ATV

Category: Lajme

  • Vdes zyrtari i MASHT-it Fehmi Krasniqi

    Vdes zyrtari i MASHT-it Fehmi Krasniqi

    Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka vdekur zyrtari i kësaj ministrie, Fehmi Krasniqi.

    Nagavci ka thënë se si punëtor shumëvjeçar në MAShTI, Krasniqi dha kontribut të madh dhe shpesh u priu proceseve të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

    “Jeta e tij ishte e lidhur me arsimin deri në frymën e fundit. Prandaj, do ta kujtojmë gjithmonë si njeriun e urtë, kolegun dhe mikun e mirë që u bë një me arsimin, i bindur se vetëm me arsim cilësor Kosova do të ecte përpara. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Krasniqi, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën!”, ka shkruar Nagavci.

  • Axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu i jep besë një muaj familjes së dorasit

    Axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu i jep besë një muaj familjes së dorasit

    Rrahim Fejzullahu, axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu, e nderojë Zotin e kombin tonë me dhënie të besës një muaj nga sot për familjen e dorasit.

    Kështu ka shkruar kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, duke u lutur që Zoti ta mëshirojë Lulin dhe ta bekojë familjen e Rrahimit.

    18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, nga Podujeva, më 14 janar u godit me veturë nga persona të dyshuar të cilët më pas e rrahën për vdekje me shufra metalike.

    Fejzullahu u dërgua për trajtim në Spital, pasi mori lëndime jashtëzakonisht të rënda, ku pas disa ditë ndërroi jetë.

    Lidhur me rastin gjykata ka vendosur paraburgim nga një muaj për dy të dyshuarit të mitur.

  • Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar në Izmir

    Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar në Izmir

    Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar të shtunën në rajonin turk të Egjeut të Izmirit, tha Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të qeverisë turke (AFAD).

    Tërmeti u regjistrua në orën 08:19 sipas orës lokale (07:19 sipas orës bullgare). Epiqendra ishte në det pranë qytetit të Menderes në një thellësi prej 8.5 kilometrash.

    Tërmeti ka shkaktuar panik tek qytetarët turq.

    Guvernatori i Izmirit, Suleyman Elban ka treguar në llogarinë e tij në rrjetin social X se në këtë fazë nuk ka të dhëna për persona të lënduar dhe dëme materiale.

    Ekipet e AFAD janë dërguar në zonë për të kryer një vëzhgim në terren për dëmtime të mundshme./BTA/

  • Erërat e fuqishme, Komuna bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjes te rrugët rreth objektit komunal që i ra çatia

    Erërat e fuqishme, Komuna bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjes te rrugët rreth objektit komunal që i ra çatia

    Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë lëvizjes, në veçanti në rrugët “Ardian Krasniqi”, “Radovan Zagoviq” dhe “Nora e Hotit”, të cilat gjenden rreth objektit të Komunës së re, ku ditë më parë ra çatia e objektit duke lënë të lënduar një 23-vjeçare.

    Për çdo rast rreziku, Komuna ka publikuar disa numra kontakti.

    “Për shkak të erërave të fuqishme që po mbizotërojnë në #Kryeqytet, ju bëjmë thirrje të keni kujdes gjatë lëvizjes, e në veçanti në rrugët “Ardian Krasniqi”, “Radovan Zagoviq” dhe “Nora e Hotit” të cilat gjenden në lagjen “Arbëria” rreth objektit të Komunës së re deri në sanimin e plotë dhe evitimin e rrezikut në kulmin e ndërtesës.

    Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”, thuhet në njoftim.

  • Kryeministri Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi

    Kryeministri Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi

    Kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve e miqve të Akademikut Feriz Krasniqi, i cili vdiq dje në moshën 93-vjeçare.

    Kurti ka treguar se takimin e fundit me të e kishte pasur më 17 dhjetor të vitit që shkoi, derisa tha se e kishin lënë që më 15 shkurt të takoheshin për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës.

    Kurti ka thënë se Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë

    “Gjashtë javë më parë, më 17 dhjetor, kur bashkë me Profesor Ferizin i shkuam në vizitë mikut të tij Profesor Minir Dushit, ai mbështetej në bastunin e tij për të ecur dhe mbështetej në kujtesën e kthjellët dhe përvojën e gjatë prej 93 vjeçari për të biseduar. Shumë i këndshëm në bisedë dhe fort dashamirës mes miqsh, Profesor Feriz Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

    Krasniqi ka qenë fillimisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës mes viteve 1973 – 1975, para se ta merrte drejtimin e tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1979. Ai e udhëhoqi Universitetin e Prishtinës në një dekadë kyçe, kur u themeluan dhe u ngritën shumë fakultete dhe degë të tij. Si rektor i UP-së, Feriz Krasniqi e ka bartur procesin e arritjeve dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, në një kohë kur pedagogët nga Tirana dhanë shumë kontribut për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

    Osmani ngushëllon familjen e akademik Feriz Krasniqit: Kontributi i tij për themelimin e UP-së është tejet i çmuar

  • Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit: Kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja

    Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit: Kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit ka thënë se kujtohen miliona jetë të pafajshme të humbura, siç tha ajo, në një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore.

