ATV

Category: Lajme

  • Berisha për herë të parë në SPAK: Nuk u mor vesh kush pyeti më shumë, ata apo unë

    Berisha për herë të parë në SPAK: Nuk u mor vesh kush pyeti më shumë, ata apo unë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është paraqitur për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri për t’u marrë në pyetje sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”.

    Ai ka dalë nga banesa e tij i shoqëruar nga forca policie, por i buzëqeshur duke thënë një fjali të vetme: “Beteja pa kthim vazhdon!”

    I pyetur nga gazetarwt se cilat ishin pyetjet që i drejtuan prokurorët e SPAK, ish-kryeministri Berisha tha se “nuk u mor vesh kush drejtoi më shumë pyetje, ata mua apo unë atyre”.

    “Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Se ligji thoshin… ku u tregova ligjin e 2004 dhe nenin për shpronësimet. Por ata e kanë fshehur… Rama është personi… nëse Berisha s’ka asnjë firmë në procesin e blerjen, ia ka një sërë firmash. Akuza që më bëhet se e ndryshova destinacionin për të favorizuar Malltezin, është njësoj si të thuash se bleva Ramën për të favorizuar dhëndrin. Rama ka firmosur ndryshimin e destinacionit, kur ishte pronë shtetërore. Si ka mundësi që Rama firmos lejen e sheshit të ndërtimit dhe ju nuk guxoni ta përmendni. Si ka mundësi që injoroni emrin e Ramës, kur gjykata e ka dënuar”, ka thënë Berisha, shkruan Top channel, transmeton KosovaPress.

    Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 Dhjetorit. Nuk dihet ende nëse ai do pranojë të shkojë në SPAK, pasi në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues.

    Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.

  • Të hyrat nga interesi, bankat e Kosovës fituan 123.7 milionë euro për tre muaj

    Të hyrat nga interesi, bankat e Kosovës fituan 123.7 milionë euro për tre muaj

    Bankat e Kosovës raportohet se po vazhdojnë të përformojnë me fitime të larta. Në tremujorin e tretë të vitit 2023, bankat kanë pasur një profit neto prej 123.7 milionë eurove, sipas BQK-së.

    Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të rritjes të së hyrave, që kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

    “Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e lartë se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë…” – thuhet në raport mes tjerash.

    Ndërkaq, sipas BQK-së, gjithsej të hyrat kanë arritur vlerën prej 317 milionë eurove, që është një rritje prej 17.2 për qind prej vitit të kaluar.

    Në këtë rritje, kryesisht kanë ndikuar të hyrat nga interesi, që përfaqësijnë 74.0 për qind të të hyrave.

    “Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317.1 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 17.2 përqind (13.6 përqind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 përqind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tri vitet e fundit, si dhe rritjes së normave të interesit në kredi. Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.” – thuhet tutje.

  • Dëshmitarja e 41-të e ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon dëshminë në sesion privat

    Dëshmitarja e 41-të e ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon dëshminë në sesion privat

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e 41-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Me të fillluar seanca, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi që të kalohet në sesion privat për të diskutuar për një çështje dhe si e tillë vazhdoi.

    Ndërsa, se dëshmitarja e 41-të po e vazhdon dëshminë e saj është bërë e ditur përmes një njoftimi nga DhSK.

    Para se të kalohet në sesion privat, gjyqtari Smith III tha se të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjykimit përveç Jakup Krasniqit, i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.

    Përveç të akuzuarit Krasniqi, edhe gjyqtari Guenawl Mettraux është duke e ndjekur gjykimin përmes video-lidhjes dhe sipas Smith III kjo gjë ka ndodhur për shkak të disa problemeve personale të gjyqtarit.

    Nën masa mbrojtëse, dëshmitarja e 41-të ka filluar dëshminë e saj më 17 janar 2024../Betimi për drejtësi

  • ​Inaugurohet Forumi për Komunitetet joshumicë

    ​Inaugurohet Forumi për Komunitetet joshumicë

    Është inauguruar Formumi për Komunitetet joshumicë. Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, tha se ky takim do të shërbejë si platformë për fuqizimin e komuniteteve joshumicë.

    Ajo po ashtu tha se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe ICO Kosovo Limited, i cili do të avokojë për zhvillimin ekonomik në zonat ku jetojnë komunitetet joshumicë.

