ATV

Category: Lajme

  • Komsioni për rezerva shtetërore diskuton për angazhimin e ekspertëve

    Komsioni për rezerva shtetërore diskuton për angazhimin e ekspertëve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Roli por edhe pagesa e ekspertëve që synohet të angazhohen nga komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, qe temë e mbledhjes së këtij komisioni.

    Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halim Thaçi, ekspertët që do angazhohen për këtë çështje, duhet të vijnë nga tre fusha.

    “Unë mendoj që të paktën duhet të jenë nga tre fusha si auditori, jurist dhe në fushën e prokurimit”, tha Thaçi.

    Megjithatë, eksperti i prokurimit publik, sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj nuk është i nevojshëm.

    “Sa i përket rezervave shtetërore nuk shkohet me prokurim publik, dihet ligji siç e përcakton dhe është shku me negocim dhe jo me prokurim publik dhe nuk besoj se këtu hyn diçka që na ndihmon eksperti i prokurimit publik”, tha Lekaj.

    Ndërkaq deputeti tjetër i pozitës Armend Muja theksoi se sa i përket pagesës për ekspertët duhet të bëhet një kalkulim më i detajuar.

    “Kurse sa i përket buxhetit, na duhet kalkulimi i saktë”, tha Muja.

    Për buxhetin e definuar, anëtarët e Komisionit në fjalë u pajtuan që të diskutohet dhe të vendoset në mbledhjen e radhës.

  • Kryeqyteti ofron shërbime shëndetësore falas për pjesëtarët e Policisë

    Kryeqyteti ofron shërbime shëndetësore falas për pjesëtarët e Policisë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Nga 1 shkurti i këtij viti, të gjitha shërbimet në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në kryeqytet do të ofrohen falas për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, tha se të gjithë pjesëtarët e Policisë, do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë këtë të drejtë.

    “Qëllimi ynë ka qenë me njoftuar komandantin se cilat shërbime janë, cilat mund t’i ofrojmë ne për Policinë e Kosovës. Ne e kemi njoftuar në detaje, me qëllim që të gjithë pjesëtarët e policisë të fillojnë me shfrytëzuar këtë të drejtë që ua ka dhënë Asambleja Komunale e Prishtinës”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

    Këtë vendim të Komunës së Prishtinës, e mirëpriti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha derisa shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve.

    “Ishte një vendim shumë i drejtë dhe i mirëpritur nga Policia e Kosovës. Ne do të marrim përsipër që të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës dhe t’i shfrytëzojnë këto shërbime që ka ofruar falas kryeqyteti dhe qendrat e mjekësisë familjare. Po shpresojmë të kemi policë të shëndoshë për me i shërbyer qytetarëve të Prishtinës”, tha Hoxha.

    Shërbimet që do të ofrohen falas për pjesëtarët e policisë së Kosovës, janë Mamografia, Pediatria, Vaksinimi, Radiologjia, RTG e Trupit. Derisa, këtë vendim e mori Asambleja Komunale e Prishtinës.

  • Miratohet raporti për projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertizilim të asistuar mjekësor

    Miratohet raporti për projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertizilim të asistuar mjekësor

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Me 5 vota për dhe një kundër është miratuar raporti përfundimtar për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor në Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    Ky projketligj për lexim të dytë do t’i dërgohet Kuvendit më 42 amendamente.

    “Ne kemi kontribuar që gjuha e përdorur të jetë më e saktë dhe disa efekte që kemi hasur që mund të lejnë keqpërdorim. Në përmbajtje nuk kemi pasur diçka përveç atyre që janë më ideologjike dhe fetare”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    “shumë shqetësime që janë ngrit janë implementuar në të dhe është harmoniuar me MSH dhe mendojmë që kemi bërë një projektligj që deri diku I plotëson kushtet dhe nevojat për implementim në shoqërinë kosovare”, tha tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

    Gati gjysmën e amendamenteve i ka propozuar edhe deputeti i partisë në pushtet, Visar Korenica i cili nuk e përkrahi projektligjin në lexim të parë.

    Për dallim nga projektligji i parë, ky i dyti pritet të ketë disa ndryshime.
    Derisa në projektligj ishte paraparë që për frytnim të asistuar mjekësor të përdoren qelizat e vetëm njërit bashkëshort, ky nen është kërkuar të largohet tërësisht.

