ATV

Category: Lajme

  • SHBA dhe Britania e Madhe godasin 30 objektiva të Houthi

    SHBA dhe Britania e Madhe godasin 30 objektiva të Houthi

    Britania e Madhe, duke i dalë në ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës me sulmet në Jemen, ka lëshuar bomba nga avionët Typhoon, duke goditur tre objektiva të Houthi, derisa numri i përgjithshëm i objektivave të goditura ka shkuar në 30, raporton BBC.

    Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar e ka konfirmuar lëshimin e bombave Paveway IV, të cilat patën objektiv dy stacione të kontrollit tokësor të dronëve që operonin në bregun perëndimor të Jemenit.

    Një stacion në As Alif ishte përdorur për të kontrolluar dronët Houthi, “të tipit për sulm, ashtu edhe zbulues, që vepronin mbi det kundër transportit ndërkombëtar”. Ndërsa stacioni tjetër në Al Munira.

    Një numër i konsiderueshëm objektivash u goditën gjithashtu në Bani.

    “Një grup ndërtesash në vend ishin konfirmuar si të përfshira në operacionet me dron dhe raketa Houthi për çka janë shënjestruar siç duhet”, thuhet në deklaratë.

    Sipas Sekretarit britanik të Mbrojtjes, Grant Shapps, sulmet e fundit në Jemen nuk janë përshkallëzim. Shapps thotë se sulmet e Houthi-ve ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq janë të paligjshme dhe të papranueshme.

    “Është detyra jonë të mbrojmë jetët e pafajshme dhe të ruajmë lirinë e lundrimit”, shtoi ai, duke e justifikuar operacionin si të shënjestruar kundër objektivave ushtarake Houthi në Jemen.

    Shapps është shprehur i bindur se sulmet e fundit, vala e tretë e veprimeve të përbashkëta ushtarake MB-SHBA, kanë humbur edhe më shumë aftësitë e Houthit.

    Pas sulmit të fundit SHBA-MB, nuk është raportuar ende asnjë kundërsulm në Detin e Kuq nga Houthi. Të shtunën, para se të kryheshin sulmet, militantët publikuan foto që tregonin stërvitjet e tyre ushtarake.

  • “Ku është balancimi, heshtja për sulmin në Banjskë mbetet ende e shurdhër”, Kearns reagon ndaj deklaratës së Hovenierit

    “Ku është balancimi, heshtja për sulmin në Banjskë mbetet ende e shurdhër”, Kearns reagon ndaj deklaratës së Hovenierit

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mbrëmë ka reaguar duke thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

    Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

    E ndaj një qëndrimi të tillë të ambasadorit amerikan, ka reaguar deputetja e britanike, Alicia Kearns.

    Në një reagim në “X”, Kearns ka pyetur ambasadorin Hovenier se ku qëndron bilanci këtu.

    “Ku është bilanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist të Banjskë mbetet ende e shurdhër”, ka shkruar Kearns.

    Ndryshe ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku kanë kërkuar që të shmangen veprimet e njëanshme që mund të shkaktojnë tensione.

  • BE i kërkon Kosovës të shmangë veprimet që mund t’i rrisin tensionet

    BE i kërkon Kosovës të shmangë veprimet që mund t’i rrisin tensionet

    Bashkimi Evropian ka parë me shqetësim të madh operacionet e Policisë së Kosovës gjatë javës në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë, në Prishtinë.

    Kështu thuhet në një deklaratë të lëshuar sot nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE.-së (EEAS), ku theksohet se mbyllja e papritur e këtyre zyrave, do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.

    “Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

  • Nuk i mjafton asistenca sociale, mbledh kanaçe për pak bukë

    Nuk i mjafton asistenca sociale, mbledh kanaçe për pak bukë

    Familja tre anëtaresh nga Prishtina po jeton në kushte mjaft të vështira për shkak se asistenca sociale që marrinë nga shteti, nuk i mjafton. Kryefamiljari është detyruar mbledh kanaçe, siç thotë ai për pak bukë, e bashkëshorten e sëmurë nuk arriti ta operojë për shkak të mungesës së të hollave. E për të njëjtin problem edhe fëmija i vetëm i tyre nuk vijojë shkollimin e mesëm.

