Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinez (UNRWA), u ftua nga Josep Borrell për të marrë pjesë në takimin jozyrtar të ministrat e zhvillimit do të mbahen më 12 shkurt.
“Shtetet anëtare do të kenë mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me të se çfarë po bën UNRWA dhe çfarë të bëjnë në të ardhmen”, tha një zëdhënës i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Borrell duket shumë i irrituar nga vendimi i Komisionit, me iniciativën e komisionerit hungarez, Oliver Varhelyi, dhe me bekimin e Ursula von der Leyen, për të pezulluar efektivisht fondet për UNRWA, pas akuzave të Izraelit për pjesëmarrjen e 12 punonjësve në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi kundër Izraelit.
Përfaqësuesi i Lartë publikoi një postim në blog për të thënë se heqja e financimit të Agjencisë do të ishte joproporcionale dhe e rrezikshme.
“UNRWA bën punë shumë të rëndësishme jo vetëm për mijëra palestinezë në Gaza, por edhe në Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri. Kjo është diçka që Përfaqësuesi i Lartë dëshiron të mbahet parasysh kur diskutohet për të ardhmen e UNRWA-s dhe financimin”, tha zëdhënësi.
Por Komisioni nuk ishte në gjendje të thoshte nëse auditimi i UNRWA do të përfundonte përpara se të skadonte disbursimi tjetër pas fundit të muajit.
Ministria e Ekonomisë sot do të lansojë ‘Thirrjen Publike’ për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së ripërtërishme.
Përmes këtij investimi në sistemin e energjisë së ripërtërishme mundësohet investimet në sistemin fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Alessandro Bianciardi, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ngjarja pritet të zhvillohet, sot, në ora 10:00, në Prishtinë, menza Ramiz Sadiku.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë më 2 shkurt ka bërë të ditur se ka mbajtur takim me disa nga shefat e GP të Kuvendit.
SBASHK-u ka mbajtë takim me PDK dhe LDK, ndërsa me VV dhe AAK janë në pritje të takimit.
Tema e takimit ka qenë pakënaqësia për ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se Qeveria ‘Kurti’ e ka shkelur ligjin.
Ai thotë se vetëm si numra po numërohen punët e viteve të 90-ta në arsim dhe kjo është padrejtësi për punëtorët.
“U kemi bërë thirrje VV e opozitës për takim për t’i prezantuar shqetësimet e tonë për ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale. Kemi vërejtur se është shumë i padrejtë ndaj punëtorëve të arsimit sepse i numëron vetëm si numra vitet e 90-ta por kur bëhet përshkallëzimi për pensionet nuk i merr përbazë këto por i merr përbazë vetëm deri me 1 janar 1990 që konsiderojnë që gjoja deri atëherë janë paguar ato kontribute kjo është shkelje e ligjit”, ka thënë Jasharaj.
Sipas tij, ndryshimet në skemën pensionale kanë prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar të arsimit.
Ai ka përmendur edhe disa çështje ku sipas tij është prekur ligji.
Tutje, Jasharaj ka treguar se kanë kërkuar takim edhe me Avokatin e Popullit.
“Tjetra është se nga viti 99-2002 kur është krijuar Trusti Pensional në ato vite nuk numërohen fare edhe pse kemi punuar të gjithë. Është prekur edhe ligji për statutin e punëtorit të arsimit vitet 90-ta me këto veprime po dëmtohen punëtorët e arsimit po shkelët e drejta e fituar e punëtorëve. Kemi kërkuar nga deputetët që të mbledhin nënshkrime dhe ta dërgojnë në Kushtetuese po presim edhe një caktim të takimit me Avokatin e Popullit qe t’i prezantojmë këto shqetësime”.
Jasharaj tha se punësimi i punëtorëve në arsim ka qenë i shenjtë në vitet e 90-ta.
Ai thotë se gëzim i madh ka qenë kur pati deklarata se po njihen edhe pensionet e këtij viti.
