ATV

Category: Lajme

  • Imran Khan dhe gruaja e tij dënohen me burg për martesë të jashtëligjshme

    Imran Khan dhe gruaja e tij dënohen me burg për martesë të jashtëligjshme

    Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij Bushra Khan, janë dënuar me nga shtatë vjet burgim secili të shtunën nga një gjykatë, për akuzat se kishin lidhur martesë në mënyrë të paligjshme.

    Ky është dënimi i tretë me burg brenda pak ditëve për ish-liderin pakistanez.

    Gjykata civile në Islamabad tha se Bushra nuk e kishte kryer kohën e pritjes së detyrueshme prej tre muajve nga shkurorëzimi prej burrit paraprak kur u martua me Khanin më 2018.

    Khan, 71 vjeç, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022, është dënuar tashmë me 24 vjet burgim në përgjithësi dhe i është ndaluar ta mbajë poste publike për një dekadë.

    Të dy Khanët u dënuan me 14 vjet burgim secili më 31 janar në një rast korrupsioni, një ditë pasi ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për publikimin e sekreteve shtetërore në një rast tjetër, sipas partisë së tij, PTI.

    Gjykata Antikorrupsion në Islamabad i shpalli ata fajtorë për shitjen e jashtëligjshme të dhuratave shtetërore në vlerë prej më shumë se 500.000 dollarë gjatë kohës sa ishte kryeministër nga viti 2018 derisa u rrëzua nga pushteti në prill 2022 përmes një vote të mosbesimit.

    Gjykata ia ka ndaluar Khanit gjithashtu mbajtjen e posteve publike për 10 vjet, tha PTI. Bashkëshortja e tij Bushra u arrestua pak pasi gjykata e shpalli aktvendimin për ta.

    Khan ndodhet në burg tashmë, pasi në gusht u dënua me tri vjet burgim nga një gjykatë tjetër për shitjen e dhuratave që i kishte marrë gjatë kohë si kryeministër.

    Khanit i është ndaluar tashmë të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 8 shkurtit, për shkak të dënimeve të kaluara me burg, që kanë të bëjnë me zbulimin e një dokumenti konfidencial diplomatik gjatë një tubimi publik, pas rrëzimit të tij nga pushteti më 2022.

    Atëbotë, Khan pretendoi se dokumenti, të cilit i ishte referuar me termin “Cipher”, ishte dëshmi se rrëzimi i tij ishte orkestruar nga ushtria e fuqishme e Pakistanit në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Si ushtria, ashtu edhe Uashingtoni, kishin mohuar këto akuza.

    Më 21 tetor 2023, ish-kryeministri Nawaz Sharif, që ka mbajtur këtë post për tri mandate dhe që është një rival i kamotshëm i Khanit, u kthye në Pakistan pasi për katër vjet kishte qëndruar në mërgim dhe nisi fushatën zgjedhore me partinë e tij Liga Myslimane e Pakistanit, duke mbajtur një tubim të madh në Lahore.

    Partia e Khanit dhe e Sharifit konsiderohen si partitë kryesore në zgjedhjet e ardhshme.

    Pakistani, shtet me 241 milionë banorë, është mbërthyer nga një krizë e rëndë ekonomike dhe ka përjetuar rënie të shpejtë të standardit të jetesës./REL/

  • Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë zbatimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë zbatimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

    Këshilli jozyrtar i Ministrave të Jashtëm të BE-së, i cili po zhvillohet sot në Bruksel, do të vazhdojë, ndër të tjera, diskutimin e situatës së Ukrainës dhe, në veçanti, çështjen e zbatimit të angazhimeve për rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e deklaroi këtë sot në Bruksel përpara takimit të jashtëm, raporton Ukrinform.

    Këshilli Evropian i udhëzoi diplomatët që të diskutojnë çështjen dhe të arrijnë një marrëveshje, tha Borrell.

    Ai kujtoi se një marrëveshje e ngjashme u arrit në dimensionin civil, duke përfshirë sigurimin e 50 miliardë eurove gjatë viteve të ardhshme, që është “lajm i mirë”.

    Megjithatë, BE duhet të vendosë ende se si të zbatojë planet për ndihmën ushtarake për Ukrainën, si në mënyrë dypalëshe ashtu edhe përmes Mjetit Evropian të Paqes, vuri në dukje Borrell.

    Ambasadorja e BE-së në Ukrainë Katarina Mathernova tha në një intervistë për Ukrinform se ndihma ushtarake për Ukrainën do të diskutohet në Këshillin e ardhshëm Evropian.

    Më 1 shkurt në Bruksel, të 27 liderët e BE-së kanë rënë dakord për krijimin e një lehtësie prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën në buxhetin shumëvjeçar të BE-së për 2024-2027.

