ATV

Category: Lajme

  • Për vetting në Kuvend duhet të votojë edhe Lista Serbe

    Për vetting në Kuvend duhet të votojë edhe Lista Serbe

    Përgatiti: Nora Luta

    Kushtetuesja dha dritën e gjelbër për vetingun në sistemin e drejtësisë, megjithatë për të nisur në praktikë ky proces fillimisht amendamentet duhet të miratohen në Kuvend.

    Ndryshimi i Kushtetutës, përveç shumicës kërkon edhe votat e 2/3 të deputetëve që i kanë vendet e rezervuara nga komunitetet, në këtë rast ata të Listës Serbe.

    Kryetari i Komisionit Ad-hoc parlamentar për zhvillimin e këtij procesi, Adnan Rrustemi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se është një proces sfidues.

    Deputetët serbë nuk kishin marrë pjesë as në këtë komision.

    Juristët thonë se i takon pushtetit për t’i bindur deputetët e pakicës.

    Megjithatë, Rrustemi thotë se nuk ka më argumente për ta penguar këtë proces.

    Sipas tij, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses do të nisin punën për hartimin e projektligjit për veting.

    Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve është konsideruar ndër prioritetet e ekzekutivit për reformën në drejtësi.

    Por, Ministria e Drejtësisë pas opinionit të Komisionit të Venecias hoqi dorë nga vetingu i plotë, duke e reduktuar në një veting të pjesshëm që do të përfshijë vetëm udhëheqësit e prokurorive, gjykatave dhe anëtarëve e kryesuesve të Këshillave përkatës.

  • Vrasja e Donjeta Pajazitaj, prova kryesore në duart e FBI-së

    Vrasja e Donjeta Pajazitaj, prova kryesore në duart e FBI-së

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pas 8 vjetësh hetime, Gjykata Supreme e liroi Naser Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Por, Prokuroria e Pejës nuk i ka ndalur hetimet për rastin.

    Së fundmi, njëra prej provave është dërguar për ekzaminim të mëtejmë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Provën kryesore të kësaj çështjeje penale, e kemi dërgu për ekzaminim në SHBA, në institucionin më të lartë, pasi ta pranojmë raportin, do të merren veprimet ligjore konform gjetjeve të raportit”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    Televizioni merr vesh se bëhet fjalë për videon në të cilën shihet Naser Pajazitaj duke e marrë me veturë një vajzë në qendër të fshatit. Ndryshe nga ekzaminimi i parë në një shtet tjetër që nuk dha rezultat, analiza tani pritet më me optimizëm.

    “Kjo provë është ekzaminuar në Turqi, por nuk kemi pranuar rezultate të detajuara. Jemi optimist se do ketë gjetje”, tha Nikçi.

    Donjeta Pajazitaj u gjet e vrarë në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit, më 17 dhjetor të 2015-ës. Për vrasjen e saj u akuzua kushëriri, Naser Pajazitaj. Por me vendim të Gjykatës Supreme, ai përfundimisht u lirua nga akuzat për vrasje më 6 prill, me arsyetimin se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.

    Pas lirimit, Naser Pajazitaj kërkoi mbi 1 milion euro kompensim për kohën që qëndroi në burg. Këshilli Gjyqësor ia ofroi atij 60 mijë euro, shumë të cilën ai e refuzoi.

  • Kushtetuesja vendos për Ligjin e pagave, rrëzon nenet e Ligjit që zvogëlonin pagat e larta të zyrtarëve publikë

    Kushtetuesja vendos për Ligjin e pagave, rrëzon nenet e Ligjit që zvogëlonin pagat e larta të zyrtarëve publikë

    Gjykata Kushtetuese ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit i cili e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

    Për këtë Ligj, Avokati i Popullit kishte pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

    Sot, është publikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë kërkesë, ku bëhet e ditur se gjykata ka rrëzuar disa nga nenet e Ligjit të Pagave, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës, e që u hartua nga Qeveria Kurti.

    Kushtetuesja së pari ka sqaruar, se me këtë Aktjgykim nuk do të afektohen, të gjithë ata zyrtarë, të cilëve u është ngritur paga.

    Ndërsa, ulja e pagave, për disa funksione, është konsideruar anti-kushtetuese. Kushtetuesja, i ka kërkuar Kuvendit që brenda 6 muajve, ta ndryshoj Ligjin.

    Gjykata, në njoftimin për media, thotë se njëzëri ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë, njëzëri, që: “(i) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafin 5 të nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafin 4 të nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) paragrafi 2 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 3 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (v) paragrafi 4 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (vi) paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 (Shtesa tranzitore) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të Aktgjykimit; (vii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; (viii) deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, paragrafi 3 i nenit 2 (Fushëveprimi), paragrafi 2 i nenit 22 (Shtesat), paragrafi 5 i nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafi 8 i nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafi 7 i nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafi 4 i nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës), zbatohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (ix) ky Aktgjykim hyn në fuqi më 1 shkurt 2024”.

