ATV

Category: Lajme

  • “As Kurti, as Osmani”, deputeti i PDK-së thotë se negocimin dhe kontraktimin e armatimit nga ShBA-ja e ka bërë Kadri Veseli

    “As Kurti, as Osmani”, deputeti i PDK-së thotë se negocimin dhe kontraktimin e armatimit nga ShBA-ja e ka bërë Kadri Veseli

    As Albin Kurti e as Vjosa Osmani.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se Kadri Veseli i ka kontraktuar armët e blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pas miratimit nga ShBA-ja të kërkesës për blerjen e raketave antitank “Javelin”, deputeti Haxhiu tha se e vërteta për blerjen e armatimit nga ShBA-ja është e ndryshme nga ajo që është paraqitur nga zyrtarët në pushtet.

    Sipas tij, negocimin dhe kontraktimin e ka bërë ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në vitin 2018.

    Haxhiu tha se një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara “Humvee”, kishin arritur në Kosovë nga ShBA-ja më 25 korrik të vitit 2020.

    “Pse ka pasë vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet te japin llogaridhënie qeveritarë e sotëm. Sot, kur dezertorët dhe sabotuesit e luftës çlirimtare flasin për luftë e kupton hipokrizinë e këtij pushteti, që abuzojnë me sigurinë e vendit për populizëm elektoral”.
    “Krahasuar me fuqinë ushtarake të Serbisë, Kosova vendi ynë do të jetë e sigurt vetëm me anëtarësimin në NATO dhe aleancë të përhershme me ShBA dhe BE”, shkroi Haxhiu.

    Tutje, ai tha se 10 vjet më parë, Vetëvendosje dhe LDK nuk kanë votuar ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në ushtri, ku sipas tij, sikur atëherë të votohej transforimi i FSK-së në ushtri, sot Kosova do të ishte pjesë e NATO-s.

    Dje, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të Ushtrisë së Kosovës kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë raketat “Javelin”.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuar dje se e kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 264 raketave antitank “Javelin”, të cilat kapin vlerën totale prej 75 milionë euro.

  • Kosova sërish nikoqire e “Defender Europe”

    Kosova sërish nikoqire e “Defender Europe”

    Kosova do të jetë sërish nikoqire e ushtrimit ushtarak “Defender Europe” që do të organizohet në vitin 2025.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

    “Po, Kosova do të jetë sërish nikoqire e Defender Europe, që do të organizohet në vitin 2025″, tha ai shkurtimisht.

    Ndryshe, edhe të enjten zëvendësministri, Shemsi Syla për Front Online ka thënë se ushtria e Kosovës në vitin 2025 do të jetë pjesë e “Defender”.

    “Në 2025 do jemi pjesë e “Defenderit”, kemi filluar kontaktet, planet dhe përgaditjet”, ka thënë ai shkurtimisht për Front Online.

  • SPAK-u kërkon 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun Safet Gjici

    SPAK-u kërkon 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun Safet Gjici

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun Safet Gjici dhe 1 vit e 6 muaj burg për Alma Kaçajn.

    Në përfundim të hetimit, SPAK ka lexuar këtë të premte pretencën për dy të pandehurit Safet Gjici, për akuzën e korrupsionit pasiv dhe Alma Kaçaj, gjithashtu për korrupsionit aktiv. Si ish kryebashkiaku Gjici, ashtu edhe Alma kanë kërkuar gjykim te shkurtuar, kërkesë e pranuar dhe nga gjykata. Nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Gjici do të vuajë 3 vite burg ndërsa Kaçaj 1 vit.

    Gjatë leximit të pretencës, SPAK ka kërkuar po ashtu që Gjicit t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Sakaq, për Alma Kaçajn, SPAK ka kërkuar dënim me burg 1 vit e gjashtë muaj, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 1 vit burg.

    Ish-kryebashkiaku i Kukësit, u arrestua më 24 qershor me urdhër të SPAK. Hetimi ndaj Gjicit nisi në 16 qershor, pas një videoje kompromentuese të publikuar në rrjetet sociale.

  • Viola von Cramon, të hënën nis vizitën katërditore në Kosovë

    Viola von Cramon, të hënën nis vizitën katërditore në Kosovë

    Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, do të qëndrojë në Kosovë për katër ditë.

    Vizitën e saj do ta nisë të hënën më 15 janar, kur edhe do të mbajë një konferencë për media.

