ATV

Category: Lajme

  • Weber skeptik për dialogun: Dyshoj se do të ketë progres, Vuçiq po luan dhe s’është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet

    Weber skeptik për dialogun: Dyshoj se do të ketë progres, Vuçiq po luan dhe s’është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet

    Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtori i Lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, është shprehur skeptik për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Weber ka theksuar dyshimet e tij sa i përket progresit në dialog, pasi sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po luan dhe nuk është i interesuar të respektojë marrëveshjet.

    “Dyshoj se do të ketë progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak se Aleksandar Vuçiqit, ka një kohë të gjatë që po luan dhe nuk është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet. Për çdo gjë, presidenti i Serbisë fajëson Kosovën se nuk është e interesuar për dialog, prandaj jam shumë skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Ai madje i rezistoi edhe presioneve të Perëndimit duke mos i vënë sanksione Rusisë”, ka thënë ai.

    Eksperti Weber po ashtu ka komentuar edhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor, duke thënë se ato e dëshmuan qartë se atje bëhet fjalë për një regjim autokratik.

    Ai ka thënë shkelje të mëdha u evidentuan ne kryeqytetin serb në Beograd, ku ishte një garë e ngushtë mes partive opozitare dhe partisë në pushtet.

    “Këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë mënyrën se si ka udhëhequr Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij përgjatë dekadës së fundit. Serbia është demokraci vetëm në letër dhe po bëhet gjithnjë e më autoritare. Mënyra se si po vepron ky regjim autokratik pas vrasjeve në masë dhe pas protestave të shumta, tregon se ky regjim është në prag të kolapsit. Pati shumë shkelje gjatë këtij procesi zgjedhor në Serbi dhe përveç kësaj partia në pushtet gjatë fushatës elektorale ishte shumë agresive. Shkelje të mëdha u evidentuan edhe në Beograd, ku ishte një garë më e ngushtë mes partive opozitare dhe partisë në pushtet. Kurse, në anën tjetër ende nuk kemi parë një reagim të fortë brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për t’i dalë në mbështetje partive opozitare”, ka thënë Weber.

    Ai ka thënë se shumë qytetarë serbë nga Bosnja dhe Kosova shkuan në Serbi për të votuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe, po qëndron e heshtur përballë gjithë atyre që e shkelën ligjin.

    “Tani po shohim protesta të partive opozitare edhe shumë të rinjve në Beograd, janë më mijëra prej tyre që kanë dalë në rrugë për të protestuar. Nga ana tjetër kemi partinë në pushtet që po qëndron e heshtur përballë atyre që kanë bërë shkelje në procesin zgjedhor. Pati shumë qytetarë serbë që erdhën nga Bosnja dhe nga Kosova për të votuar në mënyrë të paligjshme, pra shihet qartë se ka pasur shumë manipulime në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Të gjitha këto shkelje janë të evidentuara në detaje. Tani do të shohim se çfarë qasje do të ketë Perëndimi në raport me Serbinë pas këtyre zgjedhjeve, dhe gjithashtu më intereson të shoh nëse Perëndimi do t’i mbështes partitë opozitare dhe shoqërinë civile në Serbi”, ka thënë Weber për tëvë1.

  • Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, në mbledhjen elektronike që ka zhvilluar mbrëmë.

    “Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e treqind e katër dhjetë euro e gjashtëdhjetë e dy cent (68,994,340.62€) për zbatimin e Masës 3.5 – Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë dhe Masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos për Ringjallje Ekonomike”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti.

    Vendimi për ndarjen e këtyre shtesave është marrë më 13 dhjetor.

    “Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me kod 201 ndahet shuma prej 28,000,000 euro në nën-programet me kod 00100, 00200, 00400, 01100, 01200, 01400, 02700, 02900, 03000, 03100, 00600, 00300, 02500 në zbatim të Vendimit të Qeverisë Nr. 43/178 i datës 13.12.2023. Shumat përkatëse për secilin nën-program sipas kësaj pike precizohen dhe shpërndahen nëpër këto nën-programe sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet tutje në vendim.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha atë ditë se synojnë që vitin e ardhshëm të avancojnë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

    Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.

    Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro.

    Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.

    Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.

    Buxheti i paraparë i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit.

  • Gjendet një person i vdekur në Prishtinë

    Gjendet një person i vdekur në Prishtinë

    Të enjten në orën 05:30 të mëngjesit, është gjetur një person pa shenja jete në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Prishtinë /21.12.2023 – 05:30. Është raportuar se një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Sekuestrohet malli në një depo ilegal në Mitrovicën e Veriut

    Sekuestrohet malli në një depo ilegal në Mitrovicën e Veriut

    Përveç në Leposaviq, aksioni lidhur me kontrabandën e mallrave po zhvillohet edhe në Mitrovicën e Veriut, konfirmohet nga policia.

    Policia së bashku me Doganat e Kosovës kanë inspektuar një objekt në cep të rrugëve Car Dushani dhe Tetovës, në Mëhallën e Boshnjakëve.

    “Dyshohet se në këtë objekt ka mallra për të cilat pronari nuk ka dokumentacionin e nevojshëm, si dhe biznes të regjistruar”, kishte deklaruar për portalin Kossev, Veton Elshani, zëvendës komandant i PK-së për Veri.

    Ai nuk ka mundur të specifikojë nëse ka mallra të sekuestruara dhe as për cilat mallra bëhet fjalë.

    Mirëpo, sipas këtij portali, “në këtë objekt kishte kryesisht produkte të qumështit (qumësht, kos, ajkë)”.

    Personat e këtij “biznesi” janë ankuar këtij portali se gjithçka është konfiskuar.

