ATV

Category: Lajme

  • Hapet Zyra e Punësimit në Komunën e Leposaviqit, MFPT: Hap shumë i rëndësishëm

    Hapet Zyra e Punësimit në Komunën e Leposaviqit, MFPT: Hap shumë i rëndësishëm

    Në objektin e Komunës së Leposaviqit sot është hapur Zyra e Punësimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

    Nga kjo ministri, e kanë cilësuar këtë si hap shumë të rëndësishëm.

    “Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Agon Dobruna dhe Drejtoresha e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Znj. Jehona Rexha vizituan sot Komunën e Leposaviqit ku u takuan me Kryetarin e Komunës, Z. Lulzim Hetemi. Njëra ndër pikat e takimit ishte edhe përurimi i hapjes së Zyrës së Punësimit në objektin e Komunës së Leposaviqit. Ky hap është shumë i rëndësishëm, pasi nga kjo zyrë qytetarët do të mund të pranojnë këshillim profesional, të ndërmjetësohen në vende të ndryshme të punës, por edhe të marrin trajnimet e nevojshme për aftësim dhe ri-aftësim në punë”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se është nënshkruar edhe një memorandum përmes së cilit parashihet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Punësimit dhe Komunës së Leposaviqit “ashtu që të garantohet zhvillimi profesional i qytetarëve si dhe avancimi i mëtutjeshëm socio-ekonomik në këtë komunë”.

  • Azemi: Nga e hëna disa shkolla të Prishtinës do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik, shkak greva

    Azemi: Nga e hëna disa shkolla të Prishtinës do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik, shkak greva

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka njoftuar se disa shkolla në Prishtinë do të mbesin pa shërbime.

    Kjo pasi që, punëtorët teknik do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

    Ai bërë të ditur se nëse greva nuk do të jetë e suksesshme punëtorët nuk do të kthehen në shkolla.

    “Shumë shkolla në Prishtinë nga e hëna do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik , pasi që ata do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Këta punëtor kan mar vendim që nëse nuk do të ketë sukses greva brenda javës së ardhshme”, ka shkruar Azemi.

  • ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) kanë reaguar ndaj Projektligjit për KPM, duke thënë se propozimi ligjor, për herë të parë në historinë e re të Kosovës, ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video, nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.

    Ky projektligj detyron mediat online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet në Kuvend ku edhe është dërguar për miratim nga Qeveria në muajin janar 2024.

    AGK dhe KPM thonë se ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropianë janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se këto ndryshime i shohin si një përpjekje të re të qeverisë aktuale të sulmojë mediat me tendencë për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë duke përfshirë edhe nevojën që të licencohen në mënyrë të veçantë.

    “Arsyeja e kësaj konference është ligji i ri për KPM-në, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në fund të vitit të kaluar dhe e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës …Ky ligj do të ndikojnë direkt në punën e mediave online…Ndryshimet ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për ti kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të video duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe këtë e shohim si një tjetër përpjekje sulm tjetër të qeverisë ndaj lirisë së mediave…E ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshime,” tha Rexha.

    Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, tha se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit duke i detyruar mediat që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

    “Projektligji për KPM është aprovuar në mbledhjen e qeverisë 4 ditë para vitit të ri dhe është publikuar online në faqen e Zyrës së kryeministrit pas kërkesës sonë që ky dokument të bëhet publik… Për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit, duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror. Secila media online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet… Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare detyrohen që të hapin kompani për të plotësuar kërkesat e licencimit. Mediat online do të detyrohen që të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, do të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40 mijë euro”, tha ajo.

    Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, theksoi se qëllimi i projektligjit është pikërisht dobësimi i mediave të shkruara.

    “Qëllimi i projektligjit të KPM-së është pikërisht dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës…I bëjmë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë projektligj”, theksoi Mushkolaj.

    AGK dhe KMSHK janë përgatitur që t’i informojnë Këshillin e Evropës, OSBE-në, Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera.

    Ndryshe, ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja; mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja; mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%; mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro; KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht; anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

  • Pezullohen nga puna dy zyrtarët e ATK-së që u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia

    Pezullohen nga puna dy zyrtarët e ATK-së që u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia

    Janë pezulluar nga puna dy zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.

    Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi-Sefa.

    “Janë pezulluar nga puna dy zyrtarët serbë, që janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia”, ka thënë ajo.

    Ndryshe, dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.

    Dy zyrtarët e dyshuar, Lazar Peroviq dhe Tomislav Janiçjeviq, kanë qenë duke punuar në “Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme të ATK-së” me seli në Prishtinë.

    Të njëjtit më parë ishin pjesë e “Mbrojtjes Civile”.

  • “Ky ministri Luci a Peci qysh e ka mbiemrin, po na largon biznesin”- Pronari i pompës së derivateve “Patroni” i ashpër me deklarata

    “Ky ministri Luci a Peci qysh e ka mbiemrin, po na largon biznesin”- Pronari i pompës së derivateve “Patroni” i ashpër me deklarata

    Pronari i pompës së derivateve “Patroni”, Habib Morina ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për mbylljen e biznesit të tij, me ç’rast i njëjti me apo pa dashje ia ngatërron mbiemrin ministrit të Bujqësisë.

    “Ky ministri Luci a qysh e ka mbiemrin, a po Peci, po na largon biznesin”, thotë ai, ndërkohë që deklaroi se ata do të presin një vendim nga gjykata për të parë se kush ka të drejtë.

    Ndryshe, gjatë ditës së sotme inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë të asistuar nga Policia e Kosovës kanë vendosur shirita në prona që gjenden përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, në Prishtinë.

    Kjo hapësirë ishte shfrytëzuar nga një biznes privat që shërbente si pompë e derivateve dhe kishte kontratë qiramarrëse nga viti 2018.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Durmishi: Në e-Kosova mund të bëhet aplikimi për termine për provimin teorik dhe praktik për patentë shofer

    Durmishi: Në e-Kosova mund të bëhet aplikimi për termine për provimin teorik dhe praktik për patentë shofer

    Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se nga sot në platformën e-Kosova është publikuar shërbimi për aplikim dhe ndarje të termineve për provimin teorik dhe praktik për patentë shofer.

    Ai ka thënë se ky projekt synon lehtësimin e procedurave të aplikimit për patentë shofer për qytetarët e vendit.

    Njoftimi i plotë:

    Në Platformën e-Kosova tani kemi publikuar shërbimin për aplikim dhe ndarje të termineve për provimin teorik dhe praktik për Patent Shofer.Me qëllim të zbatimit të zotimit për transparencë të plotë, në kuadër të MMPHI-së, në bashkëpunim me ASHI, kemi lansuar projektin lidhur me aplikimin dhe ndarjen e termineve per provimin teorik dhe praktik për Patent Shofer. Prej sot, përmes platformës së E-Kosova, fletëpagesat mund të realizohen në mënyrë digjitale. Si Ministri jemi kujdesur që deri në finalizimin e plotë të digjitalizimit, të drejtën e aplikimit qytetarët e kanë edhe përmes zyreve në njësitë rajonale.Ky projekt synon lehtësimin e procedurave të aplikimit për patent shofer për qytetarët e vendit. Ky është një hap tjetër i domosdoshëm e i rëndësishëm drejt digjitalizimit si reformë e rëndësishme për rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës.

  • Bislimi i bën thirrje BE-së që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor

    Bislimi i bën thirrje BE-së që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar që të vendet evropiane të jenë unike si në rastin e Ukrainës.

    Pas vendimit të BE-së që t’ia ndajë Ukrainës një pako ndihme prej 50 miliardë eurosh, Bislimi ka thënë të enjten se sigurimi i financave për Planin e Rritjes të Ballkanit Perëndimor është hap i madh drejt integrimit.

    “Vendimi i sotëm i BE-së tregon rëndësinë e unitetit dhe bashkimit. Të njëjtat pariem morale që duhet të jenë forcë lëvizëse edhe për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuptim, sigurimi i financave për Planin e Rritje së Ballkanit Perëndimor është hap i madh drejt integrimit”, ka thënë Bislimi në rrjetin social X.

