ATV

Category: Lajme

  • Shtesat nga Qeveria, reagon AKB: si mund të shpërblehet vetëm një kategori e punëtorëve nga buxheti i shtetit?

    Shtesat nga Qeveria, reagon AKB: si mund të shpërblehet vetëm një kategori e punëtorëve nga buxheti i shtetit?

    Gjatë javës së kaluar Qeveria e Kosovës përmes pakos ‘’Inflacioni 2.0’’. Sipas pakos, 100 euro do të përfitojnë pensionistët, sektori privat, studentët dhe fëmijët.

    E lidhur me këtë Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me qasjen e pabarabartë ndaj punëtorëve në Kosovë, ku ka thënë se po krijohet një dallim i dukshëm mes sektorit publik dhe sektorit privat.

    Sipas AKB-së, Qeveria e Kosovës nuk mund të ndërtojë politika sociale dhe ekonomike të qëndrueshme duke favorizuar vetëm një pjesë të punëtorëve, ndërsa lë anash sektorin që mban barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe mbushjes së buxhetit të shtetit.

    “Sipas të dhënave të disponueshme, Kosova ka rreth 320–330 mijë punëtorë në sektorin privat, ndërsa sektori publik ka rreth 90 mijë të punësuar. Sektori privat mbetet punëdhënësi më i madh dhe kontribuesi kryesor në krijimin e të hyrave buxhetore përmes tatimeve, TVSH-së, kontributeve pensionale, prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Nëse llogaritet një pagë e 13-të ose shpërblim me mesatare rreth 780 euro për rreth 90 mijë punonjës të sektorit publik, kostoja për buxhetin vlerësohet të jetë rreth 70 milionë euro. Ndërkohë, një mbështetje prej vetëm 100 euro për rreth 330 mijë punëtorë të sektorit privat do të kushtonte rreth 33 milionë euro, ose afërsisht gjysmën e kostos së një mase të tillë për sektorin publik”, thuhet në reagim të AKB-së.

    AKB ka ngritur pyetjen publike si mund të shpërblehet vetëm një kategori e punëtorëve nga buxheti i shtetit, kur buxheti mbushet kryesisht nga puna, prodhimi dhe aktiviteti ekonomik i sektorit privat?

    “Punëtori i sektorit privat nuk është qytetar i rendit të dytë. Ai është po aq taksapagues, votues dhe konsumator, sa edhe punëtori i sektorit publik. Ai paguan TVSH në çdo produkt që blen, kontribuon në fondet pensionale, mban familjen, krijon qarkullim ekonomik dhe merr pjesë në zhvillimin e vendit. Prandaj, krijimi i standardeve të ndryshme për qytetarët dhe punëtorët e Kosovës rrezikon të krijojë pabarazi ekonomike dhe sociale. AKB nuk është kundër mbështetjes së sektorit publik, por është kundër qasjeve që krijojnë privilegje për njërin sektor dhe lënë jashtë tjetrin”, thuhet në reagim.

    AKB ka kërkuar trajtim më të balancuar ndërmjet sektorit publik dhe privat, mbështetje të drejtpërdrejtë për punëtorët e sektorit privat, politika që forcojnë prodhimin, investimet dhe vendet e punës si dhe dialog institucional me komunitetin e biznesit para çdo vendimi me ndikim të madh ekonomik.

    “Nuk mund të ketë shtet të fortë me sektor privat të dobësuar. Sektori privat nuk është vetëm burim i taksave – ai është motori i ekonomisë së Kosovës tha në fund Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve”, thuhet në reagim

  • Evropa dënon përdorimin e raketës ‘Oreshnik’ me aftësi bërthamore nga Rusia

    Evropa dënon përdorimin e raketës ‘Oreshnik’ me aftësi bërthamore nga Rusia

    Të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia kishte përdorur përsëri raketën e saj balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, këtë herë në rajonin e Kievit.

    Ministria ruse e Mbrojtjes më vonë konfirmoi lëshimin, duke thënë se erdhi si pjesë e një sulmi hakmarrës pas sulmeve ukrainase kundër “objektivave civilë”, të cilat Kievi i ka mohuar.

    Përdorimi i raketës “Oreshnik” nga Moska ka shkaktuar reagime të forta jashtë vendit.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi sulmin si një “përshkallëzim të pamatur” dhe riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën.

    Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi gjithashtu sulmet e fundit ruse, duke thënë se objektivat civile në Ukrainë ishin sulmuar përsëri.

    Ai e përshkroi përdorimin e raportuar të raketës “Oreshnik” me aftësi bërthamore si një shenjë të bllokimit në përpjekjet luftarake të Rusisë dhe një përshkallëzimi të rrezikshëm të konfliktit.