    Ndërkohë edhe paragrafët e nenit 8 ku lejohet që gruaja mbi 18 vjeç e burrat mbi 23 vjeç të mund të sterilizohen pritet të largohen.

    Ndërsa të drejtën për FAM me ndryshimet e bëra pritet ta kenë vetëm çiftet bashkëshortore.

  • Policët e dorëhequr serbë nuk do të kthehen në detyrë

    Policët e dorëhequr serbë nuk do të kthehen në detyrë

    Përgatiti: Nora Luta

    Përfundimisht policët serbë për të cilët është miratuar dorëheqja nuk do të kthehen në detyrë. Vetëm gjatë fundit të vitit të kaluar, të paktën tre ish-zyrtarë të këtij komuniteti kanë kërkuar rikthimin në punë në stacionin policor në veri, por nuk janë pranuar.

    Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për këtë rajon, numri i policëve do të plotësohet përmes konkurseve.

    Megjithatë për këtë nuk ka kthyer përgjigje Ministria e Punëve të Brendshme, e as Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. E, kurdo që do të ketë rekrutim të policëve nga ky komunitet, sipas Qendrës për Studime të Sigurisë nuk duhet të ketë kritere të reduktuara sikurse në të kaluarën.

    Sipas Mentro Vrajollit anashkalimi i disa kritereve për pranim, është dëshmuar se nuk ka qenë veprim i drejtë.

    Në nëntor të vitit 2022, mbi 500 qind pjesëtarë të Policisë në pjesën veriore dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të ekzekutivit për t’i riregjistruar automjetet me targa RKS.

    Gjatë korrikut të vitit të kaluar u pranuan 43 policë serbë, teksa konkurs
    për të pranuar zyrtarë të rinj në këtë pjesë ishte hapur në janar të po të njëjtit vit, por ishte shtyrë për shkurt.

  • Punëtorët në grevë, Ferizaj mbushet me mbeturina

    Punëtorët në grevë, Ferizaj mbushet me mbeturina

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në punë dolën edhe të martën, por punë me dorë nuk preken.

    Madje tash e një javë punëtorët e kompanisë rajonale për grumbullimin e mbeturinave ”Pastërtia” në Ferizaj, nuk i ndezën as kamionët.

    Krejt këto veprime erdhën si pasoj e mosplotësimit të kërkesave të tyre.

    “Shkaku që s’po i largojmë mbeturinat janë kushtet e punës rritja e pagës, nuk po arritët një marrëveshje na i kemi lyp 50 euro këta po thonë 23. Edhe që s’janë tu na pagu shujtat edhe kujdestaritë”, thotë Bashkim Danqi, punëtor në KRM ”Pastërtia”.

    Kërkesë tjetër e punëtorëve është edhe shkarkimi i kryeshefit. Ndonëse ai nuk pranoi të flas, nga komuna thanë se largimi i tij do të bëhet atëherë kur t’i mbarojë mandati.

    “Për herë të parë pastërtia ka punu me fitim, një kryeshef e ka ba ri organizim
    Me u kërku dorëheqja kur po pasqyron arritjet e rezultateve, është e rëndë por megjithatë kryeshefit i mbaron kontrata në qershor”, tha nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu.

    Derisa punëtorët janë në grevë, qyteti është mbuluar nga mbeturinat.

    “Sa kesh tu i nem ata që s’po kujdesen për këto. U dashtë me u largu me kohë jo me u bë një qerre me bërllok”, thotë një qytetar.

    Por, mbeturina pritet te largohen, kjo pasi që, të martën pasdite nënkryetari i komunës Lulzim Aliu, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e punëtoreve me të cilët u arritë një marrëveshje.

    “Gjendja është e rëndë grupi i punëtorëve që u takuam reflektuan pozitivisht. Ata shprehen shqetësim për qytetin që u mbush me mbeturina dhe më premtuan që do të fillojnë punën dhe me një dinamik më të shpejt me i largu mbeturinat”, tha Aliu.

    Ne muajin tetor të vitit te kaluar punëtorët e kompanisë “Pastërtia”, kishin protestuar, për të njëjtat kërkesa, madje edhe ishin në grevë për 8 ditë.

