ATV

Category: Lajme

  • Pezullimi i procedurës së prokurimit për master planin e kompleksit të Jasharëve

    Pezullimi i procedurës së prokurimit për master planin e kompleksit të Jasharëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ky master-plan i kompleksit memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, i projektuar nga Instituti për Shkencë dhe Teknologji, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare, nuk u zgjodh fitues.

    Andaj kompania u ankua dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, pezulloi procedurën e prokurimit. Përfaqësuesi i konsorciumit, pretendon se në procedurë ndodhën disa shkelje.

    “Shkeljet kryesore janë ligjore. Konkursi është me shifër me qëllim të trajtimit të barabartë. Një prej operatorëve e ka publiku emrin e vet. Për çudi tone komisioni i vendos një kod, kundërligjshëm dhe vazhdojnë procedurat”, tha Ismajl Baftjari nga INSI.

    Ministria e Kulturës nuk u përgjigj lidhur me pretendimet e kësaj kompanie.

    E në deklarimin e fundit, ministri Hajrullah Çeku thoshte se është në dijeni të procedurës.

    “Ka përfundu konkursi ndërkombëtar. Kanë konkuru 3 kompani. Juria e ka zgjedhë projektin më të mirë. Aktualisht operatori që nuk ka fitu, ka bërë ankesë fillimisht në ministri, pastaj në OSHP. Ne duhet të presim deri në vendim të këtij organi”, tha Çeku.

    Ndërkohë, kompania humbëse vazhdon të shpresojë që OSHP-ja do të marrë vendim pozitiv e të jetësohet master-plani i tyre.

    “Pretendimet tona janë lehtësisht të verifikueshme, andaj presim vendim të OSHP-së…”, tha Baftjari.

    Projekti për kompleksin memorial “Adem Jashari”, udhëhiqet nga komiteti ndërministror në udhëheqje të të cilit është kryeministri Albin Kurti.

    Vetëm tenderi për master-planin i shpallur në muajin maj të 2023-tës, arrinte vlerën prej 3 milionë eurosh.

  • Qeveria në prag të themelimit të agjencisë për investime dhe eksport

    Qeveria në prag të themelimit të agjencisë për investime dhe eksport

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Me qëllim të rritjes së investimeve dhe eksportit, Qeveria ka bërë plan që këtë vit ta themelojë agjencinë për investime dhe eksport, si pjesë e programit për reforma në ekonomi.

    Kjo agjenci, sipas qeverisë, do të ketë për qëllim vendosjen dhe forcimin e bashkëpunimit të biznesit me furnizuesit vendas dhe promovimin e potencialit të eksportit të kompanive vendase në tregjet e huaja.

    “Masa, gjithashtu, synon zhvillimin e industrisë me të integruar globalisht, përmes rritjes dhe diversifikimit të eksporteve, digjitalizimin e përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e produkteve inovative dhe të gjelbra, si dhe përdorimin më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara. Masa ndërlidhet me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, PKZH-në, Programin e Qeverisë 2021-2025 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve KASH 2024-2026”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Por, një gjë e tillë sipas ekspertëve të ekonomisë nuk ishte e nevojshme.

    “Më tepër tentohet të politizohet çdo pore, të krijohet një mundësi e re për një kontroll më të madh, dhe mbi të gjitha për punësim të militantëve. Besoj që në Kosovë nuk po krijohen agjenci për ta mbështetë zhvillimin ekonomik por vetëm për të rritur pushtetin dhe dominimin politik. E tëra kjo do të jetë edhe një tentativë për të futur nën kontroll edhe asociacionin e biznesit, sepse shumë prej bizneseve kanë një komponent të promovimit të investimeve”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Sipas Safet Gërxhaliut, këtë funksion deri më tani e ka kryer mjaft mirë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë me mekanizmat e saj, gjë që një agjenci e tillë vetëm sa e komplikon situatën.

    “Ju e dini fare mirë që me vite ka funksioni KIESA në kuadër të MINT-it dhe në kuadër të saj kanë qenë pothuajse të gjitha gamat ekonomike, qoftë eksporti apo importi, qoftë sektorët e tjerë. Në të kaluarën kemi pasur një dialog të mirëfilltë publiko-privat, kemi pasur një dialog të mirëfilltë me të gjitha dikasteret qeveritare. Për fat të keq dialogu viteve të fundit është inekzistent”, tha Gërxhaliu.

    Sidoqoftë, Qeveria në planin e hartuar, ka paraparë edhe 10 aktivitete që do të realizohen gjatë këtij viti, por edhe të tjera për vitet e ardhshme gjer në vitin 2026.