    Në takimin jo formal të ministrave të Jashtëm të BE-së do të diskutohet edhe mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

  • Lista Serbe: Rreth 100 mijë serbë në Kosovë janë prekur nga vendimi për dinarin

    Lista Serbe: Rreth 100 mijë serbë në Kosovë janë prekur nga vendimi për dinarin

    Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

    Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    “Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku.

    Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.

    Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës.

    Ai e cilësoi vendimin si “lëvizje përgatitore” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

    “Vendimi për shfuqizimin e institucioneve serbe që kujdesen për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe asistencën sociale, po ua shfuqizon jetën serbëve”, tha Elleku.

    Ai tregoi se në bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare, Lista Serbe nënvizoi se “qëllimi përfundimtar i Qeverisë në Prishtinë është spastrimi etnik i serbëve”, dhe se në një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ata shprehën frikën e tyre që rrjedh nga vendimi për shfuqizimin e dinarit.

    Lista Serbe njoftoi se do t’ua dërgojë një letër ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.

    Ellek tha se bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e QUINT-it janë “drejtpërdrejt përgjegjëse për multietnicitetin” në Kosovë dhe “do të jenë bashkëpunëtore të drejtpërdrejta, nëse do të ketë një eksod të popullit serb nga Kosova”.

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.

    Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës.

    Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së u tha se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

    Banka Qendrore e Kosovës ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se është e gatshme të marrë pjesë në bisedime për të lehtësuar procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë bankare të përdoruesve në euro bazuar në praktikat ekzistuese rajonale.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e BQK-së ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    DASH-i i bëri thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa, siç tha, të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.

    “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb./REL/

  • Posterët kundër Radojiçiqit, reagon zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete

    Posterët kundër Radojiçiqit, reagon zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete

    Rrugët në veri janë mbushur me pamflete kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojiçiq, duke e quajtur atë vrasës dhe patriot të rrejshëm.

    Për këto pamflete ka reaguar edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq.

    Ai ka shpërndarë fotografitë derisa ka shkruar se “Ja çfarë mendojnë serbët për kryebanditin e Listës Serbe”.

    LEXONI EDHE:

    “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm, terrorist dhe kriminel që keqpërdor rininë tonë”, në Leposaviq e Zubin Potok vendosen pamflete kundër Radojiçiqit

  • ​Lëndohen dy punëtorë derisa punonin në ndërtimin e një shtëpie në Rahovec

    ​Lëndohen dy punëtorë derisa punonin në ndërtimin e një shtëpie në Rahovec

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore derisa kanë qenë duke punuar në ndërtimin e një shtëpie në Rahovec.

    Sipas Policisë, ata janë lënduar kur vinçi është shkëputur nga pllaka dhe ka rënë në tokë.

    Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe inspektori i punës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

  • “Unë s’nënshkrova”, Sahatçiu e PDK-së e akuzoi Ramën se tinëz saj nisi prokurimin për digjitalizim në arsim

    “Unë s’nënshkrova”, Sahatçiu e PDK-së e akuzoi Ramën se tinëz saj nisi prokurimin për digjitalizim në arsim

    Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet dje ka shënuar çarjen më të madhe që prej kur Rama ka marrë kryeqytetin nën udhëheqje. Gjithë përplasja ka dalë në shesh pasi Rama ka shkarkuar drejtorin për Shërbime Publike, Ilirik Musliun, meqë siç ka deklaruar Rama, s’ka pasur përmirësime në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

    Këtë nënkryetarja e Komunës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu po e cilëson si një revansh të hapur të Përparim Ramës dhe sipas saj ka të bëjë me qëndrimin e PDK-së ndaj temës së shkëmbimit të pronave në Badovc.

    Por Sahatçiu në reagimin e saj ka përmendur edhe një udhër të dhënë nga kryetari Rama për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizimin në arsim pa njohurinë e saj pasi si ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Arsimit thotë se s’kishte pranuar të nënshkruaj një deklaratë disponueshmërie për një proces që sipas saj ishte i mbushur me parregullsi.

    “Revanshi i Përparim Ramës ka emër: Badovc. Ilirik Musliu ka qenë motori i qeverisjes së mirë të PDK në Prishtinë. Me Ilirik Musliun, problemi i mbeturinave as nuk ka fillu e as nuk ka pasë mundësi me u mbyll. Ky është problemi më kompleks i Kryeqytetit, e për këtë kemi shumë për të thënë.

    Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë”, ka shkruar ajo.

    “Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revansh politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale”, ka shtuar tutje.

