ATV

Category: Lajme

  • Gjashtë kompani të interesuara për projektin “Parku Solar”

    Gjashtë kompani të interesuara për projektin “Parku Solar”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Gjashtë kompani, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kanë dorëzuar ofertat për realizimin e projektit të Parkut Solar me kapacitet prodhues 100 megavat për orë.

    Ankandi i Parë ka qenë i hapur deri të mërkurën, ndërsa për ndërtimin e këtij parku solar është caktuar fshati Kramovik i Rahovecit.

    Implementimi i këtij projekti, sipas ekspertit të energjisë, Naim Bujupi, është hap pozitiv në procesin e tranzicionit energjetik të Kosovës.

    “Kosova tash ka vendosur edhe targetet e saj drejt tranzicionit të energjisë, që termocentralet ekzistuese të zëvendësohen me energji të ripërtërishme. Përkundër vonesave ne patëm diku katër shtyrje për këtë proces të ankandit dhe kemi tash gjashtë ofertues dhe kjo është lajm i mirë. Ofertat janë vetëm një fazë, mbetet të shihen fazat e tjera që përfshijnë vlerësimin e ofertave, pastaj marrëveshjet që duhet të nënshkruhen mes palëve dhe më pas ndërtimi”, tha Bujupi.

    Pavarësisht se vlerësohet si projekt i rëndësishëm për vendin, sipas Bujupit, kapacitetet prodhuese të parkut solar do të jenë të vogla krahasuar me termocentralet.

    “Diku 1300 orë në vit punojnë. Nëse i ekuivalentojmë me kapacitetet e termocentraleve i bie që 16 megavat të termocentraleve, zëvendësohen me 100 megavat të paneleve solare”, tha Bujupi.

    Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme në përcaktimin e çmimit për blerje të energjisë nga kompania fituese.

    “Qeveria duhet të ketë kujdes në blerjen e energjisë për 15 vitet e ardhme, në përcaktimin e çmimit pasi siç e dimë vitin e kaluar kemi pasur humbje të mëdha për shkak të një marrëveshjeje të pakujdesshme në përcaktimin e çmimit sipas tregut”, tha Qerimi.

    Për realizimin e këtij projekti shteti ofron tokën publike me qira për 30 vjet, qasje të lehtë për automjete dhe pajisje, marrëveshje të garantuar për blerje të energjisë solare për 15 vjet, si dhe kyçje të afërt në rrjetin e transmisionit.

    Ndërkohë, deri në vitin 2031, referuar Strategjisë për Energjinë, Kosova synon që 35% e kërkesës për energji të mbulohet nga energjia e gjeneruar nga burimet e ripërtërishme.

    Aktualisht, rreth 82% e energjisë në Kosovë, prodhohet duke djegur thëngjill.

  • 1 muaj liberalizim, rritet numri i udhëtarëve

    1 muaj liberalizim, rritet numri i udhëtarëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Është shënuar 1 muaj prej kur qytetarët tashmë po udhëtojnë lirshëm, pa viza, drejt vendeve evropiane.

    Numri i atyre që zgjodhën transportin ajror, vërehet të ketë shënuar ngritje brenda këtij muaji, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave, në muajin Janar në Aeroportin “Adem Jashari” udhëtuan mbi 287 mijë udhëtarë.

    “Nr. i udhëtarëve dhe fluturimeve vazhdon me një trend të rritjes, ku në muajin Janar 2024 janë shërbyer 287 205 udhëtarë, apo 21,9 % më shumë sesa në muajin Janar 2023 dhe 996 fluturime apo 23,3% më shumë, krahasuar me Janar 2023. Muaji Janar 2023 kishte 235 576 udhëtarë dhe 808 fluturime të shërbyera”, thuhet në njoftimin e Aeroportit “Adem Jashari”.

    Ndërkohë, sipas statistikave zyrtare nga policia deri më 23 janar, në të gjitha pikat kufitare përfshirë atë edhe në aeroport, kanë dalë afro 846 mijë persona. Ndërkohë, në Kosovë kanë hyr mbi 695 mijë.

    Kjo duke bërë që të ketë afro 151 mijë dalje më shumë sesa hyrje.

    Ndërkohë, në vitin 2023 kishte afro 129 mijë më shumë dalje se hyrje.

    Si rezultat i kësaj, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit kanë dalë mbi 22 mijë persona nëpër pikat kufitare.

    Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.

    Liberalizimi u mundëson që të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare.

  • Dënimi nga gjykata themelore nuk e përjashton Pal Lekajn nga kuvendi

    Dënimi nga gjykata themelore nuk e përjashton Pal Lekajn nga kuvendi

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një ditë më parë, gjykata themelore i shqiptoi dënim me 3 vjet e 8 muaj burgim.

    Por, Pal Lekaj mund ta vazhdojë funksionin e tij si deputet edhe për një kohë, meqë dënimi nuk është i formës së prerë.

    “Mandati i deputetit humbet me rastin kur vendimi bëhet i formës së prerë, dhe përderisa nuk ka ende një aktgjykim të formës së prerë, juridikisht nuk ka asnjë pengesë që i njëjti të mos e ushtrojë funksionin e deputetit”, tha Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.

    E derisa gjykata e shkallës së dytë të dalë me një vendim, do të duhej kohë, por nuk ka afat të caktuar.

    Sidoqoftë, do të mbetet në dëshirën e deputetit nëse do të qëndrojë apo ta lirojë vendin.

    Vetë Lekaj nuk u përgjigj gjatë të enjtes për planet e tij të mëtejme, ndonëse njohës të fushës, si më të drejtë e shohin dorëheqjen.

    “Për ta ruajtur integritetin e institucionit të kuvendit dhe pozitës së deputetit do ishte e rrugës që paraprakisht të jepej dorëheqje dhe me vetë faktin që ka filluar procedura gjyqësore, ose që ka pasur edhe një aktakuzë për një vepër kaq të rëndësishme”, tha Bugaqku.

    Përtej dënimit me 3 vjet e 8 muaj burgim, Gjykata Themelore Lekajt i ka shqiptuar edhe dënim plotësues, prej 3 vjet e 6 muaj, i cili hyn në fuqi pasi ta përfundojë dënimin me burgim, e që nënkupton se Lekaj për kaq kohë nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik.

    Ndërsa, në rast se deputeti Lekaj humb mandatin, ai do të zëvendësohet nga kandidati më i votuar, i gjinisë së njëjtë, brenda listës së partisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që në këtë rast është Lahi Brahimaj.

  • Dyshimet për korrupsion, një muaj paraburgim për dy zyrtarët e gjykatës në Prishtinë

    Dyshimet për korrupsion, një muaj paraburgim për dy zyrtarët e gjykatës në Prishtinë

    Përgatiti: Nora Luta

    Njëri bashkëpunëtor profesional, e tjetri referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim.

    Deli Halili e Ismajil Ismajli, sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, dyshohen se i mbajtën fshehtë urdhëresat e gjykatës për ekzekutimin e sanksioneve penale në një periudhë kohore prej afër dhjetë muajsh.

    Ismajli ishte akuzuar edhe më herët për veprën penale marrje ryshfeti.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se nga data 4 prill 2022 e deri më 26 janar 2024, në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Deli Halili, në pozitën e bashkëpunëtorit profesional në këtë zyrë dhe Ismajl Ismajli në pozitën e referentit, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimi të dobisë për të dënuarit, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori e ka arsyetuar ndër të tjera për pranimin e veprimeve inkriminuese nga njëri i dyshuar.

    “Provave që të njëjtit iu janë bashkangjitur, e posaçërisht, deklarata e të pandehurit Deli Halili, i cili pranon veprimet inkriminuese duke paraqitur edhe veprimet inkriminuese të pandehurit Ismajl Ismajli, janë siguruar prova materiale te dosjet e personave të dënuar, të cilat nuk janë ekzekutuar me kohë dhe janë mbajtur kundërligjshëm për një kohë të gjatë në zyrë” , thuhet më tej në kërkesën e Prokurorisë.

    Dy zyrtarët e Gjykatës u arrestuan dy ditë më parë, ndërsa të mërkurën pasdite Gjykata Themelore në Prishtinë e aprovoi kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar një muaj paraburgim secilit veç e veç.

    Ndërkohë, avokati i Halilit, Berat Tmava, ka thënë për ATV-në se tashmë kanë shfrytëzuar të drejtën e ankesës në Apel, pasi, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet ligjore rreth masës së sigurisë, siç është ajo e paraburgimit, më e rënda që mund t’i caktohet një të dyshuari.