    Kjo është familja e Artan Dubrovës, e cila jeton në kushte të rënda dhe me vetëm 110 euro, mbështetje nga shteti.

    Dubrova për KosovaPress, tregon se këto mjete financiare që i marrin nuk janë të mjaftueshme, pasi nuk ka shtëpi dhe me ato para paguan qira, derisa dy kryefamiljarët nuk kanë mundësi të punojnë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që kanë.

    “Asistencën sociale e marrë 110 euro jemi tre anëtarë.Kjo shumë nuk është e mjaftueshme nuk del. Pasi që në shtëpi jemi me qira, nuk po mundemi t’ia dalim, por po dal ndonjëherë të tregova që ndonjëherë marrë hekura, do kanaçe e duke mbledh kapak për një kafshatë bukë.Jetë më të vështirë nuk ka, nuk e di se si mundet me qenë. Djali ka qenë në shkollë por e ka përfundua me provime, më nuk ia ka filluar, nuk kemi kushte, mundësit për t’u shkolluar. Shkollën djali e ka ndalu shkaku i mundësive, shkollën fillore e përfundoi me provime. Bashkëshortja ka qen e sëmurë nga veshët. i ka dalë një mish i egër brenda në vesh, kemi pas me bë operacion por nuk kemi pas me çka, nuk kanë qenë mundësitë dhe kemi mbet. Nuk dëgjon hiç, nuk kemi pas me çka me u bërë operacion sepse kemi paguar qira edhe për tjera nuk po na dalin. Kush ka mundësi dhe më së shumti kam nevojë për një shpi, kush ka mundësi, Zoti e shpërbleftë, kush ka mundësi me na ndihmu.

    shëndeti im në këtë gjendje është shkak i skamjes e gjitha, nuk mundem as të përkulem, po më duhet të rri qysh e kërkon pozicionin”, tha ai.

    Familja e Artanit nuk është e vetmja që përfiton asistencë sociale e që nuk i mjafton.

    Sipas Agjencisë së Statistikave, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale, në vitin që lamë pas, është 20,379. Kurse, në vitin 2022, numri ishte më i madh për 11,3%, ose 22.980.
    KosovaPress, ka kontaktuar edhe familje tjera që janë nën asistencë sociale, e të cilët thonë se nuk u mjaftojnë ndihma që marrin. Ndërkohë, Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje nëse do ta rrisë shumën e të hollave që marrin familjet nën asistencë sociale.

    Për një pjesë të familjeve që kanë nevojë për mbështetje, është kujdesur edhe Kryqi i Kuq i Kosovës, të cilët kanë shpërndarë ndihma për rreth 10 mijë familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

    Armend Shala nga kjo organizatë humanitare, ka thënë për KosovaPress, se brenda vitit janë familje të shumta që ata i ndihmojnë me gjëra esenciale, por se ata i japin prioritet nënave vetushqyese.

    Shala ka thënë se një tjetër kategori e veçantë që e kanë, janë të moshuarit e vetmuar ose ata persona të cilët janë pa përkujdesje familjare. Shala tha se Kryqi i Kuq, ndihmat i përfshijnë me pako ushqimore, higjienike dhe veshmbathje, e këto bëhen në bashkëpunim me biznese dhe donatorë.

    Përndryshe, për ta ndihmuar familjen tre anëtareshe të Artan Dubrovës, ju mund të kontaktoni në këtë numër 049674544, ose ta vizitoni në rrugën “Tutini”, në Vranjefc.

  • Gërxhaliu: Gabimet tona politike po e shpëtojnë Serbinë nga izolimi dhe ndëshkimi ndërkombëtar

    Gërxhaliu: Gabimet tona politike po e shpëtojnë Serbinë nga izolimi dhe ndëshkimi ndërkombëtar

    Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu ka reaguar lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në vend.

    Sipas tij, rregullorja e BQK-së lidhur me dinarin është dhurata më e mirë për Serbinë dhe armiqtë e Kosovës.

    Gërxhaliu tha se të jesh nën sanksione apo nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe të eksperimentosh me një rregullore çfarë ka qenë ajo e dinarit, është dëmi më i madh që ka mundur ti bëhet Kosovës qoftë në aspektin ekonomik, politik, integrues apo edhe ate të imazhit.

