Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi ka treguar se ditëve të fundi janë kontaktuar nga shumë persona të cilët kanë ofruar informacione rreth vrasjes së Liridonës, por i ka lutur ata që të gjitha informacionet që i posedojnë t’i ndani me policinë dhe prokurorinë dhe jo me ata si familje.
Ai ka shkruar në Facebook se hetimet ua kanë besu atyre dhe presin drejtësi profesionale dhe të shpejtë nga ana e gjykatës.
“Interesi i familjes sonë dhe interesi i përgjithshëm është që hetimet të mos dëmtohen nga askush. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, ka shkruar ai.
Për vrasjen e Liridona Ademjat, është arrestuar bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se ka planifikuar vrasjen, dorasi, si dhe dy persona të tjerë, të cilëve gjykata ua ka caktuar nga një muaj paraburgim.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari raporton sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për nivelin e zbatimit të Ligjit për tregti me jashtë.
Përveç kësaj, komisioni do të shqyrtojë edhe raportin me rekomandime për lexim të dytë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për metrologji, Projektligjin për regjistrin e pronarëve përfitues dhe Projekt-rezolutës për Raportin vjetor të ZRRE-së për vitin 2022.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Listës Guxo, Jeta Statovci është përzgjedhur që ta përfaqësoj Evropën dhe Azinë qendrore, në mesin e vetëm tetë deputetëve në mbarë botën, për të dialoguar rreth çështjeve zhvillimore, përmes iniciativës globale të deputetëve të rinj (2023-2025 Global Young MP Initiative).
Përveç se do të përfaqësoj një rajon kaq të gjatë, deputetja kosovare do të jetë edhe zëri i Kosovës në një iniciativë kaq të madhe golabale.
Ky është njoftimi i deputetes Statovci:
Shumë e lumtur që Banka Botërore më ka zgjedhur të përfaqësoj rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, në mesin e vetëm tetë deputetëve të rinj nga gjithë bota, për të dialoguar rreth çështjeve zhvillimore, përmes iniciativës globale të deputetëve të rinj (2023-2025 Global Young MP Initiative).
Më vjen shumë mirë që Republika e Kosovës 🇽🇰, ani pse shtet i vogël, dërgon një përfaqësuese në emër të një rajoni kaq të madh, në bashkëpunim me dy institucionet më të mëdha financiare në botë, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Rreth 38 mijë qytetarë të Prishtinës parashihet që të kyçen në rrjetin e Termokos-it, përmes projektit të ngrohtores solare.
Marrëveshja e këtij projekti u bë mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe ngrohtores së qytetit Termokos.
“E ky projekt ka një rëndësi të veçantë pasi që përveç që e rrit prodhimin e energjisë termike, që mundëson edhe rreth 38 mijë qytetarë të kyçen në rrjetin e Termokosit, gjithashtu mundëson edhe zgjerimin e rrjetit. Kësisoj siguron që çmimi për ngrohje të vazhdojë të jetë i volitshëm për qytetarët, si dhe të kursehet edhe energjia elektrike”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Sipas Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, projekti i ngrohjes solare nxit rritjen ekonomike dhe përkrah qëndrueshmërinë mjedisore. Ndërsa, për ngrohje të qëndrueshme, ka folur kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani.
Rama: Sot po nënshkruhet zotimi ynë që prishtinasve t’iu mundësohet zgjidhje e besueshme
“Impianti i ri diellor dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore do të zvogëlojë dukshëm emetimin e dioksidit të karbonit të lidhura me ngrohjen, do të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do të integrojë furnizimin me energji të rinovueshme”, tha Rama
“Përmes këtij projekti, ne po rrisim sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë për Prishtinën, duke kontribuar direkt në performancën financiare dhe operacionale të ngrohtores së qytetit e përmes kësaj në lehtësimin e jetës së qytetarëve në Prishtinë”, deklaroi Osmani.
Duke rikujtuar se e gjithë Evropa ka krizë energjetike, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Kosova përfiton shumë nga kjo marrëveshje. E drejtori i BERZH-it në Kosovë, theksoi se ky projekt do të ketë përfitime në Prishtinë, meqë siç tha ai, ndotja është e lartë.
Projekti cilësohet të jetë më i madh në rajon. ‘Solor for Kosovo’ do të mbulojë me panele solare një hapësirë prej 69 mijë metrash katrorë, me kapacitet termik 50 megavat, duke furnizuar 12 mijë konsumatorë dhe do të kushtojë mbi 80 milionë euro. /atvlive.tv
Tri ditë nga nënshkrimi, Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale ndërmjet KEDS-it dhe “Elektroseverit”.
Ajo vazhdon të mbahet e pa-publikuar dhe, zyrtarisht, nuk dihet përmbajtja e saj.
Nëse marrëveshja nuk parasheh afate të reja specifike, Elektrosever do të duhej të niste kontraktimin e energjisë në Janar, rrjedhimisht edhe faturimin.
