ATV

Category: Lajme

  • Korridoret e reja ajrore, fluturime me të shkurtra, bileta më të lira

    Korridoret e reja ajrore, fluturime me të shkurtra, bileta më të lira

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë pritet të ndikojë pozitivisht veçmas në aspektin kohor dhe koston e fluturimeve nga vendet perëndimore-evropiane për në Kosovë dhe anasjelltas.

    Derisa ekspertë të aviacionit civil theksojnë se korridoret e reja ulin shpenzimet operuese dhe ato të trafikut ajror, agjencitë presin reflektim në çmimin e biletave.

    Krahas aspekteve tjera, shkurtimi i rrugëve ajrore pritet të rezultojë edhe në shtimin e avio-kompanive operuese, linjave të reja dhe atyre direke, nga dhe për në Aeroportin e Prishtinës.

    Fluturimet në rrugët ajrore të Shqipërisë do të mundësohen përmes dy pikave të navigimit, Arbër dhe Kukad, në kufirin ndërmjet dy shteteve.

    Funksionalizimi i pikave që do të përdoren për udhëzime dhe koordinim të fluturimeve komerciale, vjen tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.

  • Gjykata shtyn seancën, avokatët e Berishës nuk dorëzuan kërkesën sot

    Gjykata shtyn seancën, avokatët e Berishës nuk dorëzuan kërkesën sot

    Megjithëse Gjykata e Posaçme shtyu seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha një ditë më parë, në mënyrë që avokatët të dorëzojnë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares, këta të fundit nuk kanë dorëzuar asnjë kërkesë as sot.

    Pas tre seancash ku u dëgjuan të gjithë, SPAK që kërkon arrest shtëpiak dhe avokatët që kërkojnë refuzim të prokurorisë, gjykata nuk mundi të shpallë një vendim ndaj ish-kryeministrit as dje, duke e shtyrë për ditën e nesërme.

    Zyra e shtypit njoftoi se vendimi që duhej dhënë të enjten do të shpallet më 30 dhjetor 12:00 që besohet se do të jetë dita kur do të merret një vendim final për kërkesën e SPAK-ut.

    Avokatët kërkuan sërish dje përjashtimin e Irena Gjokës nga çështja që duhej dorëzuar me shkresa dhe jo verbalisht.

    Parlamenti e dha një javë më parë autorizimin. Ndërkohë që mbrojtja pasi dëgjoi SPAK-un duket se po luan me njërën nga kartat, që është koha. Megjithatë ky moment është ndryshe pasi gjykata nuk është e kushtëzuar nga afati pesë ditor ku gjendej në fillim, atëherë kur kërkoi të pyetej Berisha pasi kishte vendosur detyrim paraqitjeje në mungesë.

    Sidoqoftë SPAK-u ka thënë fjalën, arrest shtëpiak në adresën e deklaruar, që do të thotë mbikëqyrje policore dhe ndalim për të komunikuar me të tjerë përpos familjes. /tch

  • Certifikohen edhe 325 ushtarë të rinj, pamje nga ceremonia e betimit

    Certifikohen edhe 325 ushtarë të rinj, pamje nga ceremonia e betimit

    Gjatë ditës së sotme, Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 325 rekrutë të rinj, për të cilën janë betuar në mbrojtje të atdheut.

    Me këtë rast, në ceremoninë e certifikimit Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se është do të propozojë një program shtetëror për avancimin e statusit të ushtarëve dhe përmirësimin e gjendjes së tyre sociale.

    Ndërsa Kryeministri Albin Kurti, tha se ushtarët e rinj do të nisin detyrën për t’i shërbyer atdheut në mbrojtje dhe ruajtje të paqes.

    Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi nga ceremonia e betimit:

     

  • “This Barbie is the President”, fraza e Osmanit iu bie në sy edhe mediave ndërkombëtare

    “This Barbie is the President”, fraza e Osmanit iu bie në sy edhe mediave ndërkombëtare

    Presidentja bëhet lidhja e dytë e Kosovës me filmin e suksesshëm të Hollywood.

    Fraza e fundit me të cilën përmbylli fjalimin para gazetarëve në fundvit presidentja Vjosa Osmani ishte një e shkëputur nga filmi i famshëm i këtij viti “Barbie”.

    Për këtë Osmani mori vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

    Një artikull për këtë e ka shkruar media amerikane “Politico”, përcjell Express.

    Me një xhaketë sportive rozë të ndezur të mërkurën, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte një mesazh për të mbyllur një konferencë për shtyp për gazetarët, shkruan ky medium.

    “Kjo Barbie është Presidente”, tha ajo, duke bërë shenjë me veten ndërsa dhoma shpërtheu në duartrokitje.