“Qeveria Kurti edhe ligjet ekzistuese për të punësuarit po donë me i prekë në mënyrë negative, është pritur me gëzim se ka pas deklarata që po njihen edhe vitet e 90-ta dhe të punësuarit që janë dënuar dhunshëm ka qenë gëzim i paparë por ndodhi e kundërta e saj, ato vite kanë qenë të shenjta për secilin”, deklaroi Jasharaj për Front Online.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në emisionin LIBERO në ATV, tha se gjendja e arsimit në Kosovë nuk mund të ndryshojë me revolucion e as me shkop magjik, por me shumë punë të gjatë dhe sistematike nga niveli parashkollor deri në universitet.
“Gjërat bëhet në rrënjë nga fillimi që nga niveli parashkollor, shkolla fillore cikli i ulët, pastaj te shkolla e mesme e deri në universitet. Dy gjëra i kam hetuar, gjërat ne arsim nuk bëhen as me revolucion e as me shkop magjik. Duhet shumë punë të gjatë, shumë punë sistematike, sot të ndërmerren veprime që pas disa viteve të shihen”, tha rektori Tafa.
Ai tha se në vendin tonë kanë mbetur në këmbë edhe dy shtylla të komunizmit, të cilat assesi nuk po mund ta rimarrin veten, e ato sipas tij janë arsimi dhe shëndetësia.
“Po dëgjoj herë pas here qoftë në parlament, qoftë çarqe të ndryshme intelektuale, në shkrime se komunizmin duhet dënuar. Po flas me dozë kompetencës profesionale edhe të juristit kur jemi të dënimi i komunizmit. Dënimi është masa e cila i shqiptohet për fajin e shkaktuar, për fajin e bërë. Faji i komunizmit është aq i madh sa që nuk ka dënim që kish me qenë i baras vlefshëm me peshën e fajësisë të cilën e ka komunizmi. Komunizmit në vendin tonë i kanë mbetur në këmbë edhe dy shtylla, fatkeqësisht. Arsimi dhe shëndetësia janë ato dy oazat e fundit, të cilat assesi të kthjellen dhe ta rimarrin veten. Kur është themeluar AAB-ja, kemi pasur veç një universitet edhe ai ka qenë Universiteti Publik i Prishtinës dhe ideja ka qenë që të bëjmë një universitet alternativ të mos ketë monopol universiteti publik dhe të nxisim paksa konkurrencën. E kam thënë edhe në rastet e tjera, Amerika është një superfuqi e madhe ushtarake, industriale, financiare dhe pasurinë më të madhe e ka ekonominë e lirë të tregut, konkurrencën”, u shpreh Tafa.
Pas rezultateve të PISA-s, ai thotë se disa persona të cilët nuk e njohin fushën e arsimit, padrejtësisht filluan të drejtojnë gishtin edhe te arsimi i lartë.
Problemi me arsimin në Kosovë, sipas rektorit Tafa, nuk qëndron tek arsimi i lartë, por tek ai para universitar.
“Ne e kishim arsimin pa konkurrencë dhe tash kur dolën rezultatet e PISA-s, filluan të merren me këtë temë edhe ata të cilët nuk e njohin fushën e arsimit dhe të drejtojnë gishtin padrejtësisht edhe te arsimi i lartë. Nuk e kam zakon ta citoj asnjëherë veten, por diku në vitin 2004 ose 2005, kam qenë në një emision në RTK dhe aty kam thënë që problemet me arsimin në Kosovë nuk janë te arsimi i lartë, por problemet me arsimin në Kosovë janë te arsimi para universitar. Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, qofshin ato publike, qofshin kolegjet private, punojnë me ato resurse me ata nxënës të cilët na përgatitin në arsimin para universitar. Edhe në universitetet publike, edhe në kolegjet private vinë nxënës me notën shembullore, me të gjitha 5-she, numër maksimal të pikëve në testin e maturës, ndërsa në zbrazësi pothuajse elementare në fusha të caktuara. Shpesh herë kanë thënë se studentët e Kosovës bëjnë gabime, nuk dinë me shkru, universiteti nuk të mëson me shkru, universiteti nuk të mëson me lexu. Me shkru e me lexu të mëson shkolla fillore”, tha Tafa.
