ATV

Category: Lajme

  • ​Kuleba: Nëse BE-ja nuk është e hapur për anëtarësimin, do të jetë një gabim i madh

    ​Kuleba: Nëse BE-ja nuk është e hapur për anëtarësimin, do të jetë një gabim i madh

    Ukraina ka miratuar tashmë tre nga katër ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian për të plotësuar kërkesat në raportin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe i fundit i mbetur i është dorëzuar Parlamentit, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

    ”Është një demonstrim i përkushtimit tonë. Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe tani presim që BE të respektojë angazhimet e saj”, shtoi ai.

    ”Përndryshe do të ishte shkatërruese për Ukrainën dhe për Bashkimin Evropian, sepse do të dërgonte mesazhin se Bashkimi Evropian nuk është i aftë për të marrë vendime historike”, deklaroi Kuleba, pas mbërritjes në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së. /ANSA/

  • ​KEDS nuk jep detaje për marrëveshjen e arritur për energji

    ​KEDS nuk jep detaje për marrëveshjen e arritur për energji

    Përkundër që KosovaPress ka kërkuar përgjigje lidhur me zbatimin e marrëveshjes së arritur të shtunën për energji mes KEDS dhe Elektroserverit, KEDS nuk ka dhënë detaje çfarë parasheh marrëveshja e arritur të shtunën.

    Përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPrees, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi nuk ka dhënë më shumë detaje, përveçse ka treguar procedurat e marrëveshjes.

    “Me nënshkrimin e kontratës, Elektrosever, si furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, mund të fillojë operimet për kryerjen e aktiviteteve të furnizimit në pjesën veriore. Kontratat e nënshkruara ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever e mundësojnë këtë, bashkë me rolet dhe përgjegjësitë e rregulluara të secilës palë, konform legjislacionit primar dhe sekondar të aplikueshëm në Republikën e Kosovës”, thotë KEDS përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Sipas tij, kjo kontratë i përmbahet ligjit të Kosovës dhe kornizës rregullative.

    “Kjo kontratë i përmbahet ligjit të Kosovës dhe kornizës rregullative, në përputhje me Marrëveshjet e Energjisë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 ( “Marrëveshjet për Energjinë 2015”), si dhe Udhëzuesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të nxjerra më 21 qershor 2022. Rrjedhimisht, me nënshkrimin e kësaj kontrate, Elektrosever, si nën-kontraktor i KEDS-it, duhet të përmbushë detyrimin kontraktual të shërbimeve të shpërndarjes dhe furnizimit bazuar në licencën e furnizuesit në pjesën veriore të Kosovës.Kontrata e nënshkruar meKEDS-in rregullon përdorimin e rrjetit të shpërndarjes sipas marrëveshjes për kyçje, njësoj si për furnizuesit e tjerë që janë aktivë në Kosovë”, thuhet mes tjerash në përgjigjen me shkrim nga KEDS.

    Po ashtu kjo kompani nuk ka treguar se cilat do të jenë përftimet e Kosovës nga kjo marrëveshje.

  • Deliu: I pabesueshëm niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit që Qeveria po ia bën Skënderajt

    Deliu: I pabesueshëm niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit që Qeveria po ia bën Skënderajt

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu shkroi në Facebook se Qeveria do ta lë Skënderajn pa asnjë projekt të ri për vitin 2024.

    Deliu shkroi se Qeveria po hakmerret dhe po e diskriminon atë rajon.

    “Asnjë projekt i ri për komunën e Skënderajt nga Qeveria për vitin 2024. I pabesueshëm, niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit me të cilin po qeverisë ky Kryeministër. Turp i madh!”, shkroi deputetja, duke publikuar një pjesë të raportit të institutit GAP për ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm.

  • Nënshkruhet marrëveshja pesë vjeçare për financimin e infrastrukturës hekurudhore

    Nënshkruhet marrëveshja pesë vjeçare për financimin e infrastrukturës hekurudhore

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për vitet 2023-2027.

    Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri Aliu, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe kryeshefi i INFRAKOS-it, Naser Krasniqi.

    “Kjo marrëveshje parasheh zotimin tonë për investimin e mëtutjeshëm në Infrastrukturën Hekurudhore të Kosovës, përfshirë rritjen e sigurisë së shërbimit të transportit hekurudhorë, avancimin dhe modernizimin, sigurimin e stabilitetit financiar të ndërmarrjes si dhe ruajtjen e kuadrove profesionale”, thuhet në njoftim.