    BE-ja tha se marrëveshja për ndarjen e pakos për Ukrainën “mbyll një financim të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën”.

    Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian me disa “masa të përkohshme”.

    Zyrtarët e BE-së patën thënë se sanksionet janë vendosur për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

  • Policia e Kosovës largon një bilbord me flamur të Serbisë te ‘Kroi i Vitakut’

    Policia e Kosovës largon një bilbord me flamur të Serbisë te ‘Kroi i Vitakut’

    Policia e Kosovës ka larguar sot një bilbord serb të vendosur në një kodër te Kroi i Vitakut.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    Elshani tha se derisa Policia ishte duke bërë sigurimin në lagjen Kroi i Vitakut, për shkak të vizitës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është larguar edhe billbordi që ishte i vendosur në kodër.

    “Sot Policia e Kosovës ka bërë sigurimin në Lagjen Kroi i Vitakut derisa në vizit ishte Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri i Pushtetit Lokal. Gjatë kësaj kohe është largu edhe billbordi që ishte në kodër aty në afërsi”, tha ai.

  • Baraliu: Vendimi për dinarin është i drejtë, pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet

    Baraliu: Vendimi për dinarin është i drejtë, pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet

    Vendimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb po konsiderohet i drejtë dhe si i tillë edhe duhet të zbatohet.

    Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se përmes këtij vendimi pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet.

    Baraliu për KosovaPress deklaroi se vendi duhet të përballojë presionin e ndërkombëtarëve për shtyrjen e vendimit për dinarin, pasi sipas tij, duhet të ndalohet qarkullimi i valutave të huaja ilegale në vend.

    “Vendimi është gjithsesi i drejtë, por edhe i domosdoshëm, sepse është obligim ligjor dhe kushtetues që Banka Qendrore të mbajë kujdes lidhur me politiken monetare që në këtë rast është e varur nga zona euro, por sidoqoftë që të zbatojë ligjin që të mos lejojë të qarkullojnë valuta të huaja ilegale në Kosovë. Andaj, vendimi është i domosdoshëm dhe me vend, dhe nuk duhet lejuar askush pastaj të ketë guximin siç disa zëdhënës nga Brukseli atje pretendojnë që ta fusin në negociata këtë çështje për arsyeje se është interne, një vendim i një institucioni të pavarur, dhe që duhet domosdo t’i zbatojë ligjet e këtij vendi”, tha Baraliu.

    Ai potencon se në asnjë mënyrë nuk ka shkelje kushtetuese nga rregullorja e BQK-së lidhur me këtë çështje, derisa shton se çdo gjë është bërë në mënyrë ilegale duhet të ndërpritet.

    “Në asnjë mënyrë, as nuk ka shkelje (kushtetuese), por përkundrazi është vonesë, në vite të konsiderueshme pikërisht lejimi i valutave ilegale siç është në mesin e tyre edhe dinari…Pra, çdo gjë është bërë në mënyrë ilegale, dhe duhet të ndërpritet kjo. Ky vendimi është i duhur, në kohën e vonuar, por të domosdoshme që të zbatohet, dhe askush nuk ka të drejtë të interferojë në politikat monetare dhe në pavarësinë e institucionit bankar siç është Banka e Kosovës”, tha Baraliu.

    Ndërsa, ka renditur edhe të mirat që sjell kjo rregullore. Sipas tij, me hyrjen në fuqi të kësaj pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet e po ashtu vlerëson se qarkullimi vë në disiplinë financiare që është e domosdoshme për stabilitetin bankar, i cili ndikon në sistemin ekonomik të vendit.

    “Vë në kontroll, disiplinë financiare. Paramendoni ardhjet me thasë në forma krejt ilegale, të pakontrolluara të valutave të huaja dhe qarkullimi i tyre nëpër Kosovë në mënyrë ilegale. Natyrisht se kanë obligime ato institucione bankare që i qarkullojnë këto të holla, edhe ndaj shtetit të Kosovës. Asnjë obligim nuk është kryer deri më tani, kështu tani futet në sistem informaliteti i qarkullimit të valutave të huaja, edhe të dinarit të Beogradit, bëhet qarkullimi në kuadër të kornizave ligjore dhe kryhen obligimet ndaj shtetit por edhe ndaj qytetarëve. Kështu që, pamundësohen keqpërdorimet, abuzimet dhe qarkullimi vë në disipline financiare që është e domosdoshme për stabilitetin bankar, i cili ndikon në tërë sistemin ekonomik”, përfundon Baraliu.

