ATV

Category: Lajme

  • Largohet nga aparatura mjekësore 23-vjeçarja që u lëndua nga kulmi i Komunës, kjo është gjendja e saj

    Largohet nga aparatura mjekësore 23-vjeçarja që u lëndua nga kulmi i Komunës, kjo është gjendja e saj

    23-vjeçarja e cila u lëndua nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës më 18 janar, po vazhdon ende trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Ajo aktualisht është në gjendjen stabile dhe se po trajtohet.

    Shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka, tha se gjendja e pacientes është stabile dhe se është larguar nga aparaturat, por që duhet ende t’i vazhdohet mjekimi në kujdes intensiv.

    “Vajza po vazhdon të qëndrojë dhe të merr trajtimin mjekësor edhe më tutje në Shërbimin Intensiv Qendror. Sa i përket parametrave vital, gjendja është relativisht stabile, ne kemi arritur që ta largojmë nga aparatura mjekësore, por ajo edhe më tutje ka nevojë të qëndrojë dhe të jetë e monitoruar në shërbimin klinik intensiv”, tha Uka për Sinjalin.

    Kujtojmë se deri tash, dy persona janë arrestuar lidhur me rënien e çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

  • Kurti e Murati në ASK, flasin për regjistrimin e popullsisë që fillon në prill

    Kurti e Murati në ASK, flasin për regjistrimin e popullsisë që fillon në prill

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin e Financave, Hekuran Muratin, kanë vizituar sot Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti është njoftuar me punën e cila po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili nis në muajin prill.

    “Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizituan Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku bashkëbiseduan me ushtruesin e detyrës Avni Kastrati dhe ekipin e drejtorëve të këtij institucioni.

    Pas vizitës së fundit në ASK në muajin dhjetor, kryeministri pati mundësinë të njoftohej e përditësohej me punën e cila po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili nis në muajin prill.

    Rreth dy muaj na ndajnë nga nisja e regjistrimit të popullsisë. Statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë.

    Përkushtim i lartë, energji dhe vullnet nevojiten për ta planifikuar e zhvilluar me sukses regjistrimin e popullsisë, në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qasshme për të gjithë qytetarët tanë, nga të gjitha komunitetet e në secilin lokalitet

    Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme.

  • ​Kompania e ndërtimi dëmton kabllot, 460 konsumatorë mbesin pa energji elektrike

    ​Kompania e ndërtimi dëmton kabllot, 460 konsumatorë mbesin pa energji elektrike

    Një kompani ndërtimi gjatë gropimit, ka shkaktuar dëme në kabllot elektrike dhe në stabilimente të KEDS-it, ku me këtë rast rreth 460 konsumatorë në rrugën Cen Dugolli dhe Salih Çeku kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.

    Sipas KEDS, rasti ka ndodhur në Ferizaj, ku thuhet se ata kanë informuar Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin komunal të Ferizajt.

    “Është përgjegjësi e kompanisë të bëjë riparimin e dëmit të shkaktuar, për çka shpresojmë se do ta bëjë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

  • Vuçiq: Heqja e dinarit në Kosovë është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara

    Vuçiq: Heqja e dinarit në Kosovë është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb, është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999.

    “Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione”, ka thënë Vuçiq të premten në një konferencë për media.

    “Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

    Sipas tij, Serbia do të bëjë gjithçka që serbët në Kosovë t’i marrin të ardhurat e tyre.

    Presidenti serb ka thënë se deri në mesditën e së premtes, për serbët në Kosovë janë ndarë më shumë se 5 milionë euro për përfitime të ndryshme.

    Ai bëri të ditur se Serbia do të kërkojë zgjidhje se si t’i dërgojë paratë për serbët në Kosovë.

    Kur foli për fondet që ndan Serbia, Vuçiq ka treguar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

    Vuçiq ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë të dërgojë dinarë në Kosovë përmes një “transportuesi të licencuar dhe të autorizuar, kompanisë britanike Henderson, në përputhje me ligjet”.

  • Durmishi: Ka dyshime për ndërmarrje kriminale në pajisje me patentë-shoferë

    Durmishi: Ka dyshime për ndërmarrje kriminale në pajisje me patentë-shoferë

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se MMPHI-ja ka dorëzuar një dosje në Prokurorinë Themelore në Pejë mbi dyshimet për ndërmarrje kriminale me pajisje me patentë-shoferë.

    Durmishi, tha sot se Ministria ka gjetur dëshmi të cilat dëshmojnë për një ndërmarrje të dyshimtë kriminale.

    Ai tha se dallaveret më të mëdha dyshohet se janë kryer në Njësinë për Patentë-Shoferë në Pejë.

