ATV

Category: Lajme

  • Petkoviqi takohet me Lajçakun në Bruksel: Diskutuam për marrëveshjet e arritura dhe Asociacionin

    Petkoviqi takohet me Lajçakun në Bruksel: Diskutuam për marrëveshjet e arritura dhe Asociacionin

    Kryenegociatori i Serbisë në dialogun Prishtinë-Beograd, Petar Petkoviq, ka takuar sot në Bruksel përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

    Ai ka bërë të ditur se kanë folur me Lajçakun për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “Sot në Bruksel u takova me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak me të cilin kam diskutuar për të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani me theks të veçantë për formimin e Asociacionit, por edhe për deeskalimin e nevojshëm”, shkroi Petkoviq.

    “Ekspertët tanë si pjesë e delegacionit nga Beogradi morën pjesë në diskutimet për formimin e Asociacionit dhe hartimin e statutit, si dhe çështjen e të zhdukurve dhe tema të tjera të rëndësishme. Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë”.

  • Rusia synon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në territoret e pushtuara ukrainase

    Rusia synon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në territoret e pushtuara ukrainase

    Votimet në zgjedhjet presidenciale të Rusisë – proces në të cilin pritet të fitojë presidenti aktual Vladimir Putin – do të mbahen në katër rajone ukrainase që Kremlini pretendon se i ka aneksuar vitin e kaluar, ka thënë Moska.

    Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se procesi i votimit në mars, do të zhvillohet edhe në Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson – rajone ukrainase, në të cilat Rusia nuk ka kontroll të plotë ushtarak.

    “Vendimi është miratuar në mënyrë unanime”, ka thënë zëvendëspresidenti i komisionit Nikolay Bulayev, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

    Zgjedhjet do të mbahen tri ditë, prej 15 deri më 17 mars, vendim që sipas kritikëve të Kremlinit, e bën më të vështirë garantimin e transparencës.

    Putin nuk pritet të përballet me kundërkandidat të fortë në synimet e tij për të fituar një mandat të pestë, pasi shumica e pjesëtarëve të opozitës janë të burgosur ose në ekzil.

    Pesë parti janë lejuar që t’i çojnë përpara kandidatët e tyre për zgjedhjet e vitit 2024.

    Të gjitha e mbështesin Kremlinin, dhe luftën e Moskës në Ukrainë.

    Ukraina i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “që t’i dënojë me rezolutë qëllimet e Rusisë për t’i mbajtur zgjedhjet në territoret e pushtuara ukrainase”.

    Kievi, po ashtu, i ka bërë thirrej Perëndimit, që t’i sanksionojë individët që janë përgjegjës.

    Në të kaluarën, Rusia ka mbajtur zgjedhjet në rajonet e pushtuara në Ukrainë, proces që nuk është njohur nga Kievi dhe Perëndimi.

    Moska ka mbajtur proces votimi për zyrtarët lokalë në katër rajonet ukrainase, në shtator të këtij viti.

    Një vit më herët, Moska ka mbajtur “referendum” për t’i aneksuar territoret në fjalë.

    Të dyja proceset e votimit janë dënuar prej Kievit dhe Perëndimit.

    Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, dhe ka mbajtur zgjedhje atje qysh atëherë.

    Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

  • Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

    Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

    Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturinat Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht 2,79% në raport me vendimin e datës 4.12.2023, shkruan Telegrafi Maqedoni.

    Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 si dhe të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (ЕL-1) ulen për 2.00 den/litër.

    Nga data 12.12.2023, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

    EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 76,50 (denarë/litër)

    EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 78,50 (denarë/litër)

  • Reagon Faton Klinaku: Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën ZPS-ja

    Reagon Faton Klinaku: Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën ZPS-ja

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku, ka thënë se pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.

    Më tej Klinaku ka vazhduar kritikat ndaj ZPS-së, duke thënë së “bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin, Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”.

    Operacionin ndaj Shalës e ka konfirmuar për ATV-në zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, (ZPS) Christopher Bennett, por pa dhënë detaje.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen nga ZPS.

    Ndërsa sa i përket intervistimit të Shalës, lajmin e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

    Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

    “E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

  • Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, PS-ja kërkon përjashtimin e shtatë deputetëve të tjerë të opozitës

    Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, PS-ja kërkon përjashtimin e shtatë deputetëve të tjerë të opozitës

    Partia Socialiste ka kërkuar për shkak të kaosit në Kuvend përjashtimin e 7 deputetëve të tjerë të opozitës. Vendimi pritet të jepet sot në orën 16:00.

