ATV

Category: Lajme

  • CNN rendit Piramidën e Tiranës ndër projektet verbuese arkitekturore

    CNN rendit Piramidën e Tiranës ndër projektet verbuese arkitekturore

    Gjiganti amerikan i informacionit, CNN e ka renditur Piramidën e Tiranës ndër projektet verbuese arkitekturore.

    ”Çdo vit, lista e ashtuquajtur WOW nxjerr në pah projekte të reja të jashtëzakonshme në mbarë globin, me projektet e paraqitura të këtij viti që vijnë nga pesë kontinente të ndryshme”, shkruan Jacqui Palumbo për CNN.

    ”Në qendër të qytetit të Tiranës, banorët dhe vizitorët mund të ngjiten në një piramidë monumentale që dikur ishte simboli i ndritshëm i një diktature shtypëse”, shton ai.

    ”E rikonceptuar nga studioja holandeze e arkitekturës MVRDV, Piramida e Tiranës është shndërruar nga një ish-muze i rrënuar kushtuar ish-liderit të vendit (dhe më vonë i përdorur si bazë e NATO-s) në një qendër kulturore me kuti shumëngjyrëshe, shkallë dhe rrëshqitje të pjerrëta.

    ”Ajo është një nga 18 projektet e reja të arkitekturës që Architectural Digest (AD) e ka cilësuar si më spektakolarët e vitit përmes listës vjetore “Works of Wonder” ose “WOW” në numrin e shkurtit”, thekson ai.

    “Në një kohë kur ndryshimi i klimës duket i madh në imagjinatën tonë kolektive – dhe kur ndërtimet e reja vazhdojnë të lënë një gjurmë të madhe karboni – ndihej e rëndësishme të vihej në pah se si arkitektura ekzistuese mund të përshtatet për të ardhmen”, thotë Sam Cochran, drejtor i revistës së njohur AD, i cili shpjegon zgjedhjen për të përfshirë Piramidën e Tiranës, transmeton ATSh.

    ”Përmes ndërhyrjeve të kujdesshme të projektimit, firma holandeze MVRDV ka dëshmuar se nuk është thjesht e mundur të përdoren ndërtesat e vjetra në përdorim të ri, por të bëhet kjo me një ndjenjë gëzimi, zgjuarsie dhe argëtimi”, thekson Cochran.

  • ​Ibishi për sulmin në Banjska: Kishte për qëllim të krijojë pasoja të rënda për Kosovën

    ​Ibishi për sulmin në Banjska: Kishte për qëllim të krijojë pasoja të rënda për Kosovën

    Në orët e hershme të 24 shtatorit të vitit që lamë pas, një grup terrorist serb, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, organizuan një sulm të armatosur në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, heroi Afrim Bunjaku.

    Rreth këtij sulmi, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thotë për KosovaPress, se sektori i sigurisë gjatë 2023-së u ballafaqua në mënyrën më të mirë në kuptim të kundërvënies, pasi në mënyrë profesionale Policia e Kosovës arriti të neutralizojë grupin terrorist.

    Ibishi vlerëson se situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë në veri dhe se për këtë janë shtuar forcat policore. Ai thotë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ishte akti më i rëndë, i cili cilësohet si agresion, ku u kap një arsenal i madh i armatimit, pajisjeve dhe automjeteve të grupit terrorist serb.

    “Po, ishte akti më i rëndë dhe cilësohet si agresion, prej institucioneve tona, por njëkohësisht edhe si akt terrorist, por sektori i sigurisë në rend të parë Policia e Kosovës u ballafaqua në mënyrën më të mirë në kuptim të kundërvënies, në mënyrë profesionale të neutralizojë grupin dhe e shpartalloi, mori ato imazhe çka është shumë me rëndësi. Përveç provave, mori imazhet nga aty me qëllim që t’i plasojë për opinionin përgjithësisht, nganjëherë edhe pse rastet janë reale, por pa argumentime…00:58 Tjetra, konfiskuan, pra u zunë dy nga grupi, pastaj u zënë shumë arsenal i madh i armatimit që kishin me vete, por edhe të tjera që ka pasur të depozituara, pajisjet dhe automjetet, e gjithë ajo që kishte të bëjë me një grup, kishte për qëllim një formë me pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë në Kosovë,” tha Ibishi.

