ATV

Category: Lajme

  • Turqia arreston 29 persona që dyshohet se planifikonin sulme

    Turqia arreston 29 persona që dyshohet se planifikonin sulme

    Autoritetet turke kanë arrestuar 29 persona që dyshohet se kanë lidhje me grupin militant, Shteti Islamik. Ata besohet se ishin përfshirë në operacionet e IS-it në nëntë provinca, tha ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, më 29 dhjetor.

    Të dyshuarit po planifikonin të sulmonin kisha dhe sinagoga në Stamboll, tha Yerlikaya përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

    Duke cituar burime të sigurisë, agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, tha se edhe tre të dyshuar të lidhur me 29 të arrestuarit, janë kapur po ashtu gjatë operacionit. Kjo agjenci po ashtu tha se tre pjesëtarë të lartë të IS-it u arrestuan, teksa njëri prej tyre raportohet se po planifikonte një sulm ndaj Ambasadës së Irakut në Ankara.

    Anadolu nuk dha informacione të tjera lidhur me të dyshuarit apo operacionin.
    Autoritetet turke kanë intensifikuar operacionet kundër militantëve të IS-it dhe militantëve kurdë javëve të fundit, pasi militantët kurdë shpërthyen një bombë afër ndërtesave qeveritare në Ankara më 1 tetor./REL

  • 2 mijë raste të reja me kancer u shënuan sivjet dhe u realizuan 50 mijë vizita në Onkologji

    2 mijë raste të reja me kancer u shënuan sivjet dhe u realizuan 50 mijë vizita në Onkologji

    50 mijë vizita onkologjike janë ofruar për pacientët nga muaji janar i vitit 2023 deri më tani në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kurse sipas regjistrit të klinikës ka pasur 2 mijë raste të reja me kancer.

    Në Repartin e kimioterapisë janë përgatitur dhe aplikuar rreth 100 mijë terapi sistemike, tabletare, subkutane dhe intravezikale, njofton SHSKUK.

    “Në repartin e Radioterapisë janë ofruar 31 mijë shërbime ku përfshihen trajtimi i pacientëve me radioterapi eksternale, realizimi i planeve të trajtimit me konturim, simulacione dhe pozicionimet e realizuara nga mjekët, fizikantët mjekësorë dhe teknikët e radioterapisë”.

    Në këtë klinikë po ashtu janë ofruar 2 mijë shërbime të Brakiterapisë, disa prej aplikimeve te brakiterapisë,anë realizuar në bashkëpunim me anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë.

    Shërbimi i Fizikës Mjekësore ka realizuar rreth 11 mijë shërbime përgjatë vitit 2023.

    Gjithashtu, në Llinikë janë realizuar rreth 600 seanca të të trajtimit me fizioterapi dhe 600 shërbime psikologjike nga psikologët klinikë.

    Në klinikë kanë qenë të shtrirë, 820 pacientë.

    Aktualisht, me investim nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me SHSKUK, po zbatohet projekti për rinovim të hapësirave të Klinikës së Onkologjisë, shtoi SHSKUK.

    “Krahas kësaj, klinika këtë vit është furnizuar me aparaturën e dytë të rrezatimit, akseleratorin linear bashkëkohor i cili do të mundësojë dhe trajtimin me metodat më të avancuara të radioterapisë sic është radioterapia stereotaktike. Regjistri i rasteve të paraqitura për herë të parë në klinikën e onkologjisë ka kapur shifrën e 2000 rasteve të reja për vitin 2023, që dëshmon për rritjen progresive të sëmundjeve malinje”.

  • Tahiri: Me Asociacionin Kosova rrezikon të ndahet, Osmani e Kurti për draftin po ia hedhin fajin njëri-tjetrit

    Tahiri: Me Asociacionin Kosova rrezikon të ndahet, Osmani e Kurti për draftin po ia hedhin fajin njëri-tjetrit

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për medie tha se Parlamentin e Kosovës e ka karakterizuar një kaos i vërtetë me dhjetra seanca që kanë dështuar si mungesë e kuorumit, raporton EO.

    Ai tha se partia në pushtet nuk ka votuar një serë rezolutash të propozuar nga kjo parti që do të kishin ndikim në jetën e qytetarëve.

    “Me tri vendime që i kemi kundërshtuar si GP i PDK dhe këto tri vendime e kanë renduar jetën e secilit qytetar të vendit tonë. Kemi kundërshtuar dhe kemi kërkuar shkarkimin e bordit të ZRrE-së që ka rritur çmimet dhe kemi kërkuar një rezolutë përmes së cilës kemi kërkuar që të rishikohet çmimi i energjisë elektrike dhe të zbres çmimi. Fatkeqësisht kjo rezolutë është rrezuar me vota ka GP i VV-së. Çështja e dyte që ka rënduar jetën e qytetarët është edhe rritja e tatimit në prone, ne me rezolutë kemi kërkuar që tatimi në pronë të jetë si në vitin 2022, që një gjë e tillë është rrezuar me vit nga VV-ja. Vendimi i tret që është kundërshtuar nga VV- ja ka qenë heqja e TVSh për produktet bazë”, tha ai.