    Von Cramon ka qenë e zëshme në mbështetje të Kosovës tash e sa vite, si për çështjen e vizave, ashtu edhe për situatën me Serbinë në përgjithësi.

  • Zlatan Arsic mbetet në paraburgim, akuzohet për krime lufte në Kamenicë

    Zlatan Arsic mbetet në paraburgim, akuzohet për krime lufte në Kamenicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka refuzuar kërkesën për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Zlatan Arsic, i cili akuzohet se ka kryer krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Vendimi për refuzimin e këtij propozimi të mbrojtjes është marrë në fund të seancës nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj. Në këtë seancë cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar prindërit e të dëmtuarit.

    Aktakuza ndaj Arsic është ngritur më 28 korrik 2023. Ai ngarkohet se mars 1999 në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe i armatosur, e kishte ndalur në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë të tipit Llada me ngjyrë të bardhë, ku nga ajo veturë kanë dalë dy policë, njëri ndër ta i akuzuari dhe i ‘u kanë drejtuar të dëmtuarit me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

    Sipas njëjtit dispozitiv të dëmtuarin B.M e kanë detyruar që të niset para tyre me biçikletë, duke e përcjell mbrapa me veturë deri në stacionin e policisë në Kamenicë, ku pastaj i akuzuari e ka kapur nga krahu të dëmtuarin dhe kur janë afruar te shkallët e stacionit policor, i akuzuari ka filluar që ta godasë të dëmtuarin me shufër gome deri sa e ka dërguar në zyrë në katin e dytë, ku posa e ka futur në zyre ka filluar ta godas përsëri në pjesë të ndryshme të trupit me shufër gome, shkelma dhe grushte duke e torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Sipas dispozitivit të dytë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Arsic, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars të vitit 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e me pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë venë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

    Tutje sipas dispozitivit të dytë thuhet se i dëmtuari B.M së bashku me familjen e tij, disa ditë pasi ishte torturuar e maltretuar nga i akuzuari, të përshkruara si në pikën 1 të kësaj aktakuze, kishte shkuar te shtëpia prej të cilës ishte dëbuar dhe ishte djegur, në të cilën ai me familje kishin banuar me qira, ishte takuar me të akuzuarin në oborrin e shtëpisë në fjalë dhe i akuzuari në këtë rast e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt duke e kërcënuar se mund ta ekzekutonte dhe pas një kohe policia serbe, e kishin liruar të dëmtuarin dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij, ku të njëjtin kishin vazhduar për në shtëpinë e dajës së të dëmtuarit, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve. vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSF-së./ BetimipërDrejtësi

  • Presidentja Osmani pret që Kongresi do ta miratojë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën

    Presidentja Osmani pret që Kongresi do ta miratojë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas pranimit të kërkesës për blerjen e raketave antitank “Javelin” ka thënë se Kosova tani po hyn në një fazë të re dhe vendimtare për aftësitë mbrojtëse, duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar edhe më marrëdhëniet me ShBA-të.

    Osmani tha se si Komandante e Përgjithshme e FSK-së i përgëzon të gjitha përpjekjet dhe energjitë që institucionet mbrojtëse të vendit kanë bërë ndër vite për të siguruar që të përmbushen kriteret e përshtatshmërisë së Programit të Shitjes së Jashtme Ushtarake të Departamentit të Shtetit.

    “Në veçanti, dëshiroj të falënderoj Sekretarin e Shtetit Blinken, me të cilin ne u angazhuam në diskutime në lidhje me Programin e Shitjes së Jashtme Ushtarake në korrik 2022, Departamentin e Mbrojtjes së ShBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tani ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit”, ka shkruar Osmani në FB.

    E para e shtetit tha se ka besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje ndaj kombit, të cilin ajo e quajti më “pro-amerikan në tokë, si një akt që do ta rrisë sigurinë në Kosovë, rajon dhe kontinentin evropian”.

    Dje, Departamenti i Shtetit përmes një njoftimi për raketat “Javelin” tha se kjo shitje do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të ShBA-së duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian – Kosova, e cila sipas tyre, është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë.

    “Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe për të përmbushur kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhej në njoftimin e DASh-it.

     

  • Arrestohet një person në Jarinje, dyshohet se ka vjedhur një veturë në Deçan

    Arrestohet një person në Jarinje, dyshohet se ka vjedhur një veturë në Deçan

    Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një person në vendkalimin kufitar në Jarinje, i dyshuar për vjedhje të një veture në Deçan.

