ATV

Category: Lajme

  • BQK-ja del me njoftim të ri për dinarin

    BQK-ja del me njoftim të ri për dinarin

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka dalë me njoftim të ri rreth qarkullimit të valutave të tjera, jo euro.

    Sipas njoftimit të BQK-së valutë e vlefshme si mjet pagese i ligjshëm është vetëm euroja.

    Valutat tjera jo-euro mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo-euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo-euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo -euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor, pa kufizim.

    Më poshtë është linku me njoftimin e BQK-së:

  • Vitia: Së shpejti do të nisim me ligjin e ri për sigurime shëndetësore

    Vitia: Së shpejti do të nisim me ligjin e ri për sigurime shëndetësore

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi premtoj se së shpejti do të nisin edhe me ligjin e ri për sigurime shëndetësorë. Gjithashtu ka thënë se ligji për ndalimin e duhanit, ligji për inspektorat ligji për barna janë në finalizim

    Ministria Vitia gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi ka përmendur disa të arriturat që kanë shënuar gjatë vitit 2023. Vitia ka thënë se kanë zvogëluar pritjet në disa klinika, ku përmendi edhe Klinikën e Radiologjisë.

    “Në Ortopedi kemi bërë renovim të sallave, do të blihen edhe aparatura të reja, e proteza të ndryshme. Po punohet edhe në spitalet tjera. Në Klinikën e Kardiologjisë ka pasur rekord të ndërhyrjeve, kjo po zgjerohet edhe në Prizren, Po ashtu, në Kirurgjinë Vaskulare po investojmë në salla, çdo investim në salla, rrit volumin e punës”, ka theksuar ministri.

    Ministri Vitia ka thënë se janë bërë investime edhe në Klinikën e Neurokirurgjisë.

  • Xhaferi: Zgjedhja ime në këtë pozitë është një sinjal i fuqishëm i një shoqërie multietnike

    Xhaferi: Zgjedhja ime në këtë pozitë është një sinjal i fuqishëm i një shoqërie multietnike

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë zgjedhja e tij në këtë pozitë është një sinjal i fuqishëm për një shoqëri multietnike.

    Kështu ka thënë ai pas takimit me anëtarin e Parlamentit Evropian, Ilhan Kjuçukun.

    “Takim miqësor dhe bisedë e hapur me Ilhan Kjuçukun për mua është veçanërisht i rëndësishëm mesazhi se zgjedhja ime për Kryeministër është sinjal i fuqishëm për rolin udhëheqës të shtetit tonë dhe provë për një shoqëri të suksesshme multietnike. Me mbështetjen e miqve si Ilhani, anëtarësimi jonë në BE në vitin 2030 është synim real”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Zgjerohet platforma “Superpuna” – Subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri 29 vjeç

    Zgjerohet platforma “Superpuna” – Subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri 29 vjeç

    Më shumë se 9 mijë të rinj janë punësuar në kuadër të platformës “Superpuna”, nga bizneset e sektorit privat e cila që nga sot përfitues mund t’i punësojnë edhe grupmoshat deri në 29 vjeç, nga 25 sa ishte, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë zgjerimit të kësaj platforme, kryeministri Albin Kurti, tha se grupmoshat që kanë përfituar më herët ka qenë nga 18 deri 25 vjeçare, ndërsa përfitues mund të jenë edhe personat deri 29 vjeç.

    “Punë dhe drejtësia është togfjalëshi që është dëgjuar më së shpeshti në prezantimet tona. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionim e pagës së punëtoreve. Platforma ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ku u punësuan 9394 të rinj dhe të reja. Jam shumë i lumtur që disa prej përfituesve i kemi në mesin tonë për t’u dhënë edhe një lajm të mirë. Kemi vendosur që t’i zgjerojmë grupmoshat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, tani nga 18 vjeç deri në 29 vjeç mund të përfitojnë për t’u punësuar”, tha ai.

    E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se synimi ka qenë që të punësohen 10 mijë të rinj e të reja.

    Ai tha se 67 për qind e të rinjve që janë punësuar përmes kësaj platforme, u janë vazhduar kontratat nga punëdhënësi.

    “Duke parë suksesin e grupmoshës së parë, kemi vendosur të zgjerohet grupmosha për ata që janë më shumë se 25 vjeç. Pra nga ata që kanë përmbushur gjashtë mujorin, janë 67 për qind e tyre që kanë përfituar punësim. Ndryshimet, do të vazhdojnë kushte dhe kriteret e tjera siç kanë qenë”, tha ai.

  • Britania mund ta njohë shtetin palestinez para arritjes së marrëveshjes për paqe me Izraelin

    Britania mund ta njohë shtetin palestinez para arritjes së marrëveshjes për paqe me Izraelin

    Kryediplomati britanik tha të enjten se vendi i tij mund të njohë zyrtarisht një shtet palestinez, pas një armëpushimi në Gaza, pa pritur për rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare midis Izraelit dhe palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete.