    “Tani për tani nuk kemi asnjë provë që mbështet këtë dyshim të bazuar, sipas prokurorisë. Karakteristikat personale të të pandehurit, sjellja e mëparshme në ambientin dhe kushtet të cilat ai jeton dhe të gjitha këto tregojnë se nuk ekziston rreziku që i pandehuri të përsëritë veprën penale”, tha Tmava.

    Në Apel është ankuar edhe avokati i Ismajlit, Driton Muharremi, i cili ka thënë për ATV-në se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë, se ai ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

    “E vetmja provë është deklarata e Halilit, i cili e involvon klientin tim e që sipas kodit të procedurës penale, e njëjta nuk është provë në të cilën mund të bazohet aktgjykimi eventual. Klienti im nuk është i ngarkuar me ekzekutime të dënimeve me burg dhe nuk ka qasje as vizuale e as fizike ne këto lëndë”, ka thënë Muharremi.

    Muharremi në ankesë ka theksuar se i njëjti më herët është liruar nga akuza për marrje ryshfeti, dhe se në procedurën kontestimore në shkallën e parë është obliguar Këshilli Gjyqësor të paguajë shumën prej 40 mijë eurosh.

  • Eshtrat iu gjetën vitin e kaluar, identifikohet trupi i një të zhdukuri gjatë luftës

    Eshtrat iu gjetën vitin e kaluar, identifikohet trupi i një të zhdukuri gjatë luftës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Më shumë se dy dekada pas luftës, janë identifikuar se eshtrat që u gjetën gjatë gërmimeve vitin e kaluar në lagjen Mati 1 të Prishtinës, janë të Behram Imerit.

    Për fatin e Imerit nga fshati Pantinë i Vushtrrisë, askush nuk diti gjë që nga koha kur ishte mbajtur në burgun e Dubravës.

    Kemi hasë në eshtrat e dy personave, ka zgjatur 5-6 muaj deri i kemi marrë analizat e ADN-së, e një nga ta është identifiku, një person që quhet Behram Imeri, nga Vushtrria, ai ka qenë burgosur në burgun e Dobravës, dhe që nga ajo kohë është kanë person i zhdukur”, tha Kryetari Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Lajmi për identifikimin e trupit të tij ka gëzuar familjen e bashkëvendësit.

    “E kam taku në burgun e Dobravës, kur na qitshin në shëtitore, e kom thirrë me za e i kom tregu që jam djali i filanit, ja kom bo me dorë. Kanë qenë familjarë të mirë. Kanë menduar që është i humbur e kanë transferua diku, e kanë dërgu diku e s’gjendet kurrë veç shumë mirë që i kanë gjet tash, perime shumë mirë”, tha Sami Rexha, banor i fshatit Pantinë.

    “Ka qenë njeri i urtë dhe i disiplinuar. Është shumë mirë për të gjithë, viktimat kishim pas qejf që më u gjet eshtrat e tyre për shkak të familjarëve të tyre, që me pas një varr ku me shkua e me shpreh ngushëllime”, tha Shemsi Binaku, banor i fshatit Pantinë.

    Edhe disa rezultate të tjera po priten të dorëzohen te Këshilli i Familjarëve të Personave të Zhdukur.

    “Një numër i analizave ka mbërri nga Tuzlla, por për fat e kemi veç një rast që është idetifiku i cili do të varroset të shtunën”, tha Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Familjarëve të Personave të Zhdukur.

    Sipas Komisionit Qeveritar për Persona e Zhdukur, gjatë vitit të kaluar janë kryer gërmime në mbi 15 lokacione, në të cilat janë gjetur 77 mbetje mortore, për rezultatet e të cilave janë ende në pritje.

  • Iu ndalohet puna bizneseve që funksionuan në pronën e Ministrisë së Bujqësisë

    Iu ndalohet puna bizneseve që funksionuan në pronën e Ministrisë së Bujqësisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Fillimisht, policët ndaluan hyrjen e veturave në këtë pikë të karburanteve, që ndodhet në magjistrales Fushë Kosovë – Prishtinë, e që për shumë vite funksionon me qira në pronën e Ministrisë së Bujqësisë.

    Pastaj, inspektorët e komunës së Prishtinës takuan pronarin për t’ia kumtuar vendimin e Ministrisë për lirim të pronës, pasi kontrata i kishte skaduar që para një muaji.

    Por, argumentet e pronarit nuk ndryshuan gjë.

