ATV

Category: Lajme

  • Dëmi në buxhetin e shtetit mbi 2.8 milionë: Çfarë dihet për 12 zyrtarët e ATK-së që u arrestuan bashkë me një biznesmen

    Dëmi në buxhetin e shtetit mbi 2.8 milionë: Çfarë dihet për 12 zyrtarët e ATK-së që u arrestuan bashkë me një biznesmen

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ndërmorën një aksion masiv. Cak ishin dhjetëra zyrtarë të Administratë Tatimore të Kosovës dhe disa biznesmenë.

    Kjo me dyshimet se kanë kryer dallavere të ndryshme, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 2.8 milionë euro.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, me ç ‘rast janë kontrolluar dhe bastisur dy (2) lokacione, përkatësisht në qytetin e Podujevës dhe Prizrenit, ku fillimisht janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona të dyshuar, dymbëdhjetë (12) prej tyre zyrtarë të ATK-së një (1) pronar i një biznesi”, thuhet në fillim të komunikatës.

    Por, si nisi gjithçka?

    Sipas Prokurorisë, 12 zyrtarët e ATK-së ia kanë njohur një biznesmeni 23 fatura fictive në vlerë 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e hotelit që veç kishte qenë i ndërtuar. Kjo duke ia njohur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së në vlerë 2.8 milionë euro.

    “Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

    “Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro. Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme ligjore. Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale. Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, përfundon njoftimi.

    KALLXO.com ka siguruar listën me emrat e zyrtarëve të arrestuar.

    Zyrtarët janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica.

    Kurse, biznesmeni i arrestuar është Feim Pulaj, në arrati gjendet Bedri Batatina.

  • Policia kërkon identifikimin e këtij personi që ndodhet në kërkim

    Policia kërkon identifikimin e këtij personi që ndodhet në kërkim

    Njësiti i hetimeve të stacionit policor të Fushë Kosovës, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.

    “I dyshuari kërkohet për përfshirje në një rast, Vjedhja e rëndë, që është raportuar në polici me datën 04.11.2023”, njofton policia.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendodhjes së saj, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, u thotë policia qytetarëve.

  • Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës do të mbaj sot mbledhjen e radhës.

    Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se mbledhja fillon në orën 10:00

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Pas pushimit dimëror, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot për të dytën ditë me radhë vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Gjatë javës janë paraparë të mbahen katër seanca në rastin Shala.

    Në Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 10 i mbrojtjes, Safet Gashi, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës. Dëshmitari, dje, ka thënë se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

    Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe gjatë ditës së sotme, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

    Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

    Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

    Ndërsa në rastin gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

    Gjatë muajit janar sipas kalendarit të Dhomave të Specializuar, do të jenë në tërësi 16 seanca gjyqësore, në dy rastet gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët’ dhe ‘Shala’.

  • Stano: Presim që sivjet Kosova dhe Serbia të zbatojnë në plotni Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit

    Stano: Presim që sivjet Kosova dhe Serbia të zbatojnë në plotni Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një konferencë për media dje në Bruksel, Stano u ka bërë thirrje palëve që këtë vit ta zbatojnë në plotni Marrëveshjen e Brukselit bashkë me Aneksin e Ohrit.

    “Të gjithë e dinë se ku qëndrojmë. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe ne presim zbatimin e plotë. Ky vit ofron një mundësi të mirë për të filluar me të vërtetë të punoni shumë, duke mos diskutuar formalitetet, por duke punuar për të prodhuar rezultate konkrete dhe thelbësore”, ka thënë ai.

    Stano në pyetjen nëse BE-ja do të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjen me Kosovën duke e kushtëzuar me anëtarësim në bllok, tha se shtetet anëtare po punojnë në këtë drejtim.

    “Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, ishte përgjigjja e Stanos. Megjithatë, ai s’u përgjigj nëse kjo do të ndodhë gjatë janarit.

    Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së në konkluzionet e miratuara nga Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor.

    Ai përsëriti se palët kanë bërë një zotim me Marrëveshjen e Ohrit dhe se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.