    “E them këtë bazuar në faktin se në Kosovë kemi ligje dhe rregullore që rregullojnë sistemin bankar. Janë ligjet e vitit 1999, janë ato të vitit 2002, është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nene të caktuara për funksionimin e Bankës Qendrore të Kosovës”, ka shkruar Gerxhaliu.

    Tutje, ai përmendi faktin që në fund të Janarit ka skaduar edhe licenca e Bankës Komerciale të Serbisë beson që ka qenë një momentum që në heshtje të arrihet qëllimi që në Kosovë të ketë vetëm një valutë pagese siç është edhe ligjërisht e përcaktuar dhe ajo të jetë euro.

    “Ajo çfarë është më shqetësuese është fakti qe ndodhi një hap i tillë në kohën kur Kosova ka qenë nën sanksione apo nën masat e Bashkimit Evropian, sanksione të cilat e kanë dëmtuar vërtetë Kosovën në shumë pore e në veçanti në aspektin ekonomik dhe të kthehet prapë çdo gjë nga zeroja dhe fajtor të mbetet Kosova është diçka që i shkon përshtati vetëm Serbisë dhe armiqve të Kosovës kudo që janë në botë,” shtoi Gerxhaliu.

    Sipas tij dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë do të fitoj një temë të re në agjendë që të lidhet me dinarin.

    “Lufta për protagonizëm, mungesa e dialogut intern, dhe vendosja e njerëzve të paditur në pozita kyqe për mes të kapjes po jep frytet e veta negative në dëm të Kosovës dhe në interes të armiqëvetë Republikës sonë.Do të rritet presioni ndaj Kosovës dhe ne nuk kemi fuqi diplomatike për imponim të zgjedhjes dhe çdo zgjedhje e imponuar nga jashtë mund të jetë cenim i sovranitetit të Republikës së Kosovës. Me këtë lind pyetja kush është duke e këshilluar Bankën Qendrore të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës të veproj në këtë mënyrë që këto vendime të dëmtojnë shtetin tonë deri në këtë masë!? Vendime të tilla po e ngulfatin ardhmërinë dhe perspektiven evropiane”, shkroi tutje Gërxhaliu.

    Gërxhaliu tha se po ndodhë e tëra kjo në kohën kur pritej forcimi i partneritetit me NATO, pritej anëtarësimi në Keshillin Evropian, në kohen kur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit planifikohen miliarda euro ndihma dhe mbështetje për Ballkanin Perëndimor, në kohën kur filloj rritja e presionit mbi Serbin për qasje destruktive në dialog me Kosovën dhe kundër rreshtimit pro-rusë të Serbisë.

    “Republika e Kosovës ështe krijuar edhe në partneritetit me miqët ndërkombëtar e në veçanti me ndihmen e shteteve mike evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, përfundoi Gërxhaliu.

  • Fundjavë protestash kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani

    Fundjavë protestash kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani

    Sërish një fundjavë protestash kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani. Protesta më e madhe u organizua në Berlin, ku qindra mijëra vetë u mblodhën para ndërtesës së Bundestagut.

    Disa dhjetëra mijëra vetë iu përgjigjën thirrjes së protestës kundër ekstremizmit të djathtë në Berlin. Policia e Berlinit bëri të ditur, se pjesëmarrës ishin më shumë se 150.000 vetë. Demonstruesit para ndërtesës së Bundestagut lëshonin thirrje, “Të gjithë së bashku kundër fashizmit”, apo “I gjithë Berlini i thotë stop AfD-së”, sipas një reporteri të AFP-së. Ndryshe nga protestat e tjera, rrjeti “Hand in Hand”, Dorë më dorë” kishte bërë thirrje për protestën për të mobilizuar qytetarët në nivel federal nën moton “Wir sind die Brandmauer” – “Ne jemi muri mbrojtës” dhe për “mbrojtjen e shoqërisë së hapur e demokratike”.

    “Ne duam të tregojmë, se ne si aleancë shumë e madhe mund të dalim së bashku në rrugë”, tha organizatorja Samira Ghandour nga ekipi organizator për ARD. Aktivistja vepron tek organizata “Fridays for future”, një nga 1300 organizatat nga shoqëria civile, kultura e sporti që bënë thirrje për protestën në Berlin. Ghandour bëri fjalë për “një momentum të madh” dhe se protesta nuk do të zbehen.

