ATV

Category: Lajme

  • Koreja e Jugut e miraton ligjin që e ndalon tregtinë e mishit të qenit

    Koreja e Jugut e miraton ligjin që e ndalon tregtinë e mishit të qenit

    Koreja e Jugut e ka kaluar një ligj të ri, i cili synon që deri në vitin 2027 ta ndalojë plotësisht prerjen dhe shitjen e qenve për mishin e tyre.

    Ky ligj ka për qëllim t’i japë fund traditës shekullore të ngrënies së mishit të qenit.

    Sipas ligjit të ri, ndalohet rritja apo therja e qenve për ngrënie, njëlloj siç nuk lejohet as shpërndarja apo shitja e mishit të tyre.

    Kushdo që shpallet fajtor për një vepër të tillë, mund të përfundojë në burg.

    Sondazhet e fundit kanë treguar se më shumë njerëz tani dëshirojnë që ai të ndalohet dhe shumica e jugkoreanëve nuk hanë më mish qeni.

    Megjithatë, sondazhet gjithashtu tregojnë se një në çdo tre jugkoreanë akoma e kundërshtojnë ndalimin e mishit të qenit, edhe pse nuk e hanë atë.

    Të martën, Parlamenti jugkorean e kaloi ligjin me 208 vota për dhe asnjë kundër.

    Qeveria e presidentit Yoon Suk Yeol e mbështet ndalimin e mishit të qenit, prandaj kalimi i ligjit ishte formalitet.

    “Ky ligj synon të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave të të drejtave të kafshëve, të cilat nënkuptojnë respekt për jetën dhe një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në legjislacion.

    Ky ligj i ka zemëruar dhe nevrikosur shumë bujqit.

    “Kjo është një shkelje e qartë nga shteti, sepse ata po na e cenojnë lirinë e zgjedhjes së profesionit. Ne nuk mund të rrimë duarkryq”, tha Son Won Hak, bujk dhe lider i Shoqatës së Bujqve në Korenë e Jugut.

    Ai njoftoi se bujqit do të dërgojnë një peticion në Gjykatën Kushtetuese dhe do të protestojnë. Ata do të takohen të mërkurën për të biseduar për hapat e ardhshëm, shtoi ai./REL/

  • “Sulmet e mundshme nga Serbia”, Haziri: Kamuflim i krerëve për t’i mbuluar dështimet e brendshme

    “Sulmet e mundshme nga Serbia”, Haziri: Kamuflim i krerëve për t’i mbuluar dështimet e brendshme

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë për Ekonomia Online se deklaratat e krerëve të shtetit për sulm të ri nga Serbia është farsë për t’i mbuluar dështimet e brendshme që i ka Kosova, ndonëse e quan vend destabilizues në Ballkan.

    Në këtë intervistë, Haziri ka deklaruar se zanafilla në rastin e Banjskës e ka bojkotin e zyrtarëve serbe dhe protestat e dhunshme.

    I dyti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se deklaratat e Osmanit dhe të Kurtit janë pjesë e një përpjekjeje për manipulim dhe për të shpërndarë vëmendjen e publikut nga problemet e tjera, me të cilat po përballet vendi.

    “Përderisa nuk kemi marrëdhënie të normalizuara me Serbinë si i vetmi problem i hapur që Kosova e ka dhe problemi më i madh në Ballkanin perëndimor gjithmonë është një kërcënim destabilizues si burim që vjen prej Serbisë. Rasti i fshatit Banjska në Leposaviq që ka sponsor si Serbia që jo vetëm që mbështesin akte të tilla por edhe strehojnë, por Kosova gjithmonë ka bërë dallimin më e përpjek për paqe”, ka thënë Haziri.

    “Kur harxhohen mjetet tjera, kryengritjet kanë qenë legjitime por edhe të flasësh pas 24 viteve pas fitores së luftës së madhe çlirimtare edhe të rezistencës paqësore që e kemi pas përmes NATO-s këtë rast, për luftë është më shumë më kamuflua probleme të brendshme, është mbi fatkeqësitë që ka Mitrovica si komunë amë me krejt regjionin e vet deri në kufi me Serbinë, kjo më së shumti frikëson njerëzit në mërgim, investitorët e edhe bizneset sepse kur përmend çdo ditë luftë sikur ajo që thuhet se ‘çka i lutesh zotit mundet edhe me ta dhanë’”, u shpreh tutje Haziri.

