ATV

Category: Lajme

  • Kosova dhe Shqipëria së shpejti me objekt për trajnimin e forcave të policisë

    Kosova dhe Shqipëria së shpejti me objekt për trajnimin e forcave të policisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është duke qëndruar për vizitë në Shqipëri.

    Ai bashkë me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, sot ishin në Vlorë për të ndarë një objekt për trajnime të përbashkëta të policisë.

    “Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me Ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë”, ka thënë Balla.

  • Pas vrasjes së 18-vjeçarit, deputetët kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve e adoleshentëve në shkolla

    Pas vrasjes së 18-vjeçarit, deputetët kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve e adoleshentëve në shkolla

    Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merren me promovimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkolla, pas rastit të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu nga Podujeva, i cili ditë më parë u godit me veturë nga persona të dyshuar dhe më pas e rrah për vdekje me shufra metalike, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, tha se propozon që si Komision të organizojnë një tryezë të përbashkët me ministritë përgjegjëse, ku do të diskutohen për aspektin e shëndetit mendor dhe sa është numri i psikologëve në shkolla.

    Ajo tha se ngjarja e fundit duhet ta shqetësojë të gjithë shoqërinë dhe deputetët.

    “Shpreh ngushëllime për familjen e Lulzimit që humbi jetën padrejtësisht nga bashkëmoshatarë nga një sulm i paparë. Për neve është shumë brengosëse, sepse ka ndodhur mes të rinjve tanë, gjë që ne nuk do të donim të shohim kurrë diçka të tillë. Unë mendoj që ne si Komision ta propozojmë një tryezë të përbashkët me ministrat e Drejtësisë dhe të Arsimit, bashkërisht ta organizojmë dhe ta diskutojmë duke qenëse ne e mbulojmë pjesën e mirëqenies dhe për punë sociale, aspektin e shëndetit mendor, prezenca e psikologëve, sa është numri i tyre, kjo kërkon një shqetësim të gjithë shoqërisë dhe neve si deputet”, tha ajo.

    Deputeti i VV-së, Burim Meta, tha se viti ka filluar me pamje makabre, sipas tij, nga ky rast shihet që të rinjtë kanë probleme të theksuara me shëndetin mendor.

    “Po fillojmë ketë vit me pamje makabre që po ndodhin në shtetin tonë nga akte kriminale të cilat po ndodhin në shtetin tonë. Akoma me e dhimbshme që po ndodhin tek adoleshentet tanë. Po të shohësh këto pamje tronditëse vërejmë që kemi probleme të theksuara me shëndetin mendor”, tha ai.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se ku rast nuk duhet të heshtet por duhet që të ngrihet zëri më fuqishëm dhe të kërkohet përgjegjësi nga institucionet për raste të tilla.

    “Mendoj që nuk është e tepërt vetëm të përsëritet sepse rastet e tillë janë shqetësim.  Mendoj që nuk duhet të heshtet duhet të jetë zëri me i fuqishëm për të gjitha nivelet përgjithësisë si institucionale duke filluar nga edukimi prindror deri te përgjithësia që ka të bëjë me sundimin e rendit te ligjit”, tha ai

    Deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, tha se ka ardhur koha që duhet të merren hapa konkretë sa i përket kësaj çështjeje. Sipas tij, duhet të punohet që këto fenomene të parandalohen duke filluar nga institucionet arsimore.

    “Nuk është hera e parë që ka ndodhur, edhe viteve të kaluara dhe e kemi kaluar duke reaguar dikush nëpër rrjete sociale, dikush duke shkruar ndonjë rresht, por ka ardhur koha që të merren hapa më konkretë në këtë drejtim. Pse jo të nisemi nga ky Komision se detyre e këtij komisioni është edhe të hartojë ligje. Ne duhet të hyjmë në thelb të çështjeve, të merremi me parandalimin e këtyre fenomeve dhe ka mundësi që këto fenomene të parandalohen, duke filluar nga puna më e madhe në institucione të arsimit. Mund të bëjmë ndonjë shtysë ose presion të këtij sektori që shkolla të luajë rol më të madh, po ashtu edhe ne kuptimin edukimit dhe kontrollit të madh”, tha Avdyli.

  • Parlamenti Evropian kërkon reforma të BE-së para zgjerimit

    Parlamenti Evropian kërkon reforma të BE-së para zgjerimit

    Bashkimi Evropian duhet t’i përshtatë kapacitetet e veta institucionale dhe financiare teksa bëhet gati për zgjerim, dhe ky proces duhet të monitorohet më shumë nga Parlamenti Evropian.

    Kështu vlerëson një raport që është votuar të martën në takimin e përbashkët të dy komisioneve në Parlamentin Evropian, atij për Çështje Kushtetuese dhe atij për Punë të Jashtme.