    Shkas për protestat u bënë publikimet e platformës “Correctiv” më 10 janar, mbi një takim në nëntor të vitit të kaluar, ku morën pjesë ekstremistë të djathtë e neonazistë, përfaqësues të AfD, ku u fol hapur për dëbime masive nga Gjermania dhe konkretisht për racizmin. Racizmi, antisemitizmi dhe forma të tjera të armiqësisë kundër grupeve të caktuara po shtohen”, thuhet në publikimin e aleancës “Dorë më dorë” për protestën. “Ne bëjmë thirrje që të mos shikohet më duarkryq normalizimi i ekstremizmit të djathtë në Gjermani dhe Europë”.

    Kancelari Scholz i ka vlerësuar protestat e kësaj fundjave në të gjithë Gjermaninë si “sinjal të fortë” për demokracinë dhe kushtetutën. “Pavarësisht se ku në Aizenah, Homburg apo Berlin: Në qytete të vogla dhe të mëdha në të gjithë vendin qytetaret e qytetarët bashkohen për të demonstruar kundër harresës, kundër urrejtjes dhe nxitjes së saj edhe në këtë fundjavë”, shkroi kancelari gjerman në platformën X. Vetë Scholz ishte pjesë e një proteste të tillë në Potsdam në janar./DW

  • Në krejt QKUK-në vetëm 48 anesteziologë – Nevojiten të jenë 100

    Në krejt QKUK-në vetëm 48 anesteziologë – Nevojiten të jenë 100

    Vetëm 48 anesteziologë janë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët janë të angazhuar në disa klinika, ndërsa nevoja është për 100 sosh. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, Gazmend Spahia

    Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar nuk kanë pasur ikje të anesteziologëve por që disa prej tyre janë punësuar nga sektori privat.

    “Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kemi për momentin të punësuar 48 anesteziologë. Kjo klinikë që vite me radhë ka problemet e veta të cilat janë problem për shkak të mungesës së numrit të anesteziologëve. Po sipas përllogaritjeve të Klinikës sonë, ish dashtë me qenë së paku 100 anesteziologë për me i mbulu të gjitha njësitë të cilat kërkojnë një asistencë nga anesteziologu”, u shpreh Spahia, teksa përmend largimin e infermierëve kryesisht jashtë vendit.

    “Gjatë viti 2023 fatmirësisht nuk kemi pasur ikje të anesteziologëve, kemi pasur pesë pranime të kolegëve tre të cilëve janë kthyer nga sektori privat edhe një ka kryer provimin specialistik me sukses edhet është pranuar menjëherë. Sa i përket infermiereve kemi pasur ikje të infermiereve të cilët kryesisht kanë dalur për bashkim familjarë disa edhe për punësim jashtë vendit”, deklaroi ai.

    E gama e gjerë e shërbimeve të anesteziologëve, ka bërë që të jenë shumë të angazhuar. Krahas shërbimit në MIQ, ata angazhohen edhe në disa klinika tjera.

    “Klinika jonë kryen shërbime në disa njësi, do të thotë është një Klinikë e cila ka të shpërndara shërbimet. Kemi shërbime në Gjinekologji, në Ortopedi, në Kardiokirurgji, po kohët e fundit Qendra Klinike ka shtuar numrin e shërbimeve të cilat kërkojnë edhe një asistencë të anesteziologut. Do të thotë ne si anesteziolog merrem me trajtimin e pacienteve intra operativë, por në të njëjtën kohë kemi kërkesa, po edhe asistojmë në njësit jo operative, njësitë të cilat kanë nevojë për një asistencë nga anesteziologu”, ka thënë Spahia.

    Ndonëse kushtet e punës, thotë se i kanë të mira, Spahia sfidë e konsideron mungesën e stafit. Krahas mungesës së anesteziologëve, mungesë kanë edhe në stafin e mesëm, pasi në këtë klinikë janë 195 infermierë, duke e llogaritë edhe personelin mbështetës.