  • Një kontingjent i FSK-së shkon në Shqipëri për ndihmë në kërkim-shpëtim

    Një kontingjent i FSK-së shkon në Shqipëri për ndihmë në kërkim-shpëtim

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbrëmshme të mbajtur në mënyrë elektronike, ka marrë disa vendime.

    Ndër to është edhe dërgimi i një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shqipëri në një operacion humanitar me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim.

    “Miratuar vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacionin humanitar, sipas kërkesës së Republikës së Shqipërisë, me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

  • Opozita serbe i kërkon BE-së të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve të së dielës

    Opozita serbe i kërkon BE-së të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve të së dielës

    Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, krahinore e veçanërisht atyre lokale në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.

    Në një letër dërguar institucioneve kryesore evropiane thuhet që nëse Bashkimi Evropian nuk e shfrytëzon mundësinë për të mbështetur qytetarët e Serbisë që kërkojnë demokracinë dhe vlerat themelore evropiane, atëherë do t’i jap një goditje të rëndë çdo perspektive për një Serbi demokratike si anëtare e ardhme e bllokut.

    Në letër thuhet se koalicioni “Serbia kundër dhunës” nuk i pranon dhe nuk do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit ndërsa kërkohet hapja e një hetimi të plotë ndërkombëtar, posaçërisht të parregullsive të gjetura në zgjedhjet për pushtetin në Beograd.

    Për tre ditë me radhë mbështetësit e opozitës serbe protestuan në Beograd duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

    Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.

    Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.

    Sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare serbe e presidentit Vuçiç doli fituese në zgjedhje, por kundërshtarët e saj kryesorë nga aleanca “Serbia kundër dhunës”, thonë se atyre iu grabit fitorja në Beograd.

    Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit identifikuan gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.

    Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, ndërsa theksuan se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”.

    Por opozita në Serbi thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i jap fund urgjentisht politikës së “përkëdheljes: së qeverisë në Serbi dhe të fillojë të përdorë mjetet në dispozicion kundër anëtarëve të partisë në pushtet të përfshirë në mashtrime zgjedhore, dhe në këtë mënyrë të ndihmojë qytetarët e Serbisë në rivendosjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

    Grupe studentësh që morën pjesë në protestat e opozitës, paralajmëruan radikalizimin e protestave nëse pushteti nuk i përgjigjet një kërkese të tyre për hapjen e listës zgjedhore deri të hënën në mesditë.

    Hapja e listës thonë ata, do të mundësonte largimin e votuesve “fantazmë” që janë përdorur në zgjedhjet e së dielës. Vëzhguesit dhe mediat e pavarura raportuan se serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd dhe rreth 40 mijë dokumente identifikimi u janë lëshuar personave që nuk jetojnë në kryeqytet.

    Presidenti serb tha të enjten se “kurrë nuk ka pasur zgjedhje më të pastra”.

    Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.

  • Gjakovë: Burri plagos veten në dorë

    Gjakovë: Burri plagos veten në dorë

    Policia e Kosovës ka raportuar se një burrë në Gjakovë rreth orës 05:15 të mëngjesit të se enjtes, ka plagosur veten me armë të gjuetisë në dorë.

    Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës.

    Ndërkaq rasti vazhdon nën hetime.

  • Zhduket një burrë nga Fushë-Kosova

    Zhduket një burrë nga Fushë-Kosova

    Të enjten një grua ka raportuar se një person në Fushë-Kosovë ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, personi në fjalë është larguar nga shtëpia nga data 19.12.2023.

    “Fushë Kosovë / 19.12.2023 – 10:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se viktima mashkull kosovar, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime.

  • Biznesmeni nga Zvicra dhe të akuzuarit e tjerë për vrasje me pagesë dënohen me mbi 47 vjet burgim

    Biznesmeni nga Zvicra dhe të akuzuarit e tjerë për vrasje me pagesë dënohen me mbi 47 vjet burgim

    Edhe në rigjykim, janë dënuar me 47 vjet e gjysmë burgim katër të akuzuarit, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

    I akuzuari Bekim Raja është dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim, Avni Sinanaj me 8 vite 6 muaj burgim, Murat Sinanaj me 18 vite e 6 muaj burgim, kurse Gjon Pnishi me 6 vite burgim, të cilin dënim ai e ka mbajtur.

    Ky aktgjykim është shpallur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

    Akuza e Prokurorisë së Pejës e cila pretendon se i ndjeri Ferdinand Gjini u privua nga jeta për shkak të hakmarrjes, nuk kishte marrë epilog pranë gjykatave të rregullta që nga viti 2018.

    Kjo pasi për të dytën herë me radhë rasti penal ndaj të akuzuarve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të cilët ngarkohen për këtë vrasje, ishte prishur nga gjykatat e instancës më të lartë, të cilat kanë konstatuar shkelje procedurale.

    Fillimisht Gjykata Supreme, kurse më pas edhe Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit këtij viti kishte gjetur fajtor të pandehurit për vrasjen e të ndjerit Gjini.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe të përmirësuar me 15 prill 2021, thuhet se i pandehuri Bekim Raja në muajin maj 2012, në Zvicër, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka shtyrë të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

  • Presidenti i Bullgarisë sot në Kosovë

    Presidenti i Bullgarisë sot në Kosovë

    Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, sot dhe nesër (22 dhe 23 dhjetor) do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Ai me këtë rast do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani me ceremoni shtetërore, në orën 10:00, në sheshin “Ibrahim Rugova”.

    Presidentët Osmani dhe Radev do të mbajnë edhe një konferencë për media, njofton Presidenca e Kosovës.

    Ndërsa takim është paralajmëruar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimit, Radev do të pritet nga Kurti në ora 12:00.