Por, kësaj duhet t’i paraprijë rregullimi i çështjes së njehsorëve dhe regjistrit të konsumatorëve.
Në një përgjigje për ATV-në, ZRRE-ja shpjegoi se çfarë në parim rregullon dokumenti i nënshkruar.
“Me datë 09.12.2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale mes Elektrosever dhe KEDS-it për ofrimin e shërbimeve të distribuimit (faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë” të vitit 2013. Kjo marrëveshje komerciale për kryerjen e këtyre shërbimeve nga Elektrosever mbart më vete kostot e shërbimit që duhet të jenë pjesë e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për ATV-në.
Kompania bijë e ndërmarrjes publike energjetike të Serbisë, e regjistruar dhe licencuar në Kosovë, do të ketë lirinë e plotë të përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Për sa i përket tarifave për Elektrosever, Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë, promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.
Pa folur për përmbajtjen, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nënshkrimin e marrëveshjes e vlerësoi hap tutje drejt normalizimit.
“Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë. Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, tha Bislimi.
Më 24 Qershor të vitit të kaluar, bazuar në Udhërrëfyesin e dakorduar në Bruksel, ZRRE-ja licencoi Elektroseverin.
Sipas afateve në licencë, marrëveshja komerciale do të duhej të nënshkruhej më së largu 10 ditë pas licencimit, ndërsa ofrimi i qasjes në nënstacionin në Vallaq, gjë që nuk ka ndodhur ende, brenda 30 ditësh.
Që nga Korriku 2022, dëmi buxhetor si pasojë e mosfaturimit të energjisë në katër komunat në veri, llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro. Ndërkaq, nga paslufta, përfshirë këtë vit, rreth 350 milionë euro.
Prokuroria Speciale e Kosovës do të vazhdojë të drejtohet edhe për katër vjetët e ardhshëm nga Blerim Isufaj.
Isufaj është rizgjedhur edhe për një mandat në këtë pozitë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës me shumicë votash të hënën, pasi nga Komisioni Vlerësues ishte renditur si kandidati me më së shumti pikë.
Nga dhjetë vota, vetëm një ishte kundër për Isufajn, i cili e udhëheq PSRK-në që nga viti 2019.
E para se të vihej në votim emri i tij, nga Komisioni për Rishqyrtim treguan se ankesa patën kundërkandidatët Naim Abazi dhe Atdhe Dema, por u refuzuan.
Isufaj ishte përzgjedhur nga KPK-ja edhe në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por nuk u dekretua nga presidentja.
Ndërkohë, konkursi për pozitën në Prokurorinë Speciale ishte shpallur gjatë tetorit, ndërsa një muaj pas Komisioni kishte përfunduar intervistimin e katër kandidatëve, ku përveç Isufajt, Abazit e Demës, në garë ishte edhe zv.kryeprokurori Valdet Gashi.
Ndërkohë, KPK-ja gjatë mbledhjes, të hënën ka përzgjedhur edhe kryeprokurorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe asaj të Gjakovës.
Besimin për t’i drejtuar këto dy institucione anëtarët e KPK-së ia dhanë Zejnullah Gashit dhe Enis Gashit.
Sipas ligjit për KPK-në, kryeprokurorët e prokurorive emërohen nga Këshilli për një periudhë katërvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat shtesë.
Në këtë objekt, në qendër të Prishtinës është përzgjedhur një hapësirë që përkohësisht do t’i takojë Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Drejtori i parë i këtij Instituti, Atdhe Hetemi, një muaj pas emërimit, thotë të kenë nisur hartimin e rregulloreve që, sipas tij, do t’u hapin rrugë punëve konkrete në mbledhjen e dëshmive.
Hetemi duke theksuar se synojnë një metodologji shkencore, në një intervistë për ATV-në, thotë se ky institucion do t’i ketë mbi 40 punëtorë.
Hetemi thotë se dokumentacionet e mbledhura mund t’u shërbejnë edhe institucioneve që merren me hetimin e krimeve të luftës.
Sipas organizatës Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila që nga paslufta i ka dokumentuar krimet dhe dëshmitë e luftës në Kosovë, funksionalizimi i këtij Instituti dhe puna e tij në praktikë janë të domosdoshme, dhe do të jetë në shërbim të memories kolektive.
Sipas ligjit, Instituti nuk mund t’i ndjekë penalisht krimet e luftës.
Sipas Fondi për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit janë vrarë mbi 13 mijë persona, derisa më shumë se 1 mijë vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Kosova themeloi për herë të parë me ligj në korrik të këtij viti, Institutin për krime lufte.
Një i tillë ishte themeluar me vendim të Ministrisë së Drejtësisë në në vitin 2011, por ishte shuar në vitin 2018, po me vendim të këtij dikasteri.
Daniel Musollaj, qytetar nga Prishtina, nuk ia ka idenë së si do të përdoren 100 biçikletat, të cilat i bleu komuna e Prishtinës për transport publik 2 muaj më parë.
