ATV

Category: Lajme

  • Rasti i Jakup Krasniqi, Osmani: Po hetohet kush ndërhyri në uebfaqe

    Rasti i Jakup Krasniqi, Osmani: Po hetohet kush ndërhyri në uebfaqe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se janë duke vazhduar hetimet për gjetjen e personit që ka bërë ndërhyrje në uebfaqen e presidencës, duke e prezantuar Jakup Krasniqin si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, raporton EO.

    “Unë do të kem takime me institucionet e sigurisë sa i përket veprimeve të policisë, kurse hetimet sa i përket kompanive që kanë qenë më herët të angazhuara për menaxhim dhe janë tani e po vazhdojnë. Takimet janë duke vazhduar derisa të gjendet personi që e ka bërë atë ndërhyrje të papranueshme”, është shprehur presidentja.

    Ajo ka thënë se sapo të zbulohet kush ka bërë ndërhyrje, do të japin më shumë detaje.

    Dje, këshilltari i Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, ka thënë se presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi.

    Presidenca i kërkon falje familjes së Jakup Krasniqit. “U sigurojmë se ky veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim të askujt nga ekipi i saj”, ka theksuar Kupina.

  • ​Peticioni për largimin e kryetarëve, KQZ vazhdon verifikimin nënshkrimeve

    ​Peticioni për largimin e kryetarëve, KQZ vazhdon verifikimin nënshkrimeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ende në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve të tyre.

    Këtë e ka konfirmuar për KosovaPres zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Ende jemi në proces të vrifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ashtu siç kemi njoftuar, ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik. Pas përfundimit të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura, do të përgatisim raport për çdo komun dhe do të njoftojmë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunle, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Po ashtu, përgjigjja e KQZ-së do të bëhet publike edhe për qytetarët dhe mediat”, tha ai për KosovaPress.

  • Maqedonci pret me ceremoni shtetërore homologun gjerman, Boris Pistorius

    Maqedonci pret me ceremoni shtetërore homologun gjerman, Boris Pistorius

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ceromoni zyrtare të shoqëruar me togun ceromonial të FSK-së, ka pritur në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, i cili është shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

    Pas kësaj ceremonie ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse janë duke mbajtur takimin bilateral.

    Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00. Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre.

  • Ministria e Bujqësisë kthen në pronësi pronën në vlerë prej 4 milionë euro, në vitin 2021 i ishte dhënë një serbi

    Ministria e Bujqësisë kthen në pronësi pronën në vlerë prej 4 milionë euro, në vitin 2021 i ishte dhënë një serbi

    Me angazhimin e madh dhe këmbëngulësinë e vazhdueshme tek institucionet përgjegjëse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka arritur që pronën e saj pas shumë vitesh keqpërdorimi e tjetërsimi ta kthej në emër të saj.

    Njoftimin për këtë e ka dhënë Ministri i BPZhR-së, Faton Peci gjatë një konference për media, të cilën e ka mbajtur në hapësirat e kësaj prone, e cila gjendet në Zonën Industriale Prishtinë – Fushë Kosovë, vlera e së cilës arrin në 4 milionë euro.

    Ministri Peci ka theksuar se pas pronave në Ulpianë dhe në Stankaj të Pejës, ky rast, për të cilin po flasim sot është një ndër rastet më bizare që kanë ndodhur karshi tentimit për tjetërsim dhe abuzim flagrant të pronave shtetërore.

    “Si vazhdimësi e sensibilizimit vazhdojmë që ta njoftojmë opinionin publik dhe organet e rendit e drejtësisë, për shkeljet flagrante ligjore, të cilat kanë autorë e për të cilët institucionet e drejtësisë duhet të japin vendimin dhe epilogun meritor. E na është dashur shumë angazhim dhe sensibilizim publik e kërkesa ndaj institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve: Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Drejtorisë për Kadastër të Komunës së Prishtinës për dhënien e historiatit të mënyrës së bartjes së kësaj prone nga MBPZhR tek Jovica Deniqi. E si rezultat i këmbëngulësisë sonë, akterët e lartcekur që kanë marrë vendime skandaloze dhe kriminale me vite në përvetësimin e pronës shtetërore tek individë e konkretisht të kësaj ngastre në vlerë rreth 4 milion euro; prona i është kthyer titullarit, Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë Ministri Peci.