Në raport me ranglistat botërore, rektori Tafa tha se universitetet e Kosovës, qofshin publike apo private, qëndrojnë më mirë se në vendet e rajonit. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të rektorit Lulzim Tafa në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:
Shtyrje të zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, në raport me ndikimet te komuniteti serb, respektivisht çështjen e dinarit, dhe koordinim për periudhën tranzitore kërkuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit që kryeministri Albin Kurti pati me korin diplomatik ndërkombëtar, ambasadori amerikan, Jeffery Hovenier, tha se problemi me rregulloren qëndron te mënyra e zbatimit, siç vlerësoi ai, pa informim të mjaftueshëm paraprak.
“Derisa, absolutisht respektojmë, mbështesim dhe mirëpresim zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës, njohim dhe respektojmë rolin e BQK-së në rregullimin e sektorit financiar – dhe, në fakt, SHBA-ja ka luajtur rol të rëndësishëm duke mbështetur dhe ndihmuar këto institucione, që të jenë të afta të kryejnë funksionet e tyre efektivisht dhe me zotësi, përmes trajnimeve, këshillave të ekspertëve e të tjera. Dhe, sigurisht, i mbështesim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe gjëra të tilla. Ne kemi shqetësime të thella për mënyrën sesi kjo rregullore po zbatohet, sepse besojmë se nuk merr në konsideratë disa realitete dhe shqetësime nga komunitetet”, tha Hovenier.
Pasi tha se pret plan dhe strategji të qartë nga Qeveria, ambasadori paralajmëroi se vazhdimi pa koordinim me SHBA-në mund të përcillet me pasoja.
“Mund të flas vetëm për kërkesën SHBA-së, e cila është shtyrja, në mënyrë që të bëhet më shumë punë për ta zbatuar atë (rregulloren), në një mënyrë që ne besojmë se është në përputhje me standardet evropiane dhe një periudhë të mjaftueshme informimi. Qeveria ka folur për një tranzicion dhe shpresojmë që ky tranzicion i merr në konsideratë këto çështje. Lidhur me veprimet nga SHBA-ja, mund të them se do të shpresonim që Qeveria të jetë partnere me ne në këtë. Kjo është diçka që presim në partneritete. Vullneti i Qeverisë për t’i adresuar këto shqetësime do të përforconte partneritetin tonë të gjerë. Dhe, nëse Qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne në këtë çështje shumë të ndjeshme, do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”, tha Hovenier.
Krahas thirrjes për kthim në dialog, Bashkimi Evropian theksin e vuri te rreziku i përkeqësimit të situatës së sigurisë.
“Gjatë javës së shkuar, kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës, këto zakonisht nuk janë të koordinuara, janë veprime të njëanshme apo të ndërmarra pa nivelin e nevojshëm të konsultimit paraprak, në mënyrë që të parandalohet ndikimi negativ që mund të kenë te njerëzit”, ka thënë zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore për Operacionet me Para të Gatshme, e cila njeh euron si valutë të vetme për pagesë, hyri në fuqi më 1 Shkurt.
Ministri Gjerman i Mbrojtjes të hënën qëndroi për vizitë në Kosovë, ku u prit nga krerët e shtetit. Pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, Boris Pistorius nuk kishte si të mos fliste për një temë mjaft aktuale në Kosovë.
Për të, vendimi i BQK-së, që vendos euron si valutë të vetme për kryerje të pagesave në Kosovë, është krejtësisht i ligjshëm, megjithatë, sipas tij, duhet të jepet kohë për zbatimin e tij.
“Jemi të vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bën pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros, si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, ashtu që askush të mos ketë frikë dhe ketë mosinformim”, tha Pistorius.