Ndonëse, të premten, ato u sollën në Prishtinë, Musollaj thotë se biçikletat nuk do mund të shfrytëzohen siç duhet nga qytetarët, nëse komuna nuk merr hapa konkretë për përdorimin e tyre.
“Është mirë që i kanë sjellë, por ka pak informacione për to, s’ka aplikacione, s’ka udhëzime, andaj patjetër duhet të bëhen këto dyja”, tha Musollaj.
Njësoj mendon edhe studenti i fakultetit të edukatës fizike, Aridon Luta, i cili tërë pasditen e kalon duke ngarë biçikletën.
“Me këtë aktivitet merrem çdo ditë, është mirë për Prishtinën ta ketë këtë lloj transporti, por duhet të bashkëngjiten edhe detaje të tjera se si do të shfrytëzohen”, tha Luta.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, thotë se janë duke punuar që projekti në fjalë të finalizohet shumë shpejt.
“Natyrisht që ka vend për përmirësime, ne do ta shohim se çfarë është më e lehtë për qytetarët dhe t’i krijojmë ato alternativa”, tha Zogaj.
Megjithatë, Zogaj dha detaje për vendstacionet e biçikletave.
Mirëpo, kjo nuk do të bëhet edhe për një kohë.
Biçikletat, së bashku me procedurat deri në shfrytëzimin e tyre nga qytetarët, Komunës së Prishtinës i kushtuan 500 mijë euro.
njohur si komandant Topi, për më shumë se 8 orë, është intervistuar nga zyrtarët e zyrës së prokurorit të specializuar, në selinë e EULEX-it në Prishtinë.
Përveç intervistimit, Zyra e Prokurorit të specializuar, ka kryer bastisje edhe në pronat e tij në Prishtinë dhe në Banjë të Malishevës.
Ndonëse nuk pranoi të flasë para kamerave, bashkëshortja e Haxhi Shalës, tha për ATV-në, se nuk di detaje rreth intervistimit të tij dhe se Shala ende nuk ka avokat.
Ndërkaq, sipas vëllait të Haxhi Shalës, Avni Shala, Komandant Topi dyshohet për pengim të drejtësisë.
“Arsyet po thonë për pengim të drejtësisë, tjetër gjë nuk ka. Ai ka ardhur prej Prishtinës, sepse ka pasë me dergu babën në spital në Prizren, Ka pasur forca të shumta të EULEX-it, ka zgjatur rreth 30 minuta. Nuk kanë konfiskuar ndonjë gjë. Këto arrestime janë të paligjshme. Kjo gjykatë është e padrejtë. Shkojnë dhe i marrin njerëzit, veç pse kanë dhënë kontribut për vendin”, tha Shala.
Sipas tij, Shala është intervistuar edhe më herët nga Specialja.
“Telefoni i është konfiskuar verës, në Hagë ka qenë në intervistë më herët, qysh e kanë thirrë, iu është përgjigjë ftesës. Drejtësisë nuk i ikë, nuk kemi pse me ikë”, tha Shala.
Për këto aksione, ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Sipas tij, qëllimi i këtyre bastisjeve, është mbulimi i dështimit të Gjykatës Speciale.
Në anën tjetër, përveç se aksionet janë të vazhdueshme, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha detaje të tjera për ATV-në, lidhur me bastisjet.
Kjo nuk është hera e parë që Zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë kryer bastisje.
Muajin e kaluar, ata bastisën në pronat e ish-bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të komunës së Malishevës, Isni Kilaj, derisa ky i fundit është arrestuar nën dyshimin për pengim të drejtësisë.
Pasditen e kësaj të hëne, ka ndërruar jetë avokati, Andrew Strong.Andrew Strong qe pjesëtar i ekipit të mbrojtjes në rastin e Ramush Haradinajt në Hagë, njeherit dhe avokat i ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, i cili gjendet në paraburgim nga Gjykata Speciale.
Për humbjen e avokatit Strong, ka shkruar vet kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa shprehet i pikëlluar.
”I pikëlluar nga vdekja e parakohshme e avokatit Andrew Strong, një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
”Ai i’u bashkangjit ekipit tim mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë”.”Ngushëllime familjes dhe miqve! Trashëgimia yte do të kujtohet Andy. U prehsh ne paqe”.
Po ashtu, për ndarjen nga jeta të Strong-ut, janë shprehur të pikëlluar edhe nga ekipi i Fondacionit për Mbrojtjen e Kadri Veselit.
”Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën. Ai jetoi duke e mbrojtur histrorinë e luftës tonë çlirimtare. Me quante vëlla në shqip, e me trajtonte si të tillë. Do të na mungojë shumë të gjithëve që e njohem dhe punuam me të. Ngushëllime gruas së tij Rachel, dhe tre fëmijeve që la pas. Faleminderit për të gjitha, vëlla!”, shkruan Avni Bytyçi.