ATV

Category: Lajme

  • Sulm vdekjeprurës izraelit në Liban

    Sulm vdekjeprurës izraelit në Liban

    Një sulm me dron nga Izraeli ka goditur të martën një makinë në lug të Libanit, duke vrarë tre persona që gjendeshin brenda saj, thanë zyrtarët dhe agjencitë shtetërore të lajmeve.

    Sulmi në Gandurijeh, që gjendet rreth 10 kilometra nga kufiri me Izraelin, ndodhi një ditë pas një sulmi të ngjashëm, ku u vra një komandant i grupit militant të Hezbollahut.

    Në një mision urgjent që synon të parandalojë që konflikti mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që të shndërrohet në një konflikt rajonal, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se Arabia Saudite, Jordiania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia do të shqyrtojnë pjesëmarrjen në rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas të përfundojë lufta. Ky territor ka pësuar shkatërrim të madh nga lufta që nisi më 7 tetor.

    Zyra për çështje humanitare e Kombeve të Bashkuara ka thënë se intensifikimi i ofensivës izraelite në Gazën jugore dhe qendrore ka pasur “pasoja shkatërruese”, duke rritur numrin e civilëve të vrarë dhe duke penguar operacionet për dërgimin e ndihmave humanitare.

    Që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, ka pasur shkëmbim zjarri mes Izraelit dhe Hezbollahut pothuajse në baza ditore në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.

    Lufta në Gazë u nxit pasi radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme tokësore, ajrore dhe detare në Gazë duke vrarë mbi 23.000 persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë./REL/

  • Diskutohet parandalimi dhe luftimi i veprimtarive ilegale të shërbimeve të internetit dhe TV Kanaleve

    Diskutohet parandalimi dhe luftimi i veprimtarive ilegale të shërbimeve të internetit dhe TV Kanaleve

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e operatorëve të shërbimeve elektronike dhe Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM).

    Temë e diskutimeve të përbashkëta ishte parandalimi dhe luftimi i veprimeve të operatorëve ilegal, të cilët, në mënyrë të kundërligjshme dhe përmes ndërhyrjes së paautorizuar janë duke kryer – ofruar shërbime ilegale të internetit dhe TV Kanaleve brenda territorit të Republikës së Kosovës.

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe institucionit që përfaqëson për trajtim e shpejtë dhe profesional të rasteve që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, si dhe ka kërkuar mbështetjen e të gjithë operatorëve të licencuar që të bashkëpunojnë me prokurorinë për identifikimin e të gjitha veprimtarive ilegale, përçka operatorët janë zotuar se do të ofrojnë një mbështetje të tillë.

  • Rreth 3 milionë euro shmangie tatimore: Detaje nga aksioni i Krimeve Ekonomike

    Rreth 3 milionë euro shmangie tatimore: Detaje nga aksioni i Krimeve Ekonomike

    Departamenti i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës po zhvillon një aksion kundër mashtrimit në detyrë dhe shmangies nga tatimi në disa lokacione.

    Aksioni, i urdhëruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, po zhvillohet në disa lokacione, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës, ku është duke u kryer bastisje nga Policia e Kosovës.

    Policia aktualisht është duke kryer bastisje në objektin e ATK-së në lagjen Arbëria të Prishtinës, raporton Paparaci bazuar në burime brenda Administratës Tatimore.

    Aksioni, po ashtu është zhvilluar edhe në lokacione të tjera në vend.

    Paparaci, ka mësuar se hetimet ndërlidhen me zyrtarë të ATK-së për mashtrim në detyrë, si dhe ndaj zyrtarëve të një kompanie private, të dyshuar për shmangie nga tatimi me vlerë deri në 3 milionë euro.

    Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksioni ka nisur mëngjesin e së martës.

    Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se hetimet po kryhen në drejtim të veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”, tha Ulaj të martën në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

    Zëdhënësja e Prokurorisë tha se hetimet përfshijnë “persona zyrtarë e qytetarë”.

    Ajo tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri.

  • Policia: Javën e parë të janarit sekuestruam pesë armë zjarri në rajonin e Prishtinës

    Policia: Javën e parë të janarit sekuestruam pesë armë zjarri në rajonin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së parë të janarit janë sekuestruar pesë armë zjarri dhe municion në rajonin e Prishtinës.

