ATV

Category: Lajme

  • Të zëshëm për miratim të projektligjit, por salla për IVF ende s’është e gatshme

    Të zëshëm për miratim të projektligjit, por salla për IVF ende s’është e gatshme

    Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor pritet që të votohet në Kuvend së shpejti në lexim të dytë.

    E derisa ky projektligj mundëson që IVF-i të kryhet edhe në institucionet shtetërore, salla në Klinikën e Gjinekologjisë ku pritet të realizohet ky shërbim nuk është e gatshme.

    Furnizimi me të gjitha pajisjet dhe instalimi i tyre nuk është bërë ende, dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk pritet të bëhet edhe disa muaj, pasi tenderi është në shqyrtim nga OSHP.

    Ndërkohë në ankesën e operatorit ekonomik në fjalë thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka vendosur kritere diskriminuese duke e favorizuar vetëm një prodhues.

    Ndërkohë sipas Ministrisë specifikat teknike janë hartuar nga kolegjiumi i SHSKUK-së.

    Pavarësisht raportit të ekspertëve afati ligjor për marrjen e vendimi përfundimtar nga OSHP-ja ka skaduar.

    Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë vlera e parashikuar është rreth 1.2 milionë euro, ku përfshihen 5 Lote për: Pajisje të IVF-it, aksesor dhe inventar përcjellës për Sallën e IVF-it ne Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë./ATVLIVE.TV/

  • “Edukimi për siguri”, lëndë e re në shkolla nga shtatori

    “Edukimi për siguri”, lëndë e re në shkolla nga shtatori

    Nxënësit e klasave të 11-ta e 12-ta do të kenë mundësi që nga viti i ri shkollor 2024-2025 të mësojnë më shumë për sigurinë.

    Ministria e Arsimit ka vendosur që nga shtatori në kurrikulën shkollore ta fusë edhe lëndën Edukimi për Siguri, si kërkesë nga Ministria e Mbrojtjes.

    Megjithatë, kjo do të mbetet në dëshirën e nxënësve, meqë lënda do të jetë vetëm zgjedhore e jo obligative.

    Sidoqoftë, Ministria e Arsimit nuk saktësoi nëse kjo lëndë do të jetë zgjedhore në të gjitha shkollat e mesme.

    Njohës të arsimit thonë se duhet të ketë përgatitje institucionale e profesionale që kjo lëndë të sjellë dobi te nxënësit.

    “Besoj që ka një argumentim për këtë dhe ai argumentim duhet të bëhet publik. Të ndahen plan-programet, të ndahen shkollat e targetuara së pari për pilotim dhe të tjerat për gjithëpërfshirje, në mënyrë që kjo reformë të ketë një përfshirje shumë më aktive dhe të mos vijë vetëm si një reformë politike që ka një jetëgjatësi të shkurtër”, tha Rinor Qehaja nga Instituti ‘ EdGuard’.

    Futja e lëndës së sigurisë në shkolla është nismë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe është bërë me qëllim që nxënësit të marrin njohuri bazike ushtarake dhe të sigurisë./atvlive.tv/

  • Rreth 300 pjesëtarë të FSK-së pritet ta padisin Ministrinë e Mbrojtjes, kjo është arsyeja

    Rreth 300 pjesëtarë të FSK-së pritet ta padisin Ministrinë e Mbrojtjes, kjo është arsyeja

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, janë duke e paditur Qeverinë e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Mbrojtjes për moskompensimin e diferencës së pagës sipas rregullores për rritje të pagave të pjesëtarëve të FSK-së, sipas gradave të tyre.

    Rregullore kjo që ishte në fuqi nga 14 shkurti i vitit 2020 deri me 28 korrik 2021.

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë po kërkojnë kompensim për 18 muaj sa ishte në fuqi rregullorja e nënshkruar në kohen kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
    E gjithë kjo, dëshmohet nga një komunikim mes Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në të cilin pati qasje ATV-ja.

    ATV-ja ndërkaq ka siguruar edhe një aktgjykim ku Gjykata Themelore në Pejë vendosi në favor të pjesëtarit të FSK-së që kompensimin vendosi ta kërkojë përmes rrugëve ligjore.