  • ​Qeveria e Kosovës dhe Organizata Ndërkombëtare e Komuniteteve me memorandum bashkëpunimi

    ​Qeveria e Kosovës dhe Organizata Ndërkombëtare e Komuniteteve me memorandum bashkëpunimi

    Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Organizata Ndërkombëtare e Komuniteteve (International Communities Organization) kanë nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit.

    Ceremonia e nënshkrimit u bë në prani të kryeministrit, Albin Kurti, ndërsa marrëveshja u firmos nga zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi.

    Ky Memorandum do të shërbejë si bazë e investimeve me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës me fokus te komunitetet jo shumicë, ngritjen e projekteve infrastrukturore dhe fuqizimin e ndërmarrjeve në qëllim të rritjes së stabilitetit në komuna.

    “Republika e Kosovës është shtet demokratik e shumetnik, vend i të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria jonë është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit e mbrojtjes së të drejtave të të gjithëve pa dallim. Sjellja e projekteve të reja është gjithmonë në qëllim të rritjes së prosperitetit, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatën për media.

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

    Me vendimin e 19 janarit 2024, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

    Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala.

    “Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

    Në parashtrimet e veta, ZPS-ja kishte pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i domosdoshëm pasi që sipas tyre asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga vlerësimi i panelit për shqyrtimin e 14-të të paraburgimit për Shalën.

    “Më konkretisht, ZPS rikujton se, në vendimin e tij të katërmbëdhjetë për paraburgimin, trupi gjykues konstatoi se ekzistonte një dyshim (mirë) i bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të DhSK-së dhe pohon se asnjë rrethanë që mund ta ndryshojë këtë përcaktim nuk është përfshirë që atëherë”, thuhet në vendim, sipas Betimit për Drejtësi.

    Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rritë edhe me tej rrezikun.

    “ZPS-ja përsërit më tej argumentin e saj se të gjitha këto rreziqe mund të zbuten vetëm me mbajtjen e vazhdueshme të të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së, ku komunikimet dhe lëvizja e tij mund të monitorohen dhe kufizohen në mënyrë efektive”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, mbrojtja e Shalës ka pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm.

    “Mbrojtja pohon se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i paligjshëm dhe se lirimi i tij me kusht është i garantuar, pasi ZPS nuk ka dëshmuar se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm në kohën e shqyrtimit”, thuhet në vendim, duke theksuar që në parashtrimet e veta mbrojtja ka thënë se duhet të merret parasysh sjellja e mirë e të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së.

    Mbrojtja ka pohuar se i akuzuari nuk ka rrezik të ikë dhe se konkludimi i ZPS-së lidhur me këtë çështje, sipas tyre është spekulativ dhe i pabazuar.

    “Lidhur me rrezikun e arratisjes, mbrojtja pohon se i akuzuari nuk rrezikon ikjen dhe kujton gjetjen e Panelit në vendimin e katërmbëdhjetë të paraburgimit në lidhje me këtë. Ajo shton se parashtresa e ZPS-së se mbyllja e afërt e procedurës rrit rrezikun e ikjes së të akuzuarit është e pabazuar, spekulativ dhe nuk mund të përbënte një rrethanë ndërhyrëse që do të ndryshonte gjetjen e mëparshme të Panelit”, thuhet tutje.

  • Uglanin: Mbi 4 mijë qytetarë nënshkruan peticionin për shkarkimin e Erden Atiqit

    Uglanin: Mbi 4 mijë qytetarë nënshkruan peticionin për shkarkimin e Erden Atiqit

    Grupi iniciues i qytetarëve për shkarkimin e kryetarit në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka dorëzuar të hënën peticionin te kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune, ndërsa janë 508 nënshkrime më shumë të mbledhura sesa minimumi i duhur.

    Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Nexhat Uglanin, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore.

    Sipas tij, numri i qytetarëve të cilët kanë nënshkruar peticionin rreth shkarkimit të kryetarit të kësaj komune është 4 mijë e 148, nga 3 mijë e 640 sa ishte e nevojshme.

    “Po, kam pranuar dje pasdite peticionin me nënshkrime nga grupi iniciues. Janë 508 nënshkrime më shumë sesa ka qenë e nevojshme. Tani afati ligjor për ta dorëzuar peticionin në KQZ është tre ditë dhe unë do ta bëjë këtë të enjten, ndërsa ata e bëjnë vlerësimin”, ka thënë për KosovaPress Uglanin.

  • Miratohet raporti përfundimtar për projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertizilim të asistuar mjekësor

    Miratohet raporti përfundimtar për projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertizilim të asistuar mjekësor

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me 5 vota për dhe një kundër ka miratuar raportin përfundimtar për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, raporton Ekonomia Online.

