ATV

Category: Lajme

  • Rrustem Thaqi, kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Rrustem Thaqi, kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës këtë të hënë ka zgjedhur Rrustem Thaqin kryesues të ri.

    Në votim morën pjesë 11 anëtarë, prej tyre gjashtë vota ishin për Thaqin, ndërkaq pesë për kundërkandidatin e tij, Besnik Bislimaj, raporton Betimi për Drejtësi.

    Sikurse në konkursin e kaluar, në garë ishin dy kandidatët e njëjtë Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme.

    Komisioni zgjedhor kishte në përbërje sërish: Ahmet Imamin, Astrit Hotin dhe Bislim Gashin.

  • Ku dhe përse janë dislokuar ne Europë trupat e SHBA-së?

    Ku dhe përse janë dislokuar ne Europë trupat e SHBA-së?

    SHBA-të nuk janë të pranishme në Evropë vetëm në kuadër të detyrimeve të tyre ndaj NATO-s. Ato i përdorin bazat e tyre edhe për qëllime të veta gjeopolitike.

    Nga Azoret deri në Rumani, nga Norvegjia veriore deri në Siçili: në shumë pjesë të Evropës janë të pranishëm ushtarakë amerikanë. Një rrjet kompleks, i cili megjithatë gjatë mandatit të dytë të Donald Trump si president i SHBA ndryshon vazhdimisht dhe shpesh në mënyrë të papritur.Vetëm pak ditë pasi u ndalua rotacioni i 4000 ushtarëve drejt Polonisë, Trump njoftoi se do të dërgojë 5000 ushtarë shtesë, duke argumentuar se ka marrëdhënie të mira me presidentin nacionalist të djathtë të Polonisë, Karol Nawrocki.

    Një përmbledhje mbi rëndësinë themelore të trupave amerikane në Evropë, të cilat shërbejnë edhe për qëllime strategjike afatgjata të Shteteve të Bashkuara.

    Pse ka kaq shumë trupa amerikane në Evropë?
    Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërorenë vitin 1945, aleanca e përkohshme e fuqive që kishin mposhtur Gjermaninë naziste u nda në dy blloqe: aleatët perëndimorë nën udhëheqjen e SHBA-ve dhe Bashkimi Sovjetik me aleatët e tij. Për t’u organizuar në Luftën e Ftohtë që po fillonte, aleatët perëndimorë themeluan NATO-n në vitin 1949.

    SHBA, si fuqia më e madhe ushtarake e kësaj aleance, e konsideroi që në fillim praninë e përhershme të trupave në Evropë si një mjet të rëndësishëm për të frenuar Paktin e Varshavës të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Në kulmin e kësaj pranie, në fund të viteve 1950, në Evropë ishin të stacionuar deri në 475,000 ushtarë amerikanë. Pas vitit 1991, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, numri i trupave u ul gradualisht në disa dhjetëra mijë.

    Ky trend ndryshoi disi pas vitit 2014, kur pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, nevoja për frenim ushtarak në Evropë u rrit sërish.

    Në cilat vende evropiane është më e fortë prania amerikane?
    Qendra kryesore e ushtrisë amerikane është Gjermania. Në fund të vitit të kaluar, sipas Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, aty ishin të stacionuar mbi 36,400 ushtarë aktivë. Një fokus rajonal është jugperëndimi: në Stuttgart ndodhen qendrat komanduese për operacionet në Evropë dhe Afrikë (EUCOM dhe AFRICOM). Në Ramstein ndodhet baza kryesore ajrore për Evropën dhe Afrikën, një nyje e rëndësishme për operacionet deri në Lindjen e Mesme, ndërsa në Landstuhl ndodhet spitali më i madh ushtarak amerikan jashtë SHBA-ve. Po ashtu besohet se në bazën Büchel ruhen armë bërthamore amerikane në kuadër të politikës së NATO-s për ndarjen bërthamore.

    Në vendin e dytë dhe të tretë janë Italia (rreth 12,700 ushtarë) dhe Mbretëria e Bashkuar (rreth 10,200). Në Britani ndodhen baza ajrore të rëndësishme për NATO-n, ndërsa në Itali përveç avionëve luftarakë, SHBA mban një brigadë desantuese për ndërhyrje të shpejtë. Në Napoli ndodhet selia e flotës detare amerikane për Evropën dhe Afrikën.

    Këtu nuk përfshihen njësitë që vendosen përkohësisht në bazat lindore të NATO-s në kuadër të rotacioneve pas aneksimit të Krimesë.