  • Zeka: Rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4.2% – Përkundër rënies së inflacionin, çmimet mbesin të larta

    Zeka: Rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4.2% – Përkundër rënies së inflacionin, çmimet mbesin të larta

    Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2024 do të jetë 4.2 për qind.

    Ai ka thënë se vendi e ka mbyllur vitin me një normë të ulët të inflacionit rreth 4 për qind por që çmimet vazhdojnë të mbesin të larta për shkak të çrregullimeve në zingjirët e furnizimit global.

    Kjo siç thekson ai, Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë.

    Ai ka shtuar se Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por që thekson se kjo normë nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e kontinentit të Evropës.

    Zeka ka thënë se zhvillimi ekonomik nuk ka qenë prioritet i as një qeveri që nga pas lufta, teksa apelon te ekzekutivi që ta bëjë një gjë të tillë këtë vit.

    Ai ka theksuar që Kosovës i nevojitet një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e ku në të duhet që të përfshihen të gjithë “hisedarët”.

    “Me sinqeritetin më të madh e them që realisht ekonomia nuk duket që të jetë prioritet i as njërës prej qeverive që i kemi pasur prej viti 99 e tutje, sidomos pre viti 2008 e tutje prej kur Kosova është shtet i pavarur. Realisht duket që këtu çalojmë mungesa e një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e cila do të jep drejtim zhvillimeve që lidhen me ekonominë edhe aspektin social, duket që po e gjymton vendin do të thotë në këtë aspekt. Këtu realisht besoj që qeveria këtë vit, vitin 2024 duhet ta caktoj me të vërtet të cilin zhvillimi ekonomik do të trajtohet me prioritet, por megjithatë duke pasur parasysh gjatë tërë kohës që zhvillimi ekonomik nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve të vendit por në këtë aspekt duhet që të përfshihen në komunikim së paku edhe hisedarët e tjerë jo institucional, profesor universitar, ekspert të ekonomisë, përfaqësues të instituteve të ekonomisë. Ajo që është më e rëndësishmja  ata të cilët realisht përfaqësojnë interesat e atyre që janë bartës ose janë motor i zhvillimit ekonomik të vendit pra sektori privat e që janë Odat Ekonomike edhe Asociacionet e biznesit. një dialog i tillë ndërmjet sektorit publik edhe sektorit privat ka munguar përgjatë viteve të fundit e sidomos me këtë qeveri”, ka thënë ai.

    Zeka ka thënë se rritja ekonomike për këtë vit pritet që të jetë 4.2 për qind nëse shteti aktivizon shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit, e që sipas tij janë investimet kapitale edhe ruajtjen e konsumit.

    Ai ka thënë se Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimore, por që sipas tij, kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e kontinentit të Evropës.

    “Nuk kemi as një arsye të mos besojmë që parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës nuk do të realizohen në fund të këtij viti, edhe në presim që të kemi një rritje ekonomike prej 4.2 për qind për aq kohë sa përdoren ose aktivizohen shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit. Sipas të gjitha raporteve të organizatave ndërkombëtare por natyrisht edhe raporteve të brendshme këto shtylla ekonomike të vendit përfshijnë investimet kapitale edhe natyrisht ruajtjen e konsumit, ani pse kjo mund të mos jetë ndoshta shtylla e cila garanton një zhvillim të qëndrueshëm. Por megjithatë janë dy prej aspekteve të cilat është bazuar zhvillimi ekonomik i vendit në vitet e fundit. Për të qenë me objektiv duhet përmendur faktin që megjithatë Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimore, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë edhe të japim edhe informata të tjera për publikun që kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e rajonit, po flas për kontinentin e Evropës me qenë se këtu jemi shumë mbrapa. Baza ekonomike e Kosovës është relativisht e ulët edhe pastaj çfarë do norme e rritjes ekonomike nën normat dyshifrore nuk garanton zhvillim të përshpejtuar ekonomik”, u shpreh ai.

    Drejtori i OEAK-ut ka thënë se vendi e ka mbyllur vitin 2023 me një normë prej diku rreth 4 për qind të inflacionit, por që çmimet janë duke vijuar që të jenë të larta.

    Sipas tij,  presioni mbi çmimet është njëri prej indikatorëve problematik të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Kosovës.