    Haziri ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë, zanafillën e ka nga bojkoti i zyrtarëve serb dhe nga protestat e dhunshme në fillim vitin e kaluar. Ai thotë se fillimisht, bashkësia ndërkombëtare i legjitimoi këto protesta por që më vonë rezultuan në dhunë.

    “Rebelimi, kryengritja duke krijuar rrethana të reja, kontrolle mbi territorin, kanë kopjuar diçka nga e kaluara e shqiptarëve të Kosovës, sepse nëse e kujtojmë ata kanë filluar me rezistenca paqësore protesta bllokim rrugësh, rezistencë që bashkësia ndërkombëtare filloi me i ‘legjitimua’, për shkak të kërkesave politike, bojkoti, ne nuk jemi larguar me 3 shtator kur kemi bërë protestë në atë kohë, e këta nuk mundën me e mbajte më shumë se 6 muaj, sepse rezistencë nga janari deri në gusht degjeneroi në dhunë, sulmuan KFOR-in, njësinë hungareze e tjerat e filluan me u radaikalizu dhe në shtator ndodhi ataku terrorist të cilët u zënë në kurth sepse u parandalua u eliminuan, sepse ata që shpëtuan janë në ndjekje disa në burg, disa në varr, e disa në ndjekje”, theksoi Haziri.

    “Ata që janë në ndjekje, Serbia po i strehon ende, ata vonohen por shpëtim nuk kanë sepse drejtësia mund të vonohet por nuk shpëton, ‘kërthiza’ e krejt është bojkoti, koncepti i rezistencës paqësore ë cilën u munduan ta eliminojnë për të fituar simpati ndërkombëtare më shumë e edhe shpresat e popullit e kjo eskaloi apo u demoralizua ai sulm edhe ai sulm u parandalua, u eliminua si kërcenim”, u shpreh Haziri.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje bore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Mitrovica me -5 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 5 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Ferizaj me -7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Gjakova me 3 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe në shumicën e zonave me reshje të shiut. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me -2 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Tirana dhe Fieri me nga 13 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • 16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    Më 9 janar 2008 është formuar koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Hashim Thaçin.

    Qeveria përbehej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra. Qeveria është formuar pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 34% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 23% të votave, Aleanca Kosova e Re (AKR) 12% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) kanë fituar nga 10%, Partia Reformiste (ORA) 4% dhe Partia e Drejtësisë (PD) 2%.

    Të trembëdhjetë partitë minoritare kanë fituar gjithsej 5% të votave. Qeveria ishte fokusuar në pavarësi dhe kushtetutë, kurse paritë politikë kanë respektuar përkushtimin e tyre për të mbetur të bashkuara në periudhën mes deklaratës së pavarësisë dhe futjes në fuqi të kushtetutës. Vëmendja e tyre ka filluar të zhvendoset kur në muajin prill Qeveria prezantoi strategjinë për 2008-2011.

    Partitë politikë opozitare kishin qëndrime më kritike ndaj qeverisë. Qeveria kishte themeluar një komision për monitorimin e implementimit të ligjeve, i cili udhëhiqej nga zëvendëskryeministri. Në prill kryeministri ka prezantuar para Kuvendit raportin për 100 ditët e Qeverisë dhe programin e Qeverisë për 2008-2011, kurse në korrik të 2008, Qeveria ka filluar të lëshojë pasaportat e Kosovës.

    Në shtator, presidenti dhe kryeministri ishin pajtuar për të caktuar dhjetë përfaqësuesit e parë diplomatikë në disa prej vendeve që e kanë njohur deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

    Sipas raportit të progresit për vitin 2008, qeverisja lokale ishte forcuar deri diku. Në qershor ishte futur në fuqi legjislacioni i ri për kufijtë administrativ komunal, vetëqeverisjen lokale dhe financat lokale qeveritare dhe decentralizimin. Përparimi i reformës për vetëqeverisje dhe rritja e kapacitetit administrativ për të lehtësuar decentralizimin ishin prioritetet kryesore në Partneritetin Evropian për Kosovën.

    Sidoqoftë, fokusi i qeverisë në çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e ka mbajtur atë larg prej adresimit të çështjeve tjera. Qeveria ishte ballafaquar me disa vështirësi në prezantimin dhe koordinimin e prioriteteve të saj strategjike. Kuvendi, përfshirë anëtarët e koalicionit qeverisës, kanë kundërshtuar programin e qeverisë 2008-2011. Në disa zona me shumicë serbe, Qeveria kishte autoritet të kufizuar në polici, gjykata, dogana, transport, kufij dhe trashëgiminë serbe.