  • Shkëputja e dialogut nga integrimi “s’mund të ndodhë, i hap rrugë Serbisë”

    Shkëputja e dialogut nga integrimi “s’mund të ndodhë, i hap rrugë Serbisë”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Deklaratë politike, pa gjasa jetësimi, vlerësohet kërkesa e kryeministrit Albin Kurti për shkëputjen e procesit dialogut nga ai i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Krahas përmendjes së Shtojcës së Ohrit, e cila në pikën tre bën lidhjen direkte të këtyre procese, opinionisti Bekim Kabashi tha se deklarata e kryeministrit ishte “më shumë komunikim me elektoratin e tij”.

    “BE-ja dhe ndërkombëtarët që kanë ndërmjetësuar, që kanë imponuar procesin e dialogun, asnjëherë nuk i kanë ndarë këto, për të vetmen arsye, sepse e kanë instrumentin e vetëm për t’i detyruar palët në marrëveshje dhe çuar procesin e paqes tutje. Kështu që, tash kur e kemi edhe faktin tjetër që këto janë zyrtarizuar si kushte edhe në marrëveshjes dhe janë brenda konkluzioneve të Këshillit Evropian, kjo është pothuajse e pamundur në asnjë formë, edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, tha Kabashi.

    Ndonëse nuk e sheh të mundur ndarjen e proceseve, profesori Dritëro Arifi tha se ajo nuk do të ishte në favor të Kosovës, pasi Serbia do të mund të përfitonte nga heqja e obligimeve nga kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim në BE.

    “Marrëveshja obligon të dyja palët. Pra çdo vendim që merret për njërën palë, vlen edhe për palën tjetër. Normalisht, po që se do të ndodhte diçka e tillë, e që nuk besoj që do të ndodhë, por po themi në mënyrë hipotetike që do të ndodhë, atëherë do të vlen edhe për palën tjetër. Kështu që nuk do të ishte e shëndetshme për ne që palës tjetër t’i lehtësohet rrugëtimi drejt integrimit evropian pa u demokratizuar”, tha Arifi.

    Referuar lidhjes së proceseve, profesori Arifi vlerësoi se marrëveshja bazë dhe shtojca i japin mundësi Kosovës që njëanshëm të avancojë në rrugën drejt BE-së.

    “Kjo përkundrazi është ndihmesë për republikën e Kosovës, që të integrohemi më shpejtë. Siç ndodhi me vizat, ku Spanja njeh pasaportën e Kosovë sepse është marrëveshje e BE-së. Edhe në këtë rast ndoshta mund kemi njohjen nga pesë vendet e BE-së nëse Kosova avancon tutje me zbatimin e marrëveshjes”, tha Arifi.

    Krerët institucional të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të shteteve anëtare, kanë përsëritur vazhdimisht se pa normalizimin e marrëdhënieve Kosova dhe Serbia nuk mund të mendojnë anëtarësimin në bllok.

  • Zyrtari i komunës që u ndalua për rënien e çatisë, është menaxher i kontratës

    Zyrtari i komunës që u ndalua për rënien e çatisë, është menaxher i kontratës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mesditën e së hënës Policia ndaloi dy persona lidhur me rënien e çatisë së objektit të komunës së Prishtinës, nga e cila pësoi lëndime të rënda një 23 vjeçare.

    Megjithatë, ndaj tyre ende nuk është caktuar as seanca për caktimin e masës së sigurisë.

    “Me urdhër të prokurorit është ndaluar personi me inicialet Y.J (zyrtar i Komunës së Prishtinës), për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe B.B (përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë), për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm. Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave të lartcekur”, thotë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

    Por, ATV kupton se njëri prej të ndaluarve i cili është zyrtar i komunës, është Ylber Jashari, menaxher i kontratës për rinovimin e çatisë në vitin 2023.

    Sipas procedurave, menaxheri i kontratës, zgjidhet nga vet kryetari i komunës që në këtë rast ishte Përparim Rama dhe pastaj merr konfirmim nga Drejtoria për Investime Kapitale.

    Ndërsa, tjetri i ndaluar është Behxhet Baftjraraj, drejtor dhe pronar i kompanisë nga Suhareka NBT-INGe cila kishte fituar tenderin me vlerë 380 mijë euro.

    Dy të ndaluarit ishin të paqasshëm për ATV-në për koment njësoj siç ishin edhe zyrtarët komunalë të Prishtinës. E për këta të dy pritet që më së largu të mërkurën në mesditë, gjykata do ta caktojë masën e sigurisë.

  • Kurti shkon për ngushëllime te familja e 18-vjeçarit që u rrah për vdekje

    Kurti shkon për ngushëllime te familja e 18-vjeçarit që u rrah për vdekje

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, dhe ministrat Xhala Sveçla dhe Albulena Haxhiu, kanë qenë për ngushëllime te familja Fejzullahu për 18-vjeçarin që u rrah për vdekje.