    “DETYROHET e paditura Ministria e Mbrojtjes – Forca e Sigurisë së Kosovës, që paditësit në emër të kompensimit shtesë për ngritje profesionale me gradën rreshter, për periudhën nga data 01.02.2020 deri me datën 28.07.2021, t’ia paguaj diferencën në shumën prej 2,583.00 € si dhe shpërblimin jubilar për 10 vite të përvojës së punës, shumën prej 112.20 €, në shumën e përgjithshme prej 2,695.20 €”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

    Ndërkaq, pretendimet e Qeverisë në këtë rast gjyqësor, Gjykata Themelore në Pejë i cilësoi të pabazuara.

    Teksa Zyra e Kryeministrit e as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë kthyer përgjigje, nga burime jozyrtare, televizioni kupton se numri i atyre që kanë përgatitur padi shkon deri në 300.

    Ndryshe, rregullorja parashihte që sipas gradave, pjesëtarët të marrin këto paga: ushtari 525 euro, ushtari i klasës së parë 580 euro, tetari 641 euro, ndërsa rreshteri 708 euro./atvlive.tv/

  • KESCO kërkon ngritje të tarifave për energji elektrike, ZRrE-ja pritet të vendosë në mars

    KESCO kërkon ngritje të tarifave për energji elektrike, ZRrE-ja pritet të vendosë në mars

    Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike – KESCO – i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit ngritje të serishme të tarifave.

    Në aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin tarifor 2024-25, për mbulimin e të cilave barrën kryesore e kanë konsumatorët fundor, KESCO ka kërkuar që Rregullatori t’i aprovojë të hyra më ta larta sesa aktualet.

    Mes tjerash në arsyetimin e rritjes eventuale te kostove, kjo kompani përmend propozimin e KEK-ut për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë në 31.5 euro për megavat orë.

    “Pa paragjykuar arsyeshmërinë e ofertës, me aplikimin e çmimeve të propozuar nga KEK kostot për konsumatorët fundor do të rriten për 6 milion €, apo një rritje prej 2% të MAR”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.

    Në kontekstin e rritjes së kostove, KESCO flet për ndikimet e nevojës për import të energjisë.

    Pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara nga KESCO, KEDS dhe KOSTT, Zyra e Rregullatorit për Energji duhet të përpilojë raportin konsultativ i cili do të qartësojë nëse një kërkesë e tillë do të përfillet.

    Në KESCO nuk u përgjigjën lidhur me këtë çështje. Por, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, e vlerëson të dëmshme ngritjen eventuale të tarifave.

    “Sa pashë kostoja u rritë për shkak të importit. Sa i përket përballueshmerisë, duhet të bëhet analizë. E vetmja formë që nëse vërtetohet se tarifa nuk është e përballueshme, është subvencionimi i tarifës. Por kjo është me rrisk të lartë, sepse nënkupton se është rritje artificiale, që nënkupton se në të ardhmen ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut”, thotë Bujupi.

    Ai nuk përjashton mundësinë e që ZRrE-ja të refuzojë këtë kërkesë.

    “Është mirë të pritet vendimi i ZRRE-së. në të kaluarën KESKO ka prezantuar koston e tyre, por ZRRE ka vendosur ndryshe. Kështu, pas vendimit të ZRRE-së shpjegohet rritja e tarifave”, shtoi tutje ai.

    Vendimi përfundimtar nga Rregullatori pritet të nxirret para fundit të muajit Mars.
    Në dy shqyrtimet e fundit, 2022 dhe 2023, janë ngritur tarifat e energjisë./atvlive.tv/

  • Ministria e Mbrojtjes tregon prioritetet për vitin 2024

    Ministria e Mbrojtjes tregon prioritetet për vitin 2024

    Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bërë të ditura prioritetet e saj për vitin aktual.

    Në një postim në Facebook të kësaj ministrie thuhet zhvillimi i burimeve njerëzore, logjistike, infrastrukturore, kapaciteteve të inteligjencës dhe vazhdimi i blerjeve strategjike sipas konceptit shtet me shtet dhe shtet me prodhues janë në mesin e prioriteteve të parapara për 2024.