  • Kurti tregon se Kosova është bërë pjesë e një organizate rinore ndërkombëtare

    Kurti tregon se Kosova është bërë pjesë e një organizate rinore ndërkombëtare

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova është anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore (EYCA – European Youth Card Association).

    Kurti potencoi se EYCA bënë bashkë 30 shtete të Evropës të cilat lëshojnë Kartën Evropiane Rinore për mbi 7 milionë të rinj.

    “Me seli në Bruksel, EYCA bënë bashkë 30 shtete të Evropës të cilat lëshojnë Kartën Evropiane Rinore për mbi 7 milionë të rinj. Pas aplikimit të suksesshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria do ta ofrojë kartën pa pagesë për të gjithë të rinjtë nën moshën 30 vjeçare, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike, aftësive apo statusit socio-ekonomik. Karta do të jetë e qasshme në formë digjitale, në të gjitha gjuhët zyrtare të vendit tonë”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

    Ai potencoi se karta do t’u jep qasje në mbi 60,000 zbritje dhe benefite në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte kudo në Evropë.

    “Për më tepër, Qeveria do të punojë së bashku me sektorin publik dhe privat të Kosovës për të ofruar zbritje dhe përfitime brenda Kosovës, të cilat do vlejnë edhe për vizitorët dhe turistët e rinj të huaj që vijnë në Kosovë”.

    “Nga viti 1991, EYCA është partner institucional i Këshillit të Evropës dhe në këtë cilësi merr pjesë në zbatimin e programit të Marrëveshjes së Pjesshme për Mobilitetin e Rinisë përmes Kartës Rinore”.

    “Me liberalizimin e vizave dhe me përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, jemi në prag të lëvizjes së lirë dhe lidhjes më të afërt me Evropën. Ndërsa me masat si Skema Young Cells, bursat e Ministrisë së Arsimit, dhe grantet e mobilitetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mijëra të rinjve po ju mundësohet mobiliteti në Evropë për përvoja arsimore, garuese dhe profesionale”.

    Kurti theksoi se nga viti që na pret, të pajisur me kartë, të rinjtë në Kosovë do kenë mundësi dhe përfitime të barabarta kudo në Evropë.

  • ​Modernizimi dhe rifunksionalizimi i transportit publik, Rama nënshkruan marrëveshje me BERZH-in

    ​Modernizimi dhe rifunksionalizimi i transportit publik, Rama nënshkruan marrëveshje me BERZH-in

    Komuna e Prishtinës do të marrë gjysmë milioni euro grant nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për modernizimin dhe rifunksionalizmin e transportit publik.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se përmes kësaj marrëveshje të konsulencës do të ndërlidhet trafiku urban publik me atë privat, si dhe do të bëhet digjitalizimi i biletave, derisa përmendjen edhe nënshkrimin e kontratës paraprake për blerjen e tridhjetë autobusëve të rinj shtesë.

    “Me këtë marrëveshje e marrim një grant gati gjysmë milioni për konsulencë nga BERZH-i që do të na ndihmojë në modernizimin dhe rifunskionalizimin e trafikut urban dhe flotës së re të autobusëve, ku ndërlidhet sektori publik dhe me sektorin privat. Pjesë e procesit ka me qenë edhe reforma e biletave, ku do të bëhet mundësia për digjitalizim të biletave. Të ardhmen e afërt nuk kemi me pas nevojë me i ble dy bileta sikurse është sot por kemi me pas edhe opsionin tjetër shtesë që me një kartelë të trafikut urban me pas akses në çdo autobus të kryeqytetit. E dini se kemi nënshkruar me një kontratë paraprake prej 10 milionë euro, ku tani po presim edhe tridhjetë autobusë të ri shtesë”, tha ai.

    Në anën tjetër, drejtori i BERZH-it për Kosovë, Sergiy Maslichenko, tha se autobusët e rinj do të jenë pa ndotës, derisa gjashtë autobusë do të jenë elektrik.

    Ai tha se pjesë e rëndësishme e këtij projekti është edhe modernizimi dhe ristrukturimi i rrugëve aktuale.

    “Unë mendoj se ndryshimin do ta shihni vitin e ardhshëm, dhe pjesa e rëndësishme e këtij projekti është gjithashtu modernizimi dhe ristrukturimi i rrugës aktuale. Pra, ne kemi këtë grant prej gjysmë milioni të financuar nga BERZH për të hartuar rrugë të reja dhe rrugë më të mira për lëvizje më të mirë të lëvizshmërisë së njerëzve. Ndaj jam shumë krenare që jam pjesë e kësaj ceremonie dhe mezi pres ta zbatojmë këtë projekt së bashku me qytetin”, theksoi ai./kp/

  • ​Kurti-gazetarëve të strehuar nga Ukraina e Afganistani: Kosova shtëpia juaj e dytë

    ​Kurti-gazetarëve të strehuar nga Ukraina e Afganistani: Kosova shtëpia juaj e dytë

    Në rezidencën e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medieve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi gazetarët nga Ukraina dhe Afganistani që po strehohen në Kosovë nëpërmjet programit Journalists-in-Residence (JiR Kosovo).