    Ai e quan të padrejtë vendosjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.

    Problemi sipas tij është arrestimi i Milan Radoiçiq, për të cilin është lëshuar kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai thotë se mos ekstradimi i tij nga Serbia po e bën më shumë problematike çështjen e hetimeve në Kosovë.

    “Disa masa ndaj Kosovës u vunë në mënyrë të menjëhershme, dhe ato vazhdojnë të jenë në fuqi, ndërsa për një akt të tillë kaq të rëndë… 02;24 Me gjithë ato sfida që po ballafaqohet drejtësia e Kosovës në kuptim të asaj që grupi përveç personave që janë të zënë, dhe atyre të materialeve përgjithësisht provave që kemi në dispozicion. Është problem çështja e Radoiçiqit për të cilën është shpallur fletë-rreshtimi i Interpolit, por edhe të tjerëve do t’u shpallet, ndërkohë edhe pasi mungesa e bashkëpunimit me Serbinë në kuptim të dy vendeve, sepse ne nuk kemi marrëdhënie bilaterale në kuptim edhe të drejtësisë dhe policisë. Kjo do ta vështirësojë, por edhe pozicioni serb për të mos e ekstraduar, pra këmbëngulja e tyre që mos të ekstradojë Radoiçiqin dhe të tjerët në Kosovë, e bën problematike çështjen e hetimeve në Kosovë dhe me këtë them që është një jo-reciprocitet në vendosjen e masave,” tha ai.

    Ibishi thotë se vlerësimet e institucioneve kosovare për një sulm tjetër të mundshëm nuk vijnë kot, por nga informacionet e mbledhura kjo situatë paraqitet ende më sfiduese, me rreziqe dhe kërcënime për sigurinë në Kosovë, me mundësinë e përsëritjeve të rasteve të ngjashme.

    “Këto vlerësime nuk vijnë “ paushall”, vijnë nga gjithë ato informacione që kolektohen… 04;00 Gjithë kjo situatë paraqitet akoma sfiduese me rreziqet dhe kërcënime për siguri në Kosovë, dhe mundësinë e përsëritjeve të rasteve të tilla, sidomos kur kemi parasysh që Radoiçiq shihet me grupe të kriminelëve dhe terroristëve në afërsi të kufirit të Kosovës… 04:50 Kjo tregon që edhe koncentrimi në kufi akoma është prezent, dhe kjo e bën akoma më të brishtë situatën, dhe për këtë arsye janë shtuar forcat policore në kuptimin e prezencës dhe mbikëqyrjes të vijës kufitare, kalimit kufitar nga Policia e Kosovës, por njëkohësisht edhe shtimi i kapacitetit të KFOR-it për një mijë nënkupton katërfishimin e forcave në veri, dhe trefishimin e patrullimit në pjesën kufitare në katër komunat veriore,” u shpreh ai. /kp

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot me intervale të konsiderueshme diellore, por do të kemi masa të ftohta ajrore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj me -8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Pejë me 5 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Gjilani dhe Ferizaj me -8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale në Pejë dhe Prizren me -3 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe në shumicën e zonave do të ketë diell.

    Temperaturën minimale do e ketë Korça me -7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë me 14 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • Mjekë e profesorë universitar obligohen ta deklarojnë pasurinë nga 11 Shkurti

    Mjekë e profesorë universitar obligohen ta deklarojnë pasurinë nga 11 Shkurti

    Nga data 1 deri më 31 mars 2023, zyrtarët publik në Kosovë do të jenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

    Rreth dhjetë mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse, janë të obliguar të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

    “Procesi i deklarimit të rregullt vjetor, sipas ligjit, fillon me 1 mars dhe përfundon me 31 mars të secilit vitit kalendarik. Këtë vit, deklarimit të rregullt vjetor pritet t’i nënshtrohen rreth dhjetë mijë (10000) subjekte deklaruese”, thuhet në përgjigjen e tyre

    Këtë vit, ndryshe nga të tjerët këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe mjekët e institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, si dhe për profesorët e universiteteve publike.

    Deklarimin e pasurisë ata do ta bëjnë nga 11 shkurti i këtij viti.

    Numri i saktë nuk dihet ende sipas AAK-së, por pritet të jetë diku rreth 1 mijë.