    Macron shtoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe përpjekjet drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sulmi masiv rus tregoi “brutalitetin dhe shpërfilljen e Kremlinit si për jetën njerëzore ashtu edhe për negociatat e paqes”.

    Terrori kundër civilëve, tha ajo, nuk ishte “forcë” por “dëshpërim”.

    Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, veçanërisht duke forcuar sistemet e saj të mbrojtjes ajrore.

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, i përshkroi sulmet si “akte të neveritshme terrori” kundër popullsisë civile ukrainase.

    Ajo tha se Rusia kishte arritur në një rrugë pa krye ushtarake dhe për këtë arsye po synonte qëllimisht qendrat e qyteteve.

    Kallas e quajti përdorimin e raportuar të raketës “Oreshnik” veçanërisht alarmues, duke e përshkruar atë si “veprim bërthamor të pamatur”.

    Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë presionin e mëtejshëm ndaj Rusisë javën e ardhshme.

    Ndryshe, përdorimi i parë i njohur i raketës “Oreshnik” ndodhi në vitin 2024 gjatë një sulmi në qytetin ukrainas të Dnipros.

  • 10 vende të tjera në rrezik përhapjeje të virusit Ebola, OKB bën thirrje për koordinim urgjent rajonal

    10 vende të tjera në rrezik përhapjeje të virusit Ebola, OKB bën thirrje për koordinim urgjent rajonal

    Agjencia shëndetësore e Bashkimit Afrikan, Africa CDC, me seli në Etiopi, ka paralajmëruar se 10 vende të tjera në Afrikë janë në rrezik nga përhapja e virusit Ebola, përveç Republikës Demokratike të Kongos dhe Ugandës, ku rastet janë konfirmuar tashmë.

    Sipas drejtorit të Africa CDC, Jean Kaseya, vendet në rrezik përfshijnë Angolën, Burundin, Republikën Qendrore Afrikane, Republikën e Kongos, Etiopinë, Kenian, Ruandën, Sudanin e Jugut, Tanzaninë dhe Zambinë.

    Paralajmërimi vjen mes përhapjes së llojit “Bundibugyo” të Ebola-s në rajon, ndërsa dhjetëra raste janë raportuar në Republikën Demokratike të Kongos dhe infeksione të reja janë konfirmuar edhe në Ugandë.

    Autoritetet shëndetësore thonë se kufijtë e pakontrolluar mirë, konfliktet e armatosura dhe infrastruktura e dobët po e vështirësojnë ndjeshëm frenimin e përhapjes së virusit.

    Ndërkohë, OBSH ka rritur nivelin e rrezikut në “shumë të lartë” në zonat e prekura dhe ka bërë thirrje për koordinim urgjent rajonal, rritje të mbikëqyrjes dhe masa të forta parandaluese për të shmangur një përhapje më të gjerë të sëmundjes vdekjeprurëse.

  • ​25 vjet nga rënia e Komandant Tigrit

    ​25 vjet nga rënia e Komandant Tigrit

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia e dëshmorit Fadil Nimani, i njohur si Komandant Tigri.

    Fadil Nimani ishte nga fshati Gërgoc i Gjakovës, një ushtar shqiptar dhe dëshmor i luftës në Maqedoni.

    Komandant Tigri iu bashkua forcave shqiptare që luftonin edhe më tutje pas çlirimit të Kosovës për lirinë e shqiptarëve në territoret e administruara nga Maqedonia gjatë viteve 2000.

    Më 25 maj të vitit 2001 bie dëshmor në Vaksincë të Kumanovës, duke komanduar Brigadën e 113 “Ismet Jashari-Kumanova”. /kp/

  • Hoti kritikon Qeverinë: Shpenzuan mbi 2 mld euro buxhet, s’mund t’i përmendin tri projekte madhore

    Hoti kritikon Qeverinë: Shpenzuan mbi 2 mld euro buxhet, s’mund t’i përmendin tri projekte madhore

    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverinë në detyrë se ka shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por që, sipas tij, e njëjta nuk mund t’i përmend tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti shton se gjithë ky buxhet i shpenzuar do të mund të arsyetohej sikur të ishin përfunduar se paku disa nga projektet e premtuara: Autostrada e Gjilanit, Hekurudha Prishtinë–Durrës (të ishte nisur), Rruga dhe tuneli Prizren–Tetovë, Autostrada Prishtinë–Merdarë, Lidhja e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël, Aeroporti i Gjakovës, Rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, dhe segmente të tjera më të vogla dhe Centrali me gaz.

    “Por, asnjë nga këto projekte nuk është përfunduar. Disa prej tyre as që janë nisur. A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar? Absolutisht që po. A ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte? Absolutisht që po. Disa ishin të parapara në buxhetin e rregullt, e disa me kredi dhe mbështetje ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Pos tjerash, ai tha se nëse këto projekte do të realizoheshin, atëherë, sipas tij, ekonomia e Kosovës do të lulëzonte.