    Sipas Qeverisë, para se t’i falënderojë për shërbimin, jo vetëm ndaj vendit po edhe ndaj parimeve universale të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, kryeministri Kurti i siguroi se ata janë të mirëpritur në Kosovë dhe se populli i Kosovës e kupton shumë mirë se si është të jesh larg vendlindjes dhe familjes, e pa e ditur se kur do të mund të kthehesh përsëri.

    Ai uroi që vitin tjetër do të jetë e mundur për ata që të kthehen të sigurt në vendet e tyre të origjinës, por se deri atëherë dhe përherë le ta konsiderojnë Kosovën si shtëpinë e tyre të dytë.

    “Journalists-in-Residence (JiR Kosovo) është program që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i cili mbulon koston e jetesës, pagat dhe zyrat, për t’u mundësuar gazetarëve të strehuar të punojnë nga distanca. Nga shkurti i vitit 2022, deri më tani janë 23 gazetarë përfitues, prej të cilëve 18 ukrainas dhe 5 afganë. 15 gazetarë vazhdojnë të banojnë ende në Kosovë. Ky program zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e iniciativës Hannah Arendt”, thuhet në komunikatë.

  • ​Bislimi e mirëpret marrëveshjen KEDS-Elektroserver: Një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore

    ​Bislimi e mirëpret marrëveshjen KEDS-Elektroserver: Një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore

    Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mirëpritur marrëveshjen komerciale në mes KEDS-it dhe Elektroserverit.

    Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.

    “Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.

    Ai shtoi se operimi në veri do të ndodhë brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovoës, teksa bëri thirrje që të ecet tutje.

    “Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”, tha Bislimi.

    “Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, u shpreh ai.

    Bislimi shtoi se Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presin dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces.

  • ZRrE ende s’ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e arritur mes KEDS-it dhe Elektroseverit

    ZRrE ende s’ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e arritur mes KEDS-it dhe Elektroseverit

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar të shtunën ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever për ofrimin e shërbimeve energjetike.

    Sa i përket kësaj marrëveshje, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.

    Ndërsa, kompania KEDS nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me detajet e marrëveshjes së nënshkruar më 9 dhjetor 2023 për energji.

    Ndërkaq, analisti Gazmir Raci ka vlerësuar se me këtë marrëveshje, serbët në katër komunat me shumicë serbe obligohen të paguajnë rrymën e shpenzuar.

    Ai thekson për KosovaPress se nga kjo marrëveshje zgjidhet përfundimisht edhe qasja e autoriteteve të Kosovës në trafostacionin e Vallaqit.

    Ai beson se konsumi i energjisë në katër komunat veriore do të jetë e prodhuar nga Kosova, përkatësisht nga termocentralet e KEK-ut.

    Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu përmes një përgjigje me shkrim thekson për KosovaPress se marrëveshja e arritur më 9 dhjetor 2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale ne mes Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve te distribuimit ( faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër Komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë “ te vitit 2013.

    “Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.

    Fejzullahu thekson se veprimtaria e Elektroseverit si Furnizues i Licencuar për furnizim me energji elektrike kryhet në përputhje me dispozitat ligjore që parashohin Ligjet e Sektorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.

    Megjithatë, ai thotë se ZRRE-ja ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e nënshkruar të shtunën mes KEDS-it dhe Elektrosever.

    “Rregullatori ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar për ofrimin e shërbimeve dhe nuk mundë të ofrojë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin”, thekson Fejzullahu.

    KosovaPress për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek KEDS-i, mirëpo deri në publikimin e kësaj teme nuk janë përgjigjur. Mirëpo, të njëjtit përmes një komunikate kanë njoftuar të shtunën se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

    Në komunikatë po ashtu thuhet se KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroserverin, i cili do të jetë me sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura.

    “Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022. Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në njoftimin e KEDS.

    Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mirëpritur marrëveshjen komerciale në mes KEDS-it dhe Elektroserverit.

    Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.

    “Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.

    Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili e ka mirëpritur marrëveshjen e djeshme ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit.