    “Afati tridhjet ditor i deklarimit të pasurisë për mjekët e institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, si dhe për profesorët e universiteteve publike fillon me 11 shkurt 2024. Edhe pse në këtë fazë nuk mund ta dimë saktë numrin e përgjithshëm të tyre pritet që të jetë rreth një mijë (1000) subjekte deklaruese”, kanë thënë nga AKK-ja për Front Online.

    Nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), kanë treguar se pasuria e deklaruar e mjekëve dhe profesorëve universitar do të jetë e qasshme për publikun.

    “Në përputhje me ligjin, regjistrat e pranuar nga këto subjekte deklaruese do të jenë të qasshme për publikun”, thuhet më tej në përgjigje.

    Nga kjo Agjenci kanë thënë se pas deklarimit të pasurisë nga mjekët dhe profesorët, kompletohen të gjitha kategoritë deklaruese të obliguara ta deklarojnë pasurinë sipas legjislacionit të ri të Agjencisë.

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se janë më shumë se pesë mijë (5000) subjekte deklaruese që kanë deklaruar pasurinë për herë të parë në vitin 2023.

  • Vazhdojnë telashet me paratë e falsifikuara në Kosovë, mbi 500 euro false deponohen në një bankë

    Vazhdojnë telashet me paratë e falsifikuara në Kosovë, mbi 500 euro false deponohen në një bankë

    516 euro të falsifikuara janë deponuar në një banë në rrugën “28 Nëntori” në Skenderaj.

    Sipas raportit të Policisë rasti ka ndodhur të enjten dhe është raportuar nga një zyrtare e bankës.

    “Rr. 28 Nëntori, Skenderaj 11.01.2024 – 10:19. Ankuesi mashkull kosovar zyrtare i bankës ka raportuar nga klient janë deponuar pesëqind e gjashtëmbëdhjetë (516)€, të falsifikuara”, thuhet në raportin e Policisë.

    Monedhat thuhet se janë konfiskuar, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

  • KQZ sot cakton shumën e mjeteve që përfitojnë partitë parlamentare në vitin 2024

    KQZ sot cakton shumën e mjeteve që përfitojnë partitë parlamentare në vitin 2024

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbaj mbledhjen e radhës ku në rend dite është edhe shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit të Zyrës, për miratimin e vendimit për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2024.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të mbahet në ora 13:30.

    Ju njoftoj se sot (e premte, 12.01.2024, ora 13:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës me rendin e ditës të cilin e gjeni të bashkangjitur.

    RENDI I DITËS

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
    2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes së KQZ Nr.35/2023
    3. Aktivitetet e Zyrës:
      -Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit të Zyrës, për miratimin e vendimit për caktimin e
      lartësisë së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2024
    4. Raportet e Këshillave të KQZ:
      4.1.Këshilli për Operacione Zgjedhore
      -Shqyrtimi dhe miratimi i draft Planit Final të Prokurimit për vitin 2024
    • Shqyrtimi dhe miratimi i draft Planit të Punës për vitin 2024

    4.2Këshilli për Buxhet dhe Financa
    -Shqyrtimi dhe miratimi i draft Planit Final të Prokurimit për vitin 2024

    4.3.Këshilli për Marrëdhënie me jashtë
    -Shqyrtimi dhe miratimi i ftesës nga ODIHR, për pjesëmarrje në konferencën “Shkëmbim
    Rajonal mbi Forcimin e Sistemeve dhe Praktikave Financiare të Fushatës” në Varshavë

    • Shqyrtimi dhe miratimi i ftesës së IFES, për takim online nga Rrjeti i Drejtësisë
      Zgjedhore për Evropën dhe Euorazinë
    1. Të ndryshme
  • Instituti GAP sot prezanton raportin për vizat dhe ndikimin në fuqinë punëtore

    Instituti GAP sot prezanton raportin për vizat dhe ndikimin në fuqinë punëtore

    Instituti GAP sot do të mbajë konferencën për media ku do të prezantohen gjetjet e raportit “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave, ndikimi në fuqinë punëtore”.

    Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar ndikimin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës në tregun e saj të punës.