    Osmani u shpreh se ai shërben si një kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja, paragjykimet dhe fanatizmi.

    “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne kujtojmë miliona jetë të pafajshme të humbura në një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore. Ai shërben si një kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja, paragjykimet dhe fanatizmi”, thuhet në shkrimin e saj në “X”.

  • Arrestohen nënë e bijë në Pejë, dyshohen për dhunë në familje

    Arrestohen nënë e bijë në Pejë, dyshohen për dhunë në familje

    Policia ka arrestuar një grua dhe vajzën e saj si të dyshuara se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre.

    Sipas njoftimit të Policisë, nga dhuna e ushtruar nuk ka pasur të lënduar, ndërsa të dyshuarat pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar.

    “Pejë 26.01.2024 – 00:20. Janë arrestuar nënë e bij, të dyshuara femra kosovare, pasi që kanë ushtruar dhunë ndaj burrit (babait) dhe djalit (vëllait) meshkuj kosovarë. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.

  • IKShPK: S’ka raste të fruthit në Kosovë, vaksinimi e parandalon

    IKShPK: S’ka raste të fruthit në Kosovë, vaksinimi e parandalon

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar ditëve të fundit një paralajmërim për përhapjen e fruthit në Evropë.

    IKShPK-ja njofton se numri i rasteve është rritur për 30 herë në muajt e fundit në rajonin evropian, që përbën një rritje shqetësuese, ndërkaq raste të fruthit janë regjistruar edhe në vendet e rajonit.

    Instituti bën të ditur se në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara me fruth, por u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë.

    “Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës rithekson faktin se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar fruthin dhe përhapjen e tij te njerëzit e tjerë, krahas masave të tjera të kujdesit.

    Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus dhe mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje”, bën të ditur IKSHPK.

    Instituti Kombëtar më tej thekson se pandemia e COVID-19 ka çuar në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mbikëqyrje të dobësuar të sëmundjes në vende të ndryshme globalisht, gjë që ka rritur rrezikun e përhapjes së fruthit.

    “Vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe ajo aplikohet në Kosovë që nga viti 1971. IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë”, thuhet më tej në njoftim.

  • Kina rrit presionin ushtarak ndaj Tajvanit

    Kina rrit presionin ushtarak ndaj Tajvanit

    Kina ka dërguar mbi 30 avionë luftarakë dhe një grup të luftanijeve drejt Tajvanit, tha më 27 janar Ministria e Mbrojtjes së këtij ishulli.

    Presioni ushtarak vjen pas njoftimit se përfaqësuesit e lartë amerikanë dhe kinezë do të takohen në kryeqytetin tajlandez, përderisa dy shtetet po synojnë të ulin tensionet.

    Ushtria kineze ka dërguar 33 avionë luftarakë, përfshirë edhe avionë të llojit SU-30 dhe gjashtë anije të marinës përreth Tajvanit, mes orës 06:00 të së premtes dhe në orën 06:00 të së shtunës. Nga ta, 13 avionë luftarakë e kaluan vijën në Ngushticën e Tajvanit – që është një kufi jozyrtar mes ishullit dhe Kinës.

    Tajvani tha se e ka monitoruar situatën dhe se ka dislokuar forcat e tij në përgjigje të këtyre aktiviteteve të Kinës.

    Kina pretendon se ishulli vetëqeverisës i Tajvanit është pjesë e territorit të saj dhe viteve të fundit ka rritur aktivitetet përreth ishullit, duke dërguara avionë e anije. Tajvani tha se shtatë balona kineze kanë fluturuar ose mbi ishull ose përmes hapësirës së tij ajrore, disa ditë pas ishulli zgjodhi Lai Ching-te si president të ri. Partia Demokratike Progresive e Lait ka bërë fushatë për vetëvendosje, drejtësi sociale dhe ka kundërshtuar kërcënimet e Kinës.

    Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, janë të dy në Bankok për bisedime, por ende është e paqartë nëse të dy do të takohen, apo veçse janë takuar.

    SHBA-ja dhe Kina kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke nisur nga ato ekonomike dhe gjeopolitike./REL/

  • Osmani ngushëllon familjen e akademik Feriz Krasniqit: Kontributi i tij për themelimin e UP-së është tejet i çmuar

    Osmani ngushëllon familjen e akademik Feriz Krasniqit: Kontributi i tij për themelimin e UP-së është tejet i çmuar

    Presidentja Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të akademikut Feriz Krasniqit, i cili vdiq mbrëmë në moshën 93-vjeçare.

    Osmani ka thënë se kontributi i tij për themelimin e Universitetit të Prishtinës është tejet i çmuar, “sikurse edhe puna e tij e palodhshme në sferën akademike, e cila mbetet testament për brezat dhe kujtim i përhershëm për të”.

    “Jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e akademik Feriz Krasniqit, ish-rektor e prorektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe ligjërues universitar. Kontributi i tij për themelimin e Universitetit të Prishtinës është tejet i çmuar, sikurse edhe puna e tij e palodhshme në sferën akademike, e cila mbetet testament për brezat dhe kujtim i përhershëm për të. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!”, ka thënë Osmani.