    “Ju i keni parë edhe së fundit edhe shifrat alarmante nga ambasadat, ajo e Gjermanisë dhe Zvicrës, të largimit të qytetarëve nga vendi si arritje të kostos së jetesës. Kemi kërkuar me rezolutë që të rriten paga e zyrtarëve të Policisë. Mund të them që PK është e vetmja në rajon që nuk ka sigurim shëndetësor, ka qenë një fatkeqësi e madhe që kjo të rrezohet nga VV-ja. Ligjet që i kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese gjatë viti 2023 kanë qenë 6 ligje, dy prejt të cilave kemi marr rezolutat pozitiv dhe katra presim që të marrim përgjigje”.

    “50 për qind e buxhetit dërgohet në katër komunat që qeverisë VV-ja. Nuk mund të diskriminohen ne baza partiake qytetarët e Kosovës, nuk mund të ndahet buxheti ku 50 për qind e buxhetit të shkojë në katër komuna e të tjerat në komunat tjera”.

    “Kapaku i krejt kësaj punë është edhe një kontratë që është angazhimi i Gani Jakupit ku paguhet prej 7 mijë e 500 euro. Ajo që mund ta quajmë pozitive nga viti 2023 është reforma zgjedhore që është udhëhequr nga GP i PDK-së”, tha ai.

    Tahiri ka thënë se Kosova me draft-statutin për Asociacionin rrezikon që të ndahet si Bosnja e Hercegovina, pasi sipas tij, Asociacioni është produkt i negociatave të Albin Kurti tash e dy vjet në Bruksel.

    Ai duke komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani se Qeveria nuk ka marr parasysh propozimin e saj që Kosova ta shkruaj vet draftin, tha se këto komete janë përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë.

    “Themeli i kësaj trupe ekzekutive është një pushte paralel karshi qeverisë së Kosovës. Fatkeqësisht ky është një produkt i negociatave të Albin Kurti tash e dy vite në Bruksel. Asociacioni pikënisjen e ka në vetmenaxhimin e marrëveshje së Ohrit”.

    “Koordinimi mos koordinim mendoj që është një far lloj përpjeke që të i ikin përgjegjësi. Si presidentja edhe kryeministri. Nuk mund mi ik përgjegjësisë as kush, sepse nëse nuk janë marr komente parasysh është dashtë me fol atëherë e jo sot kur e kemi fakt të kryer. Këtë e shoh më shumë një lloj me i ikur përgjegjësi nga ajo që kemi në tavolinë e mos me marr përgjegjësi mbi këtë dokument, komentet e mia nuk janë marr parasysh se sa një angazhim që të mos vijmë deri tekë ky dokument. Ky është dokument i dëmshme që e ndan Kosovës siç e kemi të ndarë Bosnjën. Presidentja e vendi dhe as kush tjetër nuk guxon të i ik përgjegjësisë”, tha ai.

  • Hovenier me mesazh urimi: Normalizimi Kosovë-Serbi mbyllet me njohje reciproke

    Hovenier me mesazh urimi: Normalizimi Kosovë-Serbi mbyllet me njohje reciproke

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka publikuar një video adresim në prag të Vitit të Ri.

    Në këtë prononcim, ai tha se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira, por që ka pasur edhe arritje e shumë përparim, për të cilat tha se duhet festuar.

    Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtara si më parë për partneritet me popullin e Kosovës, teksa tha se me Qeverinë e Kosovës kanë shtyrë përpara qëllimet kryesore.

    Tutje, ai përmendi disa pika kryesore që janë arritur gjatë këtij viti, duke theksuar Gjykatën Komerciale, përfshirja e ShB-së në në programet e artit dhe arsimit si dhe dyfishimin e zotimit për energji të ripërtrishme.

    Ambasadori amerikan ka thënë disa fjalë edhe për dialogun Kosovë-Serbi si një prej çështjeve që ka marrë shumë kohë dhe energji. Ai ka thënë se SHBA pret përparim të njëmend gjatë vitit 2024, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe gjithashtu ka kërkuar nga Kosova që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Hovenier ka thënë se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi përmbyllet me njohje reciproke dhe ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit është hap i madh drejt këtij synimi.

    Hovenier ka uruar lumturi, shëndet e begati në vitin 2024.

  • Isufaj: Urdhërarresti ndaj Radoiçiqit ishte tërhequr për një kohë, më pas iu rikthye – s’mund t’i bëj publike arsyet

    Isufaj: Urdhërarresti ndaj Radoiçiqit ishte tërhequr për një kohë, më pas iu rikthye – s’mund t’i bëj publike arsyet

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radojiçiqit, por thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve.

    Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.

    “Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”.

    “Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiqi – është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për rastet që ne i trajtojmë. Ai s’ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthye”.

    Isufaj ka komentuar edhe deklaratat e ish-prokurorit special, Sylë Hoxha, i cili kishte thënë se ka pasur njerëz që i kanë çuar fjalë për të tërhequr urdhërarrestin ndaj Radojiçiqit.

    “Pyetne atë, pse ai s’ka ndërmarrë. Këtë informacion e kam marr prej mediave. Kurrë s’ma ka thënë mua. Secili që ka mundur t’i thotë diçka ka mundur ta arrestojë”.

    Prokuroria Speciale në vitin 2019 kishte lëshuar udhërarrest për Milan Radoiçiq, i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

    Jsufaj ka deklaruar se nuk është çështje e kryeministrit se kur ngritën aktakuzat e kur pushojnë hetimet.

    Këtë përgjigje Isufaj e ka dhënë të premten në konferencën e fundvitit ku është pyetur për komentet e Kryeministrit Kurti, i cili tha se sistemi i drejtësisë përkundër informatave dhe fakteve s’ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terroristë në Bansjkë.

    “Nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuat i ngrisim kur kryjmë hetimet, kur kemi prova. Nuk mund të na tregojë kurrkush kur duhet të ngrisim aktakuzë e kur duhet të pushojmë hetimet”.

    Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radocicit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq./EO/

  • Palestinezët evakuohen në jug teksa Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

    Palestinezët evakuohen në jug teksa Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

    Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur janë nisur drejt qytetit Rafah në jug ditëve të fundit, kanë thënë Kombet e Bashkuara, përderisa forcat izraelite më 29 dhjetor kanë vazhduar të sulmojnë zonat në Gazën qendrore, duke vrarë dhjetëra persona.

    Ofensiva e paprecedent e Izraelit nga toka dhe ajri kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ka zhvendosur rreth 85 për qind të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, të cilët po kërkojnë strehim në zonat që Izraeli i ka cilësuar si të sigurta, por të cilat janë bombarduar nga ushtria. Kjo ka bërë që palestinezët të mos jenë të sigurt në asnjë pjesë të enklavës së vogël.

    Fushata ushtarake e Izraelit veçse ka rrafshuar pjesë të mëdha në veri të Gazës dhe tani ushtria është përqendruar në zonat në Gazën qendrore, ku avionët izraelitë dhe artileria po sulmojnë kampet e refugjatëve Burej, Nuseirat dhe Magazi, duke shkatërruar ndërtesat, kanë thënë banorët.

    Por, luftimet janë përhapur në shumë zona të Gazës. Në veri, Hamasi ende po lufton me trupat izraelite me një rezistencë të fuqishme. Në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës, Han Junis në jug, ku Izraeli beson se liderët e Hamasit fshihen, po ashtu ka beteja.

    Lufta tashmë ka vrarë mbi 21.300 palestinezë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare, gjë që ka bërë që një e katërta e popullsisë së Gazës të përballet me uri.

    Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe do të lirojë mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal, që kur ai kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Nga këto sulme, u vranë 1.200 persona në Izrael, shumica civilë.

    Zyrtarët e Izraelit kanë refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se një ndalje e luftimeve do të përbënte fitore për Hamasin.

    Të enjten mbrëma, OKB-ja tha se afër 100.000 persona kanë shkuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, gjatë ditëve të fundit.

    Izraeli u ka thënë banorëve në Gazën qendrore që të evakuohen dhe të shkojnë në Rafah dhe në qytetin Deir al-Bala. Por, pavarësisht se ka urdhëruar evakuimin për në Rafah, ky qytet ka qenë cak i sulmeve izraelite.

    Gjatë një sulmi mbrëmjen e së enjtes ndaj një ndërtese banimi, u vranë të paktën 23 persona, thanë zyrtarët e spitalit Al-Kuwaiti, që gjendet aty pranë./REL/

  • Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

    Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

    Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit ushtarëve të rinj të FSK-së, ka premtuar program shtetëror të bazuar në 7 shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve.

    Ajo ka thënë se ky program është realizuar duke u bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e vendit.

    “Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime, të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka listuar Osmani disa nga pikat.

    Pikat tjera kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së

    Tutje përballë 325 ushtarëve të rinj, Osmani ka thënë se janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Jam krenare që ju sot do të mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtarë të FSK-së dhe duke filluar rrugëtimin tuaj plot sfida”, ka deklaruar Osmani.

    E para e vendit ka deklaruar se tashmë besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi janë mishëruar në shërbimin e tyre ndaj vendit

    “Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme, për të fituar të gjitha betejat, në një rajon e botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të duhur profesionale dhe shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.

