ATV

Category: Lajme

  • Më 2024, synohet zgjidhja e problemeve të vjetra në veri

    Më 2024, synohet zgjidhja e problemeve të vjetra në veri

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku, ishin cak i Policisë për kryerjen e shumë aksioneve, gjatë vitit 2023.

    “Ka ardhë koha që ne të veprojmë – kemi vepru. Sfidat kanë qenë të mëdha. Rasti në Banjskë, vrasja e Afrimit. Sulmet me armë. Bllokadat. Ka pasë shumë aktivitete. Por duhet të pasqyrohen në raport të veçantë”, tha zëvendësdrejtori i stacionit të Policisë në Veri, Veton Elshani.

    Kështu, niveli i sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, sipas zëvendësdrejtorit të policisë, ka arritur në fazë ku nuk mund të ketë kthim prapa.

    “Mund të them se asnjëherë nuk ka qenë më në kontroll. Këtë e kemi pa në praktikë. Ndryshe ka qenë në nëntor të vitit të kalum dhe në prill të këtij viti. Ndryshe është sot. Tash mund të dalësh me makinë dhe lëviz kudo në veri”, tha Elshani.

    Për të arritur në këtë pikë, një moment konsiderohet pikë e vërtetë kthese – aksioni në Banjsjkë.

    “Konsideroj që nëse flasim me matematikë: 10 për qind kanë ndiku veprimet para Banjskës, dhe 90 për qind ka ndiku reagimi në Banjskë, në kthesën për kontroll. Banjska e ka pasë viktimën, po mënyra e reagimit tonë, ka tregu se jemi të vendosur, nuk do të thotë që nuk munden me na dëmtu, por ne jemi të vendosur në rrugën tonë”, tha Elshani.

    “29 maj. Nuk duhet me e harru këtë datë. Sepse gjithçka filloi aty e kulmoi më 24 shtator. Prej asaj dite dhe tani ku po flasim, është arritur një qetësi”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, vlerësohet se ende kanë mbetur punë të pakryera.

    “Ne kemi sfida të tjera. Kemi banesa të uzurpume, të cilat duhet me u liru me abitat. Ura psh: është simbol i ndarjes, nuk ka asnjë arsye me qenë ashtu”, tha Elshani.

    “Në 2024 pres që në veri të shtrihen edhe institucionet e tjera siç është edhe ARBK-ja, regjistrimet e bizneseve, njerëzit duhet të fillojnë të paguajnë taksa, ujë rrymë…”, tha Elshani.

    Asgjë nuk do jetë siç ka qenë. Organet tona janë konsolidu. Kanë kapacitete për veprim në çdo kohë e çdo vend, për arsye sepse e mbrojnë”, tha Dashevci.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian është në pritje të një raporti përfundimtar të institucioneve të Kosovës, lidhur me hetimet për sulmin terrorist në Banjskë.

  • Qytetarët nuk pajtohen me vendosjen e shenjave para ndërtimit të urës

    Qytetarët nuk pajtohen me vendosjen e shenjave para ndërtimit të urës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Projekti për të cilin qytetarët e Vitisë pritën gjatë, nuk iu doli siç e prisnin.

    Duke thënë se kjo është krejt e pakuptimtë, qytetarët frikësohen për fëmijët e tyre të cilët nëse ndjekin shenjat rrugore mund t’iu ndodhë ndonjë tragjedi.

    “Këtu s’ka as trotuar në pjesën tjetër është rrezik…”, tha Mihane Behxheti, qytetare.

    Pavarësisht kësaj, vitiasit shprehen optimistë se kjo do të rregullohet shumë shpejt.

    “Normal është pak rrezik, por ia kanë filluar të rregullojnë, shpresoj që edhe kjo të rregullohet”, tha Ekrem Ismaili, qytetar.

    Sipas asamblistit të PDK-së, Taulant Haxhiu, aty ishte planifikuar ndërtimi i një ure.

    Sidoqoftë, Haxhiu thotë se vendosja e shenjave para ndërtimit të urës për këmbësorë nuk arsyetohet.

    “Këtu kanë pasë qëllim që me bo qarkullimin në të dy kahet, por faji kryesor është tek inxhinieri dhe komuna, sepse kjo është krejt e pakuptimtë…”, tha Haxhiu.

    Por, kjo nuk është hera e parë me probleme të tilla në Viti.

    2 vjet më parë, semaforët në udhëkryqin Viti – Pozheran, ishte vendosur gabimisht, të cilët më pas u rregulluan.

  • Serbia e kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Serbia e kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ta mbrojnë shtetin e Serbisë nuk duan as ata që paguhen për këtë. Sipas të dhënave të Sindikatës së Ushtrisë së Serbisë, rreth 12 mijë profesionistë janë larguar nga ky institucion për shkak të kushteve, derisa mosha mesatare e ushtrisë serbe është 44 vjet.