    “Aktgjykimi fillimisht sqaron që Ligji i kontestuar është publikuar në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, ndërsa ka hyrë në fuqi më 5 shkurt 2023. I njëjti është miratuar pasi ligji paraprak, përkatësisht Ligji nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, pas kërkesës së Avokatit të Popullit, ishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën përmes Aktgjykimit të Gjykatës KO219/19. Aktgjykimi, më tej, sqaron që Ligji i kontestuar, me qëllim të krijimit të një “sistemi të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik”, shfuqizon (i) Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civilë; (ii) dispozita të caktuara të ligjeve të veçanta ndërlidhur me institucione dhe agjenci të pavarura; si dhe (iii) çdo ligj dhe akt tjetër nënligjor që është në kundërshtim me përcaktimet e tij. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, i njëjti përmes Shtojcave përkatëse, kategorizon të gjithë funksionarët/zyrtarët dhe nëpunësit publikë që bien në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar, në pozita, grupe, klasa dhe koeficientë. Efekti i këtij kategorizimi në ndërlidhje me vlerën e koeficientit të përcaktuar përmes Ligjit nr.08/L-213 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, ka rezultuar në ngritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese të zyrtarëve të sektorit publik dhe zbritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese tjetër. Kategoritë e afektuara nga zbritja e nivelit të pagave, përfitojnë nga një periudhë tranzitore dy (2) vjeçare pas hyrjes në fuqi të ligjit, përkatësisht (i) gjatë vitit të parë, njëqind përqind (100%) të shtesës tranzitore dhe rrjedhimisht, përgjatë këtij viti nuk afektohen nga zbritja e nivelit të pagës; ndërsa, (ii) gjatë vitit të dytë, pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që nga të drejtat e periudhës tranzitore, janë përjashtuar (i) anëtarët e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilët për pasojë janë afektuar me zbritje të menjëhershme pagash përmes hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) të gjithë personat që janë punësuar në sektorin publik pas hyrjes së tij në fuqi. Më tej, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar gjithashtu (i) delegon përcaktimin e vlerës së koeficientit në një ligj tjetër, përkatësisht Ligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës; (ii) saktëson që zbritja e nivelit të pagës në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm në rast të dy rrethanave përjashtimore, përkatësisht një “tronditje makroekonomike” apo shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme; (iii) saktëson rregullat e përcaktimit të kategorive të shtesave dhe kompensimeve, përfshirë tavanet/kufijtë përkatës buxhetor, duke saktësuar gjithashtu që këto çështje rregullohen ekskluzivisht me këtë ligj dhe mund të rregullohen më tej vetëm me akte të tjera nënligjore; dhe (iv) përcakton kompetencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), për të miratuar, ndër tjerash, çështjet që ndërlidhen me strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve në institucionet publike të Republikës së Kosovës”.

    “Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, Ligji i kontestuar tashmë ka prodhuar efektet e tij tek kategoritë të cilave u është ngritur niveli i pagës, si dhe tek kategoritë që u është zbritur niveli i pagës e që nuk i janë nënshtruar mbrojtjes përmes periudhës tranzitore, përkatësisht (i) për të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para të përvojës së punës, sepse lartësia e shtesës për përvojën e punës është përgjysmuar me hyrjen në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili është përjashtuar nga e drejta në shtesë tranzitore. Me përfundimin e afatit një (1) vjeçar të periudhës/shtesës tranzitore, përkatësisht nga 5 shkurti 2024, me zbritje prej pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore, do të afektohen të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit që hyjnë në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar dhe të cilëve u është zbritur niveli i pagës sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar”, thotë mes tjerash Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin mund ta lexoni të plotë më poshtë:

    Njoftim për vendim në rastin KO 79/23

  • VV: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë t’i pranoj targat RKS

    VV: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë t’i pranoj targat RKS

    Të hënën Qeveria e Serbisë vendosi që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

    E, për këtë vendim ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se këmbëngulja e tyre e detyroi Qeverinë serbe ta pranojë këtë marrëveshje, teksa e vlerësojnë si arritje të rëndësishme të shtetit e qeverisjes.

    Vetëvendosje po ashtu shtoi edhe disa sugjerime të radhës për qeverinë në fjalë.

    “Këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranoj targat RKS. Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet. Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thanë nga kjo parti.