    Komunat në veri të Kosovës patën filluar të implementojnë legjislacionin serb për qeverisje lokale. Një numër i qytetarëve të Kosovës mbështeten në shërbimet e tyre si, dokumentet e udhëtimit, edukimin. Në qershor, Qeveria ka vendosur të zgjerojë mandatin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpcë, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të UNMIK-ut për të mos i validizuar rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe, të mbajtura në maj të vitit 2008 në Kosovë.

    Rikonfigurimi i ngadalshëm i UNMIK-ut ka çuar në disa paqartësi në disa fusha si te kompetencat e qeverisë (gllabërimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit). Efektiviteti i pjesëmarrjes se qeverisë në forume regjionale dhe ndërkombëtare është i kufizuar nga fakti që legjitimiteti i saj është i kontestuar nga vendet që nuk e kanë njohur. Deklarimet për ndërhyrje politike në përzgjedhjen dhe caktimin e një numri për pozitat e rëndësishme (bordet e ndërmarrjeve publike) kanë ndikuar në kredibilitetin e qeverisë, thuhej në raport. Me tej në raport theksohet se lajmërimet e parakohshme për regjistrimin e popullatës dhe dorëzimi i parakohshëm në Kuvend i shqyrtimit të buxhetit të mesit të vitit, bie ndesh me dispozitat e kushtetutës.

    Megjithatë, më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës do të kryenin një akt historik me një rëndësi të madhe jetike për fatet e vendit; nënshkruan dhe miratuan solemnisht Deklaratën e Pavarësisë. Kjo datë shënon padyshim një nga ditët më me vlerë në historinë e shtetit.

  • Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për Pjetër Shalën

    Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për Pjetër Shalën

    Pas tri jave pushimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë sot palët do të kthehen në sallat e gjykimit, për të rinisur punën e tyre.

    Sipas kalendarit të kësaj Gjykate, nga e marta e deri të premten, para trupit gjykues do të paraqitet Pjetër Shala, derisa javën tjetër gjykimi do të vazhdojë edhe për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaci, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

    Këtë muaj, trupi gjykues do të mund të vendos rreth çështjes së Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krimet lufte.

    Dhomat e Specializuara, kanë nisur pushimin dimëror më 18 dhjetor, derisa pas vdekjes së njërit nga avokatët e Kadri Veselit, mbrojtja kishte kërkuar kohë disa javë, për të zëvendësuar avokatin.

  • Ligji për kontrollin e duhanit i miratuar, por nuk zbatohet

    Ligji për kontrollin e duhanit i miratuar, por nuk zbatohet

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Edhe pse është e ndalur me ligj, pirja e duhanit në ambiente të mbyllura po vazhdon.

    Ligji për kontrollin e Duhanit nuk po zbatohet, ani pse 8 muaj më parë, Qeveria e Kosovës formoi edhe Këshillin Ndërministror për Kontroll të Duhanit, këshill ky që kishte për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Madje vetë kryeministri Albin Kurti kishte thënë se do te ketë ZERO tolerancë, për ata që nuk e respektojnë këtë ligj.

    Pavarësisht kësaj, duhani po pihet lirshëm në hapësira të mbyllura.

    Sipas qytetarëve, numri i inspektorëve duhet të rritet.

    Se numri i inspektorëve është i ulët e thonë edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. Sipas sekretarit të kësaj Shoqate, në shumë lokale të gastronomisë nuk respektohet Ligji i Duhanit.

    “Mua personalisht më ka thirrë në takim ministri Vitia para një muaji, që do të ketë më shumë aksione të respektimin e këtij ligji. Ka pasë si zakonisht inspektime dhe e kam ditë që nuk do të jetë e kënaqshme sepse nuk janë politika të mjaftueshme dhe ata duhet të fokusohen më shumë”, tha Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

    ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, sa i përket numrit të gjobave të shqiptuara, si dhe për inspektimet në përgjithësi, mirëpo ajo gjatë të hënës nuk është përgjigjur.

    Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2013, i cili parasheh ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura. Sipas Ligjit për kontrollin e duhanit, nëse tymoset në hapësirat e ndaluara me ligj, gjoba për subjektet afariste është nga njëmijë deri në tremijë euro, derisa për persona fizikë 30 deri në 50 euro.