    Po ashtu, përmendet edhe ristrukturimi i Ministrisë së Mbrojtjes, ku pas miratimit të Ligjit për Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Mbrojtjes do të bëhet hartimi i akteve nënligjore dhe dokumenteve të tjera përcjellëse për funksionalizimin e agjencisë, si dhe hartimi i Ligjit për Komponentin Rezervë bazuar në Draft-Koncept Dokumentin për Komponentin Rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Investimi në sisteme moderne të armatimit është prioritet tjetër që përmendet nga Ministria e Mbrojtjes, përfshirë edhe hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë së Mbrojtjes së Kosovës, zhvillimin e kapaciteteve të mirëmbajtjes, zgjerimin e infrastrukturës dhe krijimin e Qendrës shtetërore trajnuese për siguri kibernetike.

  • ​Zgjidhen organet e reja të Federatës së Karatesë

    ​Zgjidhen organet e reja të Federatës së Karatesë

    Sot është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i Federatës së Karatesë së Kosovës.

    Ky kuvend është ftuar bazuar në marrëveshjen e dy palëve të krijuara brenda FKK-së (marrëveshja e datës 9 janar 2024), në harmoni të plotë me Statutin e Federatës së Karatesë së Kosovës, nënshkrimet e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit të FKK-së për thirrjen e kuvendit, dhe me aprovim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Nga 49 klube me të drejtë vote, të pranishme në Kuvend ishin 48 klube, delegatët e të cilëve u nënshkruan në listën e pjesëmarrësve.

    Pas nënshkrimit në listën e pjesëmarrësve, një pjesë e delegatëve lëshuan Kuvendin duke hequr dorë nga e drejta e votës, përfshirë dhe kundërkandidatin e Besart Barutit për kryetar Shemsi Shaqiri.

    Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor, zgjodhi edhe strukturat udhëheqëse të FKK-së.

    Besart Baruti u rizgjodh Kryetar i Federatës së Karatësë së Kosovës.

    Ismail Fazliu-Nënkryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.

    Shkelzen Balaj-Nënkryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.

    Po ashtu, u zgjodhën 9 anëtarë të Bordit Ekzekutiv të FKK-së dhe 5 anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të FKK-së.

    I gjithë procesi zgjedhor ishte transparent dhe u monitorua nga zyrtarë të KOK-ut dhe MKRS-së.

  • Greqia do të blejë avionë F-35 nga ShBA-ja

    Greqia do të blejë avionë F-35 nga ShBA-ja

    Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis foli të shtunën për arritjen e marrëdhënieve strategjike greko-amerikane dhe mbrojtjen e Greqisë përmes rritjes së fuqisë mbrojtëse në tokë, det dhe ajër, pa ngarkuar taksapaguesit grekë, pas letrës që mori nga sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken për marrjen e deri në 40 avionëve luftarakë F-35 të gjeneratës së pesë, si dhe fregata, tanke dhe materiale të tjera mbrojtëse.

    “Ky zhvillim justifikon diplomacinë aktive dhe të besueshme që po ndjekim kudo në vitet e fundit”, tha ai.

    Mitsotakis tha gjithashtu se “sot është një ditë shumë e rëndësishme për mbrojtjen kombëtare dhe për diplomacinë greke, sepse për shkak të letrës që mora nga Sekretari i Shtetit Amerikan, thellësia strategjike e marrëdhënieve greko-amerikane është evidentuar dhe vulosur… është rezultat i një përpjekjeje metodike, të heshtur dhe të gjatë që kombinoi qëndrueshmërinë e aleancës së Greqisë në frontet ndërkombëtare me promovimin e interesave të saj kombëtare.

    “Në një periudhë pasigurie, vendi ynë rikonfirmon se qëndron me seriozitet dhe pjekuri gjeopolitike në hartën ndërkombëtare, ndërsa në të njëjtën kohë u shërben të drejtave të tij kombëtare me mburojën e mbrojtjes së tij. Në rrugën e stabilitetit dhe paqes gjithmonë me krenari dhe besimi kombëtar”, përfundoi ai.

