimë. Bastisjet po vazhdojnë në shtëpinë në Banjë të Malishevës. Ai është marrë në pyetje, është dërguar në EULEX në Fushë Kosovë, për më shumë nuk dimë”, ka thënë Kryeziu.

    Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

    Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales “akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

    Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë.

    Pa dhënë shumë detaje, prokuroria në Hagë kishte bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Rastet tjera në këtë gjykatë

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

    Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

    Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

    Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

    Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

    Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Gucati është liruar ndërkohë, nën disa kushte. /REL

  • Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

    Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

    Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë nënshkruar marrëveshjen mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se buxheti total i këtij programi për periudhën 2021-2027 është 1.56 miliardë euro, në kuadër të të cilit mund të përfitojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet që kanë të drejtën e pjesëmarrjes.

    “Ky program i BE-së, që njihet me shkurtesën CERV (“Citizens, Equality, Rights and Value”), synon të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse. Këtu përfshihet shoqëria civile e fuqizuar, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes demokratike, qytetare e shoqërore dhe kultivimit të diversitetit të shoqërisë evropiane, bazuar në vlerat, historinë dhe kujtesën e përbashkët”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu thuhet se përfitues këtij programi mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe procesi i aplikimit bëhet drejtpërdrejt për grante në BE, për çdo thirrje të hapur.

    Programi CERV ka katër shtylla: Barazia, të Drejtat dhe Barazia Gjinore – ku përfshihet promovimi i të drejtave, mos diskriminimi, barazia (përfshirë barazinë gjinore) dhe avancimi i integrimit gjinor dhe jo-diskriminues; Angazhimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve – promovimi i angazhimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike të Unionit, shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të shteteve të ndryshme anëtare dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët evropiane; Dafne (Daphne) – luftimi i dhunës, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj fëmijëve; Vlerat e Unionit – ku përfshihet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian;

    Sipas njoftimit me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të mund të përfitojë në tri shtyllat e para, pra përveç shtyllës “Vlerat e Unionit”.

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e nënshkroi marrëveshjen në emër të Republikës së Kosovës këtë muaj, ndërsa Bashkimi Evropian e nënshkroi atë paraprakisht në datën 27 nëntor. Pas nënshkrimit, Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon procedurat e tjera të nevojshme për të siguruar ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.