    Në raportin me titullin “Thellimi i integrimeve në BE në dritën e zgjerimit“, vlerësohet rëndësia e madhe e procesit të zgjerimit si një proces gjeo-strategjik, i cili do të forcojë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin evropian.

    Shprehet mbështetje për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, të cilat synojnë anëtarësimin në BE.

    Raporti është miratuar me 56 vota për, 20 kundër dhe gjashtë abstenime, në takimin e përbashkët të Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe atij për Politikë të Jashtme.

    “Nënvizojmë se reformat institucionale dhe financiare për të promovuar qeverisjen e mirë, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë, janë të nevojshme për të siguruar që BE-ja të ketë kapacitete për të absorbuar anëtarët e rinj dhe të promovojë integrimin e tyre të suksesshëm“, përmendet në raport.

    Raporti propozon edhe nevojën për reforma institucionale, të cilat do të përfshijnë edhe thjeshtëzimin e procedurave të miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti dhe duke e zëvendësuar atë me shumicë të kualifikuar në fushat si mbrojtja e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, sanksionet dhe vendimet relevante në politikën e jashtme.

    Me anë të këtij propozimi synohet të parandalohet bllokimi i disa vendimeve nga vendet anëtare.

    Nga vendet kandidate kërkohet që ta kryejnë punën e tyre para se të bëhen anëtare të BE-së.

    Aty përfshihet dëshmia e qartë e përkushtimit për anëtarësim në BE, por edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe mospajtimeve bilaterale e rajonale.

    Mes tjerash, në raport përmendet se janë të nevojshme disa reforma në BE, para zgjerimit, pas mekanizmat ekzistues institucionalë nuk janë të mjaftueshëm për një bllok evropian që potencialisht mund t’i ketë 37 vende anëtare.

    Parlamenti Evropian kërkon që kornizat e ardhshme financiare shumëvjeçare të BE-së të marrin parasysh edhe zgjerimin, i cili do të jetë barrë e madhe financiare për Bashkimin Evropian.

    Formalisht në procesin e zgjerimit tash janë 10 vende.

    Gjashtë vende nga Ballkani Perëndimor; Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat e kanë statusin e vendit kandidat.

    Kosova nuk e gëzon këtë status, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022.

    Së fundi, statusin e vendit kandidat e kanë marrë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

    Turqia është një rast tjetër. Ajo i ka nisur negociatat e anëtarësimit në tetor të vitit 2005, por procesi është ngrirë, megjithëse edhe Turqia vazhdon të trajtohet si vend kandidat dhe përfshihet në procesin e zgjerimit.

  • Tomë Gashi pranon zyrtarisht kërkesën e xhaxhait të Lulzim Fejzullahut, i drejtohet Prokurorisë

    Tomë Gashi pranon zyrtarisht kërkesën e xhaxhait të Lulzim Fejzullahut, i drejtohet Prokurorisë

    Avokati Tomë Gashi e ka pranuar zyrtarisht kërkesën e familjarëve të Lulzim Fejzullahut për ta përfaqësuar lëndën e vrasjes së 18-vjeçarit.

    Kërkesa, avokatit Gashi iu bë të hënën nga Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i 18-vjeçarit.

    Sot, Gashi e ka marrë përsipër përfaqësimin e familjes në këtë lëndë.

    Ai e ka dorëzuar autorizimin e tij në Prokurori, Gjykatë dhe IPK dhe ka kërkuar përgjigje nga këto institucione lidhur me shkresat e lëndës.

    “Ne cilësi te avokatit-perfaqesuesit juridik te Rrahim Fejzullahut – axha i te ndjerit Lulzim Fejzullahu, sot kam dorëzuar autorizimin ne Prokurori, Gjykate dhe IPK. Tani, po presim përgjigje nga këto institucione”, ka shkruar Gashi.

  • Orbani fton kryeministrin suedez për të diskutuar anëtarësimin në NATO

    Orbani fton kryeministrin suedez për të diskutuar anëtarësimin në NATO

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i ka dërguar letër homologut të tij suedez, Ulf Kristersson, me ftesë për të diskutuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

    Ai e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Hungaria dhe Turqia janë vendet e vetme anëtare të aleancës 31-kombëshe, që ende nuk e kanë miratuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim.

    Mesazhi i Orbanit ka ardhur në ditën e njëjtë kur Parlamenti turk pritet të votojë për anëtarësimin e Suedisë.

    Në Parlamentin e Hungarisë, votimi është vetëm formalitet, pasi komitetet revelante e kanë dhënë dritën e gjelbër.

    Mirëpo, votimi final është shtyrë vazhdimisht me nxitje të Orhanit, i cili është zemëruar me kritikat e Stokholmit për nivelin e sundimit të ligjit në Hungari.