    Sekuestrimi është bërë në lokacione dhe raste të ndryshme.

    “Personave të dyshuar u është iniciuar rast për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve dhe në konsultim me prokurorin e shtetit, katër nga ta janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri nga të dyshuarit i cili dyshohet edhe për përdorim të armës, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • 156 mijë banorë u larguan nga Kosova brenda 4 vjetëve

    156 mijë banorë u larguan nga Kosova brenda 4 vjetëve

    Brenda 4 vjetëve nga Kosova janë larguar më shumë se 156 mijë banorë, që në përqindje i bie 8.85% e popullsisë së vendit.

    Sipas të dhënave të fundit të publikuara në portfolion vjetore të emigrimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është vlerësuar se deri në fund të vitit 2022 mbi 949 mijë banorë jetojnë jashtë vendit.

    “Për periudhën 2018-2022 vlerësohet se nga Kosova janë larguar 156,080 banorë apo rreth 8.85% e popullsisë së vendit.

    Më tutje në raport thuhet se emigrimi i rregullt i shtetasve të Republikës së Kosovës me leje të vlefshme qëndrimi në shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen gjatë periudhës 2020 – 2022, këto vende kanë lëshuar rreth 71,240 lejeqëndrimet e para, për shtetasit kosovarë.

    Ndërsa në vitin 2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 4,792 persona, kurse 62 janë refuzuar për mos plotësimin e kritereve ligjore.

    “Nga 4,792 personat të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës se Kosovës në vitin 2022 të dhënat tregojnë se 4,211 (88%) janë nga Gjermania, 419 (8.7%) nga Austria, 71 (1.5%) nga Sllovenia dhe 91 (1.8%) nga shtetet e tjera”, thuhet midis tjerash në raport.

    Ndërsa numri i përgjithshëm i urdhërlargimeve të shtetasve kosovarë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2022 sipas shteteve u regjistruan në: Francë 1,175 (27.6%), Slloveni 935 (22%), Kroaci 560 (13.2%), Zvicra 290 (6.8%), Itali 270 (6.3%) dhe shtete të tjera 1,025 (24.1%).

  • Jeton Raka emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

    Jeton Raka emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Jeton Rakën, zëvendësministër të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka uruar Rakën për detyrën dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Ndryshe, Jeton Raka ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut në zgjedhjet e fundit lokale.

  • Dy raste me koronavirus dhe tre me grip të derrave po trajtohen në Klinikën Infektive

    Dy raste me koronavirus dhe tre me grip të derrave po trajtohen në Klinikën Infektive

    Në Klinikën Infektive të QKUK-së aktualisht po trajtohen tre raste me grip të derrave dhe dy të tjera me koronavirus.

    Kjo u bë e ditur nga infektologu Arben Vishaj në një përgjigje për Klan Kosovën.

    “Ne për momentin i kemi duke i trajtuar 3 pacientë me Influenza AH1N1, dhe 2 pacientë me COVID-19”, deklaroi ai.

    Lidhur me ngjashmëritë e gripit sezonal që është përhapur së fundmi dhe koronavirusit, ai tha se për të pasur një përgjigje konkrete rreth kësaj duhet një diferencim diagnostik mjekësorë.

    Vishaj tregoi më tutje se simptomat e gripit që ka prekur shumë qytetarë janë lodhja, plogështia, kollitja, temperatura, rrjedhje nga hundët, dhimbje gjymtyrësh dhe frymëzënie.

    Ai rekomandoi që personat të cilët i kanë këto simptoma gripi të lajmërohen te mjeku familjar.

    Vishaj gjithashtu potencoi se sistemi shëndetësor nuk është i ngarkuar në atë masë që i tejkalon kapacitetet e tij.

    “Sistemi shëndetësor disponon kapacitete të mjaftueshme, dhe s’ka fluks që imponon për shqetësim”.