  • SHBA-ja pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”

    SHBA-ja pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    SHBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”.
    Për këtë ka njoftuar ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, gjatë një takimi që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet edhe në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca serbe, e cila njoftoi rreth takimit Hill-Vucic.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar edhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës. Nga ministria kanë thënë që Kosova ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerje ushtarake përmes programit të ashtuquajtur Shitje Ushtarake e Jashtme të Agjencisë amerikane për Bashkëpunim të Sigurisë së Mbrojtjes.

    Përmes këtij programi, Kosova është e paraparë të kryejë blerje ushtarake përfshirë edhe sistemin Javelin dhe sisteme të tjera moderne ushtarake.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë ShBA-në. Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës me ShBA-në ka marrëveshje për blerje ushtarake përmes programit FMS. Në kuadër të këtij programi, parashihen blerjet ushtarake duke përfshirë sistemin Javelin dhe sisteme moderne të tjera të armatimit”, huhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes.

    Kosova, edhe më herët është furnizuar me armë amerikane. Në vitin 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

    Në anën tjetër, presidenti i Serbisë tha se lajmi është zhgënjyes për Serbinë, por se së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

  • Shteti e subvencionoi “Trepçën” gjatë muajit dhjetor

    Shteti e subvencionoi “Trepçën” gjatë muajit dhjetor

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pagën e dhjetorit e kemi marrë me kohë, ose mund të themi se e kemi marrë para kohës.

    Por që pagat t’i marrin, u nevojit intervenimi i institucioneve. Në dhjetor, për ndërmarrjen “Trepça” u ndan afro dy milionë e 800 mijë euro subvencion.

    Gjatë muajit dhjetor ndërmarrja publike “Trepça” Sh.A. është mbështetur me mjete financiare, subvencione në vlerë prej 2,797,127.30 euro për mbulimin e shpenzimeve si në vijim: Paga, energji elektrike, ujë dhe obligime të tjera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

    Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se subvencionimi për mbulim të shpenzimeve operative, nuk është në funksion të mirëfunksionimit të ndërmarrjes.

    “Si Qeveri duhet t’i kryejnë obligimet ndaj një kompanie që është 80% në pronësi të kompanisë. Çfarë më shqetëson, fakti se Qeveria po financon shpenzime operative, kurse investimet kapitale, ato që do të gjeneronin të hyra për me e rikthy “Trepçën” si kompani që fillimisht mund të mbijetojë pa subvencione e më pas edhe të mendojë për fitime të tjera”, tha Qerimi.

    Në muajin nëntor, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se nga viti 2019 deri në atë 2023, “Trepça” u subvencionua me 27 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, u orientua në mbulimin e shpenzimeve operative të ndërmarrjes.

    Ndërkaq, për dhjetë muaj të vitit që lamë pas, “Trepça” nuk arriti të realizojë as gjysmën e shitjeve të planifikuara për tërë vitin.

    Sipas projeksionit të të hyrave të përgjithshme të ndërmarrjes për vitin aktual, me përjashtim të njësisë veriore nga llogaritja, ndërmarrja synon të gjenerojë të hyra në vlerë prej më shumë se 22 milionë eurosh.

    Kurse shpenzimet e përgjithshme, referuar planit të biznesit për vitin 2024, pritet të jenë mbi 21 milionë euro.

  • Gjuajtje me armë në Kodrën e Trimave, policia konfirmon një të plagosur

    Gjuajtje me armë në Kodrën e Trimave, policia konfirmon një të plagosur

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur gjuajtje me armë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Kodrën e Trimave në Prishtinë, derisa njoftuan se një person i plagosur është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 20:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit”.

    “Ndërkohë që i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

    Sipas disa dëshmitareve që kanë folur në kushte anonimiteti të dyshuarit kanë gjuajtur nga vetura.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaqa e Sejdiu para Gjykatës së Apelit

    Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaqa e Sejdiu para Gjykatës së Apelit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas gati gjysmë viti nga shqiptimi i dënimit nga shkalla e parë e cila i gjeti fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu u paraqitën sërish në Gjykatë.

    Në seancën e së mërkurës të Gjykatës së Apelit u shqyrtuan ankesat e të dyja palëve për aktvendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt të 4 gushtit, që Krivaqën e dënoi me burg të përjetshëm, ndërkaq Sejdiun me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

    Megjithatë për shkak të ndjeshmërisë së rastit, seanca u mbyll për media.

    “Për shkak të veprës penale “Dhunimi”, kjo seancë duhet të mbyllet për publikun, ndërsa mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje”, tha Xhevdet Abazi, gjyqtar.

    Pas përfundimit të seancës e cila zgjati më pak se një orë, avokati i familjes së Marigona Osmanit tha se kërkoi që të dënuarit Arbër Sjediut t’i rritet dënimi ta paktën me 25 vjet burgim.

    Rexhepi tregoi se avokatët e Krivaqës dhe Sejdiut, kërkuan ulje të dënimit apo rigjykim të rastit.

