ATV

Category: Lajme

  • Qindra fluturime anulohen në Gjermani për shkak të grevave

    Qindra fluturime anulohen në Gjermani për shkak të grevave

    Qindra fluturime u anuluan në aeroportet kryesore të Gjermanisë të enjten pasi stafi i sigurisë filloi një grevë njëditore për një mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi pagat.

    Greva ndaloi më shumë se 1100 fluturime në 11 aeroporte, duke përfshirë aeroportin ndërkombëtar më të ngarkuar të vendit në Frankfurt, duke prekur më shumë se 200.000 pasagjerë.

    Aeroporti i Frankfurtit tha se greva do të shkaktojë ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh gjatë gjithë ditës dhe këshilloi pasagjerët të mos vijnë në aeroport pasi pikat e kontrollit të sigurisë ishin të mbyllura.

    Ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh priten gjithashtu në aeroportet Hamburg, Bremen, Hannover, Berlin, Këln/Bon, Dusseldorf, Leipzig/Halle, Dresden, Erfurt dhe Shtutgart.

    Autoritetet kanë thënë se stafi i sigurisë në aeroportet e Mynihut dhe Nurembergut nuk do t’i bashkohet aksionit të grevës, megjithatë vonesat dhe anulimet e fluturimeve mund të jenë ende të mundshme, për shkak të ndërprerjeve mbarëkombëtare të operacioneve të fluturimeve.

    Sindikata Ver.di kishte njoftuar grevën paralajmëruese në fillim të kësaj jave pasi raundi i tretë i negociatave kolektive me Shoqatën Federale të Kompanive të Sigurisë së Aviacionit (BDLS) nuk dha një rezultat.

    Sindikata, e cila përfaqëson rreth 25.000 staf sigurie, po kërkon një rritje pagash prej 2.80 € (3.02 dollarë) në orë, rritje të bonuseve dhe tarifa më të larta për pagën jashtë orarit./AA

  • Vendimi i BQK-së për dinarin, Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohet nga politikanët

    Vendimi i BQK-së për dinarin, Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohet nga politikanët

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, lidhur me vendimin e BQK-së për rregulloren e re, e cila ndalon përdorimin e valutës së dinarit, tha se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

    Një koment të tillë kryeministri e bëri pasi bëri homazhe pranë kompleksit memorial në Lupç të Poshtëm, me rastin e 34-vjetorit të rënies së dëshmores Elfete Humolli

    I pyetur për çështjen e valutës së dinarit, për çka ka reaguar edhe BE-ja, kryeministri Kurti tha se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

    “Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por, nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë, ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti.

    Ndërkaq kërkesës së BE-së për këtë çështje, kryeministri Kurti u shpreh se BQK është institucion i pavarur dhe se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

    “BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    “Sot shënojmë 34 vjetorin e demonstratës në të cilën nga forcat armike serbe u vra nxënësja Elfete Humolli ende pa i mbushu 17 vjet. Elfetja Mentori dhe gjithë dëshmorët e kombit na dëshmojnë orët e historisë sonë dhe sa shtrenjtë është paguar liria e popullit dhe çlirimi i Kosovës”, tha Kurti.

  • Kurti kujton Elfete Humollin vajzën e re që u vra nga policia serbe, teksa protestonte për liri

    Kurti kujton Elfete Humollin vajzën e re që u vra nga policia serbe, teksa protestonte për liri

    Sot u bënë 34 vite, nga rënia e Elfete Humollit, vajzës së re që u vra nga policia e Serbisë, teksa po protestonte për liri dhe republikë.

    Kryeministri Kurti ka qenë në Lupç të Podujevës për të kujtuar vajzën llapjane që shquhej për aktivitetin e saj kombëtar.

    “Më 1 shkurt 1990, Elfetja bashkë me vëllain e saj Mentorin dhe me shumë të tjerë, kishte marrë pjesë në demonstratë kundër pushtetit represiv të Serbisë pushtuese, që i shtypte shqiptarët në Kosovë, i burgoste mbi baza politike dhe i diskriminonte mbi baza etnike. Elfetja ishte 16 vjeçare, kurse Mentori 13 vjeçar. Mes shtëllungave të tymit të gazit lotsjellës, policët e Serbisë shtinë mbi protestuesit duke i plagosur Eset Kaçiun, Ismet Krasniqin dhe Avni Retkocerin, kurse Elfetja nuk u mbijetoi plagëve. Ajo vdiq aty, teksa fjalët e fundit të saj ishin: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?!”