    Këto të dhëna u publikuan në mediat serbe, pas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë që i propozoi presidentit Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.

    Një gjë e tillë ishte pezulluar tash e 13 vjet e sipas Ministrisë së Mbrojtjes, atje ushtria ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë. Ambiciet e shtetit serb për të shtuar numrin e ushtarëve ngjallën reagime edhe në Kosovë.

    “I kanë ble pajisjet e armatimin, por nuk kanë kapacitete njerëzore. Ata deklarojnë ndryshe në kuptim të vlerësimit të rreziqeve…, por realiteti lidhet me Kosovën dhe rajonin në përgjithësi me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën në veçanti”, tha Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.

    “Ky kontingjent që dalin në rrugë e protestojnë se janë të pakënaqur me sistemin social ekonomik e me perspektivën brenda vendit dëshiron t’i mbyllë ku edhe i disiplinon dhe i ushqen me frymën e patriotizmit”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

    Por shtimi i numrit të ushtarëve serbë nuk ka efekt në çështjet e sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës.

    “Kurrë Serbia nuk do ta shuajë ambicien e Kosovës… nesër me na gjet të papërgatitur na sulmon.. çka është detyrë e jona, nuk është preokupimi pse ata po e bëjnë detyrimin apo e rritin kapacitetin, se kjo është koncept komunist, sepse nuk e ka efektin, preokupimi ynë është ngritja e kapaciteteve ushtarake profesioniste që i kemi në plan”, tha Berisha.

    “Nuk ka kurrfarë efekti në çështje të sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës, kurrë pa dashtë me shmang atë që Serbisë nuk i shuhet ambicia për Kosovën. E jona është që t’i ngremë standardet dhe kapacitetet dhe do të shihet që Serbia nuk paraqet rrezik.”

    Serbia ka pothuajse 22 mijë e 500 ushtarë aktivë, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka vite që nuk ka publikuar të dhëna të sakta, edhe pse është e obliguar ta bëjë.

  • Tenderi 2.6 milionësh i “bllokuar”, MPB ja me procedurë emergjente bleu targa

    Tenderi 2.6 milionësh i “bllokuar”, MPB ja me procedurë emergjente bleu targa

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Derisa, tenderi 2 milionësh i Ministrisë së Punëve të Brendshme për “Furnizim me targa të automjeteve” nuk u nënshkrua as pas një viti, kjo ministri me procedurë emergjente ka blerë targa në vlerë 270 mijë euro.

    Urgjenca për blerjen e targave erdhi edhe pas interesimit të madh të qytetarëve serbë për t’i konvertuar ato ilegale në RKS.

    “Agjencia për Regjistrim Civil ka njoftuar se ka nevojë për targa shtesë dhe është e nevojshme të zhvillohet kjo procedurë e furnizimit emergjent, në mënyrë që të kemi mundësi t’i mbulojmë kërkesat e qytetarëve, sidomos për riregjistrimin e automjeteve me tabela serbe të qyteteve të Kosovës në ato RKS, për rajonin 02, deri në përzgjedhjen e kontraktuesit, sipas procedurës së hapur të prokurimit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

    Aktualisht qytetarët i kanë në dispozicion rreth 30 mijë palë targa.

    “Numri i targave për regjistrimin e automjeteve në dispozicion është: 27.956 palë targa RKS, por nga kjo sasi 5.393 palë targa për regjionin 02, janë me kontratë emergjente”, thuhet më tej në njoftimin e MPB-së.

    Teksa kritikoi Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe Autoritetet Kontraktuese për zvarritjen e tenderëve me procedurë të hapur, avokati Qëndrim Arifi nuk preferon këtë formë të cilën e ka ndjekur MPB-ja në këtë rast.

    “Herë me qëllim e herë pa qëllim, OSHP-ja dhe Autoritetet Kontraktuese i zvarrisin tenderët, ndërkohë procedurat ku kërkohet furnizim emergjent, pra janë të mbyllura dhe nuk janë aspak të preferuara, sepse nuk janë as transparente”, tha Arifi.

    Ministria e Punëve të Brendshme hapi thirrjen për tender për furnizim me targat e automjeteve në dhjetor të vitit 2022. Teksa, vlera e parashikuar e tenderit është 2.6 milionë, MPB-ja planifikonte blerjen e mbi 320 mijë palë targash të ndryshme.

  • Kurti, Konjufca e Haxhiu dënojnë rrahjen brutale të politikanit serb

    Kurti, Konjufca e Haxhiu dënojnë rrahjen brutale të politikanit serb

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Homazhet te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz, politikanit serb Nikola Sanduloviqit i kushtuan me arrestim dhe maltretim.

    Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, publikoi vendimin e autoriteteve serbe ku thuhet se ai akuzohet për kryerje të veprës penale të urrejtjes kombëtare, racore e fetare.

    “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari Nikola Sanduloviq ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, dhe impotencës, në atë mënyrë që përmes rrjetit social X publikoi një përmbajtje në formë të videos, ku bën homazhe te varret në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz”, thuhet në arsyetimin e autoriteteve serbe.

    Ish-kandidati për president të Serbisë, është i vetmi politikan serb që ishte në Prekaz për t’i nderuar anëtarët e familjes Jashari, të cilët u vranë pikërisht nga forcat serbe në vitin 1998.

    Nikolla Sanduloviq, sipas avokatit, është ndaluar nga BIA dhe është rrahur brutalisht, derisa ka pasur raportime se ai është paralizuar. Për rrahjen e politikanit serb reagoi edhe kryeministri Albin Kurti.
    “Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai, gjithashtu, përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me Putinin ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, ka shkruar Kurti.

    Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar ta dënojnë aktin.

    “I bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike, që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, ka shkruar Konjufca.

    “Serbia është ende në vitet e ‘90-ta dhe larg normalizimit të saj. Atje rrihet i vetmi opozitar dhe tentohet të eliminohet vetëm se e pranon të vërtetën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Haxhiut.

    Kjo nuk është hera e parë që Nikola Sanduloviq, politikan i cili përkrah shtetësinë e Kosovës, është në prag të vdekjes. Ai edhe ishte helmuar dy vjet më parë. Sanduloviq, mes tjerash, është ndër figurat e pakta në Serbi që e përkrahin hapur pavarësinë e Kosovës.

  • Ambasadori francez: Shembulli i targave të ndiqet edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera

    Ambasadori francez: Shembulli i targave të ndiqet edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera

    Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, ka reaguar pasi Kosova dhe Serbia tashmë po lejojnë veturat me tabela shtetërore të qarkullojnë nëpër të dy vendet.

    Guerot ka thënë se tashmë s’ka nevojë për stikersa në targat e automjeteve kosovare dhe serbe.

    Diplomati francez ka thënë se kjo është një mënyrë e mirë për të nisur vitin, duke ua lehtësuar jetën qytetarëve në të dy vendet.

    Ai tutje ka thënë se ky është një shembull që duhet ndjekur edhe për zbatimin e marrëveshjeve të tjera.

    “Një shembull i mirë për t’u ndjekur për zbatimin e marrëveshjeve të tjera”, ka shkruar Guerot.

  • Kamioni e shkel për vdekje një këmbësor në Vushtrri dhe ikë nga vendi i ngjarjes

    Kamioni e shkel për vdekje një këmbësor në Vushtrri dhe ikë nga vendi i ngjarjes

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak qasteve në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, ku dyshohet se një person është goditur për vdekje nga një shofer që po drejtonte kamionin.

    Siç mëson Sinjali, shoferi që shkaktoi aksidentin ka ikur nga vendi i ngjarjes.

    Lajmi për Sinjalin është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Rreth orës 16:44 është raportuar për një aksident trafiku me pasojë fataliteti i shkatuar në rrugën nacionale Mitrovicë- Prishtinë segmenti rrugor në fshatin Maxhunaj. Nga informatat e para dyshohet që një kamion në lëvizje ka goditur këmbësorin (viktimën) m /k/sh, rreth 56 vjecar, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Kamioni i cili shaktuar aksidentin ka ikur nga vendi i ngjarjes. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojn hetimet për aksidentin.

  • Kirby: Qëndrimi i administratës së Bidenit ndaj Ballkanit nuk ka ndryshuar

    Kirby: Qëndrimi i administratës së Bidenit ndaj Ballkanit nuk ka ndryshuar

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, ka thënë se qasja e Uashingtonit, konkretisht administratës së presidentit Joe Biden, ndaj Evropës e rajonit të Ballkanit nuk ka ndryshuar.

    Këto komente Kirby i bëri në përgjigje të një pyetje si reagim, mbi një artikull të gazetës “Washington Post”, ku thuhet se Bideni ndoqi politikën e “mbështetjes së presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiq në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia”.

    “Ky qëndrim duket gjithnjë e më shumë si një dështim”, thuhet në artikullin e “Washington Post”.

    Kirby nuk bëri komente të mëtejshme kur u pyet nga “Zeri i Amerikës”.

    Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.