    Ndryshe, më 27 shtator 2022, u përfunduan procedurat e njoftimit të Kongresit për 30 milionë dollarë ndihmë grant për financimin e huaj ushtarak (FMF) për blerjet e mbrojtjes për Greqinë për të inkurajuar mbështetjen kritike për Ukrainën; dhe më 24 tetor 2023, Shtetet e Bashkuara akorduan një ndihmë shtesë prej 30 milionë dollarësh në FMF për Greqinë për të inkurajuar donacione të mëtejshme. /ANA-MPA

  • Ushtria izraelite vazhdon ofensivën në jug të Gazës

    Ushtria izraelite vazhdon ofensivën në jug të Gazës

    Dy gra dhe një burrë janë vrarë mëngjesin e 27 janarit nga, siç thanë dëshmitarët, një sulm ajror izraelit në pjesën jugore të Gazës, përderisa Izraeli po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në enklavën palestineze.

    Sulmi ndodhi një ditë pas Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar vdekjet, shkatërrimin apo çfarëdo akti të gjenocidit në Gazë. Si pjesë e vendimit të saj obligues, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Izraelit që brenda një muaji të dorëzojë një raport në pajtueshmëri me vendimin, që nënkupton se sjellja e ushtrisë do të jetë nën vëzhgim.

    Megjithatë, gjykata nuk urdhëroi armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit.

    Lufta ka lënë të vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, ka shkaktuar shkatërrim të madh në Gazë dhe ka detyruar pothuajse 85 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës të shpërngulen. Sulmet e Hamasit, që nxitën luftën, lanë të vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe luftëtarët e Hamasit rrëmbyen afër 250 të tjerë.

    Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë gjatë luftës u rrit në 26.257 të shtunën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila tha se ditën e kaluar u regjistruan 174 të vrarë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë, ndërkaq mbi 64.000 persona janë plagosur.

    Izraeli mban përgjegjës Hamasin për numrin e civilëve të vrarë, duke thënë se grupi radikal vepron në zonat e populluara me civilë. Sipas Izraelit, nga ofensiva e tij ajrore dhe tokësore në Gazë janë vrarë mbi 9.000 militantë.

    Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të vazhdojë luftën në Gazë.

    Ushtria izraelite tha të shtunën se ka kryer disa “operacione të shënjestruara ndaj caqeve terroriste” në qytetin e Han Junisit, në jug të Gazës, duke vrarë “disa terroristë”.

    Shtetet e Bashkuara, aleatja më e ngushtë e Izraelit, fuqishëm ka mbështetur ofensivën izraelite, por së fundmi gjithnjë e më shumë po i bën thirrje për frenim dhe që të lejojë që më shumë ndihmë humanitare të hyjë në Gazë./REL/

  • Gërvalla takon Kryeparlamentarin e Andorrës, rikonfirmohet angazhimi i përfaqësuesve të saj në KiE për Kosovën

    Gërvalla takon Kryeparlamentarin e Andorrës, rikonfirmohet angazhimi i përfaqësuesve të saj në KiE për Kosovën

    Mbështetja e parezervë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës u rikonfirmua edhe në takimin që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla pati me Kryetarin e Parlamentit të Principatës së Andorrës, z. Carles Ensenyat Reig.

    Ministrja Gërvalla në kuadër të vizitës zyrtare në Andorra u prit edhe nga Kryetari i Parlamentit, me të cilin diskutuan në detaj për zgjerimin e bashkëpunimit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Temë e bisedës ishin edhe zhvillimet e vitit të fundit në Kosovë, të arriturat në ekonomi, sundim të ligjit dhe rrugën e saj integruese drejt mekanizmave ndërkombëtar.

  • “Nuk i kam vërejt fëmijët, Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, detaje të reja nga dëshmia e Granit Plavës

    “Nuk i kam vërejt fëmijët, Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, detaje të reja nga dëshmia e Granit Plavës

    Ditën e djeshme në media është publikuar dëshmia e Granit Plavës, të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, me porosi të Naim Murselit, të dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023.

    Sipas kësaj dëshmie, Granit Plava ka thënë se Naim Murseli e ka porositur atë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.

    Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023, Plava ka deklaruar se Murseli ia ka ofruar 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.

    Biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.

    Paparaci e ka siguruar dëshminë e plotë të Plavës dhënë hetuesve policorë.

    “Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.

    Plava ka thënë se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.

    “Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.

    Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar në ditën e vrasjes së Ademajt dhe i ka kërkuar “që të kryhet kjo punë”.

    “Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.