    Gjatë një vizite në Liban të enjten, me qëllim uljen e tensioneve rajonale, Sekretari i Jashtëm David Cameron tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se nuk do të ketë asnjë njohje ndërsa Hamasi vazhdon të jetë Gazë. Ai tha se njohja mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

    Njohja nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara e një shteti të pavarur palestinez “nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të procesit”, tha kryediplomati Cameron, i cili ka shërbyer më parë në postin e kryeministrit të Britanisë.

    “Mund të jetë diçka që merret në konsideratë pasi procesi dhe përparimi drejt një zgjidhjeje, bëhet më real”, tha zoti Cameron. “Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim popullit palestinez një mundësi drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes për të pasur shtetin e tyre”.

    Kjo perspektivë është “absolutisht jetike për paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit”, tha ai.

    Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore e kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit, si një zgjidhje për konfliktin më të vështirë të rajonit, por kanë thënë se pavarësia duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar.

    Që nga viti 2009 nuk ka patur negociata thelbësore për këtë çështje.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, nga ana e tij, e ka kundërshtuar publikisht krijimin e një shteti të pavarur palestinez pas luftës. Madje ai është mburrur gjatë javëve të fundit se ka luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin e krijimit të shtetit palestinez.

    Përpjekjet e disa prej aleatëve kryesorë të Izraelit për të njohur një shtet palestinez pa pëlqimin e Izraelit, mund ta izolojë Izraelin dhe të ushtrojë trysni për të qenë pjesë e diskutimeve.

    Zoti Cameron tha se hapi i parë duhet të jetë një “pauzë e luftimeve” në Gazë që përfundimisht do të shndërrohej në “një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm”.

    Ai shtoi se në mënyrë që vendi i tij të njohë një shtet palestinez, udhëheqësit e grupit militant Hamas duhet të largohen nga Gaza “sepse nuk mund të kemi një zgjidhje me dy shtete me Gazën ende të kontrolluar nga individët përgjegjës për 7 tetorin”, duke iu referuar sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza.

    Deri më tani, Hamasi ka mbajtur qëndrimin se udhëheqësit e grupit militant nuk do të largohen nga Rripi i Gazës si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim.

    Zoti Cameron tha se vendi i tij po propozon gjithashtu një plan për të ulur tensionet në kufirin mes Libanit dhe Izraelit, ku grupi militant libanez Hezbollah dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë gjatë katër muajve të fundit, duke shkaktuar frikë për një luftë më të gjerë rajonale.

    Plani do të përfshijë trajnimin e forcave të ushtrisë libaneze nga Britania për të kryer më shumë aktivitete sigurie në rajonin kufitar, tha ai./voa

  • Mbikalimi dhe nënkalimi në Veternik, kontrata e ndërtimit kap vlerën 8 milionë euro

    Mbikalimi dhe nënkalimi në Veternik, kontrata e ndërtimit kap vlerën 8 milionë euro

    Në web-faqen zyrtare të e-Prokurimit është publikuar kontrata për ndërtimin e urës (mbikalimi dhe nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik të Prishtinës, mbi Rrugën A.

    Vlera e parashikuar për ndërtimin e kësaj ure kap shifrën 8 milionë euro.

    Ky është projekt i përbashkët mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

    Detaje se kur do të nis ky projekt ende nuk janë publikuar.

    Rruga në Veternik është cilësuar si një ndër rrugët më të rrezikshme për këmbësorë. Në mungesë të mbikalimeve, qytetarët detyrohen të kalojnë rrugën në vende që janë të rrezikshme për ta.

    Në vitet e fundit, në këtë pjesë të Prishtinës, disa qytetarë janë goditur për vdekje nga vetura, po ashtu kanë ndodhur edhe numër i madh i aksidenteve.

  • GjND-ja vendos për juridiksionin në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë

    GjND-ja vendos për juridiksionin në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë

    Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara më 2 shkurt do të vendosë nëse ka juridiksion në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj pothuajse dy vjet më parë.

    Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës.

    Në vendimin paraprak, gjykatësit e GJND-së urdhëruan Rusinë në mars të vitit 2022 që të ndalte pushtimin, por Moska e refuzoi vendimin, duke argumentuar se gjykata, që zgjidh mosmarrëveshjet ligjore të ngritura nga shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë ligjore për të vendosur për këtë rast.

    Në shtatorin e vitit të kaluar, avokatët e Rusisë i kërkuan gjykatës që ta hidhte poshtë rastin, duke përsëritur qëndrimin se GJND-ja nuk ka juridiksion.

    Gjatë asaj seance dëgjimore, Ukraina tha se injorimi i vendimit të gjykatës nga Rusia përbën sulm ndaj autoritetit të GJND-së.

    “Çdo raketë që Rusia gjuan ndaj qyteteve tona, e lëshon me kundërshtim me këtë gjykatë”, tha Anton Korynevych, përfaqësues i Ukrainës në këtë gjykatë.

    Përderisa vendimet e GJND-së janë ligjërisht të obligueshme, gjykata nuk ka mjete që ato të zbatohen.

    Në një rast të ndarë më herët gjatë kësaj jave, GJND-ja publikoi një vendim për një rast të ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për financim të terrorizmit, rast që kishte të bënte me aktivitetet e Moskës dhe për “diskriminim racor” nga Rusia pasi Kremlini aneksoi paligjshëm Gadishullin e Krimesë më 2014.

    Në vendimin e publikuar më 31 janar, gjykata tha se përderisa Moska ka shkelur traktatet kundër diskriminimit të OKB-së, duke dështuar që të mbrojë arsimin në gjuhën ukrainase në Krime, GJND-ja nuk u pajtua me pretendimin e Ukrainës se Rusia duhet ta kompensojë atë.

    Gjykata po ashtu hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Rusia ka diskriminuar tatarët etnikë dhe ukrainasit pas aneksimit të Krimesë.

    Në përgjithësi, GJND-ja u pajtua me Ukrainën se Moska kishte shkelur dy nene të traktateve, por refuzoi të tjerat./REL

     

  • Transporti lokal në Gjermani në grevë, ndalen qarkullimet

    Transporti lokal në Gjermani në grevë, ndalen qarkullimet

    Autobusët lokalë, tramvajet dhe metrotë anuluan qarkullimet në pjesën më të madhe të Gjermanisë të premten pasi punonjësit e transportit u larguan nga puna për të hyrë në grevën e tretë në dy javë lidhur me transportin.

    Sindikata e punëtorëve të shërbimit “Ver.di” bëri thirrje për një “grevë paralajmëruese”, një taktikë e zakonshme në Gjermani. Nënkryetarja e saj, Christine Behle, tha se “ka ardhur koha për të ushtruar më shumë presion mbi punëdhënësit” pasi negociatat për kontratat e reja të pagave për rreth 90,000 njerëz të punësuar nga mbi 130 operatorë lokalë të transportit nuk kanë arritur të bëjnë përparim, raportoi AP.

    Në Berlin, punëtorët u larguan nga puna deri në orën 10:00. Në Hamburg, Këln, Hannover e gjetkë, greva do të zgjasë gjithë ditën. Bavaria, ku nuk ka negociata aktualisht, është i vetmi rajon që nuk u prek.

    Punëtorët kërkojnë kushte më të mira pune, si orar më të shkurtër dhe kompensim për orarin gjatë natës.

  • Dushko Arsiq shpallet fajtor për krime lufte, dënohet me 13 vite burgim

    Dushko Arsiq shpallet fajtor për krime lufte, dënohet me 13 vite burgim

    I akuzuari për krime lufte Dushko Arsiq është shpallur fajtor dhe është dënuar me 13 vite burgim.

    Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.

    Dushko Arsiq po akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

    Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

    Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Me këtë, Arsiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

  • OEAK: Kosova të lirohet sa më shpejtë nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit

    OEAK: Kosova të lirohet sa më shpejtë nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përshpejtim të rritjes ekonomike të vendit, megjithatë këto përpjekje vijojnë të kenë efekt të limituar në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Në rrethana të tilla, Oda Amerikane vlerëson se imazhi që gëzon Kosova dhe mungesa e një qasje proaktive në promovimin e mundësive për tërheqje të investimeve janë ndër faktorët që pamundësojnë transformimin rrënjësor ekonomik të Kosovës.

    Në komunikatën për media thuhet se Oda Amerikane beson fuqishëm që Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit.

    “Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në raport.

    Po ashtu thuhet se: “Si avokuese e fuqishme e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, Oda Amerikane vlerëson pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe nga Serbia së fundmi për njohjen e targave të veturave, duke vlerësuar se hap tjetër me rëndësi do të ishte largimi i barrierave në tregtinë ndërmjet të dyja shteteve, duke i hapur rrugë zhvillimit të përshpejtuar ekonomik. Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim.

    Më tej në komunikatë thuhet se Oda Amerikane rikujton se në tri dekadat e fundit, Kosova ka bërë një kapërcim të madh, dhe kjo falë bashkërendimit të përpjekjeve të saja me partnerët ndërkombëtar, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

    “Prandaj, bashkërendimi i mëtejmë i të gjitha synimeve që kanë për qëllim fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës duhet vijojë të bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, e kjo përfshin edhe zbatimin e Rregullores së miratuar së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, si dhe kërkesa për shtyrjen e dispozitave të saj të caktuara, me qëllim të lejimit të përgatitjeve të nevojshme për zbatim dhe eliminimit të pasojave të mundshme negative”, thuhet në njoftim.

    Në komunikatë thuhet se: “Në frymë të komunikimit e të bashkëpunimit, Oda Amerikane u kërkon institucioneve të degëve legjislative e ekzekutive të Republikës së Kosovës që të promovojnë dialogun e sinqertë publiko-privat, si mjet të rëndësishëm për formulimin dhe zbatimin e politikave, rritjet dhe zhvillimin ekonomik, reformat rregullative dhe efikasitetin e tyre, si dhe rritjen e besimin publik në qeverisje”.

    Në fund, Oda Ekonomike Amerikane bënë thirrje për adresimin e rekomandimeve të mësipërme, për të arritur ndryshim rrënjësor në mirëqenien dhe performancën e një shteti, përfshirë bruto produktin vendor, indeksin e zhvillimit njerëzor dhe indeksin e konkurrueshmërisë globale.