    Këtë e bëri të ditur Bulliqi, i cili theksoi se u kanë shprehur mbështetje të plotë për tejkalimin e kësaj dhimbjeje.

    “Bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ministrat Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sfeçla, deputetin Fitim Haziri, veprimtarin dhe ish-kryetarin e Komunës Ilaz Pireva, drejtorë komunal dhe zyrtarë të tjerë ishim për ngushëllime tek familja Fejzullahu për humbjen e familjarit të tyre Lulzimit, pak ditë më parë në vrasjen mizore që e tronditi gjithë shoqërinë”, shkroi Bulliqi.

    “Ndamë dhimbjen me familjen dhe të afërmit, si dhe ju shprehëm mbështetjen tonë të plotë për tejkalimin e kësaj dhimbjeje që na pikëlloi thellësisht të gjithëve”.

    “Zoti ju dhashtë durim e forcë familjes! Urojmë që drejtësia ta thotë fjalën e saj në mënyrë meritore!”.

  • Kosova është e para, e dyta dhe e treta

    Kosova është e para, e dyta dhe e treta

    Opinion nga Afrim Veseli, kolonel në pension i FSK-së

    Shko Hashim!

    Po, Hashimi shkoi, por shkoi burrash dhe burrash po qëndron edhe atje në mbrojte të historisë, lirisë dhe pavarësisë së atdheut.

    Po po, Hashimi luftëtar edhe sot e deri në fund me shokë. Po, patë shkuar edhe Presidenti Rugova në amshim, por shkoi me nderë dhe mbeti në rrugën e historisë për liri dhe demokraci.

    Pat shkuar edhe Gjeneral Ramushi, por u kthy si gjithmonë me betejë të fituar.

    E ti, e Ju disa??? Do të shkoni shpejtë, por në anën e kundërt të historisë. E di dhe jam i sigurt, me jetën time e garantoj, që atdheut dhe popullit tonë, Zoti ia ka dërguar një mik, SHBA-në dhe as ju dhe askush kurrë në vijat e jashtme të kufirit të atdheut s’do të mund ta cenoni as 1 cm.

    E ardhmja do të jetë e ndritshme për Kosovën, pa Ju, politikanë të mjerë që jeni shitur dhe shiteni për pak grosh, por me popullin dhe Amerikën. Populli ynë prapë do ta gjejë fuqinë morale siç dimë ne, Kosova është e para, e dyta dhe e treta. Vetëm KOSOVA.

  • Çka deklaruan para gjykatës dy të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

    Çka deklaruan para gjykatës dy të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

    Dy të miturit të cilët dyshohen për vrasjen e 18-vjeçarit L.F., (rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Vrasje në tentativë”), në seancën dëgjimore të mbajtur më 15 janar 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kishin kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit dhe kishin dhënë versionet e tyre për ngjarjen.

    Kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të miturve, është bërë më 15 janar 2024, po atë ditë Gjykata mori vendim për caktimin e kësaj mase, kur tani i ndjeri ishte duke u trajtuar në QKUK, e i cili më 20 janar ndërroi jetë, duke bërë që pas kësaj rrethane, vepra penale të ricilësohet nga “Vrasje në tentativë” në “Vrasje”.

    Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i mituri i parë e ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit, me pretendimin se fillimisht në ditën kritike e kishte hapur xhamin e veturës dhe e kishte pyetur të dëmtuarin (tani të ndjerin L.F), se ‘pse më shave dje’, nga ana tjetër e rrugës ku kishte qenë L.F.

    Pas pyetjes, sipas të miturit të parë, L.F, i kishte kërkuar nga ai që të ndalë veturën dhe të skajohet, e që sipas tij, kur është afruar i dëmtuari (tani i ndjeri L.F) e theri me thikë në këmbë.

    “Kur jam afrua e kam rrok gumën e veturës me thike dhe e ka qel derën e kerrit dhe ja ka nis me me sjell me thikë dhe më ka therë në këmbë dhe po ashtu duksin e kam pas të shkym se disa here u mundua me therrë, i dyshuari i dytë, u kanë me mua, ai ka dal nga vetura ja ka kap dorën L., dhe jena ikë nja 10 metra, mandej kena ikë me veturë e gomë të shpërthyer 10 metra”, thuhet të ketë deklaruar i dyshuari i parë.

    Pas asaj përleshje, i dyshuari i dytë thuhet se deklaroi që e kishte parë një shkop dhe ishte nisur ta ndjekte me veturë L.F.

    “E kam kap stupcin e kena hyp në kerr apet dhe ju kam leshu L., me ndjek me veturë dhe kur na ka pa L., e ka që thikën e ka mbajt, në ato momente dola prej vetes, jam mundu me koqit kerrin por me dije tem L., nuk e ka prek kerri, kam dalë prej kerrit dhe i kam ra L., me shkopin e drurit në dorë ku e ka pas thikën dhe ja kam ba lësho thikën nuk e ka lëshu thikën e ka mbajt në drejtim timin, me pas e kam godit me stupc në kokë mbrapa sigurt nuk e di në anën e djathtë”, thuhet më tej të ketë deklaruar i dyshuari i parë.

    Sipsa tij, nuk e kishte parë kur ka dalë nga vetura i dyshuari tjetër (i dyshuari i dytë), dhe as nëse e kishte goditur edhe ai L.F.

    Por, e kishte pranuar se mosmarrëveshja kishte filluar pasi që sipas tij tani i ndjeri ia kishte “zënë rendin te berberi dhe e kishte sharë”.

    “E kundërshtoj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, vetë jam dorëzua në polici kam shkua në spital ju kam thanë policisë vetë jam i therrt, nuk jam mundu me ikë, mosmarrëveshja kishte ndodh një ditë përpara sepse L., ma kishte zanë renin te berberi dhe më ka sha mua”, kishte deklaruar i dyshuari i parë para gjyktës.

    Edhe mbrojtësi i të dyshuarit të parë, avokati Veton Rrecaj e kishte kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin se mungojnë të gjitha parakushtet e parapara ligjore për caktimin e kësaj mase.

    Në vendimin e gjykatës, më tej thuhet se i mituri i dytë, po ashtu e kishte kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit, duke thënë se ndjen keqardhje pse ka ndodhur rasti dhe se nuk kishte dashur të ndodhte ajo që ka ndodhur.

    “Unë nuk jam për kësi lloj punësh deri në këtë pikë qysh ka ndodh, unë jam nxënës, unë ditën kritike veç kam tentua m’i nda dhe atë dy here”, kishte deklaruar i mituri i dytë.

    Sipas tij, herën e parë tani i ndjeri L.F., e kishte goditur me thikë të dyshuarin e parë, sepse ky i fundit e kishte hapur xhamin dhe e kishte pyetur L.F se pse e kishte sharë dhe pasi që i dyshuari i parë e ka hapur derën e veturës, L.F ka filluar ta godas më thikë.

    “Kur ka tentua me godit në pjesë tjera të trupit, kam dalë edhe unë e kam tërhjek L., prej të dyshuarit të parë, i cili veç e ka mbyll derën e veturës dhe unë jam kthy kam hip në veturë, i kam thanë (të dyshuarit të parë), çona te shpija, në momentin kur e ka pa gjakun në këmbë, ka ndal veturën dhe e ka marrë një stupc, unë stupcin ma herët nuk e kam pa deri në vend të ngjarjes çfare ka qenë nuk e di sigurt, e ka godit (i dyshuari i parë) L. (viktimën), fillimisht në dorë, nuk e di bash sigurt ku e ka rrok, ndërsa unë nuk e kam godit L.”, thuhet të ketë deklaruar i dyshuari i dytë.

    Ai po ashtu ka deklaruar se nuk e di sigurt nëse është goditur me veturë tani i ndjeri, kurse tha se e kundërshton masën e paraburgimit, me arsyetimin se “nuk kam bërë kurrgjo”.

    Mbrojtësi i tij sipas autorizimit, avokati Adnan Sadiku e kishte kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit, si masa më e rëndë për praninë e të miturit në procedurë penale.

    Në anën tjetër, prokurori Fatmir Behrami kishte elaboruar kërkesën për paraburgim dhe kishte theksuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj dy të miturve.

    Kurse, gjyqtarja e procedurës paraprake, Lumnije Krasniqi konstatoi se propozimi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve është i bazuar, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se të miturit kanë kryer veprën për të cilën dyshohen, ekziston dyshimi i bazuar se nëse të miturit lihen në liri mund të ndikojnë në të dëmtuarin-dëshmitarin, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.