    “Në dhjetor të vitit 2023, GAP ka realizuar një anketë për matjen e opinionit publik në lidhje me planet e qytetarëve për të emigruar pas liberalizimit të vizave, si dhe janë analizuar praktikat e shteteve të rajonit të cilat janë përballur me shkallë të lartë të emigrimit”, thuhet në njoftim.

    Kjo konferencë pritet të nisë nga ora 10:00.

    “Instituti GAP organizon konferencë për media me temë “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”. (Instituti GAP, “Pejton”, Prishtinë, ora 10:00)”, thuhet tutje.

  • Pse protestojnë gjithnjë e më shumë fermerë evropianë?

    Pse protestojnë gjithnjë e më shumë fermerë evropianë?

    Përballë kostove në rritje dhe masave të reja mjedisore, shumë fermerë evropianë thonë se janë me shpatulla pas murit, si homologët e tyre gjermanë.

    Gjermania është vendi i fundit evropian i goditur nga një valë protestash të trazuara të fermerëve. Në një javë aksioni që do të zgjasë deri të premten, sektori i bujqësisë po kundërshton propozimet për shkurtimin e subvencioneve për karburantet e përdorura në bujqësi.

    Kolona me mijëra traktorë dhe kamionë kanë shkaktuar kaos në transport dhe kanë ndërprerë hyrjet disa qytete në të gjithë vendin ditët e fundit. Prodhimi në një fabrikë të Volkswagenit në qytetin verior të Emdenit madje u ndal. Javën e kaluar, ministri i Ekonomisë Robert Habeck u bllokua nga protestuesit e zemëruar, kur u përpoq të zbriste nga një traget gjatë një pushimi familjar.

    Lëvizja e protestës kalon kufijtë e BE

    Protesta të ngjashme, të shoqëruara në disa raste nga dhunë dhe cënim i sferës private të politikanëve, kanë shkaktuar ndonjëherë ndërprerje të mëdha të punës në Holandë vitet e fundit.

    Lëvizja protestuese, e cila synon të kundërshtojë masat e planifikuara për të luftuar ndotjen kronike me nitrogjen, madje krijoi një parti të re politike në vitin 2019, Lëvizjen e Fermerëve Qytetar (BBB), me një tendencë agrare dhe populiste.

    Në Belgjikë, Spanjë dhe Francë, fermerët kanë dalë gjithashtu në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me efektet e reformave të planifikuara mjedisore dhe kostot e larta. Polonia dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore kanë parë një valë protestash të ngjashme, megjithëse këto janë të lidhura kryesisht me importin e grurit të lirë ukrainas në BE.

    Fermerët bllokojnë rrugët në Gjermani

    Jan Douwe van der Ploeg, sociolog agrar dhe ish-profesor në Universitetin Wageningen në Holandë, sheh të përbashkëta të rëndësishme në shumë nga këto raste: mbrojtjen e statuskuosë.

    Shqetësimet shpesh kanë të bëjnë me “të drejtën për të vazhduar përdorimin e subvencioneve të fituara gjatë historisë [ose] për të vazhduar përdorimin e energjisë fosile ose pesticideve. Të gjitha këto janë shprehje shumë të qarta të bujqësisë së industrializuar,” tha ai për DW.

    Cilat janë ankesat e fermerëve?

    Ndërsa është e lehtë t’i gruposh protestat së bashku, ato janë shkaktuar kryesisht nga situata specifike kombëtare. Protestat gjermane fokusohen në subvencionet e naftës, fermerët spanjollë kanë sulmuar kohët e fundit masat e kursimit të ujit kurse demonstruesit francezë janë të shqetësuar për ujitjen dhe shpenzimet e karburantit, si dhe për politikën tregtare të Bashkimit Evropian.

    Megjithatë, me rritjen e çmimeve të plehrave kimike dhe të karburanteve në Evropë pas sulmit rus ndaj Ukrainës, fermerët thanë se po ndjejnë presion në të gjithë Evropën, pavarësisht nga çmimet shumë më të larta të ushqimeve në raftet e supermarketeve.

    Sipas Anne-Kathrin Meister-it, nga Federata e Rinisë Rurale Gjermane (BDL), rendimentet bujqësore thjesht nuk mund të mbajnë ritmin me kostot në rritje. “Po të krahasoni rritjen e çmimeve të makinerive, pesticideve dhe plehrave kimike, rendimenti nuk është rritur asnjëherë në të njëjtën masë,” tha për DW me telefon nga Berlini Meister, e cila është rritur në fermën e gjyshërve të saj në veri të Bavarisë.