    Ministri i BPZhR-së, Faton Peci ka treguar se nga të dhënat që posedojnë, që nga viti 2010 deri në vitin 2020 janë rreth 100 hektarë tokë të tjetërsuara, objekte e prona afariste, që kanë ndërruar titullarin në mënyrë të dyshimtë përmes metodës së identifikimit të disa pjesëtarëve të komunitetit serb ish zyrtarë të Institutit të Bujqësisë së Kosovës.

    “Secili duhet ta bartë peshën e përgjegjësisë karshi këtyre veprimeve skandaloze e kriminale dhe të përballet me organet e rendit dhe drejtësisë. Ofroj, bashkëpunimin tim si Ministër, organeve të rendit dhe drejtësisë për çdo informacion që posedojmë si institucion”, ka thënë Ministri Peci.

    Ndryshe, kjo parcelë me numër 1559/1 me një sipërfaqe prej 1 hektar e 34 ari, me vlerë të përafërt prej 4 milionë euro, pronë e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2020 është bartur tek pronari Jovica Deniq.

    Në aktvendimin e nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020, ishte obliguar Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e Aktgjykimit të shtatorit të 1996, ku parcela në të cilën ndodhemi sot, i është bartur në pronësi Jovica Deniqit. Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës më Maj të 2019 si dhe në gusht të 2020-tës kishte refuzuar fillimisht kërkesën e Jovica Deniqit, për shkak të konstatimit të zbrazëtisë ligjore për ta bartur pronën në pronësi të Deniqit.

    Mirëpo, në Janar të vitit 2021, e njëjta drejtori nxjerrë aktvendimin me të cilin është ekzekutuar në regjistra kadastral aktvendimi i datës 11.12.2020 kurse me date 21.06.2021 drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës bazuar në shkresën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të datës 17.05.2021, ka nxjerrë aktvendimin me të cilin është plotësuar aktvendimi i nxjerrë nga Drejtoria e Kadastrit me datë 19.01.2021 me të cilin Jovica Deniq, është bërë pronar i kësaj ngastre kadastrale në të cilën ndodhemi.

  • FSK pjesë e Ushtrimit Fushor “KFOR 33” në Gjermani

    FSK pjesë e Ushtrimit Fushor “KFOR 33” në Gjermani

    Në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe ftesës së pranuar nga SHBA, një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës me pjesëtarë të EOD dhe vëzhgues apo kontrollues, është duke marrë pjesë në Ushtrimin Fushor “KFOR 33” në Hohenfels, Gjermani.

    Në njoftimin e FSK-së thuhet se ushtrimi Fushor “ KFOR 33” është ushtrim shumëkombësh në të cilin marrin pjesë më shumë se dhjetë shtete partnere të SHBA-së dhe realizohet në bazën ushtarake amerikane në Gjermani ( JMRC-Hohenfels).

    “Ushtrimi është i dizajnuar që të testojë dhe vlerësojë gatishmërinë e njësive luftarake të Ekipeve Luftarake të Brigadës së Këmbësorisë (48 IBCT) si pjesë e rotacioneve për misionin e KFOR-it në Kosove dhe po ashtu përgatit shtetet partnere për operacione të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

  • “Statusi Socio-ekonimik, një ndër faktorët kryesor të rënies së lindjeve në Kosovë”

    “Statusi Socio-ekonimik, një ndër faktorët kryesor të rënies së lindjeve në Kosovë”

    Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i lindjeve në Kosovë vazhdon të ketë rënie nga viti në vit.

    Sipas sociologut Jeton Brajshori, janë dy faktorë kryesor në rënien e lindjeve në Kosovë, statusi ekonomik dhe fuqizimi i gruas.

    Ai në emisionin A LIVE në ATV, përmendi se tani është rritur edhe kostoja e rritjes së fëmijëve.