Përtej ligjshmërisë, Presidentja Vjosa Osmani theksoi nevojën për dakoordim me aleatët ndërkombëtarë.
“Nga të gjitha kontaktet e mia me kryeministrin mund t’iu siguroi që qëllimet i kemi të njëjta dhe ajo është mbrojtja e kushtetutës së vendit, mbrojtja e sovranitetit, sundimi i ligjit, por njëkohësisht edhe arritja e dakordimit me aleatët tanë sa i përket kësaj çështjeje. Metodat mund t’i kemi të ndryshme, por qëllimet asnjëherë”, tha Osmani.
Duke kërkuar shtensionim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe duke bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Ministri Pistorius njoftoi se Gjermania do të rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë, qysh në pranverë.
“Gjermania pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës. Ne bashkëpunojmë me sukses në shumë fusha. KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri. Sa u përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është kërkesë deeskalimi. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por parakusht është dialogu. Duke marrë parasysh tensionet aktuale bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha Pistorius.
Osmani u kujdes ta informojë më shumë ministrin gjerman, veçanërisht për sulmin terrorist në Banjskë për çka tha se terroristët serbë përdorën simbolet e KFOR-it, madje edhe atyre gjerman për ta kryer më lehtë sulmin.
Vizitën zyrtare ministri gjerman e vazhdoi për në kryeministri me shefin e qeverisë, për ta përmbyllur më pas në një takim me homologun kosovar Ejup Maqedonci.
Prej tri vjetësh është ministre e këtij sektori, por tek të hënën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e vizitoi për herë të parë nëntokën e Stan Tërgut.
Ajo thotë se as nuk e ka imagjinuar më përpara atë që pa në horizontin e 10-të në minierën e Trepçës, ku pa nga afër kushtet në të cilat punojnë minatorët.
“Sigurisht që e dimë në nivel racional që puna e minatorëve është shumë e vështirë dhe se kushtet janë të vështira dhe të jashtëzakonshme, mirëpo është e paimagjinueshme deri sa nuk i sheh vetë. Është fatmirësi që në masë të madhe siguria në punë është e mirë, megjithëse ende ka problem”, tha Rizvanolli.
Andaj, e para e ekonomisë thotë se përmirësimi i kushteve do të vendoset lart në listën e prioriteteve të ministrisë, por edhe të menaxhmentit të “Trepçës”, që tash ka kryeshef të ri.
Gjiganti metalurgjik vazhdimisht është mbështetur nga Qeveria e Kosovës me subvencione milionëshe, që kryesisht janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve operative.
“Deri më tani shumica e subvencioneve kanë shkuar për shpenzime operative, për mbulim të pagave në radhë të parë, por edhe kriza energjetike dhe rritja e shpenzimeve për energji elektrike tejet e madhe për shkak të krizës, ka bërë që pjesa më e madhe e subvencioneve të jetë për shpenzime operacionale, por kjo absolutisht që duhet të ndryshojë, sepse ua kemi borxh punonjësve të “Trepçës” që të investojmë, që të përmirësojmë edhe kushtet e punës, edhe produktivitetin e punës”, tha Rizvanolli.
Në të njëjtën linjë me ministren është edhe kryeshefi Bashkim Kurti.
“Vetëqëndrueshmëria financiare është prioriteti ynë i parë, por në këtë prioritet t’parë realisht tonin si menaxhment i lartë, normalisht që lidhet apo është një nënkusht i parë i kësaj, është siguria në vendin e punës”, tha Kurti.
Si sfidë e cila do të trajtohet, sipas ministres, është numri i vogël i minatorëve.
Për këtë vit, Trepça me dy njësitë e saj që udhëhiqen nga shqiptarët synon t’i eksploatojë mbi 195 mijë tonë xehe të plumbit dhe zinkut.
Prej kësaj të hëne e deri në plotësimin e kushteve, kjo derë nuk do të hapet.
