ATV

Category: Lajme

  • Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëfinancim të projektit të rrugës Tetovë-Prizren

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëfinancim të projektit të rrugës Tetovë-Prizren

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut sot kanë nënshkruar projektin për bashkëfinancim e projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

    Dokumentin e nënshkroi ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe nga Maqedonia e Veriut zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjes, Bekim Rexhepi. Marrëveshja u nënshkrua në prani të ministrit maqedonas Blagoj Bochvarski, si dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi.

    Rexhepi tha se kësaj marrëveshje i kanë paraprirë disa takime të grupeve të të dyja shteteve dhe se kanë gjetur një zgjidhje optimale se kah duhet të kalojë kjo rrugë.

    “Sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës sepse po fillojmë një kapitull të ri të zgjerimit të rrjetit rrugor të lidhjes rajonale. Kisha nderin që së bashku me Ministrin Aliu të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëfinancimin, kompletimin dhe ndërtimin e tunelit në drejtimin e aksit rrugor Tetovë-Prizren. Kësaj marrëveshje ndërshtetërore i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet, të cilat i falënderoj sepse gjetën zgjidhjen më optimale për këtë projekt. Në bazë të studimit të fizibilitetit nga ana jonë janë ofruar opsione të ndryshme për zgjedhjen e trasesë së rrugës Tetovë-Prizren dhe e pranueshme për të dyja vendet ishte traseja në ndërtimin e tunelit 6.4 km të gjatë. Traseja e rrugës së re fillon në Tetovë përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në vendbanimin Veshallë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”.

    Ai tha se është edhe në të mirën e turizmit në Maqedoninë e Veriut meqë kalon edhe kah Kodra e Diellit – qendër turistike.

    Ndërkaq, ministri Aliu tha se kjo rrugë ka rëndësi edhe rajonale dhe nuk po bëhet vetëm që të lidhë Prizrenin me Tetovën.

    “Është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme që s’e lidh vetëm Prizrenin me Tetovë, por edhe me autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën, rrjedhimisht krijon mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit”.

  • Specialja refuzon apelin e Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Specialja refuzon apelin e Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se Paneli i Gjykatës së Apelit e ka refuzuar apelin e Isni Kilajt që t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

    Ish-kryetari i Malishevës vazhdon të mbahen në paraburgim pasi i njëjti akuzohet për pengim të drejtësisë.

    Kilaj u arrestua më 3 nëntor pas një urdhërarresti të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.

    “Kilaj u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës… dhe shkeljen e sekretit të procedurave”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

  • Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Nga 1 mijë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Shengen në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë migruar 338 mijë qytetarë apo 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Kështu u tha në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”.

    Sipas raportit të prezantuar të premten, arsyet kryesore që i përmendin qytetarët janë kushtet ekonomike, ndërsa sektorët që do të preken më shumë janë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia.

    Blendi Hasaj, hulumtues i lartë në GAP, tha se Instituti ka bërë një hulumtim ku ka anketuar mbi 1000 persona, ku sipas kësaj gjetje pritet që 28 për qind e popullësi të emigroj gjatë periudhës së parë të këtij viti.

    “Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se liberalizimi i vizave e gjen Kosovën në një dinamikë më ndryshe se shtetet tjera të rajonit në kohën kur atyre i’u ofrua lëvizja e lirë në BE.

    Në vitin e parë pas liberalizimit të vizave për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e emigrimit nuk ishte shumë e lartë, duke arritur në maksimum 2.9% të popullsisë së një shteti, por tendenca për të emigruar është bërë shumë më e theksuar në tërë Ballkanin Perëndimor pas vitit 2015.

    Kjo kryesisht si rrjedhojë e kërkesave të mëdha dhe zbutjes së kritereve nga shtetet e BE-së për punëtorë të huaj”, tha Hasaj.

    “Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore jo-aktive është zvogëluar për 14,698 persona.

    Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore jo-aktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm.

    Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”.