    Inspektorët, kësaj pike ia vendosën shiritat pasi i kishte skaduar kontrata për ta shfrytëzuar pronën e Ministrisë së Bujqësisë.

    Ndalimi i punës, sipas avokatit të kompanisë, tejkalon kompetencat e Ministrisë.

    “Nuk mundet ministria të lirojë prona, sepse kjo kompetencë i takon gjykatës…”, tha Naim Spahiu, avokat i kompanisë.

    Vendimin për mosvazhdim të kontratës, pronari e quan të padrejtë.

    “Është vendim i ministrit, ne do ngrisim padi ndaj tij…”, tha Habib Morina, pronar i pikës së derivateve.

    Përveç pompës, shiritat pastaj iu vendosën edhe kompanisë tjetër fare pranë, që prodhon material ndërtimor.

    Në vendimin e Ministrisë, thuhet se kompania është njoftuar me kohë, madje disa herë.

    “Pra, N.T.SH “LIRIA FC” NGA DATA 01.01.2024 është dashur ta lirojë pronën në fjalë nga njerëzit dhe sendet për shkak se i ka skaduar kontrata. Për lirimin e kësaj prone brenda afatit N.T.SH “LIRIA FC” është njoftuar disa 4 herë, madje përmes shkresës së datës 13.07.2023, 10.10.2023, 13.12.2023 dhe shkresës së datës 09.01.2024, mirëpo i njëjti nuk ka vepruar konform detyrimeve të tij kontaktuale dhe ligjore dhe nuk i ka marrë parasysh njoftimet-paralajmërimet e dhëna përmes këtyre shkresave:, thuhet në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë.

    Për pronën rrëzë magjistrales Fushë Kosovë – Prishtinë, e krejt përballë Agjencisë së Inteligjencës, kompania paguante 500 euro qira mujore.

  • Rregullorja në fuqi, por pagesat në Mitrovicë të Veriut bëhen me dinarë

    Rregullorja në fuqi, por pagesat në Mitrovicë të Veriut bëhen me dinarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pa asnjë problem pagesën po e bën me dinarë.

    Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut nuk e përfillën rregulloren e BQK-së, edhe pse ajo hyri në fuqi të enjten.

    Qytetarët e pronarë të bizneseve në Veri të vendit, thanë se mospërdorimi i dinarit është i pamundur, të paktën edhe për një periudhë kohore.

    Edhe pse Qeveria tha se në vend të gjobave do të ketë fushatë informuese në lidhje me rregulloren e re të BQK-së, në terren një gjë e tillë nuk u pa!

    Për mosshtyrjen e zbatueshmërisë së vendimit, ka folur përsëri ambasadori Amerikan në Kosovë. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Jeffrey Hovenier tha se vendimi mund të sjellë tensione të reja në veri.

    “Serbët do të ndihen të shkëputur nga benefitet që i përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne mendojmë që kjo çështje meriton më shumë konsideratë dhe gjithashtu diskutime në tavolinën e dialogut. Shqetësimet tona janë që mund të ketë tensione etnike”, tha Hovenier.

    Të shqetësuar me pasojat që mund të ketë pas vendimit të BQK-së, janë shprehur edhe nga Bashkimi Evropian. Ata kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje që rregullorja e re të mos ua ndërlikojë jetën e qytetarëve të komunitetit serb.

  • S’ka fatura për rrymën në veri, elektrosever kërkon “paushallin”

    S’ka fatura për rrymën në veri, elektrosever kërkon “paushallin”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    As më 1 Shkurt, në Mitrovicë të Veriut, Elektroseveri nuk i shpërndau faturat e energjisë elektrike.

    Televizioni merr vesh se kjo kompani nuk i ka printuar ende faturat.

    Megjithëkëtë, punonjës të saj u kanë thënë qytetarëve në këtë komunë se duhet të paguajnë paushall 25 deri në 30 euro, për muajin Janar.

    Mes paqartësish për faturat, asamblisti në Mitrovicë të Veriut, Betim Osmani, tregoi se punonjësit e Elektroseverit i kanë paralajmëruar qytetarët se në rast se nuk paguajnë tash, do t’iu grumbullohet borxhi.

    “Jo, jo, fatura për këtë muaj nuk ka. Vetëm u është bërë me dije qytetarëve që e kanë një lloj paushalli 25 Euro dhe se më mirë është tash të shkoni ta paguani, që në fund të muajit shkurt ose mars, të mos u bëhen 25+25 ose 30+30, 60, dhe mos u ankoni pastaj që janë shumë, por llogariteni si një lloj minimumi i shpenzimit është 25-30 euro”, tha Osmani.