Madje, nëse kërkesa për rritje të pagës nuk plotësohet, dera rrezikon të mos hapet më nga punëtorët teknikë të shkollës fillore “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
“Na këtë grevë, nuk e kemi filluar me dëshirën tonë, por komuna na ka shty me bë këtë grevë për arsye se protestën më 23 nëntor që e kemi pas, nënkryetari Alban Zogaj na ka premtuar që do të ketë rritje të pagave prej muajit janar 2024, por kjo nuk ka ndodhur. Ato kanë qenë vetëm fjalë të tyre edhe tjetër opsion na nuk kemi pasë, kemi fillu me grevë”, tha Fazli Idrizi, kryepunëtor në shkollën e mesme “Pjetër Bogdani”.
Në grevë kanë hyrë edhe punëtorët teknikë të shkollës fillore “Naim Frashëri”.
“Çdo herë na kanë thënë shtator, tetor do të këqyrim dhe për këtë arsye pa dëshirën tonë se po na vjen keq prej nxënësve, sepse nxënësit janë duke e pësu, por na u ka imponu”, tha Nazmi Veseli, punëtor teknik në shkollën “Naim Frashëri”.
Të papranueshme e diskriminuese, çështjen e pagës e cilësoi edhe kryetari i Sindikatës së pavarur të punëtoreve të sektorit privat, Jusuf Azemi.
“Nëse nuk ka negocime, atëherë javën tjetër të gjithë punëtorët do të lirojnë vendet e tyre të punës dhe do të sillen punëtorët tjerë. Është një diskriminim i llojit të tillë përderisa në të njëjtin vend në të njëjtën shkollë këta punojnë dhe marrin dikush 230 e dikush 270 euro, po të njëjtit punëtorë marrin 405 euro, ka buxhet por nuk ka ndershmëri”, tha Azemi.
ATV-ja gjatë ditës ka provuar të marrë një përgjigje në Komunën e Prishtinës në lidhje me kërkesat e punëtorëve teknikë, por ajo ka qenë e paqasshme.
Grevë e njëjtë është mbajtur edhe gjatë vitit të kaluar, në 16 shkolla fillore e të mesme në kryeqytet, punëtorët e të cilave janë nën menaxhimin e kompanive të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës.
Pothuajse një vit prej kur u arrestua nën dyshimet për krime lufte në Kamenicë, Zlatan Arsiq nga kjo e hënë është në liri.
Gjykata Themelore e Prishtinës, Arsiqin, në mungesë të provave, nuk e ka gjetur fajtor për krime lufte.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, sipas Gjykatës Prokuroria Speciale nuk ka arritur të argumentojë se ishte Arsiq, ai që e maltretoi e kanosi me jetë Besim Muhaxherin.
Megjithatë, sipas gjykatës, aktgjykimi lirues për Arsiqin nuk e konteston faktin se Muhaxheri ishte keqtrajtuar gjatë luftës.
Mbrojtja e familja e Arsiqit e kanë mirëpritur vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
“Asnjë provë nuk e ka konfirmuar faktin se Zlatani kreu një krim lufte. Këtë e kemi pretenduar si mbrojtje në fillim dhe gjatë kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe gjatë procedurës së provave. Është e padiskutueshme se Zlatan Arsiqi ka pasur alibi dhe se ai nuk ka qenë aty kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja”, tha Vasilije Arsiq, avokat i Zlatan Arsiqit.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Arsiqit, i cili kishte shërbyer në Policinë e Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Arsiqi në mars të 1999-ës, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, e kishte ndaluar Besim Muhaxherin, të cilin më pas e rrahin, e keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore duke e kanosur edhe me jetë.
Por, gjatë dëshmisë, Muhaxheri kishte dhënë deklarata kundërthënëse, e kishte identifikuar Arsiqin, por nuk ishte shprehur i sigurt për mënyrën dhe kohëzgjatjen e keqtrajtimit.
I kontaktuar nga televizioni, Muhaxheri ka thënë se nuk dëshiron ta komentojë vendimin e gjykatës.