    Anisa Zogaj, hulumtuese e lartë në GAP, tha se sektorët që do të preken më shumë nga emigrimi i popullsisë janë sektori i ndërtimtarisë, sektori i hotelerisë dhe gastronomisë, sektori i tregtisë dhe sektori i prodhimtarisë.

    Sipas saj, Gjermania është destinacioni kryesor i emigruesve dhe se kushtet ekonomike janë ndër arsyet kryesore që i nxisin qytetarët që të emigrojnë.

    “Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%).

    Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë.

    Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, deklaroi ajo.

    “Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.

    Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%).

    Destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%”, u shpreh ajo.

  • Të hënën nisin seancat gjyqësore për 2024-ën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Të hënën nisin seancat gjyqësore për 2024-ën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën me 15 janar fillojnë seancat gjyqësore për vitin 2024 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.Në këtë çështje gjyqësore deri më tani janë dëgjuar gjithsej 38 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në njoftimin javor të DhSK-së, të enjten, u tha se trupi gjykues ka pranuar pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera.

    Sipas zëdhënësit, Michael Doyle, kjo kërkesë përfshinte edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.Po ashtu, edhe katër seanca që janë paraparë për muajin shkurt në këtë çështje gjyqësore, janë anuluar.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor 2022.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Çmimet e naftës rriten për më shumë se 2% pas sulmeve në Houthis

    Çmimet e naftës rriten për më shumë se 2% pas sulmeve në Houthis

    Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 2% pasi aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi sulmet ndaj Houthis, shkruan BBC përcjell Insajderi.

    Brent, pikë referimi për dy të tretat e naftës në botë, u rrit me 2.5%, duke u ngjitur drejt 80 dollarëve, nga frika se konflikti mund të zgjerohej në një zjarr më të gjerë rajonal.

    Sulmet erdhën disa orë pasi Irani kapi një cisternë që po shkonte drejt Turqisë në brigjet e Omanit të enjten, duke e ndezur më tej situatën.

    Gjiri i Omanit, ku u kap cisterna, është shumë afër ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar për furnizimin me naftë.

    Më shumë se 20 milionë fuçi naftë lëvizin çdo ditë në këtë vendkalim të ngushtë, që është e barabartë me rreth një të pestën e konsumit global.Sulmet nga Huthi të mbështetur nga Irani mbi anijet në Detin e Kuq kanë ndërprerë tregtinë dhe rrjedhën e karburantit në javët e fundit.

    Rreziku më i madh për çmimet e naftës është nëse Irani tërhiqet drejtpërdrejt në konflikt, i cili mund të kërcënojë prodhimin dhe rrjedhjen në një rajon që prodhon një të tretën e naftës së papërpunuar në botë.

  • Ish-ministri i ushtrisë serbe: Armatimi i Kosovës s’është lajm i mirë për Serbinë

    Ish-ministri i ushtrisë serbe: Armatimi i Kosovës s’është lajm i mirë për Serbinë

    Dragan Shutanovac, ish-ministër i Ministrisë së Mbrojtjës në Qeverinë e Serbisë, ka komentuar pranimin e kërkesës së Kosovës nga ana e ShBA-së për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”, në një vlerë të konsiderueshme prej 75 milionë dollarëve.

    Sipas Shutanovacit, militarizimi i Kosovës nuk është lajm i mirë për Serbinë.

    Ish-ministri serb i Mbrojtjes ka bërë edhe një interpretim të çuditshëm, duke thënë se armatimi i Kosovës është rrezik edhe për Maqedoninë e Veriut.

    “Militarizimi i Kosovës nuk është lajm i mirë si për Beogradin ashtu edhe për vendet përreth, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë është përballur me rebelime të armatosura që synojnë shkëputjen e një pjese të territorit dhe formimin e Shqipërisë së Madhe, që është baza e aktivitetet politike të ekstremistëve dhe të Kurtit” – deklaroi ai për Danas, transmeton Nacionale.

  • ​Policia jep detaje për rrahjen masive në Suharekë

    ​Policia jep detaje për rrahjen masive në Suharekë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rahjes në një restorant në Suharekë mes disa personave.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se rrahja ka ndodhur rreth orës 10:30, ndërsa si pasojë e rrahjes tre persona kanë kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa gjashtë të dyshuar janë intervistuar.