  • A është më e lehtë  ta gjejmë lumturinë apo ta përballojmë dhimbjen? – përgjigjet psikologu Fitim Uka

    A është më e lehtë ta gjejmë lumturinë apo ta përballojmë dhimbjen? – përgjigjet psikologu Fitim Uka

    Njihet në dimensione të ndryshme, por emri i tij dominon më shumë kur bëhet fjalë për psikologjinë.

    Fitim Uka ishte i ftuar në emisionin “LIBERO”, dhe foli për shumë aspekte sa i përket psikologjisë dhe trajtimit të shëndetit mendor.

    Psikologu diskutoi specifikisht për dy ndjenja të kundërta me njëra-tjetrën por shpeshherë paralelisht të pranishme në jetën tonë: lumturinë dhe dhimbjen.

    Ai tha se lumturia është një ndjenjë të cilën njeriu e kërkon vazhdimisht kurse përjetimi i dhimbjes krijon disa mekanizma statik.

    “…Lumturia krijon mekanizma adaptiv dhe dinamik të cilat duhet me u ndryshu sepse ajo që të bën të lumtur sot nesër mund të mos jetë e mjaftueshme për lumturinë tënde, ndërkaq nëse arrijmë të krijojmë strategji efektive për të përjetuar dhimbjen tregon sukses…”, tha ai.

    Vlen të ceket se së fundmi psikologu Fitim Uka, në bashkëpunim me shoqatën “Autizmi Flet”, shërben kafe dhe çaj në sheshin e Prishtinës dhe të hollat e grumbulluara ndahen për shërbimet e fëmijëve me autizëm.

    Për më shumë informacione rreth kësaj interviste, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Ministrat e Qeverisë Kurti janë si ministra të Serbisë”, Gazmend Muhaxheri me deklarata të fuqishme ndaj Qeverisë Kurti

    “Ministrat e Qeverisë Kurti janë si ministra të Serbisë”, Gazmend Muhaxheri me deklarata të fuqishme ndaj Qeverisë Kurti

    Për tri vite me radhë mori përgjegjësinë për të drejtuar Pejën, Gazmend Muhaxheri ishte i ftuar në emisionin “LIBERO” dhe foli për shumë aspekte sa i përket karrierës së tij si kryetar i Pejës.

    Mes tjerash, Muhaxheri dha disa deklarata të fuqishme dhe kritika për Qeverinë Kurti.

     “…Nuk ka pasur Qeveri që ka qenë më kundër komunave se kjo e Kurtit, me pas qenë komuna serbe nuk do të kishte bërë ndarje buxhetore siç ka bërë me ne…Ministrat e tij është vështirë me i taku edhe kur i takon janë si me qenë ministra të Serbisë…”, tha ai.

    Gjithashtu, ai disa vite më përpara, në një deklaratë të tij kishte thënë se dëshiron të bëhet kryeministër, mirëpo tani e mohoi një gjë të tillë, duke e cilësuar vetëm një shaka.

    “…Unë e kam prioritet Pejën dhe nuk besoj se mund të kontribuoj përtej Pejës, përkushtimi im 24/7 është vetëm si kryetar i Pejës…”, shtoi Muhaxheri.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ankesat e qytetarëve për fatura të larta të rrymës, Tahiri: Kryeministri babadimër shpërndan me një dorë, e grabitë me dy duar

    Ankesat e qytetarëve për fatura të larta të rrymës, Tahiri: Kryeministri babadimër shpërndan me një dorë, e grabitë me dy duar

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike, për këtë muaj.

    Tahiri ka thënë se Kosova po shkon drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë të jenë mes 250 e 350 euro.

    “Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 – 350 euro”, ka thënë Tahiri.

    Tutje, ai ka shtuar se kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve.

    “Kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve. Ky kryeministër është babadimri i llojit të vet, i cili shpërndanë me një dorë, e grabitë me të dy duart. Hajde tash kallxona se si KEDS-i përcakton çmimet, dhe se si ju nuk keni asgjë në dorë”, ka përfunduar Tahiri.

  • Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

    Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

    Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Prush’’, dhe kundër 2 zyrtarëve doganorë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak siç thuhet të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal.

    “Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Prush’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.

    Përveç kësaj, Prokuroria njoftoi se është ngritur aktakuzë edhe kundër 23 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare.

    Dyshime për ryshfet, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë

  • Dyshime për ryshfet, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë

    Dyshime për ryshfet, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare.

    Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe marrje e ryshfetit.

    “ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzet e tre (23) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal dhe ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’ e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Morinë’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi.

    Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

  • Ngrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

    Ngrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

    Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) njoftoi të martën se ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet D.M., i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civilë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    I dyshuari, i cili i përket nacionalitetit serb sipas Prokurorisë, akuzohet se ka kryer krime si roje e burgut në Prishtinë dhe Lipjan gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

    “Në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve…në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e PSK-së.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri D.M. në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’, duke u akuzuar edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).