    “Te statusi socio-ekonimik, normalisht se duhet të flitet për papunësinë, duhet të flitet për planifikimin familjar. Kemi martesat e hershme. Sot e kemi edhe koston më të lartë të fëmijëve për t’i rritur. Po ashtu, sot edhe fëmijët të cilët lindin janë më të shëndetshëm dhe nuk janë si më herët të cilët kemi pasur mortalitet shumë të madh edhe gjatë lindjes, por edhe pas lindjes. Në këtë mënyrë është dashur që familjet të bëjnë planifikime tjera, të bëjnë fëmijë më shumë për shkak të mortalitetit që ka qenë në lindje. Mirëpo, sot fatmirësisht, me zbulimin e vaksinave të shumta, nuk kemi probleme të tilla, por është rritur kostoja e rritjes së fëmijëve. Kur flasim te papunësia, atëherë në qoftë se je i papunë, si mund të planifikosh familje”, tha Brajshori. /atvlive.tv

  • Rriten sërish çmimet e derivateve në Kosovë

    Rriten sërish çmimet e derivateve në Kosovë

    Çmimet e derivateve në vendin tonë kanë shënuar rritje këto ditë. Çmimi për një litër naftë sot në tregun e Kosovës kushton 1 euro 34 cent deri ne 1 euro 44 cent, ndërsa për një litër benzinë çmimi është 1 euro 27 cent deri ne 1 euro 34 cent. Çmimet për naftën janë më të larta për rreth 5 cent në litër.

    Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka theksuar për KosovaPress se ka një ngritje të lehtë të çmimeve për karburantet.

    “Çmimet e derivateve sot në tregun kosovar janë: Dizelli 1.34 cent deri ne 1.44 cent dhe benzina 1.27 cent deri ne 1.34 cent”, thekson Berjani në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Sipas tij, trendi i rritjes së çmimit të derivateve në tregjet ndërkombëtare është në rritje, dhe siç thekson ai kjo reflekton edhe në Kosovë.

    Berjani deklaron se çmimi real i derivateve në vend do të duhej të ishte 1 euro.

  • ​Hovenier: ShBA kërkon të shtyhet zbatimi i rregullores së BQK-së

    ​Hovenier: ShBA kërkon të shtyhet zbatimi i rregullores së BQK-së

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    Këto deklarata ai i bëri pas takimit më kryeministrin e vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave Hekuran Murati, teksa ai ishte i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

    Ai tha se ShBA është e shqetësuar se zbatimi i rregullores së BQK-së do të ndikojë në mënyrë të padrejtë në komunitetet pakicë, duke iu referuar komunitetit etnik serb.

    Ambasadori amerikan tha se shteti i tij dëshiron të shtyhet zbatimi i këtij vendimi pasi sipas tij duhet zhvilluar një plan dhe strategji në mënyrë që të funksionojë vendimi në fjalë.

    “Sapo u bashkova me kolegët e mi nga trupi diplomatik për një bisedë dhe një informim nga kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, dhe ministri i financave Murati duke biseduar sigurisht për çështjen në të cilën po punojmë të gjithë, e cila është çështja se si të sigurohemi që rregullorja, ju e dini, rregullorja e ndryshuar e miratuar nga Banka Qendrore të mos ndikojë padrejtësisht në elementin e shoqërisë kosovare, dhe siç u shpreha gjatë një deklarate të fundjavës, ne jemi të shqetësuar që zbatimi i kësaj rregulloreje, përveç nëse ka disa rregullime, do ndikojë në mënyrë të padrejtë te komunitetet pakicë, duke përfshirë komunitetin etnik serb. Pra, kjo ishte biseda që bëmë, do të thoja se të gjithë ne nga trupi diplomatik, që folëm për këtë çështje, shprehëm shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimit të saj. Unë vetëm mund të ritheksoj atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, ne shpresojmë ta shohim një shtyrje në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të jetë bërë më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe një strategji, dispozita që faktorizojnë disa realitete që shqetësojnë komunitetin, por edhe disa praktika, si e merr një individ, i cili merrte një përfitim social në të holla nga një zyrë postare, tani në një mënyrë që të funksionojë për të. Dhe kështu, këto janë bisedat që kemi bërë”, tha Hovenier.