    Mentori kishte shpëtuar dhe e vazhdoi rrugën e të njëjtave ideale të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe duke luftuar me uniformën e saj derisa ra dëshmor më 21 maj 1999 në betejën e Koshares.

    Për t’i kujtuar së bashku, Elfeten dhe Mentorin, sot bëmë homazhe të monumenti përkujtimor i ngritur në fshatin Lupç i Poshtëm, afër vendit ku kishte rënë Elfetja 34 vite më parë. Mbi një gur masiv janë gdhendur emrat e Elfete dhe Mentor Humollit, kurse poshtë tij është vendosur një krua me ujë për udhëtarët.

    Me nderime u kujtofshin gjithmonë Elfete dhe Mentor Humolli, mes të rënëve për lirinë e Kosovës”, shkruan Kurti në përkujtimin e Elfete Humollit.

  • Ministria e Bujqësisë mbyll pompën e derivateve përballë AKI-së

    Ministria e Bujqësisë mbyll pompën e derivateve përballë AKI-së

    Një pikë e pompës së derivateve “Patroni” Sh.P.K., në pronësi të afaristit Driton Morina është mbyllur sot me vendim të Ministrisë së Bujqësisë, raporton Ekonomia Online.

    Kësisoj, gjatë së enjtes, inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë të asistuar nga Policia e Kosovës kanë vendosur shirita në prona që gjenden përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në Prishtinë.

    Kjo hapësirë ishte shfrytëzuar nga një biznes privat që shërbente si pompë e derivateve dhe kishte kontratë qiramarrëse nga viti 2018.

    Lirimi i kësaj hapësire bujqësore do të bëhet bazuar në një paralajmërim që Ministria e Bujqësisë i kishte bërë biznesit ‘Pompa e Derivateve Patroni’ në tetor, si dhe në dhjetor të vitit të kaluar.

  • Rasti i Lekajt, Durmishi: S’bëhet fjalë për 53, por për 97 milionë euro

    Rasti i Lekajt, Durmishi: S’bëhet fjalë për 53, por për 97 milionë euro

    Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke iu referuar seancës së djeshme ku ish-ministri Pal Lekaj u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim, ka thënë se nuk bëhet fjalë për 53 milionë, por për 97 milionë euro.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se përveç 53 milionë eurosh,” Bechtel Enka “është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milionë eurosh.

    “Nuk bëhet fjalë për 53 milionë, por për 97 milionë euro. Përveç 53 milionë eurosh, Bechtel Enka është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milionë eurosh”, ka shkruar ai.

    “Edhe pse kontrata ka qenë ‘llamsam’ (me çelësa në dorë) dhe me këtë lloj kontrate nuk lejohen punët shtesë, pa asnjë procedurë të prokurimit Bechtel Enka-s i janë paguar edhe 44 milionë euro shtesë”, ka shtuar Durmishi.

  • Ministri serb i Mbrojtjes: Na pret luftë diplomatike për dinarin

    Ministri serb i Mbrojtjes: Na pret luftë diplomatike për dinarin

    Duke komentuar vendimin e Kosovës për largimin nga përdorimi të dinarit serb, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër përpos që të luftojë në mënyrë politike dhe diplomatike për, siç u shpreh ai, mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    “Gjithçka tjetër, pos dialogut diplomatik dhe politik dhe zgjidhjeve përmes aktiviteteve të këtij lloji na çojnë drejt asaj që nuk do të donim të shihnim”, tha Vuçeviq më 1 shkurt gjatë një prononcimi për Radio Televizionin e Serbisë.

    Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore për operacione me para të gatshme, që parasheh përdorimin vetëm të euros për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb, që përdoret nga serbët lokalë në Kosovë për pagesa, por ata marrin edhe pensione dhe shtesa nga buxheti i Serbisë në dinarë.

    Vuçeviq vlerësoi se ky vendim “është një sulm ndaj sigurisë ekonomike” të serbëve në Kosovë dhe se sipas tij, po krijohen “kushte të pamundshme” për mbijetesën e tyre.

    Ai po ashtu tha se Serbia mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovës, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

    “Është interesi ynë kombëtar për të ruajtur paqen”, tha Vuçeviq, i cili po ashtu theksoi se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk ka të bëjë me “problemet në Kosovë”.

    Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

    Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

    Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

    Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

    Nga Banka Kombëtare Serbisë, Ministria e Financave dhe Qeveria e Serbisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse janë planifikuar bisedime me Bankën Qendrore të Kosovës për këtë çështje dhe se cilat do të jenë hapat e radhës.

    Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së. /REL

  • Adele rikthehet me koncerte në Evropë pas tetë vitesh – Ky është vendi ku ajo do të performojë

    Adele rikthehet me koncerte në Evropë pas tetë vitesh – Ky është vendi ku ajo do të performojë

    Adele ka paralajmëruar koncerte në Evropë.

    Është hera e parë pas tetë vitesh që vjen për të kënduar në një qytet evropian.

    Ajo ka planifikuar katër koncerte në Mynih, të cilat do të zhvillohen më 2, 3, 9 dhe 10 gusht në sallën Munich Messe.

    “Kam marrë një pyetje për shfaqjet verore, por isha e kënaqur me koncertet e mia në Hyde Park dhe rezidencën time në Las Vegas, kështu që nuk kisha plane të tjera. Por në të njëjtën kohë, isha shumë kurioze për realizimin e një ideje për atë lloj shfaqjeje që unë dua të bëj”, ka shkruar ajo.

    “Në mes të Evropës, në Mynih. Kjo është pak e rastësishme, por gjithsesi e mrekullueshme! Menjëherë pas Euros? Hajde në Angli! Me Olimpiadën ngjitur? Vazhdo Simone! Dhe disa nga artistët e mi të preferuar që do të performojnë gjithashtu? Pse…PO!! Nuk kam performuar në Evropë që nga viti 2016”.

    “Nuk mund të mendoja një mënyrë më të mrekullueshme për të kaluar verën time dhe për t’i dhënë fund kësaj faze të bukur të jetës dhe karrierës”, theksoi mes tjerash ylli i famshëm.

    Shitjet paraprake të biletave janë planifikuar për në datën 7 shkurt dhe është e mundur të blini maksimumi 4 bileta. Ende nuk dihet çmimi, por duket se interesi është shumë i lartë.

    Përkatësisht, Adele, e cila është britanike, para disa vitesh e zëvendësoi Londrën me Los Angelesin.

    Ajo ka performuar në Caesars Palace vitin e kaluar. / Telegrafi/

  • Shoferi i kamionit shoqërohet në stacion, Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Fushë Kosovë

    Shoferi i kamionit shoqërohet në stacion, Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Fushë Kosovë

    Një person ka humbur jetën mëngjesin e sotëm, pasi u godit nga një kamion në rrugën ‘Hajrullah Zymi’ në Fushë Kosovë.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje për Sinjalin, duke thënë se këmbësorja s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Po ashtu, sipas Ahmetit, shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

    “Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

    Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësore dhe një automjet në lëvizje (kamion) .

    Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja e cila nuk ka arritë të përballojë plagët dhe e njëjta ka ndërruar jetë .

    Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi automjetit është shoqëruar në stacion policor”, tha Ahmeti për Sinjalin.

  • ​Bie çmimi i naftës

    ​Bie çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u ulën të enjten për shkak të shenjave të dobësimit të kërkesës për naftë në dy nga vendet më të mëdha konsumuese të naftës, SHBA dhe Kinë, ndërsa vendimi i Fed-it të SHBA për të mbajtur normat e pandryshuara, së bashku me konfliktin në Lindjen e Mesme, shkaktoi më tej rënien e çmimeve.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 80.23 dollarë për fuçi në orën 11:40 të mëngjesit, një rënie prej 2.75% nga çmimi i mbylljes prej 82.50 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 75.71 dollarë për fuçi, 0.18% më pak nga mbyllja e së mërkurës prej 75.85 dollarë për fuçi.

    Çmimet ranë gjatë tregtisë së hershme aziatike pas publikimit të të dhënave që pasqyrojnë kërkesën e rënies në SHBA.

    Statistikat nga Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA) treguan një rritje të stoqeve komerciale të naftës së papërpunuar në SHBA prej rreth 2.1 milion fuçi në 421.9 milion fuçi, krahasuar me pritjet e Institutit Amerikan të Naftës për një rënie prej rreth 2.5 milion për fuçi.

    Inventarët e benzinës gjithashtu u rritën me rreth 1.2 milionë fuçi në 254.1 milionë fuçi gjatë së njëjtës periudhë /AA/

  • ​Mbyllet objekti i dyshimtë pranë stacionit të Policisë

    ​Mbyllet objekti i dyshimtë pranë stacionit të Policisë

    Policia e Kosovës të mërkurën ka bastisur një lokal që është ngjitur me hyrjen e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, teksa një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë qëndruar brenda këtij objekti.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dal me komunikatë lidhur me bastisjet që u kryen mbrëmë.

    Sipas njoftimit në bastisjen e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024, se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë së bashku me prokurorin e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda- Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës – Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së.