    “Që nga 1 janari i vitit 2022 kemi filluar me e-testimin dhe tani e-testimi realizohet në të gjitha kategoritë dhe në të gjitha gjuhët. Për herë të parë, Ministria jonë e ka bërë edhe doracakun për patent-shoferë. Përkundër punës tonë të vazhdueshme, keqbërësit gjejnë forma, metoda të ndryshme që të korruptojnë sistemin dhe pajisja me patentë-shoferë të bëhet me kundërshtim me ligjin”, tha ai.

    “Pajisja me patentë-shoferë përmes metodave korruptive, është krim, sepse ata shoferë edhe sot që po flasim ndodhen në komunikacion dhe rrezikojnë vetën dhe jetën e të tjerëve”, u shpreh Durmishi.

    “Nga ajo që kemi gjetur deri më tani dyshimet tona kanë të bëjnë për një ndërmarrje të gjerë kriminale, e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë. Dyshimet tona kanë filluar nga informatat e shumta të cilat na i dërgonin qytetarët”, ka thënë Durmishi.

  • Përmbyllet projekti “Përgjigjja ndaj pandemisë COVID-19” – UNICEF e USAID ndihmuan Kosovën me 1 milion vaksina

    Përmbyllet projekti “Përgjigjja ndaj pandemisë COVID-19” – UNICEF e USAID ndihmuan Kosovën me 1 milion vaksina

    Rezultatet e arritura në sektorin e shëndetësisë dhe në fushën e realizimit të të drejtave të njeriut përgjatë tre viteve të partneritetit ndërmjet UNICEF dhe USAID ishin të shkëlqyera. Si rrjedhojë e kësaj, falë këtij partneriteti, Kosova përfitoi mbi 1 milion vaksina. Kështu u tha në projektin përmbyllës “Përgjigjja ndaj pandemisë COVID-19”, raporton EO.

    Të pranishmit falënderuan donatorët për ndihmën e dhënë përgjatë këtyre katër viteve, ndërsa u zotuan edhe për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

    Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se ndihmë të madhe ka dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket vaksinimit.

    Ndonëse e konsideroi sfiduese përballjen me pandeminë, Gexha tha falë këtij projekti është rritur edhe shkalla e vaksinimit.

    Pandemia Covid-19 e ka sfiduar të gjithë botën po edhe sistemin tonë shëndetësor në kuadër të përpjekjeve kemi pasur fatin të kemi mbështetjen e SHBA që përmes zyrës së UNICEF ka ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë në këtë betejë me fokus të veçante në procesin e vaksinimit, jo vetëm për Covid-10 por edhe në vazhdimësi edhe vaksinimin e rregullt tek fëmijët”, tha Gexha.

    “Përkrahja e projektit që po përmbyllim sot ka kontribuar në rritjen e shkalles të vaksinimit përmes përtëritjes zinxhir të vaksinave, zgjerimin e rrjetit të qendrave të vaksinimit, rritjen e kërkesave për vaksinim si dhe mbështetjes së digjitalizimit të regjistrimit të dhënave të vaksinimit në kuadër të sistemit informimit shëndetësor”, tha tutje Gexha.

    E Vlora Limani, këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, foli për gjendjen e rëndë që e kanë Qendrat për Punë Sociale në Kosovë. Tha se ekzekutivi ka filluar t’i trajtojë me prioritet të lartë këto qendra.

    “Përkundër fatkeqësive të shumta që pandemia solli në Kosovë, ajo periudha na bëri të reflektojmë jo vetëm si shoqëri por edhe si institucione. Qendra për Punë Sociale nuk kishte kapacitete të mjaftueshme të evulonin dhe të ofronin shërbime dhe bazë të një analize fatkeqësisht kjo gjendja e qendrave në punë sociale ende vazhdon. Prandaj duke parë një gjë të tillë Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Drejtësisë ka filluar ligjin për shërbime sociale i miratuar nga kuvendi, e që ka hyre në fuqi në janar të këtij viti. Ky ligj ka fokus disa parime baze që të sigurohen burime cilësore dhe të qasshme për ata që kanë nevojë për ndihme sociale”, tha ajo.

    Drejtoresha e Misionit USAID në Kosovë, Eileen Devittm tha se në partneritet me UNICEF, kanë dhunuar 1 milion vaksina.

    “Jemi krenarë që patëm mundësi të ndikojmë gjatë këtyre katër viteve të fundit dhe kem shume arsye për të qenë krenarë. Së bashku dhuruam 1 milion doza të vaksinimit kundër Covid-19, po ashtu kemi krijuar klinika lëvizëse të vaksinimit”, tha ajo.

  • Rama merr vendim të ri, zgjatet linja 15 e autobusit deri në fshatin Hajkobillë

    Rama merr vendim të ri, zgjatet linja 15 e autobusit deri në fshatin Hajkobillë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë një vendim te ri, lidhur me zgjatjen e linjës 15 të autobusit deri në fshatin Hajkobillë.

    Ai ka thënë se kjo linjë e autobusëve e Trafikut Urban ju mundëson të gjithë banorëve të zonës qasje më të lehtë në transport publik, rrjedhimisht qasje më të lehtë në shërbime, punë, arsim dhe aktivitete të tjera esenciale.