    “Po i referohem të dhënave zyrtare të publikuar nga ASK-ja për vitin e kaluar do të thotë që Kosova mbylli vitin me një normë prej diku rreth 4 për qind të inflacionit, por megjithatë çmimet vijon të jenë të larta. Pra presioni mbi çmimet vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë, kjo është thënë edhe një një raport të Bankës Botërore të viti të kaluar i cili flet për perspektiven ekonomike të Ballkanit në përgjithësi, por pastaj edhe të shteteve individuale në veçanti përfshirë këtu edhe Kosovën. Ku presioni mbi çmimet përmendet si njëri prej indikatorëve problematik të zhvillimit ekonomik ose të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Kosovës ne veçanti. Duhet sqaruar me teje norma prej katër për qind e inflacionit vjetor mund të duket e ulët por megjithatë krahasimet behën në baza vjetore që do të thotë që inflacioni prej periudhës e para pandemisë edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë megjithatë është shumë i lartë edhe rrjedhimisht ne ballafaqohemi me këto çmime të produkteve të cilat vijojnë të jenë të larat. Assesi nuk shohim ndonjë trend të uljes së tyre aq më tepër në masën në të cilin ato ishin para pandemisë”, theksoi ai.

    Zeka ka thënë se çmimet janë duke mbetur të larta edhe pse inflacioni ka vazhduar që të bije, për shkak të çrregullimeve ne zingjiret e furnizimit global.

    E sipas tij, Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë dhe i nënshtrohet më tepër çmimeve të larta edhe inflacionit me qenë se në masë të madhe importohet pothuajse gjithçka.

    “Janë këto çrregullimet ne zingjiret furnizimit global me të cilat vazhdojnë të ballafaqohemi edhe ne por edhe shtet e tjera edhe fatkeqësisht edhe konfliktet e tjera që po shpërthejnë edhe problemet e tjera të cilat po e pengojnë tregtinë ndërkombëtare edhe prodhimin e mallrave në të njëjtën kohë, nuk duket se kanë të ndalur. Edhe rrjedhimisht po ndikojnë edhe në këto çmime të larta. Kosova duke pasur një bazë të ulët të prodhimtarisë natyrisht që i nënshtrohet më tepër çmimeve të larta edhe inflacionit me qenë se në masë të madhe importojmë pothuajse gjithçka”, u shpreh ai për EO.

  • Zeka: Kosova s’ka mekanizëm kontrolli, paramendo me lopë të ngordhura është bërë suxhuk

    Zeka: Kosova s’ka mekanizëm kontrolli, paramendo me lopë të ngordhura është bërë suxhuk

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për dallim prej Kosovës, në vendet e tjera evropiane ekziston mekanizmi i kontrollit.

    Sipas tij, në Kosovë nuk ka mekanizëm kontrolli.

    “Dallimi mes Kosovës dhe vendeve të tjera është se atje ekziston mekanizmi i kontrollit. Për shembull po e marr sektorin e mjekësisë. Këtë e kam thënë shumë herë në studio televizive që është dashtë me u nda mjekët të cilët shkojnë e punojnë tri-katër orë ne qendër spitalore të shtetit me i marrë pacientat privat, me i rekrutu dhe çka ndodh në spitalet private të Kosovës?, o veç gishti nëse të dhemb, kur të dilsh te recepcioni ke me i pagu 300-400 euro. Të shtinë me i ba 100 kontrolla. Por të ekzistonte mekanizmi i kontrollit që kjo oda e mjekëve me ia marrë licencën dikuj, një spitali, kujna ia kanë marrë licencën, çka kanë ba në këtë vend”, tha Zeka.

    Ai përmend importimin e mishit nga Brazili, përzierjen e naftës me vaj, madje edhe një rast ku prej lopëve të ngordhura që është bërë suxhuk.