    Osmani – e cila u zgjodh si presidentja e dytë femër e Kosovës në vitin 2021 – ka qenë një avokate e barazisë gjinore në vendin e vogël ballkanik, duke folur kundër dhunës ndaj grave dhe duke kryesuar kabinetin më të barabartë gjinor në historinë e Kosovës.

    “Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë apo politikë, gratë kanë treguar se janë të afta të arrijnë majat e suksesit… Për të gjitha gratë dhe vajzat e republikës, sot dhe çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por më e rëndësishmja, kurrë mos ndaloni së besuari”, tha Osmani në një deklaratë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtë vit.

    Barbie, filmi kryesor i Hollywoodit i verës 2023, ka një tjetër lidhje befasuese me Prishtinën. Filmi përfshin një skenë të këngëtares angleze dhe shqiptare Dua Lipa, e cila u emërua Ambasadore Barbie — më falni, ambasadore nderi — e Kosovës në vitin 2022.

    Aktualisht nuk ka ndonjë të dhënë nëse Barbieland e njeh Kosovën, përmbyll artikullin Politico.

  • OKB i kërkon Rusisë të ndalojë “menjëherë” sulmet në Ukrainë

    OKB i kërkon Rusisë të ndalojë “menjëherë” sulmet në Ukrainë

    Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk dënoi të premten valën vdekjeprurëse të sulmeve ruse në të gjithë Ukrainën dhe i kërkoi Moskës që të ndërpresë sulmet “menjëherë”.

    Rusia nisi sulme me dronë dhe raketa duke vrarë më shumë se 18 njerëz dhe duke plagosur më shumë se njëqind, në një nga sulmet më të mëdha ajrore.

    “Jam i tronditur nga një valë e re e sulmeve të koordinuara me raketa dhe me dronë nga Federata Ruse në Ukrainë gjatë natës”, tha Turk në një deklaratë.

    Sulmet goditën ndërtesat e banimit, një maternitet, shkolla, kopshte, parqe, një stacion metroje dhe një qendër tregtare, si dhe infrastrukturën energjetike, theksoi ai.

    Sulmet gjithashtu ndërprenë energjinë elektrike në disa rajone, pas dëmtimit të linjave të transmetimit dhe ekipet e shpëtimit kërkonin njerëzit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të banimit, shtoi Turk.

    “E drejta ndërkombëtare humanitare ndalon në mënyrë eksplicite sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile, dhe sulmet pa dallim, në çdo rrethanë,” tha ai.

    “I bëj thirrje përsëri Federatës Ruse që të ndërpresë menjëherë sulmet e saj në Ukrainë dhe të respektojë të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me zhvillimin e luftimeve”, tha Turk.

    Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL/

  • KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

    KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

    KEDS dhe KESCO njoftojnë të gjithë konsumatorët se aktualisht furnizimi me energji elektrike në Kosovë është stabil.

    Përgjatë tërë verës janë realizuar mirëmbajtje te nevojshme dhe qindra projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm, sidomos përgjatë dimrit, kur kërkesat për energji elektrike janë më të mëdha.

    Meqë ndodhemi në prag të Vitit të Ri, janë paracaktuar mbi 400 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion të përkujdesen që konsumatorët të festojnë më drita.

    Përveç punimeve të planifikuara, KEDS-i ka punuar dhe punon vazhdimisht në mirëmbajtjen preventivt të rrjetit elektrik, me qëllim që të gjithë konsumatorët tanë të kenë furnizim stabil me energji elektrike.

    Megjithatë, furnizimi pa ndërprerje për qytetin e Malishevës mbetet ende sfidues, sepse, njëjtë siç kemi informuar edhe më parë, për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve transmitive të tensionit të lartë mund të shkaktohen mbingarkesa. Probleme të njëjta mund të kemi edhe në disa lokacione të kufizuara të qytetit të Ferizajit.

    Pavarësisht parapërgatitjeve të duhura e me kohë të bëra nga KEDS-i për furnizim të qëndrueshëm gjatë festave të fundvitit, respektivisht përgjatë dimrit, krahas një urimi të përzemërt për Vitin e Ri 2024, ju bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, sepse, duke qenë kështu, përveçse nuk shkaktohet ngarkesë e madhe në rrjet, energjia elektrike shpërndahet tek të gjithë dhe në mënyrë lineare.

  • Studentët bllokojnë për 24 orë qendrën e Beogradit, kërkojnë hapjen e listës së votuesve

    Studentët bllokojnë për 24 orë qendrën e Beogradit, kërkojnë hapjen e listës së votuesve

    Studentët filluan më 29 dhjetor një bllokadë 24-orëshe të kryqëzimit të rrugëve në qendër të Beogradit, duke protestuar pas akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe duke kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.