    “Sfidat e viteve të fundit dhe ato të sotme janë thjesht pak shumë menjëherë”, tha ajo. Në Gjermani fokusi është te nafta dhe automjetet, por “kjo është vetëm pika e ujit që e bëri gotën të derdhet”.

    Sektori i bujqësisë nuk e kundërshton reformën mjedisore në vetvete, por ka nevojë për më shumë mbështetje, theksoi Meister. “Fermerët janë të prekurit e parë kur flora dhe fauna janë në gjendje të keqe,” tha ajo. Por kostot mjedisore vijnë me një çmim që edhe konsumatorët duhet të jenë të gatshëm ta paguajnë, shtoi ajo.

    Mbështetje nga e djathta ekstreme, pavarësisht nëse mirëpritet apo jo

    Qeveria gjermane gjithashtu ka frikë se protestat mund të përvetësohen nga e djathta ekstreme, siç e bëri të qartë ministrja e Brendshme Nancy Faeser këtë javë. Ministri i Ekonomisë Habeck ka dhënë alarmin për “fantazitë për grusht shteti” që qarkullojnë në internet në lidhje me protestat, si dhe për shfaqjen e simboleve nacionaliste.

    Të hënën, shumë traktorë shfaqën pankarta që mbanin logon e partisë ekstreme të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila aktualisht është në vendin e dytë në sondazhe, me 23%.

    Joachim Rukwied, president i Shoqatës Gjermane të Fermerëve, u përpoq t’i mbante protestat larg ekstremistëve. “Ne nuk duam që grupet e krahut të djathtë apo grupe të tjera radikale të synojnë të rrëzojnë qeverinë në protestat tona,” tha ai. “Ne jemi demokratë,” i tha ai gazetës gjermane Bild të dielën.

    Objektivat klimatike në rrezik?

    Paqetësia e fermerëve shihet me nervozizëm në Bruksel. Mbi të gjitha, zyrtarët e BE kanë frikë se objektivat ambicioze klimatike, të parashikuara në legjislacionin nën kujdesin e Komisionit aktual Evropian do të vihen në pikëpyetje. BE ka vendosur një objektiv të përgjithshëm për arritjen e emetimeve “zero neto” deri në vitin 2050. Për bujqësinë, ndryshimet e planifikuara përfshijnë një reduktim prej 50% të pesticideve kimike deri në vitin 2030.

    Ndërsa zgjedhjet evropiane po afrohen në qershor, disa shqetësohen për sigurinë e këtyre planeve të mirëpërcaktuara, nëse Parlamenti Evropian lëkundet djathtas.

    Ky rrezik u shfaq plotësisht gjatë protestave politike mbi Aktin e Restaurimit të Natyrës, sipas Marco Contieros, një aktivist me degën evropiane të grupit të fushatës klimatike Greenpeace. Ligji u miratua me pak vota pro nga Parlamenti Evropian vitin e kaluar, pas rezistencës së minutës së fundit të udhëhequr nga Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë. EPP, e cila është grupi më i madh në këtë legjislaturë, është pozicionuar se mbron interesat e fermerëve kundër planeve për kthimin e tokës bujqësore në habitatin e saj natyror.

    “Partitë konservatore, madje edhe partitë e djathta, kanë vendosur të përdorin ose abuzojnë me komunitetet bujqësore si një mjet elektoral për të arritur rezultate më të mira”, tha Contiero për DW.

    Për Greenpeace, sistemi aktual, i cili i shtyn fermerët të menaxhojnë fermat e mëdha e të industrializuara intensivisht, është prishur; nuk ka kuptim të shqetësohesh për t’i mbajtur gjërat ashtu siç janë.

    Midis viteve 2005 dhe 2020, rreth 5.3 milionë ferma janë mbyllur në BE, shumica dërrmuese e tyre ferma të vogla, tha Contiero, duke cituar vlerësime nga agjencia e statistikave të BE-së, Eurostat.