    Kundër këtij projektligji ka votuar vetëm deputetja e LV-së, Labinotë Demi-Murtezi.

    Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku tha se janë përmbushur të gjitha kushtet për procedimin e këtij projektligji për në Kuvendin e Kosovës dhe se tani i mbetet Kuvendit për miratim ose jo të këtij Projektligji.

  • Abbot i dhuron ATK-së dron dhe pajisje tjera profesionale

    Abbot i dhuron ATK-së dron dhe pajisje tjera profesionale

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicolas Abbott, ka vizituar të hënën Administratën Tatimore të Kosovës. Ambasadori Abbott në këtë vizitë të fundit në mandatin e tij, ka shprehur vlerësimin e thellë për bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me autoritetet tatimore të Kosovës gjatë këtyre viteve.

    Ai tha se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në mbështetjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të hetimeve tatimore, të cilat janë në interes të luftimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore, si dhe të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe krijimit të mundësive të reja për investime.

    Gjatë kësaj vizite, Abbott ka dhuruar një dron dhe pajisje tjera profesionale që do të ndihmojnë për përmirësimin e efikasitetit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës. Ky veprim shënon përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në avancimin e strukturave dhe proceseve hetimore në vend.

    Drejtori Ekzekutiv i ATK-së Ilir Murtezaj, u shpreh se vizita e Ambasadorit Abbott është privilegj dhe mesazh për ATK-në, pasi që është në përmbyllje të mandatit të tij. Murtezaj theksoj se Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka dhënë kontribut i cili do të jetë pjesë e pashlyer e historisë tatimore. Fokusi i përkrahjes ka qenë çdoherë në pikat ku reflektimi në rezultate ka qenë i pa diskutueshëm. Ne edhe sot kur po flasim pranuam pajisje të cilat do të na ndihmojnë të shtyjmë përpara procese dhe hetime që do të kryhen nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës.

    Në fund të fjalës së tij, Drejtori Murtezaj e falënderoj Ambasadorin Abbott për kontributin e tij dhe bashkëpunimin e frytshëm i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke i uruar suksese në angazhimet e radhës.

  • Izraeli e pëson humbjen më të rëndë deri më tani, për një ditë i vriten 21 ushtarë në Gaza

    Izraeli e pëson humbjen më të rëndë deri më tani, për një ditë i vriten 21 ushtarë në Gaza

    Njëzet e një ushtarë izraelitë u vranë gjatë luftimeve në jug të Gazës të hënën, njoftoi ushtria. Kjo është humbja më e madhe për trupat izraelite që nga fillimi i luftës me Hamasin.

    Në një deklaratë të publikuar në televizion të martën, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, tha se dy ndërtesa u shembën mbi ushtarë, pasi u goditën nga granata të hedhura përmes raketave (RPG) gjatë një operacioni ushtarak, raporton televizioni CNN.

    Hagari shtoi se një ushtar tjetër mbeti i lënduar seriozisht në të njëjtin operacion.

    Të rënët e rinj e çojnë në 208 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza.

    Nga njëri shpërthim u vranë dhjetë ushtarë: Matan Lazar, Hadar Kapeluk, Sergey Gntmaher, Elkana Yehuda Sfez, Yuval Lopez, Yoav Levi, Nicholas Berger, Cedrick Garin, Rafael Elias Mosheyoff dhe Marak Haim Ben Valid.

    Ushtria është ende duke e hetuar shkaktarin e shpërthimit, por mendohet se ai është shkaktuar nga një granatë e hedhur me raketë drejt ndërtesës ku kishte mina të vendosura.

    Përpjekjet e shpëtimit vazhduan për disa orë pas incidentit.

    Hagari tha se trupat ishin duke operuar në një zonë rreth 600 metra larg kufirit, duke shkatërruar struktura dhe zona të Hamasit, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë për të formuar një zonë neutrale që komuniteteve kufitare të Izraelit t’u mundësohet kthimi në shtëpi.

    “Aq sa dimë ne, rreth orës 16, një RPG u hodh nga terroristët në një tank që po i siguronte forcat dhe, në mënyrë të njëhershme, një shpërthim ndodhi në ndërtesat dykatëshe. Ndërtesat u shembën për shkak të shpërthimit, përderisa shumica e forcave ishin brenda dhe afër tyre”- shtoi zëdhënësi izraelit.