    Pse trupat amerikane qëndrojnë ende në Evropë?
    SHBA përdor bazat në Evropë për praninë e saj globale ushtarake. Për shembull, bazat në Gjermani dhe Britani kanë qenë thelbësore për operacionet ajrore në konfliktin me Iranin.

    Megjithatë, disa aleatë kanë kufizuar operacione të tilla: Italia refuzoi lejet për ulje avionësh në bazën Sigonella, ndërsa Spanja ndaloi përdorimin e bazave dhe fluturimet mbi hapësirën e saj ajrore. Si reagim, Trump kërcënoi me tërheqje trupash nga këto vende.

    Rëndësia e Evropës lidhet edhe me logjistikën: dërgimi i trupave nga SHBA do të kërkonte më shumë kohë dhe distancat janë të mëdha. Edhe infrastruktura e komunikimit është e rëndësishme – për shembull, në Ramstein ndodhet një stacion për transmetimin e sinjaleve të dronëve. Një rol të rëndësishëm në strategjinë e frenimit ndaj Rusisë luajnë edhe njësitë që rotacionohen në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht në Poloni.

    Cilat janë pyetjet aktuale lidhur me praninë e trupave?
    Në maj, Pentagoni ndaloi në momentin e fundit një rotacion prej rreth 4000 ushtarësh drejt Polonisë. U raportua për probleme me buxhetin, por edhe për ndikimin e politikave të Trump për reduktimin e trupave.

    Megjithatë, më pas Trump ndryshoi qëndrim dhe njoftoi dërgimin e 5000 ushtarëve shtesë në Poloni, pa sqaruar nëse do të bëhej fjalë për rotacion apo transferim nga vende të tjera, si Gjermania.

    Pak javë më parë, pas një konflikti me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Trump kishte njoftuar tërheqjen e 5000 ushtarëve nga Gjermania. Edhe pse disa dyshojnë në realizimin e këtij vendimi, SHBA ka bërë të qartë se marrëveshjet e mëparshme nuk vlejnë më. Kjo përfshin edhe planet për vendosjen e raketave amerikane me rreze të mesme në Gjermani, të cilat nuk pritet të realizohen./DW

  • Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutojnë për zgjedhjet e parakohshme

    Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutojnë për zgjedhjet e parakohshme

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu gjatë një takimi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves kanë diskutuar për procesin zgjedhor të 7 qershorit 2026.

    Presidenca ka bërë të ditur se në takim u bisedua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në procesin zgjedhor, rëndësinë e mbarëvajtjes së tij dhe ruajtjen e stabilitetit institucional.

    “U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit të afërt mes dy vendeve” – shkruan në njoftim.

  • Oda e Avokatëve ngre alarmin për zvarritjet në trajtimin e ankesave për paraburgim

    Oda e Avokatëve ngre alarmin për zvarritjet në trajtimin e ankesave për paraburgim

    Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me zvarritjet e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.

    Sipas reagimit të OAK-së, kodi i procedurës penale përcakton afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

    Megjithatë, OAK-ja thekson se në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

    “Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, thuhet në reagim.

    Sipas OAK-së, vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

    Oda e Avokatëve e Kosovës vlerëson se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk është vetëm obligim procedural, por edhe garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve juridike.

    Në fund, OAK-ja u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.

  • KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 maj, do të përfundojë më 30 maj 2026.

    Gjatë kësaj periudhe 26-ditore, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

  • “VV e mbrojti Kosovën nga Thaçi, Veseli e Haradinaj”, Gucati i reagon Pacollit: Liria nuk matet me urrejtje

    “VV e mbrojti Kosovën nga Thaçi, Veseli e Haradinaj”, Gucati i reagon Pacollit: Liria nuk matet me urrejtje

    Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, i ka reaguar ministres në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, lidhur me deklaratën e saj, e cila javën e kaluar në një emision televiziv tha se Lëvizja Vetëvendosje “e ka mbrojtur Kosovën” nga emra si Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli.

    Përmes një postimi në Facebook, Gucati këtë deklaratë e quajti të tmerrshme, ndërsa tha se vjen nga një ministre që s’ka dhënë asnjë kontribut për Kosovën.

    Ndër të tjera, Gucati tha se Kosova nuk është mall tregtie që mund të shitet, as pronë ekskluzive e askujt për t’u përvetësuar.