    Hovenier shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe respektojnë rolin e BQK-së, por se mënyra e zbatimit të kësaj rregullorje nuk merr parasysh disa prej shqetësimeve të komunitetit serb.

    “Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se nuk ka informacion të mjaftueshëm publik për ta shpjeguar këtë. Pra, përderisa ne absolutisht respektojmë, mbështesim dhe mirëpresim zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe ndërkohë që e njohim dhe respektojmë rolin e Bankës Qendrore dhe rregullimin e sektorit financiar, dhe ndërkohë që, në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm, rolin për të ndihmuar në mbështetjen e këtyre institucioneve që të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre në mënyrë efektive dhe të aftë përmes trajnimeve, përmes një këshille eksperte dhe gjithçka tjetër. Dhe sigurisht që ne mbështesim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, dhe gjëra të tilla. Ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje që nuk besojmë se merr parasysh disa realitete dhe shqetësime nga komuniteti, pra kjo ishte e jona, për këtë ishte kjo bisedë”, tha Hovenier.

    Ndërkaq i pyetur se nëse Qeveria e Kosovës ka dhënë ndonjë shenjë se do ta ndryshojë vendimin e saj dhe nëse Kosova rrezikon të përballet me sanksione të reja, Hovenier tha se është në dorën e Qeverisë të deklarohet për zbatimin e rregullores.

    Kurse sa i përket asaj se nëse qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.

    “Pra, do ta lë qeverinë të flasë se sa është e përgatitur të rishqyrtojë se si do ta zbatojë këtë rregullore. Unë mund të flas vetëm për atë që është kërkesa e Shteteve të Bashkuara, që është një shtyrje, kështu që të ketë më shumë punë për ta zbatuar atë në një mënyrë që ne besojmë se është në përputhje me standardet evropiane dhe për të pasur një periudhë të mjaftueshme edukative. Dua të them që qeveria ka folur për një tranzicion dhe ne shpresojmë që ai tranzicion të marrë parasysh këto shqetësime. Në lidhje me çdo veprim të qeverisë amerikane, gjithçka që mund të them është, ne do të shpresonim që qeveria të bashkëpunojë me ne për këtë. Kjo është ajo lloj gjëje për të cilën ne kërkojmë partneritet, dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve, ajo do të përforcojë partneritetin tonë më të gjerë, ndërsa në masën që qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne për këtë çështje shumë të ndjeshme do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tone”, tha Hovenier.

  • Ministri gjerman i Mbrojtjes për dinarin: Kosova ka të drejtë ta zbatojë ligjin, por duhet komunikim më i përshtatshem

    Ministri gjerman i Mbrojtjes për dinarin: Kosova ka të drejtë ta zbatojë ligjin, por duhet komunikim më i përshtatshem

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani ka folur për rregulloren e BQK’së e cila përjashton dinarin si valutë për kryerjen e operacioneve me para të gatshme.

    Ai tha se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ligjshmërinë e saj, mirëpo për dinarin ai thotë se nevojitet të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme.

    “Jemi të vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bën pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së Euros si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, ashtu që askush mos të ketë frikë dhe mos ketë mosinformim”, tha ai.

  • ​Osmani: Hetimet zyrtare për sulmin terrorist në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre

    ​Osmani: Hetimet zyrtare për sulmin terrorist në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre

    Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se hetimet zyrtare për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre, raporton KosovaPress.

    Osmani, pas takimit me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se për t’i parandaluar këto sulme në të ardhmen nevojitet përkrahja e Gjermanisë.

    Ajo akuzoi Serbinë se po vazhdon të mbështesë grupet paraushtarake për të planifikuar sulmet e reja.

    Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, nënvizoi nevojën për maturi dhe kujdes që mos të nxiten tensione të reja në veri.

    Ai tha se Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjshmërinë e saj në vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, por shtoi se nevojitet kohë për informim.

    “KFOR është garantues për stabilitet dhe siguri. Stabiliteti i Kosovës dhe rajonit është i një rëndësi të veçantë për ne”, theksoi ai.