    “Sa i përket kushteve të punës i kemi të mira të cilat janë ofruar prej drejtorisë dhe MSh-së. Sfidë e vetme është mungesa e stafit, kryesisht anesteziologëve, por e kemi mungese edhe stafin e mesëm do të thotë infermierë. Kërkesat janë bërë edhe në momentin kur lajmërohet dikush prej kolegëve anesteziolog të cilët janë të gatshëm që të punësohen në QKUK, atëherë automatikisht hapet edhe konkursi për ta. Do të thotë nuk është problem, tash presim pranim edhe të infermiereve të rinj me qenë se e dimë që konkursi për infermier të ri është veç në proces e sipër, presim edhe prej tyre pranim të disa prej infermiereve në Klinikën tonë”, deklaroi Spahia për EO.

  • 80 vjet nga masakra në Tiranë

    80 vjet nga masakra në Tiranë

    Sot mbushen 80 vjet nga masakra në Tiranë, ku mendohet se u pushkatuan 84 antifashistë dhe 400 të tjerë u mbyllën në kampet e përqendrimit.

    Operacioni i 4 shkurtit, i quajtur masakra e 4 shkurtit 1944 sipas numrit të gazetës “Bashkimi” që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që komunistët u kishin bërë figurave politike.

    Masakra e 4 shkurtit në Tiranë ka mbetur një enigmë në lidhje me motivin dhe numrin e të vrarëve.

    Historiografia shqiptare ende debaton në lidhje me ngjarjen, teksa në ndihmë vjen edhe dokumentacioni britanik i kohës për motivin dhe realitetin politik të atyre ditëve të para të shkurtit 1944. Në dosjen me kod HS 5/96, të inteligjencës ushtarake të SOE, ka edhe një paragraf për ngjarjen e 4 shkurtit.

    “Partizanët vazhdojnë të tregojnë shenja aktiviteti në zonën e Tiranës ku besohet se ndodhet Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Më datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur për jetën e Xhafer Devës, ministër i Brendshëm dhe një kolaboracionist i njohur. 60 partizanë nga burgu i Tiranës thuhet se janë masakruar si reprezalje”, thuhej në dokumentin britanik.

    Ndërsa vetëm në vitin 2015 do të publikohej një letër sekrete në media e një udhëheqësi të Partisë Komuniste Naho Spiru, i cili rrëfen detaje nga terrori dhe sulmet mes të cilave janë gjendur komunistët në shkurt të vitit 1944.

    Letra e tij i drejtohet Koçi Xhoxes (Trashi), Miladin Popoviq (Ali) dhe Liri Gegës (Muzhik) dhe shpjegon me një shënim në krye të letrës se ato çfarë shkruan janë shkëputur nga një letër që ia ka nisur edhe Enver Hoxhës (Tarasi).

    Ai në letër e cilëson si masakër ngjarjen e 4 shkurtit, por nuk jep bilancin e saktë të viktimave. Ndërsa tregon emrat e disa të vrarëve, Naho Spiru shpreh shqetësimet se kjo ngjarje mund të përsëritet.

    Ende nuk ka një shpjegim të qartë zyrtar nga shteti shqiptar për këtë ngjarje, por sipas këtyre fakteve ka ndodhur një masakër e vërtetë ndaj komunistëve, të cilët kishin ngritur krye ndaj pushtetit të Mbretit Zog në Shqipëri. /kp/

  • Hovenier: SHBA e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës, po rrisin tensionet etnike

    Hovenier: SHBA e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës, po rrisin tensionet etnike

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

    Sipas një deklarate të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    “Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë. si në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të promovojë vizionin e përcaktuar në themelimin e saj dhe të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e saj: një nga një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë, duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.

  • Një rast tjetër i rëndë në Podujevë, një person ka marrë lëndime në kokë

    Një rast tjetër i rëndë në Podujevë, një person ka marrë lëndime në kokë

    Dy persona të dyshuar kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, i cili është dërguar në Qendrën Klinike të Kosovës në Prishtinë, për tretman mjekësor i cili ka lëndime në kokë dhe për shkak të gjendjes së tij nuk ka dhënë deklaratë.

    Rasti ka ndodhur në Gërdec të Podujevës, lidhur me rastin është njoftuar prokurori.