    Zyrtarët policorë gjatë realizimit të detyrave të tyre në Pikën e Kalimit Kufitar-Jarinje në dalje, sot rreth orës 01:55, gjatë kontrollimit kufitar të udhëtarëve, në autobusin e vijës së rregullt Mitrovicë-Beograd, është hasur personin V.O., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar), i cili nuk posedonte asnjë dokument identifikimi, përveç një raporti mbi ‘raportimin e dokumenteve të humbura’.

    Policia me qëllim të verifikimit të identitetit të personit dhe sqarimit të rrethanave, ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo-hetimore (kontakti me SP Deçan dhe intervistimi i personit).

    Në njoftim thuhet se gjatë realizimit të procedurave policore, ka rezultuar se personi është i dyshuar për vjedhje të automjetit më 11 janar 2024 rreth orës 21:30 në një fshat të Deçanit. Rasti është raportuar në Stacionin Policor Deçan, gjersa është zbuluar edhe vendndodhja e veturës së vjedhur (rruga ‘Isa Boletini’ Mitrovicë Jugu).

    “Po ashtu, gjatë kontrollit të detajuar, personit të dyshuar i janë gjetur një palë çelësa që dyshohet se i përkasin veturës së vjedhur. Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • GAP: 338 mijë qytetarë kanë emigruar nga Kosova për dhjetë vjet

    GAP: 338 mijë qytetarë kanë emigruar nga Kosova për dhjetë vjet

    Në tremujorin e parë të vitit 2024, planifikohet që 28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18 vjeç të emigrojnë pas liberalizimit të vizave. Ndërkaq, sektorët që pritet të preken më së shumti nga largimi i punonjësve janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj ai i tregtisë dhe prodhimit. Ndërsa, në dhjetë vjetët e fundit nga vendi kanë emigruar 338 mijë qytetarë.

    Kështu u bë e ditur në konferencën për media të organizuar nga Instituti GAP me temën “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, ku u tha se arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.

    Përmes një ankete të realizuar me mbi 1 mijë qytetarë nga Kosova, Instituti GAP kishte për qëllim që të vinte në pah se cilat janë arsyet kryesore që nxisin ata për të emigruar, cilët sektorë do të preken më shumë dhe çështje të tjera.

    Hulumtuesja e lartë në Institutin GAP, Anisa Zogaj tha se rreth 28 për qind e qytetarëve konsideruan se mundësitë më të mira për punësim janë arsyeja kryesore për të emigruar.

    Ajo theksoi se sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj tregtisë 18.1 për qind dhe prodhimit 12.9 për qind.

    Zogaj potencoi se shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm me 58 për qind, derisa shtoi se destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, ndjekur nga Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind.

    “28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç kanë plane për të emigruar në periudhën e parë të këtij viti…Sektorët të cilët preken në masë më të madhe nga largimi i punëtorëve në këtë periudhë janë sektori i ndërtimtarisë me 18.7 për qind, hotelerisë dhe gastronomisë po ashtu me 18.7 për qind, tregtisë me 18.1 për qind dhe prodhimit me 12.9 për qind. Të njëjtit janë po ashtu sektorë të cilët kanë numrin më të lartë të punëtorëve në Kosovë dhe kanë produktivitetin më të lartë, por që pagat i kanë në pagën mesatare të Kosovës. Disa sektorë të tjerë të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia nuk priten të preken në të njëjtën masë sikurse sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe gastronomisë…Arsyet ekonomike janë arsyet kryesore të cilat i shtyjnë qytetarët të emigrojnë. Gjithsej 28 për qind e qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore për të emigruar…Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm me 58 për qind, ndërsa destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, ndjekur nga Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind”, tha Zogaj.

    Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Blendi Hasaj tha se në periudhën 2012/2022 rreth 338 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova.

    Ai shtoi se liberalizimi i vizave sjell probleme në ekonomi, duke përfshirë mungesën e punonjësve në treg.

    Hasaj theksoi se nëse nga Kosova emigrojnë shumë kuadro të cilat janë të shkolluara, pritet që të ulet produktivitetin në tërë vendin. Ai shtoi se kjo ndo të ndikojë edhe në uljen e konsumit, duke përfshirë në rënien e pagave.