    Megjithatë, pavarësisht se nga sot kjo rregullore ka hyrë në fuqi, ende dinari serb është duke qarkulluar në Graçanicë. Ekipi i KosovaPress-it sot ka evidentuar qarkullimin e dinarit nëpër dyqane të Graçanicës.

    Në një nga market në këtë komunë, një qytetar ka bërë pagesë me dinarin serb që është antikushtetues dhe antiligjor në Kosovë.

    Në anën tjetër, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili dje ka mohuar se do të ketë shtyrje apo anulim të rregullores për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.

  • ​Qytetarët nga Graçanica kundërshtojnë vendimin për heqjen e dinarit nga përdorimi

    ​Qytetarët nga Graçanica kundërshtojnë vendimin për heqjen e dinarit nga përdorimi

    Qytetarët e komunitetit serb në Graçanicë konsiderojnë se do të dëmtohen nga vendimi për heqjen e dinarit serb nga përdorimi. Këta serbë lokal shprehen kritik ndaj ekzekutivit të Kosovës, të cilët kërkojnë që të hiqet nga fuqia një vendim i tillë. Përkundër kritikave, të njëjtit kanë vijuar me shfrytëzimin e kësaj valute. KosovaPress ka evidentuar qarkullimin e dinarit serb nëpër dyqane të Graçanicës. Edhe vet shitësit, prapa kamerës, kanë konfirmuar se kanë pranuar këtë valutë për blerje.

    Nga sot ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme. Me këtë rregullore parashihet që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke u hequr nga përdorimi dinari serb. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores së re për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

    Megjithatë, qytetari nga Graçanica, Millosh Todoroviq e konsideron të padrejtë këtë vendim.

    “Nuk është e drejtë. Shpresoj se kjo do të ndryshojë sepse askund as në Kushtetutën zyrtare nuk shkruan që dinari është valutë që nuk njihet në Kosovë, madje as për euro nuk shkruan që është valutë zyrtare, sipas rregullës Kosova nuk do duhej ta kishte euron si valutë”, thotë ai për KosovaPress.

    Ai pret që ky vendim të mos mbetet në fuqi dhe të vazhdojë me shfrytëzimin e dinarit serb si valutë.

    “Do të na dëmtoj nëse mbetet në fuqi, por shpresoj që nuk do të mbetet në fuqi dhe do të mund edhe më tutje ta përdorim dinarin”, shton ai.

    Edhe Kosora, një e moshuar serbe konsideron se heqja e dinarit nga përdorimi do t’i dëmtojë pensionistët.

    “Natyrisht që do të na dëmtojë nëse nuk pranojmë si, nuk jemi vetëm ne në pyetje, ka të bëjë edhe me ju, edhe njerëzit e juaj i marrin pensionet nga Serbia, kjo do të ishte katastrofë për gjithë popullin, populli duhet të jetojë, ta lemë politiken… Them populli duhet të jetojë, ta ketë lirinë, liria është me e rëndësishmja në jetë, që populli të mund të jetoj. Vështirë, mund të ju them që është vështirë për rininë”, thekson ajo.

    Titomir Sekuliq, i cili është banor i Graçanicës thotë se këtë e ka vendosur pushteti, për çka shprehet kritik.

    “Çka të komentojë, pushteti më i fortë…Si jo do të na dëmtoj, nuk di, nuk di çka të them”, përfundon Sekuliq.

    Bashkimi Evropian edhe sot ka reaguar lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, duke i kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mbrëmë ka deklaruar se do të ketë periudhë tranzitore që do të përcillet me edukim dhe informim të qytetarëve të Kosovës.

    Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë nuk e kontestojnë që euro ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim.