ATV

Category: Lajme

  • Vendimi i Kosovës për heqjen e dinarit, reagon Varhelyi

    Vendimi i Kosovës për heqjen e dinarit, reagon Varhelyi

    Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi ka reaguar pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Përmes një postimi në platformën X, Varhelyi shprehet se Komisioni Evropian shpreh keqardhje që ky vendim është miratuar pa konsultim paraprak duke pasur parasysh ndikimin që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

    “Pikëpamja e Komisionit për rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës e cila ishte caktuar të hynte në fuqi më 1 shkurt 2024: Komisioni shpreh keqardhje që ky vendim është miratuar pa konsultim paraprak duke pasur parasysh ndikimin që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës”, shprehet ai.

  • Kërkohet paraburgimi i zyrtarit të ATK-së që u ndalua duke kontrabanduar barëra

    Kërkohet paraburgimi i zyrtarit të ATK-së që u ndalua duke kontrabanduar barëra

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin L.P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë, ndaj të pandehurit L.P. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1, dhe “Kontrabandimi me mallra“ nga neni 311 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Me datë 01 shkurt 2024 në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë përkatësisht në fshatin Bistricë, i pandehuri L.P., është ndaluar nga policia në pikë kontroll, i njëjti ka qenë duke e drejtuar veturën zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës. Gjatë kontrollit në bagazh janë gjetur dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës”, thuhet në komunikatë.

    Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

  • Gjendja alarmante me mbeturinat në kryeqytet, Rama liron nga detyra Ilirik Musliun

    Gjendja alarmante me mbeturinat në kryeqytet, Rama liron nga detyra Ilirik Musliun

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se e ka shkarkuar Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

    Si arsye për shkarkim, Rama e ka dhënë menaxhimin e mbeturinave, që ka thënë se është gjendje alarmante.

    “Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike”, ka shkruar Rama.

    “Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë. Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar tutje Rama.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje, duke publikuar fotografinë e tij.

    Policia thirr qytetarët që të raportojnë në numrin 129 për çdo informatë që mund të kenë për të.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi. I dyshuari kërkohet për përfshirje në një rast, Kanosje, që është raportuar në polici me datën 12.12.2023. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendndodhjes së saj, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Komuna e Gjilanit ndalon ekskursionet e nxënësve jashtë shtetit

    Komuna e Gjilanit ndalon ekskursionet e nxënësve jashtë shtetit

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve të nxënësve jashtë shtetit.

    Këtë vendim, kreu i Gjilanit tha se e ka marrë në bashkërendim të plotë me këshillin e prindërve të komunës.

    “Substancat narkotike, pijet alkoolike, lëndimet e rastet e ndryshme si dukuri negative, si dhe shpenzimet e mëdha familjare ishin disa nga arsyet e konkluzionet e përbashkëta mes nesh dhe këshillit të prindërve. Do të shohim alternativat e aktiviteteve të tjera edukative e kulturore, në të mirë për të gjithë maturantët tanë!”, ka thënë kryetari Hyseni.

    Postimi i plotë:

    “Në bashkërendim të plotë me këshillin e prindërve të komunës, kemi marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve jashtë shtetit. Substancat narkotike, pijet alkoolike, lëndimet e rastet e ndryshme si dukuri negative, si dhe shpenzimet e mëdha familjare ishin disa nga arsyet e konkluzionet e përbashkëta mes nesh dhe këshillit të prindërve. Do të shohim alternativat e aktiviteteve të tjera edukative e kulturore, në të mirë për të gjithë maturantët tanë!

  • Durmishi: Do konfiskohen patentë shoferët që janë marrë kundërligjshëm

    Durmishi: Do konfiskohen patentë shoferët që janë marrë kundërligjshëm

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i prezantoi disa gjetje që kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorime me patentë shoferë.

    Durmishi tha se dyshimet e para janë se “kemi të bëjmë me një ndërmarrje të gjerë kriminale”.

    “Përkundër punës tonë, fatkeqësisht keqbërësit gjejnë forma e metoda të ndryshme që të korruptojnë sistemin dhe pajisja me patentë të bëhet me kundërshtim me ligjin…,. Për çdo dyshim duhet të marrim masa. Pajisja me patentë me metoda korruptive është krim, sepse ata rrezikojnë jetën e vetes dhe të tjerëve. Shumica e aksidenteve ndodhin për mosrespektim të rregullave”, tha ai.

    Ai tha se të gjitha këto dyshime dhe prova janë deponuar në Gjykatë.

    Durmishi ka theksuar se nëse dyshimet për keqpërodrime vëretohen “do ti anulojmë provimet, do konfiskohen patentë shoferët, sepse janë marrë kundërligjshëm, është procedurë tjetër pastaj”.

    “Dyshimet tona kanë të bëjnë me një ndërmarrje të gjerë kriminale, e cila mbetet të vërtetohet nga drejtësia. Dyshimet kanë filluar nga informatat e qytetarëve, ka dyshime për keqpërdorime, marrë parasysh për gjetjet, që shumë kandidatë të cilat gjoja pjesën teorike e kanë kaluar në vitin 2021, kur s’kishte testim, kurse pjesën praktike në vitin 2023 dhe në fillim të janar të këtij viti”, vijoi ai.

    Ai e përmendi edhe njësinë në qytetin e Pejës, ku sipas tij, rreth 666 kandidatë kanë kaluar provimin praktik në kategoritë B, C dhe C1. Të gjithë kandidatët, sipas tij, ishin nga qytete të tjera.

    “Kemi hasur në keqpërdorime në Pejë, kemi hasur në një dukuri që tjetër ku nuk ka ndodhur. Në këtë njësi kishte 666 kandidatë gjatë vitit 2023 që kishin kaluar provimin praktik në B, C dhe C1. Të gjithë kanë qenë nga qytete të tjera, si Podujeva, Kamenica, Drenasi, etj. Është e dyshimtë ku një kandidatë nga Kamenica shkon në Pejë për testin praktik”, tha ai.

    Ai ka përmendur një ekzaminer i cili sipas tij, për dy javë i ka kaluar 200 kandidatë.

    “Kemi një rast një ekzaminer për dy javë në Pejë i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike, kjo ësht dukshëm mbi mesataren, dhe kandidatët janë nga komunat e tjera”, tha ai.

    Durmishi po ashtu theksoi se nëse dyshimet vërtetohet atëherë do t’i anulojë provimet që kanë qenë të kundërligjshme.

    “Ju njoftoj se në bazë të kompetencave ligjore pas hetimeve nga prokuroria dhe në rast të vërtetimeve nga gjykata, jam i obliguar në bazë të ligjit… nenit 76, të bëjë anulimin e këtyre provimeve. Për cdo informatë dhe provë që kemi që provimet i kanë kaluar në mënyrë të kundërligjshme ne do të veprojmë në përputhje me ligjin”, tha ai.

  • Vetura inteligjente e policisë identifikon 917 kundërvajtës për 5 javë në trafik në një qytet

    Vetura inteligjente e policisë identifikon 917 kundërvajtës për 5 javë në trafik në një qytet

    Për pesë javë, policia e trafikut në Prizren, duke shfrytëzuar veturën inteligjente patrulluese, ka identifikuar 917 kundërvajtës në trafik, të cilëve edhe iu janë shqiptuar gjobat përkatëse dhe atë më së shumti për disa kundërvajtje të veçanta si: Tejkalim të shpejtësisë, skadim i afatit të regjistrimit si dhe përdorim i telefonit mobil gjatë ngasjes së mjetit.

    Gjatë kësaj periudhe, policia ka sekuestruar 393 tabela të regjistrimit me afat të skaduar.

    “Gjatë kësaj periudhe patrullat policore të Njësisë Rajonale të Rregullimit të Komunikacionit Rrugorë të Prizrenit përveç patrullimit me veturë inteligjente kanë pas edhe aktivitete të tjera dhe patrullime të shtuara me qëllim te krijimit të sigurisë në qarkullimin rrugore si dhe parandalimin e aksidenteve të trafikut”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Xhaferi: Anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Maqedonisë së Veriut

    Xhaferi: Anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Maqedonisë së Veriut

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi ka pritur sot në takim në Shkup eurodeputetin Ilhan Kjuçuk, raportues në Parlamentin Evropian për Maqedoninë e Veriut.

    Xhaferi ka shkruar në Facebook se është i rëndësishëm mesazhi se zgjedhja e tij për kryeministër është sinjal i fuqishëm për rolin udhëheqës të Maqedonisë së Veriut dhe provë për një shoqëri të suksesshme multietnike.

    “Me mbështetjen e miqve si Ilhani, anëtarësimi jonë në BE në vitin 2030 është synim real”, ka thënë Xhaferi.

    Në takim u bisedua për progresin e shtetit në kontekstin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe situatën e brendshme politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

  • Aksioni kundër strukturave paralele në Pejë, arrestohen disa të dyshuar

    Aksioni kundër strukturave paralele në Pejë, arrestohen disa të dyshuar

    Ka përfunduar aksioni në disa lokacione në rajonin e Pejës kundër veprimtarive të strukturave ilegale.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    Sipas tij, Prokuroria dhe Policia ende janë duke e zhvilluar aksionin në disa lokacione të tjera.

    “Aksioni është në zhvillim e sipër, por në disa rajone ka përfunduar aksioni. Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë janë ende në terren mirëpo, pasi të përfundoj aksioni do të dalim me një njoftim zyrtarë”, ka thënë Nikçi.

    Mirëpo, siç mëson Telegrafi nga burimet e saj disa persona të dyshuar aktualisht gjenden në stacionin policor dhe janë duke u intervistuar nga hetuesit policorë.

  • Gazetari gjerman: Vendimi për dinarin i drejtë, por publiciteti iu bë tmerrësisht keq

    Gazetari gjerman: Vendimi për dinarin i drejtë, por publiciteti iu bë tmerrësisht keq

    Gazetari gjerman i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka thënë se vendimi i institucioneve të Kosovës për çështjen e dinarit është i drejtë, megjithatë ai ka pasur kritikë të ashpër për atë se si është paraqitur ai vendim, duke thënë se është shumë e lehtë për të venë në pikëpyetje motivet.

    Martens ka shkruar për këtë çështje një artikull në gazetën prestigjioze gjermane FAZ, duke thënë se derisa dinari po largohet nga tregu, vështirë që dikush nga serbët lokalë është i përgatitur për një gjë të tillë.

    “Dinari serb më parë ka qenë mjet i zakonshëm i pagesës në veri të Kosovës. Tani lejohet vetëm euro. Mbetet e paqartë se si serbët e Kosovës do të marrin paga, pensione apo përfitime sociale në të ardhmen”, thuhet në shkrimin e Martens në FAZ.

    “Vendimi është i drejtë, por mënyra se si është marrë është një PR i tmerrshëm, duke e bërë të lehtë që të vendosen pikëpyetje për motivet”, ka shkruar në platformën X Martens ku edhe e ka shpërndarë artikullin e tij.