    ‘’Me vendimin që kam marr, kjo linjë e autobusëve e Trafikut Urban ju mundëson të gjithë banorëve të zonës qasje më të lehtë në transport publik, rrjedhimisht qasje më të lehtë në shërbime, punë, arsim dhe aktivitete të tjera esenciale’’, ka thënë Rama tutje në postimin e tij në Facebook.

  • Mërgimtari që punon si shofer kamioni tregon se cilat janë rregullat e transportit të mallrave në Gjermani

    Mërgimtari që punon si shofer kamioni tregon se cilat janë rregullat e transportit të mallrave në Gjermani

    Mërgimtari Salih Ramadani që punon si shofer kamioni në Gjermani, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tregoi se në vendin ku punon, ka rregulla strikte për lëvizjen e mjeteve për bartjen e mallrave.

    Ai përmend se në zonat urbane, kamionët që bartin mallra, duhet ta kenë lejen me shkrim për destinacionin si dhe kohën kur do ta bëjnë transportin e mallrave.

    Ramadani thotë se dënimet më të ulëta për thyerjen e rregullave në Gjermani janë 150 euro.

    Më shumë detaje i gjeni ën videon më poshtë:

  • Konjufca siguron ambasadorin amerikan: Situata në veri nuk do të tensionohet për shkak të dinarit

    Konjufca siguron ambasadorin amerikan: Situata në veri nuk do të tensionohet për shkak të dinarit

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se situata në veri nuk del jashtë kontrollit vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë.

    Pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, se vendimi i BQK-së për qarkullimin e vetëm një valute – euros – mund të shkaktojë tensione, Konjufca ka siguruar se tensione nuk do të ketë prej këtij vendimi.

    “Shqetësimi ishte që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi. Ne i sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe që siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, ka theksuar ai.

    Konjufca ka shtuar se dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova më 1999, dhe kur sipas ligjeve dinari njihej ilegal. Ai ka deklaruar se ka pasur mundësi që para vendimit të jepej një afat kohor.

    “Dinari edhe shfrytëzimi i tij është dashur që të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe NATO-s. Dinari ka qenë gjithmonë ilegal, është shfrytëzuar edhe nga institucionet paralele. Edhe për financimin e këtyre strukturave, nuk kanë qenë vetëm mjekët edhe mësuesit, por edhe personat që kanë rrezikuar sigurinë. Ka mundur që të jepet afat disa muaj. Kjo është konsideruar nga ana e BQK dhe Qeverisë së nuk do të krijoj problem. Çështja e dytë është pavarësia e BQK-së. Nëse Qeveria do t’i fuste duart do t’i humbet autonomia institucioneve të pavarura, Qeveria nuk e ka atë kompetencë”, u shpreh Konjufca.

    Ndërsa i pyetur nëse rrezikon Kosovë që të sanksionohet sërish për shkak të valutës, Konjufca nuk e beson një gjë të tillë.

    “Nuk besoj që do ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën për këtë çështje. Vërejtjet që janë nuk kanë lidhje me ligjshmërinë e saj, është mungesa e një afati të nevojshëm kohor për konsultime paraprake mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai.

  • PDK-ja tenton t’i formojë dy komisione – Një për Gani Jakupin e tjetrin për zhdukjen e mostrave të Deharit

    PDK-ja tenton t’i formojë dy komisione – Një për Gani Jakupin e tjetrin për zhdukjen e mostrave të Deharit

    Të enjten e ardhshme, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për një seancë plenare, ndërsa opozita do të tentojë t’i formojë dy Komisione Hetimore. Njëra ka të bëjë me pagën e Gani Jakupit e tjetra për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, raporton EO.

    Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Propozimin për formimin e komisioneve, tha Tahiri e ka bërë PDK-ja, me ç’rast pret përkrahje edhe nga partitë tjera.

    “Vendosem për seancën e radhës të mbahet ditën e enjte. Kemi propozuar themelim e dy Komisioneve Hetimore, njërin që të bëhet hetim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për degradimin që është bërë në të, për rastin e Gani Jakupit ku është paguar me një pagë që kalon çdo limit. Kemi informacione që ka angazhim edhe të tjerëve si rastin e Jakupit. Çështje tjetër është edhe Komisioni Hetimor për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ku do të bëjë një hetim parlamentar mbi zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit”, tha ai.

    Ai ka thënë se si PDK ende nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket marrëveshjeve ndërkombetare, ku sipas rij PDK nuk do t’i votoj ato.

    “Marrëveshjet ndërkombëtare janë vendosur në kuadër të kësaj seance. Deri tani nuk ka ndryshuar asgjë që PDK që t’i votoj ato, nëse ndryshon diçka do të njoftoheni. Vendi ynë është duke e thelluar krizën më ndërkombëtarët”.