  • Masat mbesin, marrëveshja obliguese, s’ka datë për takim të ri për dialog

    Masat mbesin, marrëveshja obliguese, s’ka datë për takim të ri për dialog

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova duhet të bëjë hapa të mëtejmë shtensionues në veri, për ta bindur Bashkimin Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

    Bashkimi Evropian njoftoi se po përcjell nga afër zhvillimet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të parë nëse kërkesat e saj nga viti i kaluar, në raport me deeskalimin e plotë po përmbushen.

    “Po ashtu, po punojmë me partnerët që t’u ndihmojmë atyre të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, për të zgjidhur problemet që kontribuuan në krizat e fundit. Dhe, kur të jenë ndërmarrë mjaftueshëm hapa pozitivë, BE-ja do të rishqyrtojë masat ndaj Kosovës dhe eventualisht t’i heqë ato”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    BE-ja nuk ka dyshim që marrëveshja bazë dhe shtojca mbesin detyrime ligjore për Kosovën dhe Serbinë, dhe kusht në procesin e anëtarësimit.

    “Nuk e komentojmë përmbajtjen e letrave të ndryshme që pranojmë. Nuk jam në dijeni që Serbia zyrtarisht të ketë ri-shpallur zotimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Brukselit ose Shtojca e Ohrit. Kështu që kjo është marrëveshje ligjërisht obliguese dhe zbatimin e saj e kanë marrë përsipër të dyja palët”, tha Stano.

    Derisa në Serbi vazhdon pritja për formimin e Qeverisë së re, BE-ja ende nuk ka datë për një takim eventual të nivelit të lartë në dialog.

    “Puna në dialog vazhdon dhe fokusi i kësaj pune është në zbatimin e asaj që ishte dakorduar, vitin e kaluar, në Bruksel dhe në Ohër. Kjo është shumë e rëndësishme. E kemi parë që përparimi është i mundur, kur disa ditë më parë, Kosova dhe Serbia u pajtuan t’i njohin targat e automjeteve, pa regjimin e stikerëve. Kjo është dëshmi konkrete që përparimi është i mundur nëse ka mjaftueshëm vullnet të mirë. Shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe pasi të formohet Qeveria e re e Serbisë”, tha Stano.

    Në nëntor të vitit të kaluar, BE-ja u prezantoi kryenegociatorëve një draft të ri të planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    Bashkimi Evropian ka përsëritur se shtetet anëtare dhe partnerët, duke veçuar SHBA-në, presin që Kosova dhe Serbia të mos humbasin kohë për zbatimin.

  • Policia ruan “Rajska Banjën”, MPB-ja ende nuk ka vendosur se për çfarë do ta shfrytëzojë

    Policia ruan “Rajska Banjën”, MPB-ja ende nuk ka vendosur se për çfarë do ta shfrytëzojë

    Përgatiti: Nora Luta

    Policia e Kosovës po vazhdon ta ruajë kompleksin turistik “Rajska Banja”, këtu në Banjskë të Zveçanit.

    Ekzekutivi kosovar ende nuk kanë vendosur se për çfarë do të përdoret ky objekt, i cili me vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i kaloi Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Deri në dhjetor të vitit 2023, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thonë se e patën të vështirë qasjen në këtë pjesë.

    Me asistimin e Policisë, dryni u është vendosur edhe objekteve të tjera përcjellëse të kompleksit, i cili ndodhet afër Manastirit të Banjskës.

    Zëdhënësi Ylli Kaloshi i ka thënë ATV-së se kompleksi, i cili është në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça-Standard”, është i ndërtuar pa bazë ligjore dhe se AKP-ja nuk ka arritur të kontaktojë përgjegjësit.

    “Këto ngastra kadastrale ndodhen në Zonën Kadastrale Banjskë, ku kanë qenë të ndërtuara hotel dhe restorant për punëtorët e ndërmarrjes, objekte këto të cilat janë rrënuar dhe në të njëjtin lokacion është ndërtuar një motel dhe rezort/pishinë pa ndonjë bazë ligjore. Pas dështimit të tentimeve të njëpasnjëshme të vendoset kontakt me palët të përfshira në ndërtimin e motelit apo resorit dhe pishinës, AKP-ja ka vendosur nën administrim këto prona dhe ato, me vendim të Bordit të Drejtorëve, janë dhënë në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, pas kërkesës që kjo Ministri ka parashtruar në Agjenci”, tha Kaloshi.

    Ndërtimi “Rajska Banja”, brenda të cilit ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror, ishte financuar nga qeveria e Serbisë.