  • Kosova nënshkruan marrëveshje me Arabinë Saudite për lirim nga vizat për ata që kanë pasaporta diplomatike dhe zyrtare

    Kosova nënshkruan marrëveshje me Arabinë Saudite për lirim nga vizat për ata që kanë pasaporta diplomatike dhe zyrtare

    Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshje zyrtare me Arabinë Saudite për lirim nga vizat për ata që janë ta pajisur me pasaporta diplomatike dhe zyrtare.

    Marrëveshja është nënshkruar sot në Riad nga zv.ministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti dhe homologu i tij Waleed Abdulkarim El Khereiji.

    “Gjatë takimit me Zëvendësministrin për Punë të Jashtme, z. El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit”, thuhet në njoftim.

    “Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy shteteve, zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar Arabinë Saudite për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm për Republikën e Kosovës. Z. Ahmeti kërkoi që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë procedura më të lehta për hyrje në Arabinë Saudite.Takimi u përmbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes për Heqjen Reciproke të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike dhe Pasaportave Zyrtare”, përfundon komunikata.

  • Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë, nuk e kam njohur e as s’e kam parë Pjetër Shalën gjatë luftës

    Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë, nuk e kam njohur e as s’e kam parë Pjetër Shalën gjatë luftës

    Dëshmitari Safet Gashi, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë, tha se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se sa iu kujtohet, UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

    “Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, tha Gashi.

    Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se ata janë merrë vetëm me ushtarë serbë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrrestu, le më civilë shqiptarë”, shtoi ai.

    Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca kaloi në sesion privat për publikun.

    Dëshmitari Gashi tha se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Kurrë në jetë nuk e kam njoftë atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.

    I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari mohoi një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.

    Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.

    Safet Gashi tha se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pas bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.

    Dëshmitari Gashi tha se ka qenë në togun e njësisë speciale në kohën sa ishte pjesëtar i Brigadës 128.

    “Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam kry ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë nejtë edhe në vende tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë nejtë. Unë për vete nuk kam lujtë kërkah, aty kam nejtë se ka pas luftime. Unë kam qënë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.

    I pyetur se a ka qenë më herët në Kukës gjatë luftës, dëshmitari tha se ka shkuar për armatim.

    “Nuk më kujtohet, por mars u kanë ‘99-të viti. Kam shku me 4-5 shokë për me marrë armatim. Kjo është edhe pyetja më herët që thash jam kanë në Shqipëri. Veç jemi ndalë pak kemi pushu. Nuk thash që kemi nejtë në Kukës, po kemi shku në Kolsh apo Kalimash, nuk më kujtohen këto dy katune”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk iu kujtohet saktë se në cilin vend në Kukës ka qenë.

    Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.

    “Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.

  • Aliu tregon se deri kur do të kemi temperaturat e ulëta në Kosovës

    Aliu tregon se deri kur do të kemi temperaturat e ulëta në Kosovës

    Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për emisionin A LIVE në ATV, tha se temperaturat e ulëta do të mbretërojnë në Kosovë deri në fund të javës.

    “Nga dita e djeshme, vendi i ynë është futur në zonën me presion të ulët atmosferik, kështu që masat ajrore të cilat kanë ardhur nga pjesa veriore e kontinentit janë masa polare të ftohta. Ato do të jenë të qëndrueshme, pavarësisht pse presioni tash vetëm se është rritur, por që masat e ftohta të ajrit do të jenë të qëndrueshme gjatë gjithë javës, duke krijuar kushte për mot kryesisht të vranët dhe me intervale me diell, por diell i ftohtë ta quaj ashtu pasi që temperaturat minimale do të ulën deri në -6 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës nuk parashihen të kalojnë mbi 1 apo 2 gradë Celsius, deri në fundjavë”, tha Aliu.

    Ai tregoi se si pasojë e temperaturave të ulëta, rrugët në vendin tonë janë të rrezikshme, pasi që sipas tij, janë krijuar shtresa të akullta në to.

    “Edhe tani kur po raportojmë, janë -2, -3 gradë Celsius në gjithë territorin e Kosovës, kështu që rrugët janë shumë të rrezikshme, janë të rrëshqitshme si në viset e ulëta po ashtu edhe në viset e larta malore, pavarësisht se patën pak reshje të borës, por janë krijuar shtresa të akullta nëpër të gjitha rrugët e Kosovës”, tha Aliu. /atvlive.tv