    Deputetët për të cilët është kërkuar përjashtimi janë: Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenj, Isuf Çelaj, Luan Baçin dhe Xhelal Mziu.

    Më herët komisariati i etikës ka marrë vendimin për përjashtimin me 10 ditë të deputetëve: Sali Berisha, Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi, Edi Paloka.

    Vendimi për përjashtimin e deputetëve është marr pas trazirave të shkaktuara në Kuvend, ku janë hedhur tymuese ndërsa opozitarët kanë vijuar aksionin e tyre, duke e bërë të pamundur zhvillimin e një seance normale./euronews.al/

  • Haxhi Shala ende ndodhet në zyret e EULEX’it

    Haxhi Shala ende ndodhet në zyret e EULEX’it

    Ish deputeti, Haxhi Shala, i njohur edhe si komandant Topi, ndodhet ende në zyret e EULEX’it në Fushë Kosovë.

    Kështu tha Metush Kryeziu, kryetar i degës së OVL- UÇK’së në Malishevë.

    “Jam në kontakt me djalë të tij, por ende s’kemi informacione”, tha ai.

    Kur u pyet nëse ekziston mundësia që Shala të dërgohet sot në Hagë, Kryeziu tha “çka s’pritet prej tyre”.

    “Ende ndodhet në EULEX”, tha ai, derisa bëri të ditur se nuk e di se për çfarë dyshohet Shala.

  • Rohde e mirëpret arritjen e marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit

    Rohde e mirëpret arritjen e marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes së KEDS-it dhe Eletroseverit.

    Në një postim në llogarinë e tij në platformën X, Rhode ka shkruajtur se ky është një lajm i mirë dhe se tani duhet të ketë zbatim pa vonesa.

    “Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, është shprehur Rohde.

    Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian ditë më parë e ka mirëpritur nënshkrimin kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë, Elektrosever.

    Miroslav Lajçak me anë të një komunikate e ka quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.

  • Austria iu vendos kushte dy shteteve për lëvizje në zonën Schengen

    Austria iu vendos kushte dy shteteve për lëvizje në zonën Schengen

    Austria – e cila ka qenë në krye të kundërshtimeve brenda Bashkimit Evropian, që Rumania dhe Bullgaria të pranohen në zonën për lëvizje të lirë, Schengen – ka thënë të hënën, se mund ta ndërrojë mendjen, por vetëm për udhëtimet me aeroplanë, në këmbim të forcimit të sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së.

    Në një takim të ministrave të brendshëm të bllokut evropian, një vit më parë, në të cilin të dyja vendet kanë shpresuar se do të pranohen në zonën më të madhe në botë për udhëtime pa pengesa, Austria ka thënë se imigrimi ilegal është ende shumë i lartë dhe që Rumania dhe Bullgaria duhet të bëjnë më shumë.

    Partia konservatore austriake, Partia e Popullit, ka thënë me vite se luftimi i imigrimit të paligjshëm është çështje kyçe në fushatë.

    Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, ka qasje të njëjtë.

    Po, mund t’i imagjinoj ndryshimet, për aq kohë sa preken vetëm aeroportet, lidhur me Rumaninë dhe Bullgarinë”, ka thënë ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner për Radion ORF, duke shtuar se pozicionin e vendit të tij e ka dërguar në Komisionin Evropian dhe topi tani është në gjykatë.

    “Në anën tjetër, ka kushte të qarta për këtë gjë, kryesisht rritja e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së, kontrollet kufitare të vazhdojnë të zbatohen, dhe që azilkërkuesit të transferohen në Bullgari dhe Rumani”, ka thënë ai, duke iu referuar njerëzve që kalojnë në Austri, përmes atyre dy vendeve.

    Nëse plotësohen kushtet e tij, ai ka thënë se kontrollet e pasaportave mes Rumanisë, Bullgarisë dhe shteteve të Schengen-it mund të shmangen, por vetëm për udhëtimet me aeroplanë – zgjidhje, së cilës ai i është referuar si “Schengeni ajror”.

  • Mbretëria e Bashkuar sanksionon kompaninë serbe për bashkëpunim me Rusinë

    Mbretëria e Bashkuar sanksionon kompaninë serbe për bashkëpunim me Rusinë

    Mbretëria e Bashkuar i ka vendosur sanksione kompanisë serbe Avio Chem, një prej 46 kompanive dhe individëve që furnizonte dhe financonte Rusinë në luftë ndaj Ukrainës.

