ATV

Category: Lajme

  • Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

    Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

    Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktual.

    Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat që i kanë pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të ketë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i verifikimit. Në anën tjetër, partia në pushtet, por edhe njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

    “Ky proces do të na marrë kohë, pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë ministrinë, kryesuesit e Kuvendeve Komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së, do të bëhet edhe publike”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm nëse arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit. Nuk përmend ndonjë afat se kur do të mund të mbahen ato.

    Ish-kryetari i KQZ-së, njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ndërkaq thotë se nëse nuk arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit, procesi për zgjedhjet në veri do të dështojë. Sipas tij, deri në shpalljen e zgjedhjeve do të nevojiten disa muaj kohë.

    Sipas udhëzimit administrativ, nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet ta mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejta vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri na 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në veri.

    Kryetarët shqiptarë të komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovë.

  • Iu përkeqësua gjendja gjersa ishte duke prerë një kafshë, vdes një person në Gjilan

    Iu përkeqësua gjendja gjersa ishte duke prerë një kafshë, vdes një person në Gjilan

    Ka vdekur një person në Gjilan, ku të njëjtit i është përkeqësuar gjendja teksa ishte duke e prerë një kafshë.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Viktima mashkull kosovar deri sa ishte duke prerë një kafshë iu kishte keqësuar gjendja e tij shëndetësore dhe i njëjti ishte dërguar në qendrën Emergjente, ku mjeku kujdestar e kishte konstatuar vdekjen e tij . Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati gjashtë vjetëve, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë do të furnizohen me uniforma. Megjithatë, nuk dihet sasia e uniformave e as vlera e kontratës.

    “Është nënshkruar kontrata e re dhe tashmë uniforma janë duke u prodhuar. Është kontratë e klasifikuar, blerje të përjashtuara sipas ligjit të prokurimit”, deklaroi Liridona Gashu nga Ministria e Mbrojtjes.

    Teksa nuk dihet asgjë për kontratën e re, 5 milionë euro ishin destinuar për uniforma kamuflazh dhe rezistente ndaj ujit e erës. Mirëpo, tenderi i hapur në vitin 2022, kishte dështuar. Ndërkaq, furnizimi i fundit me uniforma rezistente ndaj ujit dhe erës, sipas njoftimit në platformën e-prokurimi ishte bërë në fund të vitit 2018.

    Andaj, ushtarët e Forcës së Sigurisë, aktualisht detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera.

    Disa prej tyre edhe i kanë qepur në mënyrë që t’i përdorin përsëri.

    Televizioni, kupton se muaj më parë secilit ushtarakë që mund t’i ketë një apo dy palë uniforma tjera rezervë, i është kërkuar që ato t’i kthejë mbrapa FSK-së, njërën. Ministria e Mbrojtjes e mohoi që një kërkesë e tillë ishte bërë për shkak të mungesës së uniformave.

    Ish-koloneli Afrim Veseli, tha se që nga themelimi i Forcës së Sigurisë, pajisja me uniforma ka qenë gjithmonë problematike.

    “Është fatkeqësi e madhe qysh ushtarët janë në ketë gjendje. Gjatë gjithë kohës sa kam shërbyer, uniforma ka qenë gjithmonë problematike. Materiali ka qene i dobët dhe furnizimi asnjëherë nuk është bërë me kohë” , thotë Veseli.

    Ndërkohë, pas dështimeve të shpeshta të tenderit 2 milionësh për furnizim me çizme, Ministria e Mbrojtjes në mënyre urgjente ka blerë vetëm 330 palë çizme në fund të vitit të kaluar./atvlive.tv/

  • Ndërtimi i Stacionit të ri Policor në Gjilan larg finalizimit, Policia funksionon në objekt të stërvjetëruar

    Ndërtimi i Stacionit të ri Policor në Gjilan larg finalizimit, Policia funksionon në objekt të stërvjetëruar

    Ndërtimi i vrazhdë në tri katet e para të objektit që do bëhej Stacion i Policisë së Gjilanit, ishte kryer që moti.

    Por, për shkak të një kontesti gjyqësor për pronën ku po ndërtohej, në fillimin e vitit 2010 punët ishin ndal në gjysmë.

    “Ka pasur kontest gjyqësor… tash rasti është në gjykatën komerciale…”, deklaroi zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

    Me gjithë dëmet që i janë shkaktuar ndër vite, objekti që ndodhet fare pranë gjykatës e prokurorisë, ka shpresë që të funksionalizohet.

    Derisa rasti është ende nëpër instanca gjyqësore, Policia është duke funksionuar në këtë objekt të stërvjetëruar.

    “Gjendja është shumë e keqe… objekti aktual është që 50 vjet…”, thotë tutje Hashani.

    Derisa rasti në gjykatë të zgjidhet, institucionet lokale në Gjilan kanë provuar që ta gjejnë një zgjidhje të përkohshme.