    “Kjo do të thotë se një e treta e fermerëve evropianë janë zhdukur për shkak të problemeve financiare,” thotë Contiero. “Të pretendosh se mbrojtja e sistemit aktual është e njëjtë me mbrojtjen e fermerëve është gënjeshtër e kulluar.”

    Histori e gjatë e protestave të fermerëve

    Por sektori i bujqësisë ka një histori të gjatë protestash, thekson van der Ploeg, sociolog agrar.

    Ka patur disa valë gjatë shekullit të 20-të, duke përfshirë ato famëkeqe të fillimit të viteve 1970, të cilat panë fermerë nga disa vende të zbresin në Bruksel. Në vitin 1971, protestat ishin aq të dhunshme sa që policia qëlloi dhe vrau një protestues.

    Sipas van der Ploeg-ut, në të kaluarën, protestat e fermerëve zakonisht udhëhiqeshin nga aktorë të vegjël. Sot, të paktën në vendin e origjinës, Holandën, janë prodhuesit e mëdhenj ata që i nxisin. “Janë fermerët me të vërtetë të mëdhenj ata që vendosin agjendën,” tha ai. Sipas tij, “ata po luftojnë për një perspektivë që përfaqëson interesat e agrobiznesit”.

    Rukwied, president i Shoqatës Gjermane të Fermerëve, mund të mos e shohë kështu. Të mërkurën, ai tha se një ofertë kompromisi nga qeveria nuk ishte e mjaftueshme dhe kërcënoi se do të vazhdonte protestat javën e ardhshme./dw

  • Human Rights Watch: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

    Human Rights Watch: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

    Në raportin për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nëpër botë, organizata Human Rights Watch e cilëson “vënien para përgjegjësisë për krime serioze dhe cenimin e lirisë së mediave si shqetësime urgjente” lidhur me Kosovën.

    Organizata me seli në New York thekson se gazetarët në Kosovë ishin në shënjestër të “sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengesave në kryerjen e punëve të tyre,” duke cituar statistikat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që ka regjistruar 60 incidente ndaj gazetarëve, në mesin e të cilave 16 sulme dhe 22 kërcënime.

    Raporti gjithashtu dokumenton ngjarjet e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës nga maji deri në shtator të vitit të kaluar dhe tensionet politike mes Kosovës dhe Serbisë që përshkuan këtë periudhë.

    Human Rights Watch po ashtu vlerëson se kërcënimet dhe aktet diskriminues ndaj komunitetit LGBT vazhduan edhe gjatë vitit 2023, përfshirë nga familjarët e tyre dhe reagimi i autoritetet shtetërore është gjysmak. Njëkohësisht, sipas raportit, të mbijetuarat e dhunës në familje “vazhdojnë të përballen me vështirësi të kërkojnë drejtësisë dhe përkrahje kur braktisin ambientet abuzive.”

    Human Rights Watch nënvizon edhe dështimin e organizatës së Kombeve të Bashkuara për “t’u kërkuar falje dhe për t’u paguar kompensim individual viktimave të komunitetit rom, ashkali dhe egjyptian për helmimin me plumb në kampet e kontaminuara për të zhvendosurit”, që po menaxhoheshin nga misioni i kësaj organizate në Kosovë.

    Në raportin e saj global, organizata Human Rights Watch e veçoi vitin 2023 si “një vit që do të mbahet mend jo vetëm për shtypjen e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, por gjithashtu për veprime të njëanshme të disa qeverive dhe diplomacisë të bazuar në interesa të veçanta që pati një kosto të rëndë për të drejtat e atyre që nuk ishin pjesë e këtyre marrëveshjeve.”

    Por sipas organizatës, “megjithë pamjes së zymtë, shohim shenja shprese” për ndryshime. /VOA

  • ​Kaçanik: Publikoi video duke shtënë me pistoletë, arrestohet nga policia

    ​Kaçanik: Publikoi video duke shtënë me pistoletë, arrestohet nga policia

    Një person në Kaçanik është arrestuar për përdorim të armës së zjarrit.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi kishte publikuar një video duke shtënë me armë të zjarrit, teksa pistoleta është konfiskuar.

    “Fsh. Dubravë, Kaçanik 11.01.2024 – 14:30. Është shoqëruar në stacionin policore i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte publikuar një video duke shtënë me armë zjarri. Pistoleta është konfiskuar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.