    Xhemaili i ka kujtuar Bislimit qëndrimin e kryeministrin Kurti që si opozitar kishte ndaj Elektroseverit.

    “Prej kur marrëveshja me Elektroseverin, qenka bërë marrëveshje historike dhe sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën? Shiheni videon e mëposhtme të Albin Kurtit sa ishte në opozitë dhe qëndrimin e tij për Elektroseverin”, ka thënë Xhemaili.

    Ai ka shtuar se qeveria Kurti me rrena ka ardhur në pushtet e me rrena ka me shkua.

    “Zëvendëskryeministri paska deklaru që më në fund pas 20 vjetësh do të fillojë faturimi i rrymës në veri, por nuk paska tregu se cila është hisja e Elektroseverit të Serbisë në tregun energjetik të Kosovës. Kjo qeveri me rrena ka ardhë e me rrena do të perfundojë. Populli nuk han bari, populli ju sheh!”, është shprehur Xhemaili.

    Ndërkaq, prej muajit dhjetor 2022 deri në shtator 2023 humbjet për energjinë elektrike në katër komunat veriore janë 25 milionë euro, të cilat ende nuk janë paguar nga qeveria. Ekzekutivi, ndërkaq përmes subvencionimit, ka paguar 63.2 milionë euro gjatë vitit 2022 dhe rreth 50 milionë për 2021, që në total i bie se 113 milionë euro për dy vjet i ka kushtuar vendit furnizimi me energji elektrike në veri për shkak të mos faturimit të energjisë elektrike. Kështu ka bërë të ditur ditë më parë gjatë raportimit të bordit të KOSTT në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

  • Dëshmitari serb në rastin Thaçi, prokuroria pretendon se ishte arrestuar në zonën e Suharekës

    Dëshmitari serb në rastin Thaçi, prokuroria pretendon se ishte arrestuar në zonën e Suharekës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Dejan Jeftiq, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pretendohet se ishte arrestuar nga shqiptarë të armatosur në zonën e Suharekës.

    Dëshmitari Jeftiq ka filluar të përgjigjet në pyetjet e përfaqësuesit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorit Cezary Michahlczuk.

    Prokurori, fillimisht lexoi një përmbledhje për këtë dëshmitar, për të cilin tha se është arrestuar nga shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza, të cilët më pas e kishin dërguar në Budakovë.

    “Me apo rreth 4 korrikut 1998, W01673 një person me etnicitet serb nga fshati Bulan i Suharekës, u arrestua së bashku me dy të afërm të tij afër… nga dy shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza. Tre serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë, ku janë lidhur sytë dhe i kanë pasur duart e lidhura, më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, lexoi prokurori.

    Prokurori Michalczuk tha se në vendin ku u dërguan tre serbët, të burgosur ishin edhe dy shqiptarë.

    “W01763 është marrë në pyetje nga policia në Muvlanë dhe i është thënë që ia kanë vrarë babain. Të dy serbët e tjerë po ashtu ishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë W01673 se konsideroheshin tradhtarë dhe se bashkëpunonin me policinë serbe. W01763 dhe bashkë të ndaluarit e tjerë serbë, janë lëshuar më 5 korrik 1998”, tha ai.

    Sipas prokurorit, dëshmitari më nuk ishte kthyer në fshatin e tij dhe kishte mësuar se shtëpia i ishte shkatërruar.

    “Mësoi që shtëpia e tij ishte shkatërruar pasi ishin larguar të afërmit e tij në qershor të vitit 1998. Ë01763 ka pasur nevojë për trajtim mjekësor për lëndimet e marra”, tha Michahlczuk.

    Pas kësaj, dëshmitarit iu kërkua që në një hartë të shenjëzojë disa vende në zonën e Suharekës, duke përfshirë edhe vendin se ku ka banuar në atë kohë ai dhe dy serbët e tjerë, Kërsta Jeftiq dhe Stanko Stankoviq.

    Dëshmitari Jeftiq tha se fshati Muhlan i Suharekës nuk është më shumë se 5 kilometra larg nga Budakova. Ai tha se në kohën kur u arrestua ishte i papunë.

    Ndërsa, theksoi se asnjëri prej tre serbëve duke përfshirë edhe atë, nuk kishte asnjë lidhje me policinë serbe atë kohë.

    Deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në dhe ato nga seanca përgatitore së bashku me përkthimet, u pranuan si prova materiale në këtë çështje.

    Ndryshe ky dëshmitar sipas asaj që u kuptua në seancë, kishte dhënë deklaratë për ZPS-në më 4 shtator 2020.