  • Tre të lënduar në një sulm me thikë në Paris

    Tre të lënduar në një sulm me thikë në Paris

    Një i dyshuar i ka lënduar tre njerëz të shtunën duke i sulmuar me thikë në stacionin e madh të trenit, Gare e Lyon, në Paris, njoftoi Policia franceze.

    Policia tha se oficerët ia dolën ta arrestojnë shpejt sulmuesin, i cili e kishte përdorur një armë të mbrehtë gjatë sulmit në orën 8 të mëngjesit.

    Njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta, sipas Policisë.

    Policia nuk dha hollësi të tjera rreth sulmit.

    Ky ishte një tjetër incident shqetësues i sigurisë në qytetin nikoqir të Lojërave Olimpike Veriore, të cilat fillojnë pas gjashtë muajve.

    Parisi është duke i rritur masat e sigurisë teksa përgatitet për t’i mirëpritur 10.500 atletë dhe miliona vizitorë për Lojërat e para Olimpike në kryeqytetin francez pas një shekulli.

    Lojërat Olimpike do të hapen përmes një ceremonie të madhe në mjedis të hapur përgjatë lumit Seine më 26 korrik.

    Kjo do të jetë një sfidë e madhe e sigurisë për një qytet i cili është goditur vazhdimisht nga sulmet terroriste, posaçërisht më 2015.

    Së fundmi, një burrë i sulmoi kalimtarët pranë Kullës së Eifelit në dhjetor, duke e vrarë një turist gjerman me thikë dhe duke i lënduar dy njerëz të tjerë./rel/

  • Vetëplagoset me armë zjarri një burrë në Gjakovë

    Vetëplagoset me armë zjarri një burrë në Gjakovë

    Një person është dërguar për trajtim mjekësor pas lëndimeve të pësuara nga arma e zjarrit, në Gjakovë.

    Sipas një dëshmitari, incidenti ka ndodhur derisa viktima ishte në veturë dhe aksidentalisht ka qëlluar veten me pistoletë në këmbë.

    Policia njoftoi se viktima është jashtë rrezikut për jetë.

    “Rr. Ismajl Qemajli, Gjakovë 02.02.2024 – 16:00. Një mashkull kosovar është dërguar për trajtim mjekësor pas lëndimeve të pësuara nga arma e zjarrit. Sipas një dëshmitari incidenti ka ndodhur derisa viktima ishte në veturë dhe aksidentalisht ka qëlluar veten me pistoletë në këmbë. Sipas mjekëve viktima është jashtë rrezikut për jetë. Njësitë policore dhe hetuesia i janë përgjigjur rastit dhe në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar një pistoletë me shtatë fishekë dhe një gëzhojë. Në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

     

  • “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm, terrorist dhe kriminel që keqpërdor rininë tonë”, në Leposaviq e Zubin Potok vendosen pamflete kundër Radojiçiqit

    “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm, terrorist dhe kriminel që keqpërdor rininë tonë”, në Leposaviq e Zubin Potok vendosen pamflete kundër Radojiçiqit

    Sot nëpër rrugët kryesore të Komunës së Leposaviqit dhe Zubin Potokut, janë shpërndarë pamflete me fotografinë e Millan Radojiçiqit, me mbishkrimin “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm. I dyshuar për një numër vrasjesh të serbëve në Kosovë. Pronar i narko laboratorit. Kriminel që ka keqpërdorur rininë tonë për pasurim personal.Terrorist.”

    Të njëjta pamflete janë vendosur edhe në fshatin Soçanicë dhe në Leshak.

    Sipas burimeve të ATV-së afishe të njëjta janë shpërndarë nga serbë, kundërshtarë të Listës Serbe.

    “Thoni JO organizatës terroriste ( Lista Serbe)”, thuhet ndër të tjera në këto pamflete.

    Ndryshe, Millan Radojiçiqi, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe, ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i, nën dyshimin për terrorizëm.

    Kujtojmë se, ai mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic./atvlive.tv/

  • Sot mbledhja e këshillit drejtues të PDK-së, pritet të merren vendime për mobilizim për zgjedhje nacionale

    Sot mbledhja e këshillit drejtues të PDK-së, pritet të merren vendime për mobilizim për zgjedhje nacionale

    Sot do të mbahet mbledhja e këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Burime brenda PDK-së bëjnë të ditur se sot pritet të miratohen vendime të rëndësishme për mobilizimin e menjëhershëm të gjitha strukturave të partisë për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

    Pritet që këshilli drejtues i PDK-së ta mbështes kryetarin, Memli Krasniqi, kryesinë e partisë, grupin parlamentar dhe strukturat tjera në krijimin dhe ofrimin e alternativës më të mirë qeverisëse për Kosovën.