    Në tetor të vitit 2023 u mbajt seanca e fundit gjyqësore për këtë rast./atvlive.tv/

  • Në bordin aktual të “Trepçës”, punëtorët nuk kanë përfaqësues – Kërleshi: Në ditët në vazhdim do të dërgojmë propozimin tonë për përfaqësues

    Në bordin aktual të “Trepçës”, punëtorët nuk kanë përfaqësues – Kërleshi: Në ditët në vazhdim do të dërgojmë propozimin tonë për përfaqësues

    Në përbërjen aktuale të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të “Trepçës”, punëtorët e ndërmarrjes nuk e kanë një përfaqësues.

    Punëtorët, të cilët janë pronarë të 20% të aksioneve të ndërmarrjes, sipas Ligjit për “Trepçën”, duhet ta kenë së paku një përfaqësues të tyre në përbërje të Bordit.

    Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, në mungesë të një përfaqësuesi të tyre në bord, Qeveria nuk do të ketë informacione sa i përket telasheve që mund t’i kenë punëtorët.

    “Në fakt na bën problem neve si dhe Bordit, sepse e njofton edhe Bordin edhe Qeverinë për problemet e punëtorëve dhe të “Trepçës”. Mungesa e anëtarit shkakton shumë telashe në informimin e Qeverisë dhe anëtarëve të Bordit për problemet në “Trepçë”, thotë Destan Kërleshi, nënkryetar i sindikatës së minatorëve të “trepçës”.

    Bordi me mandat të përkohshëm i ndërmarrjes, u zgjodh në muajin shtator të vitit 2023.

    Sipas sindikalistit Kërleshi, në kuadër të konkursit për anëtar të këtij bordi, Sindikata e Minatorëve të “Trepçës” kishte propozuar emrin për përfaqësues të punëtorëve në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, sipas tij, ky propozim ishte neglizhuar.

    Bordit aktual do t’i skadojë mandati pas dy muajve.

    Ndërkohë, Qeveria tashmë ka hapur konkursin për kandidatët që synojnë pozitën e anëtarit të Bordit të ri, që do ketë mandat të plotë prej katër vjetëve.

    “Ne ende për këtë konkurs nuk e kemi dërguar propozimin tonë. Po presim që këto ditë ta përsërisim apo edhe ta ndryshojmë vendimin për bordin, por shpresojmë që të na jepet mundësia që të respektohet ligji edhe nga ana e Qeverisë, e cila është dashur ta respektojë edhe në herën e kaluar, gjë që na ka neglizhuar dhe nuk ka dhënë të drejtë të përfaqësohemi në Bordin Mbikëqyrës”, deklaroi tutje ai.

    Nga Ministria e Ekonomisë nuk kthyen përgjigje lidhur me mungesën e përfaqësuesit të punëtorëve në Bord.

    Referuar Ligjit për “Trepçën”, në përbërjen e plotë e Bordit Mbikëqyrës duhet të jenë nëntë anëtarë.

    Mes tjerash, kompetencat e Bordit Mbikëqyrës janë zgjedhja e anëtarëve të Bordit Menaxhues, aprovimi i planeve financiare dhe zhvillimore të njësive biznesore në kuadër të Trepçës, si dhe aprovimi i kontratave lidhur me partneritetin./atvlive.tv/

  • Programi legjislativ 2024, një numër i konsiderueshëm i projektligjeve janë bartje e viteve të kaluara

    Programi legjislativ 2024, një numër i konsiderueshëm i projektligjeve janë bartje e viteve të kaluara

    Deputetët pritet që këtë vit t’i shqyrtojnë e të votojnë për 101 projektligje.
    Por, jo të gjitha prej tyre janë projektligje që në Kuvend do të shkojnë për herë të parë.

    Disa prej tyre, kanë dështuar të votohen në vitet paraprake duke bërë që të bartën sërish në programin legjislativ të këtij viti.

    “Ka projektligje që nuk janë miratuar gjatë tërë 3 viteve, ose ministri të caktuara siç është MPJD që 3 projektligje kyqe siç është për protokollin e shtetit… I bartë në secilin program legjislativ përkundër faktit që thotë se do ti miratoj, kemi edhe projektligjin për kodin civil….”, deklaroi Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Madje 20 prej tyre janë paraparë të miratohen në dhjetor të këtij viti.

    “E dimë që jemi në një vit zgjedhjesh dhe 20% janë paraparë…..”, shtoi tutje ai.

    Ndërkohë një nga projektligjet që është kërkuar për shumë kohë, ai për pensionimin e parakohshëm të policisë së Kosovës, nuk është paraparë në agjendë për këtë vit.

    Ndërkohë vitin e kaluar legjislativi kishte miratuar 71 projektligje ku vetëm 29 nga to ishin pjesë e agjendës legjislative të vitit 2023./atvlive.tv/

  • Borrell: Ne po shkojmë drejt një situate tepër kritike në Lindjen e Mesme

    Borrell: Ne po shkojmë drejt një situate tepër kritike në Lindjen e Mesme

    Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka folur para takimit të Këshillit jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të BE-së sot në Bruksel, ku përveç Ukrainës, do të diskutohet edhe mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

    Borrell ka përmendur luftën në Gaza dhe zhvendosjen e popullatës në drejtim të kufirit egjiptian, pavarësisht se pala izraelite po thotë se ekzistojnë zonat e sigurisë.

    “Kjo është pjesë e problemit, por Izraeli po vazhdon aktivitetet e tij militare duke shtyrë njerëzit nga shtëpitë e tyre drejt kufirit egjiptian. Janë një milionë njerëz në këto shtëpi që janë zhvendosur në mënyrë progresive drejt kufirit egjiptian dhe ata thonë se ekzistojnë zona të sigurisë, por në fakt ajo që shohim ne është se bombardimet po prekin popullatën civile në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo është një situatë shumë e llahtarshme për të cilën ministrat duhet të diskutojnë”, ka thënë Borrell.

    Kryediplomati evropian ka përmendur edhe zhvillimet në Detin e Kuq pas sulmeve të rebelëve Houthi, të cilët po sulmojnë anijet tregtare, duke thënë se gjendja aktuale është kritike dhe se çdo zhvillim ka efektin domino në rajon.

    “Ne po shkojmë drejt një situate tepër kritike në Lindjen e Mesme dhe në gjithë rajonin dhe derisa luftimet në Gaza vazhdojnë është shumë e vështirë që të besohet se situata në Detin e Kuq do të përmirësohet, sepse një gjë është e ndërlidhur me tjetrën – është një efekt domino në rajon”, tha ai.

  • Gërvalla në Fondacionin “Körber”, bashkëbisedon me shoqërinë civile, deputetë, diplomatë dhe gazetarë

    Gërvalla në Fondacionin “Körber”, bashkëbisedon me shoqërinë civile, deputetë, diplomatë dhe gazetarë

    Në përmbyllje të vizitës së punës në Gjermani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla mori pjesë në diskutimin me përfaqësues të institucioneve gjermane, deputetë të Bundestagut gjerman dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Fondacioni “Körber”, nën moderimin e znj. Nora Muller.

    Gjatë prezantimit të saj Ministrja Gërvalla foli për të arriturat e mëdha të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023, duke e cilësuar si vitin më të suksesshëm jo vetëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por sidomos edhe zhvillimin ekonomik, duke shpalosur edhe proceset e saj integruese në mekanizmat ndërkombëtarë.

    Ministrja Gërvalla i informoi të pranishmit për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit, duke shprehur shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.

    Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu Kosovë-Serbi, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishin temat e tjera, rreth të cilave Ministrja Gërvalla bashkëbisedoi me të pranishmit në diskutimin e organizuar nga Fondacioni “Körber”.

    Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka marrë pjesë edhe në takimin me gazetarë, si e ftuar nga Forumi “Korrespondenten.cafe”, ku morën pjesë korrespodentë të huaj, politikanë, gazetarë dhe diplomatë.

    Ky takim ishte një mundësi e mirë e bashkëbisedimit, ku gazetarë të mediave të ndryshme, në një takim prapa kamerave, patën mundësi të informohen rreth aktualitetit politik në Kosovë, politikën e jashtme dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

  • PDK-ja diskuton mobilizimin e strukturave për zgjedhje nacionale

    PDK-ja diskuton mobilizimin e strukturave për zgjedhje nacionale

    Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës po mban një mbledhje ku po diskutohet për dëmin e madh që Qeveria e Albin Kurtit ia ka sjellë vendit, duke e pranuar draft-statutin e asociacionit që përmban kompetenca të qarta ekzekutive.

    Sipas PDK-së, ky draft-statut prish karakterin unitar të shtetit tonë dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe rrjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta mbështesë një propozim të tillë.

    Këshilli Drejtues i PDK-së po diskuton edhe për mobilizimin e menjëhershëm të gjitha strukturave të partisë për zgjedhjet e ardhshme nacionale, për të rikthyer besimin e qytetarëve me një qeveri të re që e rikthen Kosovën në binarët e zhvillimit, integrimit dhe perspektivës për të gjithë.

  • Rrokulliset një veturë te ‘Kroni i Mbretit’, lëndohet një person

    Rrokulliset një veturë te ‘Kroni i Mbretit’, lëndohet një person

    Një veturë është rrokullisur sot në rrugën Prishtinë-Pejë më saktësisht te ‘Kroni i Mbretit’, ku një person ka pësuar lëndime trupore.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i cili tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:40.

    “Rreth orës 13:40, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (te Kroni i Mbretit). Njësia policore e trafikut njofton se në aksident është përfshirë vetëm një veturë (vet-aksident). Si pasojë e aksidentit një person është dërguar për tretman mjekësor”, tha ai.

    Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 49 aksidente trafiku, ku 12 prej tyre ishin me persona të lënduar.