    “Ajo është projektuar me gjakun e dëshmorëve, është ngritur mbi sakrificën e brezave të tërë dhe është mbrojtur nga bijtë e bijat më të mirë të këtij populli në ditët tona më të rënda. Përpjekja për të ndërtuar të ardhmen duke përdhosur apo dënuar në bllok ata që i dolën zot atdheut atëherë kur mbijetesa ishte në fije të peut, nuk i shërben as të vërtetës e as përparimit. Historiografia nuk shkruhet me fraza elektorale dhe as liria nuk matet me urrejtje partiake. Gabimet politike dhe llogaridhënia e pasluftës janë legjitime në një demokraci, por gjuha që kriminalizon luftën çlirimtare dhe bartësit e saj vetëm për poena politikë, cenon themelet e shtetësisë sonë. Kosova mbrohet duke ndërtuar institucione të forta, drejtësi dhe unitet, e jo duke mbjellë përçarje e duke mohuar sakrificën e atyre që shkruan historinë me gjak”, ka shkruar ai.

  • Gjatë tre muajve u braktisën dy fëmijë në Kosovë

    Gjatë tre muajve u braktisën dy fëmijë në Kosovë

    Gjatë periudhës janar–mars të këtij viti, në Kosovë janë raportuar dy raste të braktisjes së fëmijëve. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të dy rastet janë regjistruar gjatë muajit shkurt.

    Një rast i braktisjes së fëmijës është raportuar në Gjilan, ndërsa rasti tjetër në Klinë.

  • I shpëtoi nënës nga dora: Detaje nga aksidenti tragjik në Elbasan, ku vdiq 7-vjeçari

    I shpëtoi nënës nga dora: Detaje nga aksidenti tragjik në Elbasan, ku vdiq 7-vjeçari

    Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël të Elbasan, ku një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

    Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 08:00, automjeti me drejtues shtetasin P. B., 61 vjeç, ka përplasur të miturin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka vdekur, shkruan Euronews.al.

    Bëhet e ditur se fëmija ishte duke kaluar rrugën për të shkuar në shkollë, kur dyshohet se i ka shpëtuar nga dora nënës së tij dhe është përplasur nga makina.

  • Tahiri: Gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro

    Tahiri: Gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro

    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është shprehur se duhet të bëhen investime të cilat e bëjnë Kosovën superfuqi energjetike.

    Ai për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova u shpreh se qëndrueshmëria energjetike në Kosovë është jetike.

    “Duhet të bëhen investime të cilat do ta bëjnë Kosovën superfuqi energjetike. Investime shumë të sakta të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë edhe me pastërtinë, po njëkohësisht edhe me energjinë e pastër, në anën tjetër projekti i dytë shumë i madh është projekti i gazit amerikan, ndërlidhja me gypa dhe pastaj ndalja në Ferizaj për të bërë atë centralin e gazit”, tha ai.

    Tahiri gjithashtu u shpreh se gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro.

    “Qëndrueshmëria energjetike e Kosovës është jetike, nuk është vetëm siguri që do të kemi rrymë, por është siguri e një vendi mos me qenë në dorë të tregtarëve të cilët për gjatë kësaj qeverie, diku kanë blerë rrymë, apo është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro, me 1 miliard euro i kishim kryer të dyjat”, u shpreh ai.

  • Nga dje në krye të Aleancës, Ardian Gjini: Mirënjohës për besimin, falënderim i veçantë për Ramush Haradinajn

    Nga dje në krye të Aleancës, Ardian Gjini: Mirënjohës për besimin, falënderim i veçantë për Ramush Haradinajn

    Kryetari i Aleancës, njëherësh kandidati për kryeministër nga kjo parti, Ardian Gjini, ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e marrë pas zgjedhjes në krye të partisë, duke falënderuar qytetarët, anëtarët dhe mbështetësit për besimin e dhënë.

    Gjini tha se është thellësisht mirënjohës për çdo mesazh, koment dhe mbështetje, duke e cilësuar këtë besim si një zotim për më shumë punë dhe përgjegjësi.

    “Jam thellësisht mirënjohës për çdo mesazh, koment dhe mbështetje. Ky besim është zotim për punë dhe përgjegjësi e madhe”, ka shkruar Gjini.

    Ai ka adresuar një falënderim të veçantë për Kryetarin e Nderit të Aleancës, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ka treguar lidership të palëkundur dhe besim për të çuar përpara vizionin e përbashkët politik.

    “Një falënderim i veçantë dhe me respekt të lartë shkon për Kryetarin e Nderit të Aleancës, z. Ramush Haradinaj. Faleminderit për lidershipin e palëkundur dhe besimin e dhënë për ta çuar përpara vizionin tonë të përbashkët”, thuhet në postimin e Gjinit.