    Ky lokacion është një nga më të ngarkuarit në kryeqytetin e Serbisë.

    Ata po bllokojnë kryqëzimin e rrugëve Birçaninova dhe Kneza Millosha, në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.

    Siç raportoi një gazetar i Radios Evropa e Lirë (RSE), policia rrugore po rregullon trafikun në një zonë dhe po shmang automjetet.
    Rruga Kneza Milosha është një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet.

    Një nga organizatorët, Ivan Bjelic, duke folur me megafon, tha se automjetet e ambulancës do të lejohen të qarkullojnë gjatë bllokadës.

    Ai paralajmëroi një program muzikor gjatë bllokadës si dhe ngritjen e një kampi me tenda.

    Siç njoftuan më herët, bllokada do të zgjasë 24 orë – deri të shtunën e 30 dhjetorit në mesditë – kur planifikojnë t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.

    Kjo është vetëm një nga protestat e studentëve. Të fundit u mbajtën më 27 dhjetor përballë Fakultetit Filozofik.

    Atë ditë ata kanë përsëritur zyrtarisht kërkesën e tyre për hapjen e listës zgjedhore për të përcaktuar nëse ka parregullsi në të.

    Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje në zgjedhje duke regjistruar në adresat e Beogradit votuesit e saj nga Serbia dhe jashtë vendit.

    Dyshime për rregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

    Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë./REL/

  • ​Ushtarët italianë të KFOR-it do të mbajnë stërvitje pranë Zubin Potokut

    ​Ushtarët italianë të KFOR-it do të mbajnë stërvitje pranë Zubin Potokut

    Ushtarë italianë të caktuar në misionin e NATO-së në Kosovë KFOR, Ekipi Komanda-Lindje (RC-East), do të kryejë kërkesat vjetore të trajnimit amfib në Digën e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, më 30 dhjetor 2023.

    Aktiviteti stërvitor do të përfshijë ushtarë nga ushtria italiane dhe anije italiane me qëllim që të plotësojnë kërkesat e specifikuara të trajnimit të njësisë, thuhet në njoftim.

    KFOR-i është një mision paqeruajtës i udhëhequr nga NATO, i përbërë nga pjesëtarë të shërbimit nga 27 vende dhe synon të krijojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, duke ofruar paqe dhe stabilitetin në rajon.

  • ​Dy qytetarë në Viti gjejnë një kuletë me mbi një mijë euro, e dorëzuan në polici

    ​Dy qytetarë në Viti gjejnë një kuletë me mbi një mijë euro, e dorëzuan në polici

    Dy qytetarë në Viti pasi gjeten një kuletë në të cilën kishte edhe mbi një mijë euro para, kanë bërë një veprim ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare duke e dorëzuar atë në polici. Ndërsa, policia ka identifikuar personin që i kishte humbur portofolio, dhe të njëjtit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer.

    “Sot (e premte) rreth orës 12:00 kanë ardhur në Stacionin Policor në Viti dy qytetarë dhe deklarojë se në rrugën “Adem Jashari” në Viti kanë gjetur një portofol me 1030 euro si dhe dokumente personale. Policia nëpërmjet rrugëve operative ka arrit me e identifikuar personin që i kishte humbur portofolio, dhe të njëjtit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer, ku me rastin e kthimit të pranishëm ishte edhe qytetaret që e kishin gjetur portofolin”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas raportit, pronari i kuletës falënderoi policinë dhe palët qe i kanë kthyer portofolion.

  • Ish-ambasadori holandez shkruan për vdekjen Dick Martyt: E mori të vërtetën në varr

    Ish-ambasadori holandez shkruan për vdekjen Dick Martyt: E mori të vërtetën në varr

    Dje është njoftuar se Dick Marty, ish-senator zviceran dhe autor i raportit mbi dyshimet për trafikim të organeve nga UÇK-ja, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

    Në lidhje me këtë temë, ka shkruar Robert Bosch, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë.

    Në shkrimin e tij, Bosch ka shkruar se është pikëlluese të lexosh këtë, për shkak se Marty e ka marrë të vërtetën e tij në varr.

    Më tutje, ai ka përmendur edhe faktin që Marty gjatë një interviste kishte deklaruar se shërbimi sekret serb kishte ofruar para për ta vrarë atë dhe për t’ia lënë fajin shqiptarëve.

    “Kohë më parë, Marty në një intervistë për mediat zvicerane tha se shërbimet sekrete serbe po ofrojnë para për ta vrarë dhe më pas për t’ua lënë fajin shqiptarëve”, ka shkruar ai në “Facebook”.