    “AVIO CHEM, një kompani serbe e cila ka dërguar dërgesa të shumta të pjesëve të avionëve dhe aksesorëve tek subjektet ruse”, njofton Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

    Mbretëria e Bashkuar ka goditur furnizuesit ushtarakë që mbështesin makinën e luftës ruse.

    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar për sanksione të reja që synojnë njerëzit dhe grupet që furnizojnë dhe financojnë makinën luftarake të Putinit.

    Mbretëria e Bashkuar ka shpallur 46 sanksione të reja që synojnë individë dhe grupe që furnizojnë dhe financojnë makinën e luftës të Putinit.

    Kjo përfshin bizneset në Bjellorusi, Kinë, Serbi, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistan, të cilët vazhdojnë të mbështesin pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia.

    Duke përfshirë entitete që operojnë në Kinë, Serbi dhe Uzbekistan, Mbretëria e Bashkuar tani ka ndërmarrë veprime kundër mbi 30 subjekteve të vendeve të treta që mbështesin përpjekjet e Rusisë për luftë.

    Kjo sinjalizon qasjen pa tolerancë të MB ndaj atyre që mundësojnë luftën e paligjshme të Rusisë, kudo që të jenë.

    Furnizuesit e huaj ushtarakë që eksportojnë pajisje dhe pjesë në Rusi janë në mesin e dhjetëra individëve dhe grupeve të sanksionuar sot për të shënjestruar ata që ndihmojnë makinën luftarake të Putinit.

    Prodhuesit rusë të armëve dhe importuesit e mbrojtjes ishin gjithashtu në listën e 46 sanksioneve të reja të vendosura, si dhe 3 aktorë që mbështesin rrjetin e Grupit Wagner dhe 4 operatorë të anijeve të ashtuquajtura “flota hije” të përdorura nga Rusia për të zbutur goditjen e sanksioneve të lidhura me naftën. imponuar nga MB së bashku me partnerët e G7.

  • Instituti EdGuard: Mbi 66% e nxënësve i konsiderojnë konfuze pyetjet e PISA-s, 50% të vështira

    Instituti EdGuard: Mbi 66% e nxënësve i konsiderojnë konfuze pyetjet e PISA-s, 50% të vështira

    Instituti “EdGuard” ka bërë prezantimin e hulumtimit “Performanca e nxënësve kosovarë në testin PISA”, raporton Ekonomia Online. Sipas të gjeturave në Raport nga 280 nxënës sa ishin intervistuar 66 për qind e tyre kanë deklaruar se pyetjet ishin konfuze përderisa e 34 për qind kanë thënë se pyetjet ishin të qarta.

    Këto të dhëna i bëri të ditura drejtori i kësaj organizate, Rinor Qehaja. Ai madje potencoi se rreth 50% e nxënësve kanë deklaruar se pyetjet e PISA-s ishin të vështira, kurse mbi 21% se ato ishin shumë të vështira.

    Madje tha se disa nxënësve nuk kanë marrë seriozisht këtë test pasi nuk ka ndikuar direkt në notim. Ai bëri të ditur se 76 për qind e të anketuarve thanë se nuk kanë tentuar të komunikojnë gjatë testimit.

    “15 për qind kanë thënë se kanë komunikuar, për pyetjet e lëndës së matematikës, nxënësit janë përgjigjur se ngjanin me ato që i kanë mësuar në shkollë”.

    “Diku rreth 89% kanë qenë të informuar. Kanë qenë të informuar për pjesëmarrje, por jo informim të detajuar për përmbajtjen. Sa të vështira ishin pyetjet për test: Diku rreth 50% mesatarisht e 21% shumë. A ishin pyetjet konfuze – rreth 66% kanë thënë që pyetjet ishin konfuze dhe 34% kanë thënë jo”.

    Drejtor i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Betim Sylejmani tha se rezultatet e testin nuk janë të mira, për shkak se nuk i është kushtuar rëndësi kësaj çështje, raporton EO.

    “Shteti jonë ka vendosur të jenë pjesëmarrës. Nuk kemi rezultate të mira sepse nuk i kemi kushtuar rëndësi nëse do të kishim kushtuar një rëndësi si shtet Testit PISA dhe të hynim më të përgatitur rezultatet do të ishin tjera”.

    Driton Vela, profesor në UP-së, tha se nuk kemi një sistem që i nxjerr pah talentet e individit, dhe kjo është për tu shqetësuar.

    “Jo vetëm që kemi rezultate të dobëta, por nuk kemi as përpjekje për ndryshime. Nuk kemi një sistem që i nxjerr pah talentet e individit, kjo është për tu shqetësuar”.