    “Kemi trajtuar disa çështje që lidhen me migrimin e qytetarëve të Kosovës me rastin e liberalizimit të vizave, ku fokusi jonë ka qenë veçmas me ato dinamikat që do të ndodhin ose që pritet të ndodhin në tregun e punës…Viteve të fundit Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor po përballen me një shkallë të lartë të emigrimit të qytetarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në periudhën 2012-2022 nga Kosova kanë emigruar gjithsej 338 mijë qytetarë, apo që është ekuivalente 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Emigrimi i një shkalle të lartë të qytetarëve nga Kosova, sjell probleme të ndryshme në ekonomi. Në periudhën afatshkurtër kjo krijon mungesë të punonjësve në treg dhe varësisht nga sektorët që afektohen më shumë….Pastaj në periudhën afatgjate kjo del të jetë pak më problematike, nëse nga vendi emigrojnë shumë kuadro të cilat janë të shkolluara, emigrojnë të cilat janë produktive dhe ndërmarrës ose ndërmarrëse, krijojnë inovacion në ekonomi. Kjo pritet që ta ul produktivitetin në tërë vendin, gjithashtu do ta ul edhe konsumin dhe rrjedhimisht do të ndikojë në rënie të pagave në vend”, tha Hasaj.

    Ndër të tjera, Hasaj potencoi se sipas raportit të Institutit GAP, del se në vendet fqinje të cilat kanë fituar liberalizimin e vizave në periudhën 2009-2010 në vitin e parë, efekti i migrimit të popullsisë nuk ka qenë më i lartë se 2.9 për qind.

    Përveç këtyre, në këtë konferencë u tha se një ndikim pozitiv që mund ta sjellë emigrimi në Kosovë është rritja e pjesëmarrjes së grave në fuqi punëtore.

    Po ashtu u potencua se sipas përgjigjeve të të anketuarve del se disa nga arsyet kryesore që do të motivohen qytetarët për të mos emigruar, por për të qëndruar në Kosovë janë pagat më të mira, përmirësimi i kushteve të punës dhe gjendjes në shëndetësi dhe arsim.

  • KMDLNj: Vendosja e kamerave në Prishtinë, në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut

    KMDLNj: Vendosja e kamerave në Prishtinë, në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas njoftimit të Komunës së Prishtinës se në kryeqytet do të vendosen kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale.

    Në këtë reagim thuhet se vendosja e kamerave në kryeqytet është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe se KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë artificiale, pasi sipas tyre, vendosja e kamerave nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe bënë shkelje të privatësisë.

    “Në këtë kontekst KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë të fuqishme artificiale sepse nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë brutale krijon kushte për shkelje të privatësisë dhe të drejtat e njeriut. Kamerat për vëzhgim mund të vendosen vetëm në hapësira ku ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale dhe me leje të organeve ligjzbatuese apo në hapësira ku pritshmëritë për shkelje të privatësisë janë të vogla”, thuhet ndër të tjera në reagim.

    Reagimi i plotë:

    VENDOSJA E KAMERAVE NË PRISHTINË, NË KUNDËRSHTIM TË PLOTË ME TË DREJTAT E NJERIUT

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se së shpejti në kryeqytet do të vendosen kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale të fuqishme me të cilat Policia do të identifikojë lehtësisht të dyshuarit, shkelësit e rregullave të trafikut dhe t’i mbajë nën vëzhgim edhe personat që hedhin mbeturina vend e pa vend.

    Për të qetësuar qytetarët Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se kërkesa për blerje dhe vendosje të kamerave brenda hapësirave publike është bërë nga Policia dhe se Policia do të shërbehet me pamjet e nxjerra nga kamerat sikur që AIP, kohë pas kohe do të monitorojë këto kamera. AIP, gjithashtu ka njoftuar se sistemi i regjistrimit të të dhënave që do të bëhet nga kamerat që pritet të vendosen në kryeqytet nuk do të përfshijë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe se menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës. Përshkrimi dhe shpjegimi arsyetojnë vendosjen e kamerave sikur ato të mos shkelnin në mënyrë flagrante të drejtën për privatësi, si e drejtë elementare e njeriut.