    Orbani ka thënë se Hungaria dhe Turqia nuk janë duke punuar bashkë për të bllokuar anëtarësimin e Suedisë, por që secila qeveria i ka shqetësimet e veta.

    Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë prej disa dekadave neutralitet, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Finlanda tashmë është pranuar në aleancë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Polici shkel me veturë këmbësoren, arrestohet dhe suspendohet nga puna

    Polici shkel me veturë këmbësoren, arrestohet dhe suspendohet nga puna

    Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se është arrestuar një zyrtar policor si dhe është suspenduar nga puna, i cili të hënën gjatë kohës që nuk ishte në orar të punës, me veturë private ka goditur një këmbësore.

    Në komunikatë thuhet se IPK ka pranuar informatat të hënën në orët e mbrëmjës lidhur me një aksident trafiku me lëndime trupore mes një automjeti dhe një këmbësori.

    Sipas hetimeve, IPK ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 17:00 në Obiliq dhe dyshohet se polici i cili ishte drejtuesi i automjetit, ka goditur këmbësoren që në ato momente ishte duke e kaluar rrugën.

    “Pasi që ka ndodhur aksidenti, vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në QKUK Prishtinë”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

    IPK ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, dhe ndaj tij prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë, si dhe është suspenduar nga puna.

  • 23 vjeçari në SHBA vret 8 persona

    23 vjeçari në SHBA vret 8 persona

    Ka marrë fund arratia e personit të armatosur përgjegjës për vrasjen e 8-fishtë që u regjistruan në zona të ndryshme të qytetit Joliet të Illinois, fundjavën e kaluar.

    Autori, 23-vjeçari Romeo Nance, u qëllua për vdekje pranë qytetit Natalia në Teksas gjatë një konfrontimi me forcat e policisë, të cilat ishin ngritur në këmbë për kapjen e tij.

    Romeo i kreu vrasjet në vende të ndryshme të qytetit të vogël. 7 nga viktimat u gjetën në 2 shtëpi, teksa e 8 u zbulua të dielën.

    Në një deklaratë, departamenti i policisë Joliet tha se Nance ishte pikasur nga Marshallët e SHBA-së, pranë Natalias rreth orës 20:30, shkruan A2CNN.

    Motivi i sulmit nuk është bërë menjëherë i qartë, por i dyshuari besohet se i ka njohur viktimat.

  • Konjufca dhe Basha takohen në Këshillin e Evropes, Basha: Do ngrejmë zërin që edhe Kosova të jetë pjesë e saj

    Konjufca dhe Basha takohen në Këshillin e Evropes, Basha: Do ngrejmë zërin që edhe Kosova të jetë pjesë e saj

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputeti i parlamentit shqiptar, Lulzim Basha janë takuar këtë të martë në objektin e Këshillit të Evropes, raporton Ekonomia Online.

    Kjo është bërë e ditur nga vet Basha i cili ka postuar fotografi ku shihen së bashku.

    “Kënaqësi të takoja në KiE kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes shqiptarëve në këto kohë sfidash, është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    Unë dhe PD do të jemi në krah të Kosovës dhe do të ngremë zërin në institucionet ndërkombëtare, që Kosova të bëhet sa më parë pjesë dhe të ndalet përpjekja e Serbisë për destabilizim”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Pejë: Vjehrra dhe kunata ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

    Pejë: Vjehrra dhe kunata ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

    Një rast i dhunes ndodhur në një familje në fshatin Loxhë të Pejë, ku dy grua dyshohen se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së djalit/vëllait të tyre.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 47-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se vjehrra dhe kunata kanë ushtruar dhunë psikike ndaj saj, duke i bërë presion.

    Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se ndër të tjera, nëna dhe motra e burrit të saj edhe e kanë ofenduar me fjalë si “oj lapericë, kurvë…”

    Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarat, të cilat janë intervistuar lidhur me rastin.

    Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është marrë edhe dëshmia e bashkëshortit të viktimës.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të dyshuarave është iniciuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

  • NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

    NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

    NATO-ja ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliardë eurove për municion artilerie 155 milimetrash, ka thënë të martën aleanca.

    Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të këtij vendi se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus.

    “Lufta në Ukrainë është bërë betejë municionesh”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e aleancës në Bruksel.

    NATO-ja e ka nënshkruar marrëveshjen në emër të shumë aleatëve që ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.

    Blerja e muncioneve me shumicë u garanton atyre çmime më të ulëta.

    Vendet e NATO-s pritet të pranojnë rreth 220.000 pjesë municionesh artilerie, dhe dërgesat e para pritet të lëshohen në fund të vitit 2025, ka thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ato do të prodhohen prej kompanisë franceze Nexet dhe asaj gjermane Junghans.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.