    Praktika e paushallit pritet të vazhdojë deri në vendosjen e plotë të matësve.

    Këtë situatë, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi si përpjekje për ta shtyrë zbatimin udhërrëfyesit për energjinë.

    “Ky tentim për me shty po vjen prej Elektroseverit, një kompanie që është bërë shumë luftë për t’u licencuar, për të fituar të drejtën për të bërë faturimin në atë pjesë. Në këtë rast, është një bashkëpunim i Elektroseverit me qytetarët serbë për të gjetur mënyra, si të mos paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar”, tha Shabani.

    Sidoqoftë, Shabani theksoi se kostoja buxhetore më nuk rëndon mbi taksapaguesit.

    “Elektroseverit tash i mbetet barra që ose ta paguajë vetë energjinë e shpenzuar prej qytetarëve, të cilët e kanë pranuar atë energji, ose të gjejë alternativa për ta paguar shpenzimin e energjisë elektrike”, tha Shabani.

    Të hënën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e liroi KOSTT-in nga barra për mbulimin e humbjeve, si pasojë e energjisë së shpenzuar dhe të papaguar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Nga 1 Janari, energjia e shpenzuar në këto komuna i llogaritet Elektroseverit.

  • Thesari i pakontrolluar i bankës kombëtare serbe vazhdon punën në veri

    Thesari i pakontrolluar i bankës kombëtare serbe vazhdon punën në veri

    Përgatiti: Haris Ademi

    Të enjten nuk u sollën kontingjente me para të gatshme nga Serbia në Kosovë.

    Mirëpo, në ditën kur hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për moslejim të dinarit brenda republikës, punën e vazhdoi zakonshëm institucioni që përkujdeset për importin dhe praninë e kësaj valute brenda territorit.

    Objekti nuk kontrollohet prej institucioneve të Kosovës dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Financave të Serbisë.

    Neni 40 i rregullores thotë se importi i monedhave bëhet vetëm me licencë dhe autorizim të veçantë të BQK-së.

    Kjo e fundit nuk ktheu përgjigje gjatë ditës, nëse ka në plan ta marrë nën kontroll kasafortën në veri.

    Ndërsa, Veton Elshani nga policia rajonale në veri tha për ATV-në se nuk ka asnjë urdhër për zbatim të rregullores në këtë hapësirë.

    Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se nevojitet veprim shtetëror për t’i hequr dinarët nga tregu.

    “Policia e Kosovës në koordinim me forcat ndërkombëtare në Kosovës, zyrat e QUINT-it dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, duhet të veprojë duke futur fillimisht nën kontroll kasafortën me dinarët e Serbisë. Duhet të veprojë duke i larguar ato nga tregu, apo edhe duke i konfiskuar”, tha Elezi.

    ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në Qeveri, mirëpo nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi thanë se nuk kanë koment për këtë çështje.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli mohon deklaratat e dhëna në polici

    Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli mohon deklaratat e dhëna në polici

    Përgatiti: Nora Luta

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka vazhduar ta marrë në pyetje të dyshuarin për organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, i cili nisi dëshminë e tij të mërkurën e kaluar.

    Murseli e ka mohuar versionin e dhënë në polici.

    Kështu ka thënë mbrojtja e Murselit, e cila ka shtuar se ai i ka mohuar edhe lajmet e publikuara rreth raporteve me viktimën.

    “Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, me sot ka përfunduar deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes, ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar në lidhje me raportet e tendosura mes bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre, i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, deklaruan avokatët Teuta Zhinipotoku dhe Shemsedin Piraj.

    Ndërkohë, paraditen e të enjtes, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar në intervistim sërish edhe të dyshuarin tjetër për përfshirje në vrasjen e Lirdona Ademajt, Kushtrim Kokallën.

    Por ai ka vendosur të mbrohet në heshtje, duke e shfrytëzuar kështu të drejtën e garantuar me ligji, për të mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë.

    Javën e kaluar, Prokuroria kishte intervistuar edhe Granit Plavën, i cili dyshohet se e vrau 30-vjeçaren, dhe Tomë Dodajn, nga i cili dyshohet se e blenë bashkë me Murselin armën.