    “Kosovës i duhet një qeveri normale që menaxhon zhvillimin ekonomik. Kosovës nuk i duhet një qeveri që krijon kriza, e pastaj merret me menaxhimin e tyre”.

  • Osmani falënderon bashkatdhetarët në Zvicër: Folën zemrat e shqiptarëve që s’u dorëzuan kurrë

    Osmani falënderon bashkatdhetarët në Zvicër: Folën zemrat e shqiptarëve që s’u dorëzuan kurrë

    Kandidatja për presidente nga LDK, Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për bashkatdhetarët që e pritën dje në Zvicër.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se nga Zvicra dje folën zemrat e shqiptarëve që kurrë nuk u dorëzuan për atdheun e tyre, Kosovën.

    “Nga Zvicra dje folën zemrat e shqiptarëve që kurrë nuk u dorëzuan për atdheun e tyre, Kosovën. Faleminderit bashkatdhetarëve tanë për mikpritjen e sinqertë, besimin e fortë, sakrificën dhe qëndresën ndër vite”, ka shkruar Osmani.

  • Këshilli Gjyqësor sot pritet të zgjedhë kryesuesin e ri

    Këshilli Gjyqësor sot pritet të zgjedhë kryesuesin e ri

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot pritet të votojë për zgjedhjen e kryesuesit të ri.

    Në mbledhjen që pritet të nisë në orën 10:30 anëtarët e KSGK-së pritet të zgjedhin në mes të Besnik Bislimaj e Rrustem Thaqi janë dy kandidatët e vetëm që kanë kandiduar për pozitën e kryesuesit.

    Përzgjedhja për pozitën e kryesuesit të KGJK-së kishte dështuar në prill të këtij viti, për shkak se në ditën e votimit të dy kandidatët në të dyja raundet e votimit morën vota të barabarta nga anëtarët e Këshillit, pesë me pesë, e një anëtari të KGJK-së iu shpall e pavlefshme vota.
    Për shkak të kësaj, u rishpall edhe një konkurs i ri.

    Këshilli Gjyqësor aktualisht ka 11 anëtarë. Për një anëtar nga radhët e gjyqësorit, respektivisht nga Gjykata Supreme, procesi i përzgjedhjes ka marrë rrugët gjyqësore.

    Në mars të këtij viti, Këshilli Gjyqësor shpalli konkurs për kryesuesin e ri, pasi mandati i përfundoi Albert Zogajt.

  • Prokuroria e Pejës ngrit 139 aktakuza ndaj 142 personave  për ndërtime pa leje

    Prokuroria e Pejës ngrit 139 aktakuza ndaj 142 personave për ndërtime pa leje

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se për 16 muaj ka ngritur 139 aktakuza ndaj 142 personave për veprën penale “Ndërtimi pa leje”.

    Kurse, sipas njoftimit zyrtar, për periudhën kohore janar-prill 2026, pas veprimeve hetimore nga ky institucion, janë ngritur 27 aktakuza ndaj 29 personave për veprën penale të lartcekur.

    “Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha veprave penale, me theks të veçantë ndaj ndërtimeve pa leje, duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe ligjore ndaj çdo personi që vepron në kundërshtim me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së rendit juridik dhe interesit publik”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj përkujton masakrën e Lybeniqit: Sakrifica e martirëve obligim për drejtësi

    Haradinaj përkujton masakrën e Lybeniqit: Sakrifica e martirëve obligim për drejtësi

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në 28-vjetorin e masakrës së Lybeniqit, duke nderuar viktimat e vrara gjatë luftës në Kosovë.

    Ai ka përkujtuar përmes një postimi në Faceook, anëtarët e familjeve Hamzaj, Mehaj dhe Gogaj, të cilët u vranë më 25 maj 1998, duke i cilësuar si martirë të ekzekutuar mizorisht nga forcat serbe.

    “Dhimbja për ta mbetet e pashuar, ndërsa kujtimi për ta është obligim i përhershëm. Sakrifica e tyre dhe e të gjithë të rënëve na obligon që të mos ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi, derisa urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve gjenocidale të kryera në Kosovë të marrin dënimin e merituar. Përulemi në kujtim të jetëve që u sakrifikuan për lirinë tone”, shkroi Haradinaj

  • Nafta në Kosovë shitet me çmim të njëjtë sikur dje

    Nafta në Kosovë shitet me çmim të njëjtë sikur dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e lejuara për tregtimin e derivateve të naftës në Kosovë për sot.

    Sipas njoftimit zyrtar, nafta do të shitet me çmimin 1.61 euro për litër, benzina 1.53 euro për litër, ndërsa gazi 0.75 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe të njëjtat kanë vlejtur për ditën e diel si dhe për sot.