    Rasti është cilësuar si “lëndim trupor”.

    Rr. Skënderbeu, Suharekë 11.01.2024 – 10:30. Raportohet për një rrahje në mes të disa personave në një restorant. Tre viktima meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë janë intervistuar. Me vendim të prokurorit pestë të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.” – shkruhet në raportin 24-orësh.

  • ​Kurti e Vuçiqi në Forumin Ekonomik Botëror, Rohde i gëzohet pjesëmarrjes së tyre

    ​Kurti e Vuçiqi në Forumin Ekonomik Botëror, Rohde i gëzohet pjesëmarrjes së tyre

    Nesër (e shtunë) nis Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës, i cili do të zgjasë deri më 19 janar.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se ndjehet i gëzuar që pjesëmarrës në këtë forum do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Javën e ardhshme, në Davos do të nisë Forumi Ekonomik Botëror. Me të gjitha temat kryesore të rëndësishme, ‘Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të thyer’ rezonon veçanërisht për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi dhe të gjithë rajonin e Ballkani Perëndimor. Gëzohem që do t’i shoh të dy, Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin të jenë të pranishëm”, ka shkruar Rohde në X.

    Ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë takim bilateral kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

  • Ish-ministri Mehaj thotë se procesi i blerjes së raketave “Javelin” ka nisur një vit e gjysmë më parë

    Ish-ministri Mehaj thotë se procesi i blerjes së raketave “Javelin” ka nisur një vit e gjysmë më parë

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se investimet për blerjen e raketave anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë nisur gjatë kohës sa ai ka udhëhequr ministrinë.

    Mehaj deklaron se përveç këtyre raketave janë bërë edhe disa blerja tjera, por që sipas tij, këto duhet të mbesin pa u publikuar, transmeton Telegrafi.

    “Ky investim për ushtrinë tonë ka nisur tash e dy vite e gjysmë më parë. Nën mandatin tonë, jo vetëm raketat “Javelin” e Dronët Bajraktar, por edhe shumë sisteme e kontingjentet të tjera janë blere e janë në proces, e që konsideroj se duhet të mbesin pa u publikuar e në shërbim të interesit kombëtar”, thekson ish-ministri Mehaj.

    Më tej, në reagimin e tij, Mehaj ka pohuar se për të ka qenë mision kryesorë forcimi me armatim i ushtrisë së Kosovës, ku mes tjerash shkruan se “jam krenar që nën mandatin tonë mbi 292 milion euro i kemi shpenzuar në ketë drejtim”.

    “Dronët, raketat “Javelin” dhe shumë sisteme e kontigjentë të tjera, janë e arritur e jashtëzakonshme e shtetit tonë për ushtrinë e Kosovës. Anëtarësimi në aleancën e NATO-së është pikësynimi i ynë”, ka pohuar ai.

    Mehaj ndër të tjera ka shkruar se miqësia e Kosovës me SHBA-në është e pathyeshme dhe e përjetshme.

    “Një gjë dua të ia konfirmojë popullit tim se siguria e jonë është me e fortë dhe me e mirë se sa duket në shikim të parë dhe shihet në publik. Armatosjen e ushtrisë dhe Kosovës e kemi amanet nga dëshmorët e kombit, martirët, invalidet dhe veteranët e luftës”.

    Ish-ministri thotë se Ushtria e Kosovës është nderi dhe krenaria e jonë.

    Në fund të reagimit, Mehaj ka publikuar edhe një fotografi, e që sipas tij është shkrepur në ditët e para të parashtrimit të kërkesës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin” në SHBA).

  • SHBA-ja dhe Britania e Madhe kryen sulme kundër rebelëve Huthi në Jemen

    SHBA-ja dhe Britania e Madhe kryen sulme kundër rebelëve Huthi në Jemen

    Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave ushtarake të grupit rebel Huthi në Jemen si përgjigje ndaj sulmeve të tyre kundër anijeve tregtare amerikane dhe ndërkombëtare në Detin e Kuq, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
    Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë nisën vonë më 11 janar dhe u kryen me mbështetjen e Australisë, Kanadasë, Holandës dhe Bahreinit, tha CENTCOM në një deklaratë në platformen X.