  • Raporti i KDI-së për punën e partive në Kuvend, Tahiri: AAK-ja subjekti më aktiv

    Raporti i KDI-së për punën e partive në Kuvend, Tahiri: AAK-ja subjekti më aktiv

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar raportin 36 faqësh i monitorimit për punën e Kuvendit të Repulikës së Kosovës nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) me titull “Puna e Kuvendit për vitin 2023”.

    Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se raporti AAK-n e nxjerr në vendin e parë.

    “Ky raport, grupin parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e vendos në vendin e parë si grup parlamentar në mesatarën për deputet në ngritjen e pyetjeve parlamentare në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

    Postimi i plotë:

    Një lajm i mirë për Aleancën!

    Dje, është publikuar raporti 36 faqësh i monitorimit për punën e Kuvendit të Repulikës së Kosovës nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) me titull “Puna e Kuvendit për vitin 2023”.

    Ky raport, grupin parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e vendos në vendin e parë si grup parlamentar në mesatarën për deputet në ngritjen e pyetjeve parlamentare në Kuvend.

    Po ashtu, në kapitullin ku flet për mungesat e deputetëve, AAK-ja është e para nga partitë opozitare me prezencë me 16.2%, apo vetëm 3.8% më pak se grupi parlamentar i VV-së që udhëheq qeverinë. Ndërsa, në raport me liderët e partive opozitare, kryetari Ramush Haradinaj është i pari me prezencë në seanca në kuvend.

    Po ashtu, në aspektin përmbajtjesor, raporti në faqën 15 evidenton rolin e AAK-së në ngritjen e debateve parlamentare duke treguar se “Me kërkesën e 40 deputetëve, nga radhët e partive opozitare, me datën 12 tetor, është thirrur seancë e jashtëzakonshme për trajtimin e një rezolute që synonte të rregullonte ndihmën financiare për Policinë, propozim ky i ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”.

    Një temë që nuk është evidentuar në raport pasi që aktiviteti ka ndodhur në kuvend, por jashtë seancave parlamentare, është fakti se grupi parlamentar i AAK-së gjatë vitit 2023 ka organizuar 10 tryeza tematike me sindikata, shoqëri civile dhe grupe tjera të interesit (shih tabelën e bashkangjitur).

    Jam shumë i kënaqur me ketë vlerësim.

  • Policia e Kosovës shpall në kërkim mbi 160 persona në veri

    Policia e Kosovës shpall në kërkim mbi 160 persona në veri

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim mbi 160 persona për vepra të ndryshme penale në katër komunat e veriut të Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur sot zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

    “Numri i qytetarëve të shpallur në kërkim nga ajo zonë është 165”, ka bërë të ditur Elshani.

    Policia e Kosovës është përballur me sulme të ndryshme gjatë këtij viti në veri të vendit, ku më i rëndi ishte ai i sulmit në Banjskë, ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.

  • Vdekja tragjike e 34-vjeçares nga Gjakova: Flet Prokurori i Shtetit, tregon a ka persona të dyshuar

    Vdekja tragjike e 34-vjeçares nga Gjakova: Flet Prokurori i Shtetit, tregon a ka persona të dyshuar

    Hetimet preliminare për vdekjen e 34-vjeçares nga Gjakova, Artila Kamberi, e cila vdiq të enjten pasi dyshohet kërceu nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’, tashmë kanë nisur dhe Prokurori i Shtetit është në pritje të gjetjeve nga ekzaminimet që janë kryer. Për rastin tashmë janë intervistuar edhe disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe 32-vjeçari që po qëndronte me të ndjerën.

    Prokurori i Shtetit, Armend Hamiti, në një prononcim për Sinjalin ka bërë të ditur se nuk ka të arrestuar dhe deri më tash nuk ka persona që janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.

    Hamiti tha se rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes/ Vetëvrasje” dhe në bazë të rezultateve, do të zbulohen edhe rrethanat e tjera të rastit.

    “Rasti është duke u trajtuar me dyshimet si Hetim i vdekjes/vetëvrasje. Nuk ka persona të arrestuar. S’ka persona të dyshuar lidhur me rastin. Jemi në fazë të hetimeve. Jemi t’u këqyrë, tash po i pres rezultatet, ekspertizat, se a ka najsen tjetër.” – tha ai për Sinjalin.

    Në kuadër të hetimit të rastit, është marrë deklarata e Asdren Begollit, 32-vjeçar nga Peja, i cili ishte bashkë me viktimën në momentin kritik, si dhe dëshmitë e dy personave të tjerë.

    E ndjera ishte e njohur në qytetin e Gjakovës, pasi kishte biznesin e saj privat për shërbime estetike, për çka në të kaluarën ka pasur dhe paraqitje publike në disa prej mediave në vend.