  • Reçica: Nuk po ikin vetëm ata me pagë të ulët, por edhe ata që po paguhen mirë – diçka nuk është duke funksionuar në Kosovë

    Reçica: Nuk po ikin vetëm ata me pagë të ulët, por edhe ata që po paguhen mirë – diçka nuk është duke funksionuar në Kosovë

    Ish ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emisionin A LIVE në ATV, tha se ka tendencë të ikjeve nga Kosova edhe të qytetarëve që paguhen mirë dhe kanë një ekonomi familjare solide.

    “Unë mendoj që problemin e ikjes së fuqisë punëtore duhet analizuar bukur thellë sepse nuk janë duke ikur vetëm ata që nuk kanë kushte të punës, nuk janë duke ikur vetëm fuqia punëtore që ka një pagë të ulët dhe nuk arrin ta mbulojë shportën familjare. Ta kemi parasysh, nga Kosova ka tendencë të ikjes edhe nga njerëz që paguhen mirë, edhe të njerëzve që e kanë një ekonomi solide dhe arsyeja qëndron dhe diskutimi duhet nënvizuar, përse kjo tendencë e qytetarëve të Kosovës, ku është shoqëria e jonë, ku është Qeveria e jonë, çka është kah bën, pse nuk po arrin ta bindë qytetarin, i cili ka një mirëqenie dhe që ka qëllimin të ikë nga ky vend”, tha Reçica.

    Ai tha se përkundër se bizneset janë ballafaquar me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, një numër i madh i qytetarëve të përgatitur akademikisht vazhdojnë të jenë të regjistruar si të papunë.

    “Kur ta bësh një analizë, mirë që këta të rinj kanë një përgatitje akademike, kanë një përgatitje profesionale dhe janë të denjët për tregun evropian. Por në anën tjetër, ku jemi ne si Kosovë, ku është ekonomia e Kosovës, ku janë bizneset e Kosovës. Unë për këtë mund të marr edhe shembuj nga eksperienca e ime profesionale sepse unë kam drejtuar për një kohë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe që nga atëherë e di që bizneset ballafaqohen me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar në njërën anë dhe në anën tjetër ne kemi pasur qytetarë të Kosovës, të përgatitur akademikisht dhe kanë qenë të regjistruar si të papunë. Në fakt po të behet një analizë në njërën anë bizneset që tanë kohën nuk kanë fuqi punëtore dhe tjetrën anë kemi pasur një numër që besoj është edhe tani i regjistruar si të papunë diçka këtu nuk ka funksionuar dhe nuk është duke funksionuar”, vlerësoi ish-ministri Reçica.

    Sipas tij, Kosova edhe para liberalizimit të vizave, ka pasur probleme me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

    “Këtyre ditëve, por edhe para se të futej në fuqi vendimi për lirinë e lëvizjes, janë bërë shumë debate, janë ngritur shumë çështje, janë ngritur shumë diskutime se do të ikin qytetarët e Kosovës, do të ketë mungesë së fuqisë punëtore, do të ketë mungesë të konsumit. Në fakt duhet të analizohet pak më thellë. Ne jemi dëshmitar që në Kosovë tashmë një kohë kemi mungesë të fuqisë punëtore. Cilës fuqi punëtore, fuqisë punëtore të kualifikuar. Ne jemi dëshmitarë që viteve të fundit në përgjithësi, ka pasur një lëvizje të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar, kemi pasur rastin në fuqinë punëtore të kualifikuar në fushën e mjekësisë, pastaj në fushën e IT-së dhe në fushate tjera të cilat i ka konsumuar tregu evropian”, tha Reçica. /atvlive.tv

  • Pronarja e një dyqani në Iran dënohet me dy vjet burgim, pasi u fotografua pa shami

    Pronarja e një dyqani në Iran dënohet me dy vjet burgim, pasi u fotografua pa shami

    Pronarja e një dyqani në Iran është dënuar me dy vjet burgim, për shkak se kishte publikuar fotografi pa shami në kokë, tha të premten rrjeti amerikan për të drejtat e njeriut, HRANA.

    Sipas HRANA, Zeinab Khenyab Pour ishte dënuar në fillim të dhjetorit me tre muaj burgim, në një rast tjetër për “propagandë kundër shtetit”.

    Zeinab, e cila vjen nga jugperëndimi i Iranit, kishte tërhequr vëmendje të madhe gjatë protestave gjithëkombëtare, kur autoritetet ia kishin mbyllur dyqanin.

    Në shtator 2022, vdekja e gruas së re kurde, Mahsa Amini, nxiti protestat më të mëdha në historinë e Republikës Islamike.

    Për disa muaj rresht, të rinjtë dolën nëpër rrugë për të demonstruar kundër sundimit islamik.

    Amini vdiq në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, ku po mbahej pasi ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

    Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë.

    Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara./REL/

    Talibanët arrestojnë gratë për “hixhab të keq”