    “Ky aksion shumëkombësh synoi sistemet e radarëve, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe vendet e magazinimit dhe lëshimit për të sulmuar sistemet ajrore pa pilot, raketat e lundrimit dhe raketat balistike”, tha CENTCOM.

    Sulmet e rënda ajrore të SHBA-së dhe Britanisë goditën objektivat në Jemenin e kontrolluar nga rebelët herët të premten pas disa javë sulmesh në anijet e Detit të Kuq nga forcat Huthi të mbështetura nga Irani.

    Presidenti amerikan, Joe Biden tha se sulmet kishin për qëllim të demonstronin se SHBA-ja dhe aleatët e saj “nuk do të tolerojnë” sulmet e pandërprera të grupit militant në Detin e Kuq. Dhe ai tha se ata e bënë këtë veprim vetëm pas përpjekjeve për negociata diplomatike dhe diskutime të kujdesshme.

    “Sot, në drejtimin tim, forcat ushtarake të SHBA-së – së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës – kryen me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen të përdorura nga rebelët Huthi për të rrezikuar lirinë e lundrimi në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, tha Biden në një deklaratë.

    “Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të grupit Huthi kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq – duke përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha Biden.

    Ai vuri në dukje se sulmet rrezikuan personelin amerikan, marinarët civilë e tregtinë dhe shtoi: “Unë nuk do të hezitoj të drejtoj masa të mëtejshme për të mbrojtur popullin tonë dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare sipas nevojës”.

    Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, i cili është ende i shtruar në spital pas komplikimeve të operacionit, tha në një deklaratë se sulmet kishin për qëllim dronët Huthi, raketat balistike dhe të lundrimit, si dhe radarët bregdetar dhe aftësitë e mbikëqyrjes ajrore.

    Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se sulmet ishin “të nevojshme dhe proporcionale”.

    “Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar, Huthit kanë vazhduar të kryejnë sulme në Detin e Kuq”, tha Sunak në një deklaratë.

    “Prandaj ne kemi ndërmarrë veprime të kufizuara, të nevojshme dhe proporcionale në vetëmbrojtje, së bashku me Shtetet e Bashkuara…për të degraduar aftësitë ushtarake Huthi dhe për të mbrojtur anijet globale,” tha ai.

    Përmes një deklarate Franca ka dënuar sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare. Ministria e Jashtme tha se Huthit janë përgjegjës për përshkallëzimet në Detin e Kuq.

    Shtëpia e Bardhë tha se më shumë se 2.000 anije ishin detyruar të bënin devijime prej mijëra kilometrash për të shmangur Detin e Kuq për shkak të akteve të rebelëve Huthi që prekën më shumë se 50 vende. Gjithashtu tha se ekuipazhet nga më shumë se 20 vende ose u morën peng ose u kërcënuan nga grabitësit Huthi.

    Huthit kanë thënë se synimi i tyre i lundrimit në Detin e Kuq ka për qëllim të tregojë mbështetjen e grupit për palestinezët dhe Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian.

    Rusia dhe Irani, mbështetësi kryesor të rebelëve Huthi, i dënuan menjëherë sulmet duke thënë se ato do të sillnin turbulenca të mëtejshme në Lindjen e Mesme.

    “Ne dënojmë fuqishëm sulmet ushtarake të kryera këtë mëngjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar në disa qytete në Jemen”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kannani në një postim në Telegram.

    “Këto veprime arbitrare janë një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe një shkelje e ligjeve dhe rregulloreve ndërkombëtare. Këto sulme do të kontribuojnë vetëm në pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në rajon,” shtoi ai.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se Moska kishte kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar sulmet ushtarake.

    Një zëdhënës i rebelëve Huthi tha se sulmet ishin të pajustifikuara dhe se rebelët do të vazhdojnë të synojnë anijet që shkojnë drejt Izraelit.

    Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.

    Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kishte njoftuar më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve Huthi.