    “Na tanë e dimë këtu në studio që mishi vjen prej Brazilit, ngrihet e shkrihet 3-4 herë. Na të gjithë e dimë që janë ble, unë e di që një kompani shumë e fuqishme e derivateve, 200 mijë litra vaj të kuzhinës i ka përzi me naftë e na ka shitë neve, kam video incizime. Na e dimë që këtu çka nuk përzihet me naftë, me benzinë, çka nuk hamë, lloj lloj ushqimi. Konservat e ushtrisë polake prej luftës së dytë botërore, janë zbulu që janë ardhë. U zbulu njeri në Pejë që ka shku lopë të ngordhura, i ka marrë e i ka ba suxhuk. Qysh mundet me pasë suxhuk 1 euro kilogrami”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • “A je kanë ti që thanë se Albin Kurti është më i miri, pse i ke rënë pishman tash”, përplasje mes Hamidit dhe Sefajt

    “A je kanë ti që thanë se Albin Kurti është më i miri, pse i ke rënë pishman tash”, përplasje mes Hamidit dhe Sefajt

    Debat i ashpër është zhvilluar mes gazetarit Lavdim Hamidi dhe përfaqësuesit të Sindikatës së Shërbyesve Civilë Ali Sefaj, në emisionin CONTEXT Në ATV, ku u diskutua për ikjet nga Kosova drejt vendeve evropiane për një jetë më të mirë.

    “A ke qenë ai që na ke thanë se Albin Kurti është më i miri?”, iu drejtuar gazetari Hamidi sindikalistit Sefaj.

    “Po, se premtimet e tij kanë qenë më të mirat, por nuk i ka mbajtë asnjo fjalët. Tash unë nuk kam faj që ai ka mashtru për secilin premtim”, ia ktheu Sefaj.

    Për më shumë, shikoni videon më poshtë:

  • Zeka: Patriotizëm është me i mbajtë fëmijët në atë vend ku ka punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë

    Zeka: Patriotizëm është me i mbajtë fëmijët në atë vend ku ka punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se patriotizëm është me i mbajtë fëmijët aty ku kanë punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë.

    “Patriotizëm është që fëmijët me i mbajtë në Kosovë ose kudo në botë, edhe në Afganistan me i qu, veç që kanë punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë. Unë të paktën nuk e bëj krimin që e kam bërë ndaj vetes time, tanë jetën ia kam kushtu këtij vendi, e ky vend me ka dhanë veç hu gardhi dhe poshtërim. Pasha tokë e qiell, nuk i dënoj fëmijët e mi qysh e kam dënu veten për një mijë vjet. Fëmijë kam me iu thënë, a po do në Amerikë, a po do në Australi, po as turist mos hajde këtu derisa të krijohen kushtet e mira”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • Sefaj: Prej vendeve tjera janë larguar ata që nuk mujt me e ba qarën, ndërsa prej Kosovës po ikin kuadro profesionale

    Sefaj: Prej vendeve tjera janë larguar ata që nuk mujt me e ba qarën, ndërsa prej Kosovës po ikin kuadro profesionale

    Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është shqetësuese se Kosovës po i ikin profesionistët, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ku vendin e kanë lëshuar ata që nuk kanë arritë me e gjetë veten në vendin ku jetojnë.

    Ai thotë se Kosovës i duhet kohë me i nxjerrë sërish këto kuadro, dhe në rast se arrinë me i nxjerrë, nuk ka siguri që ata prapë nuk e lëshojnë vendin.

    “Prej Kosove janë tu ikë profesionistë. Prej vendeve tjera kanë ikë njerëzit që s’kanë mujt me e ba qarën. Neve na ikin inxhinierët e elektros përditë, na ikin inxhinierët e makinerisë, na ikin inxhinierët e teknologjisë, na ikin mjekët, do me thanë neve na ikin kuadrot të cilat na duhet kohë me i zëvendësua. Por edhe nëse i prodhon ti, ose i nxjerr nga bankat shkollore, ty të duhet kohë se sistemi i jonë arsimor nuk është kompatibil me tregun e punës dhe ti duhet, përveç teknologjisë informative, të tjerave iu duhet së paku katër-pesë vjet përvojë pune, e kush të garanton që nesër ai të rrin në sistem. Kemi me qenë vetëm sistem transitor për me përgatitë kuadro për me të ikë”, tha Sefaj. /atvlive.tv