    Ndërkohë, në fshatin i cili tronditi vendin më 24 shtator të vitit të kaluar, janë parë pak lëvizje të banorëve të hënën e 8 janarit.

    Gjatë sulmit terrorist kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe dy zyrtarë tjerë policorë ishin plagosur.

  • Rreth 58% e fëmijëve të komuniteteve nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë

    Rreth 58% e fëmijëve të komuniteteve nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ka më shumë se 8 vjet, që ndjesinë e bankave shkollore nuk e përjetojnë.

    E pikërisht këtë rrugë përmes së cilës dikur shkonin në shkollë, sot e përshkojnë për të shkuar në punë.

    Njëri 15 e tjetri 13 vjeç, shkollimin e përmbyllën qysh në klasë të 6-të.

    Ndonëse, dëshira për të vazhduar shkollimin është e madhe, kushtet ekonomike po ua pamundësojnë një gjë të tillë.

    Fatin e njëjtë e patën edhe bashkëmoshatarë të tjerë.

    Në strategjinë shtetërore për rininë për vitin 2024 – 2032, thuhet se rreth 58 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian nuk vijojnë fare shkollimin e mesëm të lartë. Ndërkaq, atë të mesëm të ulët e ndjekin vetëm 20 për qind prej tyre.

    Këto shifra për njohësit e arsimit janë shqetësuese. Salie Gajtani Osmankaq thotë se përveç kushteve ekonomike, edhe diskriminimi ka ndikuar që fëmijët e komunitetit ta braktisin shkollimin.

    “Braktisja e shkollimit te komunitetet, por edhe mosvijimi i arsimit të lartë bëhen për dy arsye: standardi ekonomik se detyrohen për me e mbajtë familjen. E element tjetër shumë shqetësuese është nga frika për diskriminim racor e bullizëm”, tha Salie Gajtani Osmankaq, njohëse e arsimit.

    Megjithatë, rreth 120 fëmijë që nuk vijuan mësimin fillor, shkrimin dhe leximin mund t’i mësojnë edhe në qendrën ditore për fëmijët me situatë rruge, në Prishtinë.

  • Sheshi “Xhorxh Bush” nuk do të hapet për qarkullim të mjeteve motorike

    Sheshi “Xhorxh Bush” nuk do të hapet për qarkullim të mjeteve motorike

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pas mbylljes së aktivitetit të “tregut të fundvitit”, Komuna e Prishtinës planifikon që në muajt në vazhdim, në sheshin “Xhorxh Bush” të investojë.

    Pavarësisht se disa grupe të qytetarëve po kërkojnë hapjen e këtij sheshi, Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë.

    “Do të vazhdojmë me planin tonë meqë sipas analizave nuk del të jetë problematik…”, tha Musliu.

    Duke folur për transformimet që do t’i ketë sheshi, Musliu, përsëri nuk iu gjeti vend mjeteve motorike.

    “Do të bëhet si në vendet evropiane, por nuk do të lirohet për qarkullim….”, tha Musliu.

    Në kuadër të planit të mobilitetit, mbyllja e sheshit ishte temë diskutimi edhe në qeverisjet e kaluara.

    “Prishtina si i vetmi vend në rajon me planin e mobilitetit të kaluar në kuvendin komunal, natyrisht që ka menduar edhe për ketë pjesë infrastrukturore…”, tha asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti.

    Por, sipas këtij plani nuk parashihej mbyllje e tërësishme.

    “Sipas planit, është paraparë vetëm një pjesë e sheshit…”, tha Mehmeti.

    Sidoqoftë, qytetarët kanë mendime të ndryshme, sa i përket çështjes së rikthimit të rrugës në qarkullim apo jo.

    “Nuk pajtohem, sidoqoftë po presim se çfarë kanë në plan me këtë rrugë”, thotë Dibran Gashi, qytetar.

    “Gjithmonë është më mirë të ketë hapësirë më shumë për këmbësor, nuk mendoj që kjo rrugë nëse mbyllet shkakton problem në komunikacion”, tha Musa Aliu, qytetar.

    “Nuk kanë bërë edhe shumë mirë me mbylljen e rrugës, hapësirë e tepërt”, tha Brahim Brahimi, qytetar.

    Krahas kësaj, me qëllim të parandalimit të këtij projekti, të dielën, disa prej banorëve të kryeqytetit kanë paralajmëruar edhe protestë.