    Gjykata themelore, Krivaqën dhe Sejdiun i kishte liruar nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës, nuk kishte pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

    Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Sipas aktakuzës, një ditë më herët Krivaqa dyshohet se aty, pa pëlqimin e Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme. Një ditë më pas, ata akuzohen se e kishin privuar atë nga jeta, në përpjekje për ta fshehur veprën penale të dhunimit.

  • Kamerat në kryeqytet do t’i mbikëqyrë Policia e Kosovës!

    Kamerat në kryeqytet do t’i mbikëqyrë Policia e Kosovës!

    Komuna e Prishtinës, përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në facebook, ka njoftuar se monitorimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë do ta bëjë Policia e Kosovës dhe po ashtu infrastrukturën teknike të pajisjeve, ruajtjen dhe mbikëqyrjen.

    “Sistemi i regjistrimit të të dhënave, që do të bëhet nga këto kamera do të krijojë mundësinë e vlerësimeve statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Njoftimi i plotë:

    Me qëllim të koordinimit ndërinstitucional, përkatësisht sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Udhëheqësit e Institucioneve, znj. Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Nënkolonel Basri Shabani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) dhe z. Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca i Kryeqytetit-Prishtinë, janë takuar për diskuar lidhur me vendosjen e kamerave në Kryeqytet.

    Kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave brenda hapësirave publike në Kryeqytet, që ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e kryerësve të veprave penale, si dhe arritjen e objektivave tjera të ligjshme policore, është bërë nga Policia e Kosovës, drejtuar Kryeqytetit.

    Projekti me specifikat teknike është përgatitur nga Grupi Punues në përbërje të anëtarëve nga Policia e Kosovës dhe Kryeqytetit.

    Monitorimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë do ta bëjë Policia e Kosovës dhe po ashtu infrastruktura teknike e pajisjeve, ruajtja dhe mbikëqyrja do të sigurohen nga Policia e Kosovës.

    Sistemi i regjistrimit të të dhënave, që do të bëhet nga këto kamera do të krijojë mundësinë e vlerësimeve statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj.

    Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës Agjencia për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Nënkolonel Basri Shabani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) dhe z. Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca i Kryeqytetit, janë zotuar se do të sigurojnë që zbatimi i projekti do të realizohet në harmoni të plotë me legjislacionin përkatës në fuqi.

    Agjencia për Informim dhe Privatësi, siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se bazuar në mandatin ligjor do të bëjë monitorimin e zbatimit të këtij projekti për të siguruar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duke përshirë edhe inspektimin e realizimit të projektit.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Prizren, dyshohet për vetëvrasje

    Gjendet i vdekur një burrë në Prizren, dyshohet për vetëvrasje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prizren, ku një person po dyshohet se ka bërë vetëvrasje, në rrethana dhe për motive akoma të panjohura.

    Bëhet fjalë për një 60-vjeçar, i cili u gjet pa shenja jete dhe vdekja e tij u konfirmua nga ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë përkatëse të Policisë, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për të ndriçuar rastin./Sinjali

  • Ministri Maqedonci konfirmon se Kosova ka kërkuar të blej raketat Javelin, jep edhe detaje tjera

    Ministri Maqedonci konfirmon se Kosova ka kërkuar të blej raketat Javelin, jep edhe detaje tjera

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e sistemit raketor antitank “Javelin”.

    Ai ka thënë se për këtë blerje ka diskutuar në Departamentin amerikan të Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes.

    Maqedonci ka thënë se kjo lëndë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe se presin përgjigje pozitive.

    “Ministria e Mbrojtjes mbështet Forcën e Sigurisë se Kosovës për t’i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së territorit në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS (Foreign Military Sales). Në kuadër të këtij programi parashihen blerjet ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin”, por dhe sisteme tjera të armatimit. Për sistemin Javelin është dërguar dhe pranuar kërkesa dhe për këtë rast blerje kam diskutuar në Departamentin e Shtetit dhe Departament të Mbrojtjes. Sipas informacioneve publike që keni marrë edhe nga ambasadori Hill, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, ka thënë Maqedonci për Dukagjinin.

  • Refuzohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmenin e arrestuar

    Refuzohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmenin e arrestuar

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmenin Feim Pulaj të arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

    Kjo është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga Majlinda Sadiku, e cila është avokate e të arrestuarit Xhemajl Hertica.

    Gjykata e ka caktuar masën e ndalimit të ofrimit të personit apo vendit të caktuar.

    Ndryshe, 12 zyrtarët dhe biznesmeni janë arrestuar të martën (9 janar 2024) nën dyshimin për disa vepra penale, ndërsa të mërkurën ishte kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

    Zyrtarët e ATK-së të arrestuar nën dyshimin për korrupsion janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdil Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama, Xhemajl Hetica.

    Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka thënë se Prokuroria ka ardhur në përfundim për ngritje të aktakuzës dhe se hetimet kishin filluar qysh në vitin 2020.