    KMDLNj e rikujton publikun se pikërisht kjo organizatë ka propozuar të vendosen kamerat në perimetrin e kontejnerëve për mbeturina për të identifikuar qytetarët e papërgjegjshëm që hudhin mbeturina jashtë kontejnerëve. Vendosja e kamerave të sigurisë e sidomos këto me inteligjencë artificiale është e ndaluar në shumë vende shkaku i mundësisë së keqpërdorimit të të dhënave biometrike që i përpunojnë këto kamera. Pastaj, sipas legjislacionit në fuqi, vëzhgimi me anë të kamerave edhe për rastet më të rënda kriminale nuk mund të bëhet pa lejen e organeve ligjzbatuese dhe se ajo trajtohet si rast e jo si tërësi. Në rastin e vendosjes së kamerave në kryeqytet po mendohet që vëzhgimi të jetë i përhershëm, 24 orë dhe këtu do të përfshihen të gjithë qytetarët që janë brenda perimetrit që mbulohen nga kamerat pavarësisht nëse janë të dyshuar apo jo. Sipas ligjeve në fuqi, vetura llogaritet si shtëpi e dytë dhe për vëzhgimin e saj duhet leje e veçantë e organeve ligjzbatuese ndërsa kamerat vëzhgojnë pa asnjë leje duke shkelur rëndë privatësinë e mbrojtur me ligj. Se ky vëzhgim do të realizohet vetëm nga Policia e Kosovës nuk paraqet asnjë siguri për ruajtje të privatësisë dhe respektim të drejtave të njeriut për faktin se asnjë bastisje apo arrestim të personave që konsiderohen si persona publikë, pavarësisht kohës dhe kushteve nuk bëhet pa praninë e mediave që nënkupton se informatat rrjedhin nga Policia.

    Vëzhgimi i paautorizuar ndikon ne rezultatin e hetimeve, në vendimmarrje gjyqësore dhe në mënyrë të pakundërshtueshme e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky vëzhgim i cili nuk ka monitorim efektiv krijon kushte për shkelje të rënda të privatësisë dhe të drejtave të njeriut përmes kontrollit të familjes, si në vende publike ashtu edhe në ato private. Gjithashtu, AIP, pavarësisht kohës që vepron (sot apo në të ardhmën) nuk mund të ofrojë asnjë siguri për ruajtje të privatësisë për faktin se kryesisht emërohet nga politika dhe është nën ndikimin politik. Në këtë kontekst KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë të fuqishme artificiale sepse nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë brutale krijon kushte për shkelje të privatësisë dhe të drejtat e njeriut. Kamerat për vëzhgim mund të vendosen vetëm në hapësira ku ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale dhe me leje të organeve ligjzbatuese apo në hapësira ku pritshmëritë për shkelje të privatësisë janë të vogla.

  • “Associated Press”: Serbia e zhgënjyer me shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën

    “Associated Press”: Serbia e zhgënjyer me shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.

    Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar edhe “Associated Press“, gazeta e njohur amerikane.

    Në shkrimin e saj të publikuar, sqarohet se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa anti-tank “Javelin”, duke treguar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehu “zhgënjim të thellë”.

    Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ka thënë të enjten se ka miratuar shitjen e mundshme të 246 raketave dhe pajisjeve të lidhura me Kosovën për një kosto të vlerësuar prej 75 milionë dollarësh.

    “Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë,” ka thënë Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të SHBA.

    Tutje, “AP” ka shkruar se në një deklaratë të zyrës së Vuçiqit thuhet se ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i tha atij se Departamenti i Shtetit i SHBA-së do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongres, i cili shqyrton shitjet e armëve për vendet e huaja.

    Në këtë shkrim, po ashtu, theksohet se presidenti i Serbisë tha se “për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”.

    Shitja e propozuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në një kohë të tensioneve në rajon. Disa herë në muajt e fundit, Serbia ka zhvendosur trupat e saj në kufirin që ruhet nga trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, akte që nga Perëndimi u vlerësuan si veprime armiqësore.

    Vuçiç pohoi këtë muaj se Serbia ka një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke vënë në dukje “numrin e madh” të tankeve që kishte marrë nga Rusia para pushtimit të Ukrainës, shkruan “AP”. Ai u zotua se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sistemet kundërajrore, avionët luftarakë dhe dronët, raporton gazeta e njohur amerikane.

    Sistemi raketor “Javelin” është përdorur nga ushtria ukrainase për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara.

    Kosova ka forcuar forcat e saj të armatosura me dronë dhe raketa antitank kryesisht nga Turqia, gjë që ka zemëruar Beogradin.